Gjermania nuk kishte shënuar kurrë më parë 5 gola në pjesën e parë gjatë historisë së saj, ndërsa Selecao kishte 42 ndeshje që nuk humbiste më shtëpi. Joakim Low as që do ta kishte menduar që tabela elektronike në stadiumin Mineirao të Belo Horiontes do të tregonte shifrat 7-1 pas vërshëllimës së fundit të gjyqtarit, ndërsa 5-0 vetëm në minutën e 29-të të pjesës së parë. Tashmë Maracanazzo nuk ekziston më, tashmë është koha e Mineirazzos. Por Low nuk u bie trumbetave të fitores, sepse nuk është në stilin e tij.
“E kuptoj shokun psikologjik që pësuan brazilianët, e kam provuar edhe unë në 2006, kur u mposhtëm në Dortmund nga Italia. Më vjen shumë keq për Felipaon. Kishin mbi shpinë presionin e 200 milionë tifozëve. Nuk duhet të ekzaltohemi, festa mund të zgjasë vetëm pak orë, sepse duhet të jemi të përqendruar te finalja”, tha trajneri i gjermanisë
Heronjtë e Belo Horizontes i gëzohen triumfit pa u shfrenuar. Mesut Ozil shprehet se ndihet krenar që është pjesë e pancerave, ndërsa Peer Mertesacker premton maksimumin në finalen e madhe të Marakanas. Për Lukas Podolskin ishte një fitore shumë emocionuese, e cila do të merrte vlera vetëm në rast suksesi në finale.
