Luarasi: “Stanislav Zuberi, mik i familjes sonë”

anazapta

Përveçse ai është djali i diplomatit Thoma Luarasi dhe nip i rilindësit të njohur, Kristo Lurasit, profesor Genc Luarasi ka emrin dhe pofilin e vet intelektual, shkencor dhe profesional. Ai ka qenë një nga inxhinierët kimistë më të mirë të vendit, kryeinxhinier i uzinës së superfosfatit të Laçit dhe i disa veprave të tjera të “të pesëvjeçarëve”, për shumë vjet pedagog i ftuar në Universitetin e Kamzës, ndërsa tani është në pension. E bëmë këtë prezantim të shkurtër, për të thënë se ato që do të lexojmë më poshtë, janë të vërteta të dala nga një njeri i kultivuar që di ç’thotë dhe si e thotë. Genci ka  qënë 4-5 vjeç kur Zuberi hynte e dilte nga shtëpia e Luarasve, dhe kujtimin e ka të turbullt  për ta veçuar Zuberin nga miqtë e shumtë që vinin aty, por ai ka dëgjuar më pas për këtë mik të rrallë, sidomos nga gjyshja dhe e ëma që ishin polake, bashkëpatriote të Zuberit.  

 

Profesor, ju e keni njohur personalisht Zuberin?

Njohur?! Si ta them, unë atëhere kam qenë 4-5 vjeç, në shtëpinë tonë hynin shumë njerëz dhe, sadoqë më vonë e kam munduar veten ta veçoja Zuberin nga të tjerët, nuk kam arritur. Ka qenë një rast, para dy vjetëve, kur në një gazetë kam lexuar një shkrim për librin e shkrimtarit tonë të madh Petro Marko, “Intervistë me vetveten  – Retë dhe Gurët”, ku ai dëshmonte se kishte qenë në një qeli me inxhinierin polak të naftës, profesor doktor Stanislav Zuberin, ose “Abati Faria”, siç u quajt më vonë. Ky rast ka qenë si një tik nervor që më ka çuar pas në kohë, kur unë me gjyshen time, shkonim bashkë tek ambasadori polak në Shqipëri, zoti Micel, me prejardhje çifute, shumë fisnik, zyrat e të cilit ishin në Hotel “Dajti”, ku ajo i kërkonte ndërhyrjen pranë autoriteteve polake për lirimin e profesor Zuberit nga burgu. Veç kësaj, më kujtohet se kemi shkuar edhe disa herë në burg ku i kemi çuar profesorit ushqime dhe veshmbathje, të cilat ne nuk e dinim nëse i shkonin apo jo, por që një ditë na thanë se nuk ishte më e nevojshme t’i sjellim gjë. E morëm me mend se çfarë kishte ndodhur, por më konkretisht, unë, pa gjyshja se mori dot vesh kurrë, e mësova të vërtetën tani vonë nga libri i Petro Markos.

 

Si u lidh familja juaj me Zuberin apo Zuberi me ju?

Babai im, Thomai, ishte martuar me nënën time, Janina Luarasi Kaczkovska, me kombësi polake. Në shtëpinë tone, kundër dëshirës së saj kishte ardhur edhe një polake tjetër, Felicia Kaczkovska (von Braun), vjehrra e Thomait, gjyshja ime, e cila kishte mbetur në Poloni vetëm pa asnjë mundësi tjetër financiare. Madje me gjyshen kam edhe një detaj që ma tregonin më pas. Kam qenë dy vjeç dhe desh i kam çarë valixhet me sopatë atë ditë që erdhi në Shqipëri, mu duk e huaj, e largët, por që më pas u miqësuam shumë dhe s’bënim dot pa njëri-tjetrin. Me Zuberin dy gratë e familjes ishin bashkëpatriotë dhe ndjenin nevojën e bisedave dhe të kujtimeve për vendlindjen. Kjo qe edhe arsyea e ardhjes shpesh të Zuberit në shtëpinë tonë. Nëna ime, Janina  e kish prezantuar Zuberin edhe me babanë tim, diplomatin Thoma Luarasi. Midis të dy burrave më pas kish lindur një miqësi e fortë, të cilën e ndau vetëm vdekja.

 

Keni ruajtur ndonjë gjë nga Zuberi?

