Nga Sejdo Harka
Të shkruash për krijimtarinë shumëplanëshe të shkrimtarit Thanas Dino është sa e lehtë aq dhe e vështirë. Është e lehtë ,jo vetëm se ai trajton një problematikë jetësore të kohës, por edhe se në to përdor një gjuhë të gjallë dhe me kolorit të thellë popullor. Ndërsa, për shkak të dimensioneve të gjera dhe shumëllojshmërisë së krijimtarisë së tij, është e vështirë që vlerat e saj t’i përmbledhësh brenda kontureve të një shkrimi, sado i gjatë të jetë ai .
Një jetë të tërë punoi ai si gazetar, në të përditshmet më prestigjioze të kohës, ku me shkrimet e tij të shumëllojshme dhe cilësore bëri emër dhe zgjoi kërshërinë e lexuesve të gjithë vendit, por veçanërisht të trevave të Jugut. Rendi ai në çdo cep të këtyre anëve ,pa u lodhur kurrë, për mbledhur si bleta punëtore nektarin e kulturës ,historisë dhe të gjuhës së bukur e të mençur të popullit, për t’ia u rikthyer përsëri njerëzve të këtyre anëve më të lëmuar e më të bukur, përmes magjisë së fjalës së tij rrëfimtare artistike.
Thanas Dino, ky emër i spikatur i gazetarisë, nuk mund ta konsideronte të mbyllur ëndrrën e tij krijuese vetëm brenda kontureve të publicistikës. Ai, edhe pse ka vite që është shkëputur nga puna e drejtpërdrejtë si gazetar, në të vërtetë nuk është ndarë për asnjë çast nga njerëzit e atyre anëve, të pasura me kulturë, histori, ngjarje dhe gjuhë të begatë, të cilat e kanë ndihmuar dhe frymëzuar në punën e tij të përditshme për të shkruar dhe botuar një mori veprash me vlera të mirëfillta artistike. Ka nisur të shkruajë e botojë libra që nga fillimi i viteve shtatëdhjetë dhe vazhdon të shkruajë e të shkruajë pa ndërprerje, edhe sot e kësaj dite. Deri tani ka butuar mbi 23 libra të gjinive, llojeve dhe nënllojeve të ndryshme dhe vazhdon të shkruajë pa mbarim. E ka nisur krijimtarinë me dramën ‘’Burrat e lirisë’’, ndërsa më pas ka vazhduar me tregime, rrëfenja, skica dhe 6 romane, nga të cilët më të kërkuarit kanë qenë ata me titujt kuptimplotë dhe tepër metaforikë si: ”Nata me dy hëna’’, ’’Vetëvrasje mbi trëndafil’’, ’’Dielli i ulët’’,etj.
Me që për prozën e gjatë të shkrimtarit Thanas Dino, kemi shkruar edhe herë tjetër, këtë radhë, këto shënime të shkurtra do t’ia përkushtojmë publicistikës rrëfimtare me vlera të drejtpërdrejta artistike dhe narrative për ngjarje e karaktere, sa reale, aq dhe metaforike. Objekt kryesor i këtyre shënimeve të shkurtra, kryesisht, është bërë libri publicistik ’’Banojmë në fjalë’’, që ka dalë në qarkullim kohët e fundit. Në brazdat e skicave dhe rrëfenjave të papërsëritshme të kësaj përmbledhje, do të mundohemi të zbulojmë, prushin e Luftës së popullit shqiptar për liri dhe bëmat e aktorëve të saj, memorien popullore dhe trillin publicistik të autorit, përmes magjisë së fjalës.
Shkrimtari dhe publicist i njohur Thanas Dino ka nisur të shkruajë publicistikë të mirëfilltë artistike për ngjarje të jetuara, pasi ka rrëmuar thellë në ‘’themelet e rrënojave’’ , kryesisht në trevat e Jugut, për të zbuluar, jo vetëm rrënjët e historive dhe të ngjarjeve të këtyre anëve, por edhe kulturën, filozofinë dhe bukën e mendjes, shpirtit dhe të gjuhës së tyre të ëmbël.
