Humbja e zgjedhjeve të 25 qershorit për Partinë Demokratike pati një ndikim të madh jo vetëm në këndvështrimin politik, por dhe në strukturat brenda saj. Shumë anëtarë të PD fajësojnë kreun e opozitës Luzim Basha si personi i vetëm përgjegjës për rezultatin zhgënjyes i cili jo vetëm që nuk arriti që të mposhtë kundërshtarët politik, por pësoi një humbje të thellë.
Deputeti i PD-së Luçiano Boçi thote se edhe pse rezultati nuk ishte ai që priste PD-ja, në zgjedhjet e 25 qershorit pati presion të madh nga faktorët politik tek votuesit. Për Boçin, votimi sipas rregullave tashmë ka rënë. Marrëveshja e 18 majit për Boçin nuk e ka arritur qëllimin që pritej, teksa shprehet se ky pakt i shkaktoi PD-së një dëm të madh.
I pyetur për koalicionin e mundshëm mes PS-PD, deputeti demokrat e mohon një gjë të tillë, duke thënë se kjo është një zhurmë mediatike dhe nuk ka asgjë konkrete.
Zoti Boçi përse PD doli me këtë rezultat në zgjedhjet e 25 qershorit?
Për të thënë përse-të e këtij rezultati nuk besoj se mjafton një intervistë, e cila gjithsesi nuk më pengon të pohoj se rezultati i arritur nuk është shprehje e saktë e vullnetit të votuesit. Kjo për shumë arsye midis të cilave shit-blerja e presionimi i votës ka rol parësor. Sistemi ynë zgjedhor është tashmë i tronditur dhe ai nuk prodhon më vullnet politik, por prodhon një deformim të frikshëm të dëshirës së partive politike për pushtet. Baza e këtij themeli që është vota e lirë ka rënë përfundimisht. Vota është tashmë një mall burse, çmimi i së cilës varion sipas indicieve të tregut politik. Lëviz në vlerë monetare sipas ditës, orës, vendit apo vlerë interesi të konvertueshme si punë, tender, koncesion dhe gjithfarësoj pazaresh. Vota qartazi tashmë nuk ndjek asnjë program real konkret që paraqitet si zgjidhje nga një forcë politike, as cilësitë personale të kandidatëve e as performancën e kaluar të mazhorancës së mëparshme që duhet thënë që ishte e barabartë me fjalën katastrofë. Rregullat klasike përfundimisht nuk ekzistojnë, për t’u zëvendësuar kësisoj me parimet e xhunglës dhe orientimi i votuesit po shkon çdo ditë e më shumë me përdhunë drejt një përzgjedhje komedianësh të kamur se sa politikanësh. Partitë që të mbijetojnë duhet me domosdo të shndërrohen në korporata ekonomiko-banditeske, siç ka ndodhur me partitë e kësaj mazhorance ose duhet të lindin që në gjenezë të tilla. Përndryshe, rrezikojnë të rrudhen ose të zhduken fare. Ky fenomen tashmë ka ndodhur në fakt. Vula e këtyre zgjedhje bie njëkohësisht erë tymi hashashi. Paratë e pista u derdhën për pastrim dhe për pushtet dhe kanë prodhuar një kolaps psiko-politik pa asnjë rrugëdalje. Tashmë jemi brenda një sistemi quasi demokratik i cili kërkon reformim të menjëhershëm, përndryshe në Shqipëri do rrëzohen dhe ato pak vlera njerëzore e politike që kanë mbetur në këmbë. Sigurisht ky parashtrim nuk ka nota justifikuese. Çedimet organizative me efekt ndikues në rezultat dhe mënyrat e qasjes së PD e strukturave të saj ndaj votuesit do jenë pjesë e analizës kapilare që ne do bëjë përgjatë kësaj kohe.
Mendoni se pakti Rama-Basha dëmtoi më shumë opozitën?
