Deklaratës së fortë të PS, me akuza kundër presidentit të zgjedhur Ilir Meta pas thirrjeve të tij nga Lezha, i është përgigjur prerë nënkryetari i LSI-së, Luan Rama.
Me një postim në faqen e tij në FB, numri dy i partisë thekson se “LSI nuk ka bërë asnjë akuzë për Partinë Socialiste dhe as për socialistët! LSI ka denoncuar grupet kriminale të Rilindjes që nuk kanë asnjë lidhje me socialistët e vërtetë”.
Luan Rama i bën thirrje Rilindjes të distancohet nga bandat dhe të presë me qetësi rezultatin e zgjedhjeve.
Reagimi i Luan Ramës
LSI nuk ka bërë asnjë akuzë për Partinë Socialiste dhe as për socialistët!
LSI ka denoncuar grupet kriminale të Rilindjes që nuk kanë asnjë lidhje me socialistët e vërtetë, që nën mbrojtjen dhe me veprimet e mosveprimet e Policise, qarkullojnë të armatosur për të kërcënuar votuesit dhe për të tjetërsuar vullnetin e tyre!
Rilindja të distancohet nga bandat, të dënojë aktet e dhunës në Kashar, në Shëngjin e gjetiu dhe të presë me qetësi rezultatin e zgjedhjeve!
Shqipëria po voton kundër bandave dhe kastës politike në shërbim të krimit!