Për fat të keq, jo. Shtëpia jonë ka qenë te Rruga e Kavajës, aty ku ka qenë edhe shtypshkronja Luarasi. Gjatë luftës ajo është bastisur disa herë dhe kanë ngelur pak gjëra nga ajo kohë. Hë, po. Nga nëna për Zuberin kanë ngelur disa shënime, që i ka marrë pas vitit 1990 një gazetar polak, në të cilat ajo thotë se profesor Zuberin e kish njohur sapo ishte kthyer për herë të fundit nga Polonia në vitin 1941, vit pas të cilit nuk mund ta vizitonte atdheun e saj, pas kushteve të karantinës shqiptare.

“Ai ishte një zotëri, – kujton Janina, në moshë, me një trup mesatar të lidhur, por me një pamje të thjeshtë, i gjallë e me energji, gjë që ishte disi kontradiktore me flokët e tij. Në shoqërinë ku takoheshim, gjithmonë e vije re rrethuar nga vizitorë të vëmendshëm, të cilët i tërhiqte me mënyrën e tij finike të paraqitjes dhe të bisedës”.

Me tej ajo thotë se  gjatë 20 viteve ai e përshkoi Shqipërinë kryq e tërthor, duke shënuar e përcaktuar burimet e saj të naftës.

“Në vitet që pasuan atë e takova shpesh tek miqtë tanë kur e sillte puna të vinte nga Kuçova në Tiranë, por pas vitit 1944 nuk u takuam më. Shumica e të njohurve tanë ishin larguar nga Shqipëria, ndërsa profesori qëndronte në Kuçovë, duke mos lëvizur prej andej. Vetëm në pranverën e vitit 1946, u takuam rastësisht në Tiranë për gëzimin tonë të përbashkët. Mjerisht lajmet rreth tij nuk ishin të mirë. Gjatë bombardimeve në Kuçovë i ishte vrarë e shoqja. Ai vetë banonte i vetëm në Tiranë, i kufizuar në një hotel, pasi në atë kohë letrat, punimet dhe hartat e tij i ishin nënshtruar një kontrolli policor. I u ndalua të kthehej në Kuçovë. Në Tiranë nisi të merrej me studime ihtiologjike dhe pranë tij kishin caktuar nje “sekretare”. Ftesës time për të na vizituar, e pranoi me kënaqësi edhe për faktin se nga Polonia pranë nesh kishte ardhur nëna ime, pas përfundimit të Luftës, për të pleqëruar me mua, pasi lufta  i kish shkatërruar shtëpinë.

Gjatë vizitës nëna i tregoi Zuberit për tmerret e bombardimeve të Varshavës, luftës nëntokësore të rezistencës, qëndrimit të saj në fshat për gjashtë javë pa ushqime etj. Vihej re që ai çdo gjë e dëgjonte me vëmendje, çdo fjalë i interesonte.

Me afrimin e pranverës së vitit 1947, ai filloi ta ndjente veten të survejuar dhe në fillim të qershorit u arrestua nën akuzën e spiunazhit.

Të gjitha përpjekjet tona për  t’i dërguar sende ushqimi e veshje nuk dhanë rezultat. Marrëdhëniet  mes dy shteteve në Tiranë nuk ishin realizuar akoma institucionalisht, ndërsa profesor Zuberi nuk i përballoi dot kushtet e rënda në burg, por vdiq në këmbët e rojeve të burgut në atë fund vjeshte të vitit 1947”, shkruan Janina Luarasi Kaczkovska në shënimet e saj.

Screenshot

Po përsa i përket punës shkencore, thotë gjë nëna juaj në kujtime?!

Jo, ajo përmend shkarazi punën e tij, por vlerëson përpjekjet e tij titanike dhe sakrificat e mëdha që bënte ai në këtë vend të huaj, qoftë edhe thjesht për jetesën që ndonjëherë i kthehej në mbijetesë. Ai kishte në Shqipëri që nga viti 1927, plus që edhe lufta e plagosi rëndë, duke i marrë një pjesë të jetës së tij, bashkëshorten dhe duke e lënë fillikat vetëm.

 

Sa e njihni ju si intelektual punën dhe jetën e Zuberit?