Ishte një marrëveshje e sforcuar, nën ndikimin e shumë faktorëve, për të ndrequr sadopak sistemin tonë të tronditur të votës së lirë dhe të ndershme. Nuk ia arriti qëllimit për mendimin tim. Dëmin më të madh për fat të keq, shumë larg dëshirës dhe qëllimit që u bë ajo marrëveshje nga ana jonë, e ka marrë pikërisht ai që përcakton vlerën e partive që është vullneti i sovranit. U deformua, u detyrua, u ble, u transformua për shkak të elementeve ekstra politikë. Fitorja e PS mund të ketë çfarëdo ngjyre e shije brenda saj, por vetëm ngjyrën dhe shijen e sovranit mendoj se nuk e ka. Vullneti i tij nuk është thjesht numër, por dhe proces dhe përmbajtje. Nga kjo pikëpamje ky është një vullnet krejtësisht bosh. Pra fitorja e PS është një lloj fitore bosh, që nuk thotë asgjë dhe nuk ngjall asgjë.

Do të pranonte PD futjen në një koalicion me Partinë Socialiste edhe pse kjo e fundit i ka numrat?
Është një koalicion i përfolur pa ndonjë bazë konkrete. Më shumë mediatik se sa politik, i cili i referohet relativizimit të gjuhës politike të kryeministrit se sa një dokumenti politik konkret. Është absurde që një forcë politike e cila ka fituar e vetme shumicën e vendeve në parlament të kërkojë koalicione. Boshllëkun e fitores së saj nuk e mbushin koalicionet, por vërtetësia e votës e cila sot është nul. PS nuk mund të pagëzohet në lumin e PD.
Mendoni se “ngrirja” e Bashës është e mjaftueshme si reflektim për humbjen dhe lejon një garë të ndershme brenda PD-së?
“Ngrija” është procedurë për të mos ndikuar në procesin e zgjedhjes së kreut të PD dhe nuk është vetëm reflektim. E tillë do të ishte dhe në rast fitoreje. Basha e ka deklaruar këtë mëse njëherë para daljes së rezultatit zgjedhor. Akti i ndërmarrë krijon paritet dhe baraslargësi për të gjitha palët e përfshira si kandidim dhe krijon mundësi që të ndiqen pa asnjë ekuivok hapat e përcaktuar në statutin e PD. Është mëse i mjaftueshëm dhe ç’tensionon situatën.
Mendoni se ekziston mundësia që PD të ndahet në dy grupe, nga ku mund të kemi krijimin e një partie të re nga grupi që nuk e duan Lulzim Bashën si lider?
Asnjë nuk do ta dëshironte dhe askush nuk besoj se po punon në këtë drejtim. Fituesi duhet të krijojë hapësira për normalizim të karrierave, ambicieve e marrëdhënieve, për çdo individ apo grupim që paraqitet si alternativë. Jemi brenda një familje dhe “zënkat” deklarative apo të përkrahjeve duhet t’i shërbejnë forcimit të saj dhe jo përçarjes së saj. Humbësi nga ana tjetër duhet të pranojë rezultatin dhe të gjejë aty angazhimin e duhur për të kontribuar në betejën politike të radhës me kundërshtarin politik dhe jo t’i investojë energjitë për të luftuar brenda nesh.
Intervistoi: Enkel Xhangoli

Nese duhet thene e verteta pa dorashka, per mendimin tim personal, veprimtaria e kryetarit te PD zLuli per keto momente eshte nje hop cilesor per vete partine nga ai personalisht , por edhe per kauzen e madhe te atdheut Shqiperi. marreveshja me Edin nuk e dobesoi partine tuaj po e ngriti ne nivele me evropiane si nje bashkepunuese per qellimin madhor.Fakti qe po flitet shume dhe perballja me te mbetet tek ishi Selami tregon se aieshte nje kanditature e forte.Dhe nese do me pyese dikush per aq dite sa Edi bashkepunoi me PD jam i mendimit qe te vazhdoje sepse nje opozite sterre nuk i vlen kurrekujt. E ndersa shembuj si z Mandia i duhen sot Shqiperise . Dhe pse nuk e njoh e falenderoj miqesisht e sinqerisht per punen e ketyre pak diteve perkrah Edit.