Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres tha se Lufta e Ftohtë është rikthyer.
“Lufta e Ftohtë është kthyer me hak, por me një ndryshim”, tha shefi i OKB-së.
Guterres paralajmëroi edhe për rrezikun e përshkallëzimit të situatës në Siri, dhe pamundësinë për ta kontrolluar atë.
“Mekanizmat dhe masat mbrojtëse për të menaxhuar rreziqet e përshkallëzimit, që kanë ekzistuar në të kaluarën, nuk duken më të pranishme”, tha Guterres.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tyre janë duke shqyrtuar mundësinë e sulmeve ajrore në Siri, pas një sulmi të dyshuar kimik në qytetin e Dumas.
Në këtë sulm të realizuar më 7 prill, dhjetëra njerëz humbën jetën në zonën e kontrolluar nga rebelët.
Rusia, e cila ka trupa të vendosur në Siri, tha se Britania e ka “falsifikuar” sulmin. Ndërsa kjo e fundit deklaroi se akuza nuk është asgjë tjetër veçse një “gënjeshtër groteske”.
s.a/dita