Për shkak të afinitetit që u thashë, por edhe si inxhinier kimist, pak a shumë na lidh edhe profesioni me profesorin e shquar, unë kam lexuar shumë dhe kam dashur të shkruaj për të, por  ing. Arqile Teta, një nga specialistët dhe kuadrot e industrisë së burimeve natyrore të nëndheshme, i cili studimet e larta i kreu në Poloni, në Universitetin e AGH, ka bërë një punë shteruese për Zuberin. Siç thotë edhe vetë, Teta nuk gjeti qetësi deri sa nxori në dritë monografinë shumë të arrirë e të pasur në vitin 2010, në të cilën evokohet jeta e shkencëtarit në Shqipëri. Në  këtë punim  dinjtoz, plot zemër, vlera intelektuale dhe morale fshihen hijet e errëta të mosmirënjohjes ndaj një personaliteti të tillë. Ndaj unë për këtë figurë nuk mund të sjell ndonjë gjë të re.

Po, mund të shtoj këtë që, si njeri, si intelektual, si shqiptar, por edhe se në dejet e trupit tim ka gjak polak, më vjen mirë, që tani në kohën e demokracisë, u rehabilitua dhe u rivlerësua figura e këtij njeriu të shquar, që për 20 vjet la mbi 300 punime e zgjidhje shkencore. Atij i është dhënë titulli “Martir i Demokracisë” në vitin 1992, është bërë Qytetar Nderi i qytetit të Kuçovës. Një rrugë në Kuçovë mban emrin e tij dhe një bust i tij është vendosur në një nga vendet më të dukshme të qytetit.

E, megjithatë, ai meriton më tepër nderim!…

 

Stanislav Zuber, “njeriu pa  çati”

Stanislav Zuber u lind në 14.10.1893 në Lvov, në familjen e shkencëtarit të shquar, profesorit të Universitetit të Lvovit, Rudolf Zuber, me prejardhje nga Tiroli i Austrisë. Si Zuberi edhe dy vëllëzërit e tjerë të tij, të lindur nga prindër të tillë, domosdo që do të merrnin një edukatë të shëndoshë civile dhe shkencore, duke u lidhur me gjithë botën universitare të kohës. Stanislavi, pas përfundimit të shkollës së mesme kaloi në Krakov në universitetin e njohur të Jagelonjskit.

Në  vitin 1915 Lvovi pushtohet nga Rusia, ndaj Zuberi detyrohet të ndërpresë studimet universitare dhe të zhvendoset në thellësi të vendit. Me ndihmën e miqve gjeti një punë në sektorin e zbulimit të naftës në Baku. Atje nis periudha e punës shkencore të pavarur., e cila kurorëzohet me fitimin e titullit doktor në vitin 1924 në Universitetin e Lvovit. Vazhdoi studimet e rajonit të Karpateve dhe punimi i tij u vlerësua nga  Universiteti i Krakovit në vitin 1927 duke marrë titullin e profesorit.

Më pas i ftuar nga firma naftëkërkuese AIPA për 20 vjet punoi, studioi dhe realizoi një sërë suksesesh në Shqipëri. Atij në Shqipëri “i ngjiti” më mirë se në Itali, ndaj dhe e quante vendin tonë “Shqipëria ime”. Puna e tij, veç në Itali dhe Shqipëri, u shtri edhe në Malin e Zi, ku përveç raporteve ai hartoi edhe një sërë hartash e prerjesh.

Prof. Zuber ishte një studies i një rangu të lartë, një profesionist i shkëlqyer në fushën e naftës. Si pasardhës nga një familje intelektuale, Zuberi ishte specialist i kompletuar, me njohuri të thella në fushen e gjeologjisë. Stanislav Zuber udhëhoqi të gjitha punimet, pus më pus e kantier më kantier të kompanisë italiane në Kuçovë.

Përveç aktivitetit në nivel të lartë shkencor, Zuber koleksionoi mostra kampionesh nga shumë lloje shkëmbinjsh që takohen në vendin tonë dhe ngriti një muze gjeologjik në Kuçovë. Sa më shumë shpime bëheshin, për kërkimin e naftës dhe gazit në vendin tonë, aq më shumë vërtetoheshin parashikimet e Zuberit për ndërtimin gjeologjik të vendit tonë.

Gjatë punës në Shqipëri, profesor  Zuberi bëri një jetë të thjeshtë mes punëtorëve, por edhe mori pjesë gjallërisht në aktivitete shkencore, në shumë kongrese ndërkombëtare me paraqitjen e punimeve dhe kumtesave nga fusha e gjeologjisë së Shqipërisë. Krahas vendit të tij të lindjes, ai kurdoherë vlerësoi Shqipërinë njëlloj si vendlindjen e tij.