‘’Banojmë në fjalë ‘’, kështu e titullon këtë libër, me një brendi sa të vërtetë e të jetuar, aq dhe metaforike. Ky titull, edhe pse në fillim të duket shumë i kërkuar, në të vërtetë është tepër i prekshëm dhe kuptimplotë. Sapo nis të shfletosh këtë libër, lexuesi e kupton se pse autori, këtë përmbledhje publicistike, e ka pagëzuar me titullin ‘’Banojmë në fjalë’’. Në vërtet ne jetojmë mes fjalëve. Pa fjalën nuk mund të materializonim dot mendimin, nuk do të shijonim ëmbëlsinë e gjuhës, nuk do përçonim ndër breza historinë dhe kulturën, traditat, dijet dhe shkencën. Fjala mban brenda saj edhe ëmbëlsinë e mjaltit, edhe helmin e pickimit të gjarprit, edhe temperaturën djegëse të zjarrit, edhe brymën e ngricave e të akullit. Kur fjalën di ta zgjedhësh e ta përdorësh drejt, në kohën e duhur dhe në vendin e duhur, ajo të bën më të gëzuar e më të lumtur. Fjala ka këmbë, thotë populli ,dhe kjo është më se e vërtetë. Ajo, po doli nga goja merr arratinë. Fjala edhe shëron edhe vret, edhe kthjellon edhe turbullon, edhe ndriçon edhe mjegullon, edhe ngroh edhe ftoh. Lum kush e zbulon ,e lëmon dhe e përdor atë bukur dhe mirë. Është kjo arsyeja që Thanas Dino e ka bërë fjalën objekt të disa eseve dhe librave të tij publicistike. Ne ,vërtet banojmë mbi një thesar të madh fjalësh, shprehjesh dhe sentencash popullore ,që na begatojnë jo vetëm gjuhën, por edhe shpirtin e mendjen.
Po le të rikthehemi përsëri te vlerat e këtij libri, në të cilin protagonist metaforik është jo vetëm Lufta dhe aktorët e saj, por edhe ‘’fjala’’, e cila në përbërje të sentencave filozofike, fjalëve të urta, anekdotave dhe shprehjeve frazeologjike bëhet mjeti kryesor për zbulimin dhe fiksimin e ngjarjeve dhe protagonistëve të tyre, të cilët edhe kur vinë nga thellësitë e shekujve trokasin fuqishëm në portat e të sotshmes dhe të ardhmes.
Një vend të dukshëm në skicat narrative të këtij libri me tematikë kryesisht nga Lufta , zënë ngjarje të jetuara e të rrëfyera nga njerëz realë të kohërave të ndryshme.
Në skicën ‘’Te Këze Muçaj, vajza e Selam Musait’’,Thanas Dino, përmes gojës së saj, zbulon tragjizmin e asaj lufte vrastare që mbolli vdekjen dhe varfërinë e tejskajshme tek një popull i pambrojtur, vetëm për shkak të egos pushtuese të fuqive të mëdha. Ja ç’tregon, për ato kohëra, Këzia”:’’ Kemi jetuar keq e mos më keq. Vinte marsi dhe ushqeheshim me lëpjetë e lakra. Ishte kohë lufte. Lufta bëhej, se kush ta kapte Shqipërinë, greku apo Italia. Do dalësh nga shtëpia, do rri unë, thoshte Gjenerali italian. Ndërsa vëllai i Selamit, takon një togë gjermanësh dhe u thotë : ’’Vdekje fazhizmit’’!. Mitralozi tejpërtej në ballë e çau. Ja kjo ishte lufta, plaçkitje , shkatërrime e vrasje në çdo anë’’.(15)
Akoma më rrëqethëse është brendia e skicës rrëfimtare për masakrën gjermane mbi Hormovë. Më 29 të janarit të vitit 44, gjermanët, pasi dogjën shtëpitë e fshatit , vunë përpara 32 burra , të cilët pas 5 ditësh i kishin varur. Por s’kishte asnjë burrë t’i varroste. Kishin ,mbetur vetëm fëmijët e gratë, që çirrnin faqet. Ndërsa vajtica e fshatit Nurie Dhromi, në ballë të korifeut të grave qante me legje;” Korba kë të qaj më parë/djalin, nipin a kunanë’’…
Sa e vërtetë, aq dhe metaforik është rrëfimi për marrjen e urës së Dragotit. Ja ç’tregon narratori për këtë ngjarje, sa të vërtetë aq dhe të guximshme: “Për kalimin e kësaj ure, që mbrohej nga Balli , një grup të rinjsh partizanë u bënë si dasmorë, duke stolisur si nuse njërin prej tyre. Rojet e ballit, të mashtruar nga loja e partizanëve , i lejuan të kalonin urën. Por komandanti i tyre Xhaferr Nelaj dyshoi për këtë dasmë në këtë ditë të pazakontë. Ndaj kërkoi t’i zbulonin duvakun nuses. Djali i bërë nuse, shtiu dhe e plagosi atë keq. Ndërsa partizanët e tjerë çarmatosën rojet’’. Akoma më rrëqethës dhe tepër groteske bëhet përshkrimi i asaj, se ç’ndodhi të nesërmen. U bë gjyqi që drejtohej nga Jaho Gjoliku e Halim Xhelo. Xhafer Nelaj dhe 5 të tjerë u dënuan me vdekje’’ .(26)
Vend të dukshëm në skicat e këtij libri zënë skalitja e figurave të tilla të Luftës, si ajo e Idriz Gurit ,për të cilin Hadër Topulli tregon: ‘’Ish një burrë i paamshëm, me kostum, i gjatë, me republike dhe me një bastun karakteristik, që të bënte për vete. Në kokën e bastunit kishte një zile të vogël me të cilën tërhiqte vëmendjen. Që antizogist i thekur dhe burrë i mrekullueshëm’’.(41).
Po kaq interesante është dhe skica, që përmes rrëfimit të ngrohtë të bardëve popullorë dhe mjeshtërisë së fjlalës artistike të Thanas Dinos tregohet se si u var në mes të Gjirokastrës Bule Naipi. Intriga që mban të ndezur rrëfimin për këtë figurë të rrallë të Luftës është engima, se kush e vrau Bule Naipin. Ja ç’tregojnë për këtë vajzë të rrallë: ’’Bulia rronte në Dunavat. Veshur me çitjane si nuse me flori, shkon në krua për të mbushur ujë me bucela. Mbasi lë bucelën që i kërkoi komandanti i Ballit Hysni Lepenica, frymën e la në mal te partizanët. S’kaloi shumë kohë, kur atë do ta kapnin dhe do ta varin në mes të Gjirokastrës. Kështu vdiq ajo vajzë, sa e bukur, aq dhe trime. Por fatkeqësisht edhe sot e kësaj dite nuk dihet, kush e shpuri në lak atë vajzë ,që për lirinë nuk kurseu as jetën.
Një histori të trishtë tregon dhe rrëfimi për kallajxhiun e Brezhdanit të Përmetit ,i cili u vra pa gjyq, vetëm se, i detyruar nga ‘’mortaja’’ e gjakmarrjes, kishte shkuar me Ballin. Gjakmarrja kishte nisur si pasojë e ‘’rrëmbimit të një sëpate nga duart’’, në një pyll që sipas zakonit të këtyre anëve ‘’e paskëshin zënë mund’’, që do të thoshte e kishin turpëruar. Vetëm kjo do të mjaftonte që kallajxhiu, për të mbrojtur kokën ,ishte i detyruar të hidhej me Ballin. Por s’vonoi shumë kohë, kur do ta rrëmbenin me dhunë nga spitali ku ishte shtruar,… për ta vrarë pa gjyq.(110)
Interesant është edhe tregimi i Hadër Topullit, të cilin Th.Dino e ka quajtur ‘’një sterrë të pafund historish’’, për djegien e ribërjen e pazarit të Gjirokastrës. Ja ç’tregon ai: ‘’ Kur prefekt i Gjirokastrës u bë një arkitekt turk , ai tha se ky qytet ishte me namus , me nder e respekt, prandaj u kërkoi tregtarëve ta ndihmonin për rregullimin e pazarit .Por ata gjetën pretekse dhe nuk e ndihmuan atë…Pastaj u dha urdhër xhandarëve t’i vinin zjarrin, ta digjnin, kur për vete u ngre e vate në Përmet. Kështu bënë. I vunë zjarrin dhe e bënë me gurë, duke e përafruar me pazarin e sotëm’’.(39)
Si një kujtim i trishtë tingëllon fati i hidhur i Arseniut, oficerit të divizionit nga Gjirokastra, i cili edhe pse luftoi me armë në dorë kundër pushtueseve, më vonë u dergj burgjeve si viktimë e spiunimit, i cili në vitet e diktaturës i shtriu kthetrat edhe brenda familjes. Aty nga viti 51, tregon narratori, Arseniu, një ditë, u ndodh tek dajua i tij në fshat, ku në bisedë e sipër, i shkujdesur, pati thënë: ‘’Pse ta blejmë grurin me flori në Francë, kur kemi Bashkimin Sovjetik’’. Ishte dajua i tij, që e pati shitur atë lirë, si një dele në pazarin e kalecëve të sigurimit. Ishte ky dert që e nxiti Arseniun ta qëllonte e ndiqte dajon spiun me plumba deri në piramidën kufitare, që ndoshta s’qenë plumba kundër dajos spiun, por kundër një sistemi spiunazhi, i cili për të mbijetuar bënte që dajua të spiunonte nipin, vëllai vëllanë…
Në këtë libër, Thanas Dino vë përballë edhe dy figura sa të ngjashme, aq dhe diametralisht të kundërta me njëra-tjetrën, të cilët edhe pse vuajnë nga egërsia dhe despotizmi, ka dhe raste kur ata shfaqin arsyen dhe dobësinë e tyre të çuditshme. Ata janë Sullatni dhe Enveri .Për të argumentuar këtë fakt, mjafton të citojmë dy fragmente të shkëputur nga ky libër: ’’Libohova hodhi si hejbe torbën e vogël me flori dhe u nis për në Stamboll. Pas shumë vështirësish ai mundi të hyjë te Sulltani:
– Kam djem të zgjuar-i thotë Libohova, por na ngelën rrugëve. Na jepni ndonjë bursë.-Për herë të parë dëgjoj që një njëri kërkon dije- i thotë Sulltani Vezirit. Ndaj nxori fermanin , që kazasë së Libohovës t’i akordoheshin 10 bursa në vit. Kjo bëri që Libohova të kishte 100 kadillerë si Mufyti dhe Eqerem Bej Libohova, që i dha Enver Hoxhës bursë. Përballë këtij fragmenti, si pjesë e pandarë e një paralelizmi të bukur figurativ, shkrimtari Thanas Dino vë fragmentin tjetër të kësaj skice:
’’Në 58-ën Enver Hoxha viziton Libohovën. Janë ulur me pjata plotë rreth rrapit madhështor. Në ato çaste kalon një plakë me shkop e trobë bosh, e rreckosur. -Kush është ajo- pyet Hoxha.-Ollga, gruaja e Mufyt Beut, e kemi lënë të lipë, – thonë.-Turp nuk keni, ua ktheu vendasve Enveri. Bëri ç’bëri Mufid Libohova, ajo është e huaj. Lidhini pension të hajë bukë. Menjëherë ja lidhën, por së fundi ajo vdiq e internuar duke bërë llaç në Treshë të Lezhës’’’.
Tepër rrëqethëse është dhe skica që i kushtohet vrasjes makabre të Musine Kokalarit nga sistemi totalitar i kohës. Ja ç’tregon roja e saj, Qimil Muho, kur ajo ishte e internuar në Rrëshen: ’’Musinenë, që tani e kanë vënë në këmbë të Enverit, unë e kam ruajtur, kur ajo bënte llaç. Ishte një nga tri vajzat që vrau diktatori. Musinenë, Liri Gegën shtatzënë dhe Ramizenë. Sot ato janë nderi i Gjirokastrës. Klithmat e këtyre vajzave të vrara pabesisht, të cilat duket sikur ndihen edhe sot e kësaj dite, janë një akuzë sarkastike dhe një mallkim ndaj atij regjimi barbar, për të mos u përsëritur kurrë.
Një skicë interesante është dhe ajo për historinë e krishterë të Shqerisë së Përmetit. Në të ai shpreh çudinë se si në këtë zonë të krishterë sunduan përmbi 300 vjet bejlerët. Dhjetë breza , shkruan mësuesi i kësaj zone ,Leonard Marra, lindën dhe vdiqën nën këmbët e tyre.
Objekt i skicave të publicistit dhe shkrimtarit Thanas Dino është bërë edhe’’ murtaja’’ e gjakmarrjes dhe e përpjekjeve të njerëzve për të gjetur rrugët e shpëtimit nga ai zakon i egër, që fatkeqësisht, vazhdon të brejë koka të pafajshme njerëzish edhe sot e kësaj dite. Ja ç’tregon narratori Thanas Dino përmes gojës së rrëfimtarit Qamil Muho, sesi një çift për të shpëtuar nga kjo mynxyrë hakmarrëse’’ e lau hakun të gjallë’’: ‘’I kishin varë vëllanë, por nuk kish takat t’ia merrte hakun. O grua , na kërkojnë kokën, i thoshte përherë të shoqes. Zunë një djalë , e bënë 3 vjeç dhe e futën brenda portës së hasmit. Hasmi, sa e pa u gëzua se iu duk si dhuratë nga Perëndia, prandaj e mori menjëherë brenda. Kur djali u bë 5 vjeç, çifti shkoi përsëri te dera e hasmit dhe i thanë: ‘’Ky djalë është yni. Hakun ua kemi larë të gjallë.’’ Kjo histori e rrallë është vërtet një rrëfim i çuditshëm alegorik , por që brenda kësaj çudie ka një të vërtetë të madhe .Është çlirimi metaforik i shpirtit nga pesha e rëndë e malit të gjakmarrjes.
Këtë libër publicistik me natyrë, sa historike, aq dhe me prirje meditativo-publicistike, shkrimtari Thanas Dino e mbyll me introduktin letrar analitik ’’Bilbili me gjuhë shumë’’, kushtuar jetës dhe veprës së poetit Jorgo Bllaci. Ja ç’shkruan ai për këtë mjeshtër të madh të fjalës”:’’ Muzikaliteti i veprës së Jorgo Bllacitart do të vazhdojë të dëgjohet si një këngë e bukur, jo vetëm sot por edhe në të ardhmen. Jorgo Bllaci hyn në ata poetë që muzikuan gjuhën shqipe, ashtu si Noli, Poradeci dhe Dritëroi. Lulet ku ai mblodhi nektarin e këtij mjalti ishte vendi i tij Lunxhëria , e foljma e Jugut, e lindur për lirika. Aty e ngjyen penën edhe shokët e tij të rrallë Mojkom Zeqo , Koçi Petriti dhe Dhori Qirjazi . Jorgo Bllacin kur e merrte malli për Lunxhërinë e tij të bukur, shkruante:’’Thahu moj degë e dafinës/ s’më lë të shoh Lunxhërinë’’. Ndërsa Moikom Zeqo, për të, ka lindur bashkë me metaforën. Vepra e tij e gjerë është shtrirë në kohëra e fusha të pafunda, ku vizatohen personaliteti dhe stolitë morale, të cilat i rrinë si gjerdan i barabartë me stolitë intelektuale të tij . Ai ishte dhe mbeti si një anaforë e lashtë e gjetur në brigjet e Epidamit.(188) Ky poet i madh i palimsestit, edhe pse nuk jeton fizikisht, do të vazhdojë të kumtojë art , dije dhe vlera shoqërore, që nuk vjetrohen kurrë’’.

e paskeni bere Enverin cope cope o Sejdo
.
nuk ngeli lamash qe nuk ngul dhembet te kufoma Enverit
Kam qene ne kohen e tij kundershtar modest i atij sistemi para 1990-es…..dhe nuk luaj nga ato mendime
.
nje nga problemet me kryesore te asaj kohe ishte fakti se nje pjese e konsiderueshme e atyre qe masterbonin per Enverin ja kishin me hile..
pra nese drejtesia e Enverit denonte Shoshorin vetem me 5 vjet burg keto Sejdeite,thanas dinot kadarenjte dhe berishet donin VARJE NE LITAR…per tu dukur para xhaxhit per karriere
.
Kur shikoj ne ate vend fytyrat e governore Kimete me kapterrat e saj rama sala luli lili mendoj se Enverin e ngjallen..e bene Profet.
ka qene nje film grek ne vitet 70 me titull shume domethenes
Cfare bere Thanasi ne lufte ( kunder “diktatorit”)..mos i ferkoje bobolet enverceve te lagjes ?
Duhej te dilte raporti i plenumit te IV qe te permendej emri i Thanas Dinos.
Ay fiku u be marmallate neper mbledhjet be kolektivave,,
Mor,po kush e ka shkryar? Dikush tha qe e ka shkruar nje poet i ri nnga Durresi. Epo ja vume Molotov Zeqos.
Zeqo figuronte edhe i denuar politik,edhe sekretar i Plenumit te rrethit,kandidat per Komitet Qendror,.
Tani del qe e ka shkruar nje fshatar i humbur nga Dhermiu,qe nuk ja kishim degjuar emrin.
Mire beni qe botoni ndonje gje nga i ndjeri.
SI SAHANLEPIRES JUGUT TONE
KUSH NE BOTE NUK JA KALON
CDO RREGJIM QE SHKON E VJEN
PRANE TEPSISE GJITHMONE E GJEN