Arabia Saudite paralajmëron se do të dërgojë forca tokësore në Siri për të shkatërruar të ashtuquajturin Shtetin Islamik të Irakut dhe Levantin. Zhvillimi vjen ndërkohë që bisedimet e paqes në Gjenevë të Zvicrës janë pezulluar për shkak të luftimeve të ashpra nga forcat qeveritare siriane të mbështetura nga ato ruse.
Riadi zyrtar thotë se aksionin do të ndërmarrë nëse koalicioni ndërkombëtar i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara bie dakord për këtë.
Megjithatë, Arabia Saudite është angazhuar në sulmet ajrore që prej nisjes së fushatës nga koalicioni ndërkombëtar në vitin 2014, por mbretëria e Gjirit, siç shkruan “Al Xhazira”, tani është gati të ofrojë forcat tokësore për të mposhtur grupin e armatosur.
“Sot, Mbretëria Saudite njoftoi gatishmërinë e saj për të marrë pjesë me trupa tokësore me koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër ISIS, sepse ne kemi përvojë në Jemen”, tha gjeneral brigade Ahmed Asseri për Al Jazeera.
“Ne e dimë se sulmet ajrore nuk mund të jenë të mjaftueshme dhe se një operacion tokësor është i nevojshëm. Ne kemi nevojë për të kombinuar të dyja metodat për të arritur rezultate më të mira në terren”, shtoi ai.
Gjenerali nuk dha hollësi se si ushtarët do të dërgoheshin në Siri./Dita/