 

Nafta shqiptare në duart e Zuberit

Stanislav Zuber është autori i dy venburimeve më të mëdha në vendin tonë, Kuçovës  dhe Patosit. Ai punoi në shumë zona të tjera kërkimi të naftes në vendin tonë, nga Jugu në veri, kreu vrojtime dhe studime shkencore për gjeologjinë sipërfaqësore, dhe është autor i Hartës Gjeologjike të Shqiperisë me shkallë 1: 200 000, si edhe i hartës tektonike të Shqiperisë. Është autor i mbi 200 ekspertizave shkencore. Profesor Stanislav Zuber ishte një nga korifenjtë e gjeologjisë së Shqiperisë. Interpretimet e tij janë vërtetuar plotësisht nga punimet e shumta të kërkimit për naftë që u kryen me vonë nga gjeologët shqiptare.  Për një specialist të sotëm është e vështirë të perceptohet se si një gjeolog i vetëm, në kushtet e mungësës së plotë të bazës laboratorike, të mungesës së plotë të metodave ndihmëse studiuese të gjeologjisë, si paleontologjia, petrografia, sizmika, gjeokimia, gjeofizika, të udhëheqë me kompetencë të plotë shkencore të gjitha punimet e kërkimit për naftë e gaz.

Fundi, sa tragjik aq edhe banal

Megjithëse Lufta e Dytë Botërore u zhvillua e ashpër, ai nuk lëvizi nga Shqipëria, qëndroi aty familjarisht, derisa një ditë nga bombardimet e Aleatëve humbet gruan,  gjënë më të shtrenjtë që i kishte mbetur, me të cilën ndante hallet e mundimet që të krijonte një vend i huaj, i varfër dhe i prapambetur si Shqipëria. Por nuk kaloi shumë kohë dhe çuditërisht gjithë ajo famë e punë shumëvjeçare u injorua. Zuberi u fut në burg dhe u vra pa gjyq, barbarisht, nga rojet e burgut si armik. Një fund sa tragjik, aq edhe banal për një figurë të tillë që kishte bërë gjithë ato studime me vlerë, që kishte marrë pjesë si drejtues në disa kongrese ndërkombëtare për naftën, që kishte ngritur Muzeun Gjeologjik të Naftës në Kuçovë dhe që i kishte lënë Shqipërisë, që në një çast u tregua mosëmirënjohëse me të, një pasuri të madhe studimore që u shfrytëzua më pas.

 

Janina Kackovska (Luarasi), dëshmi gazetarit polak për Zuberin

Një pjesë të dëshmive dhe të dhënave mbi jetën e veprën e shkencëtarit të famshëm Stanislav Zuber, kryesisht atë të qëndrimit të tij prej 20 vjetësh në Shqipëri, gazetari polak, Stanislav Carniecki, arriti t’i mblidhte nga biseda që bëri me shtetasen shqiptare me origjinë polake, Janina Kacazkovska (bashkëshortja e ish-diplomatit shqiptar të periudhës së Monarkisë së Zogut, Thoma Luarasi), e cila jetonte në një shtëpi në rrugën e “Kavajës” që nga viti 1936. Gjatë vizitës që Stanislav Carniecki bëri në Shqipëri në vitin 1992, ai mori kontaktin e parë me znj. Janina. Pas kësaj ai Kjo gjë veç të tjerash dëshmohet edhe nga një letër falënderimi që ai ia dërgon Një vit më vonë ai i dërgon zonjës Janina një letër, ku në mes të tjerash i shkruan: “Shumë e nderuara zonjë! Edhe një herë ju falënderoj përzemërsisht për bashkëbisedimin interesant dhe të vlefshëm mbi Stanislav Zuber. Bashkë me fotokopjen e artikullit tim që u botua në një nga revistat gjeologjike, ju dërgoj edhe urimet e mija më të përzemërta. Në vitin e ardhshëm do të flas diçka mbi jetën dhe veprimtarinë e Zuberit në Shoqatën e Gjeologëve të Polonisë, dhe mundet të shkruaj diçka. Dërgoj për ju dhe djalin tuaj, urimet e mija më të mira me rastin e afrimit të festave dhe ju kujtoj Juve”. (Stanislav Carnieckieki).

Share This Article
1 Comment
  • Sa turp per ne shqiptaret, edhe pse keto gjera i beri pushteti diktatorial i Enver Hoxhes ne bashkepunim te ngushte me Titon, qe kerkonte te zhdukte cdo njeri qe kishte ndihmuar popullin tone.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *