Epopeja e Vlorës në sfondin ndërkombëtar
Përfaqësuesit e Anglisë, Francës dhe Italisë kishin rënë në kompromis (janar 1920) për ricopëtimin e Shqipërisë, siç ishte parashikuar në Traktatin e Fshehtë të Londrës, ku do të merrnin pjesën e tyre Italia, Greqia dhe Mbretëria Serbo – Kroato – Sllovene. Nën një ndikim të tillë qeveria italiane vuri nën kontroll aparatin e Qeverisë Shqiptare të Durrësit, duke përqendruar pushtetin e tyre dhe përmes ushtrisë që ende kishin në Shqipëri, qeveria serbe përpiqej të penetronte në elementë të veçantë në Veri dhe përkrahte Esat Pashë Toptanin…
Prof. dr. Bardhosh Gaçe
Historikisht, të gjitha luftërat, qofshin të çdo lloj niveli kanë qenë burim fatkeqësish për popujt e vegjël dhe për popujt e mëdhenj. Lufta e Parë Botërore, mbetet një nga luftërat, që përbënte një fatkeqësi globale, për shkakun se ajo preku të gjithë botën, nisi në vitin 1914 dhe përfundoi në vitin 1918. Gjatë kësaj periudhe katër vjeçare, statistikat tregojnë se ajo ishte shkaktarja e humbjes së jetëve të 20 milionë njerëzve. E ndarë në dy blloqe, Blloku i Antantës (Britani, Francë, Rusi) nga njëra anë dhe Blloku Tripalësh (Gjermani, Austro- Hungari dhe Itali), si dhe vrasja më 28 qershor e trashëgimtarit të Frontit Austro Hungarez (Franc Ferdinantin) në territorin serbo sllav, bëri që Austro – Hungaria të hynte në luftë me Serbinë, me ç’rast vuri përballë Perandoritë Gjermane dhe Austro – Hungareze me ato të Paktit të trefishtë (Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe Rusinë).
Lufta e Parë Botërore përveçse shpërbëu katër perandori të njohura të kohës dhe shtetet (atë Austro- Hungareze, Prusinë, Perandorinë Osmane dhe Rusinë), bëri që Gjermania të humbiste zotërimet koloniale dhe shtetet evropiane si: Çekosllovakinë, Estoninë, Finlandën, Letoninë, Lituaninë, Poloninë, Jugosllavinë, që fituan pavarësinë.
Me të drejtë opinioni historiografik dhe ai i diplomatik, për shkak të pesë arsyetimeve (aleancat e mbrojtjes së përbashkët, imperializmi, militarizmi, nacionalizmi dhe vrasja e Archidukes Franz Ferdinand) shkaktuan shpërthimin e Luftës së Parë Botërore pak vite më vonë në gjysmën e parë të shekullit XX, duke i vendosur popujt dhe synimet e fuqive ushtarake dhe ekonomike përballë një drame dhe tragjedie të jashtëzakonshme, njëri nga të cilët ishte dhe populli i vogël shqiptar. Në Ballkan, ku ishin dhe shqiptarët përplaseshin interesat e Rusisë dhe Italisë, me Austro- Hungarinë, ndërsa për Italinë Veriore shfaqeshin interesat e Italisë me Austro – Hungarinë. Shpërthimi Luftës së Parë Botërore është parë si një nxitim i vërtetë i fuqive të kohës për një luftë të tillë, pasi pak u punua për paqen që lidhej me përplasjen e Austro- Hungarisë me Serbinë. Aleancat e mbrojtjes së përbashkët e bënin të vështirë paqen në këtë kohë.
Më 4 gusht 1914 filloi Lufta e Parë Botërore, dhe nga tetori i këtij viti Italia pushtoi Sazanin, në dhjetor pushtoi Vlorën, më pas Gjirokastrën, Sarandën dhe Përmetin, në 3 gusht 1915 pushtoi Çamërinë, një periudhë e cila do të, e cila do të dëshmonte dhe kronikën e pushtimit italian gjatë kësaj lufte në Shqipëri. Po ashtu, këto katër vite do të përbënin dhe një nga momentet më të rëndësishme të qëndrimit politik dhe atdhetar që shqiptarët kishin në historinë e tyre kundër ushtrive të mëdha, në kushtet e përgatitjes së njërës nga luftërat më të përgjakshme, e njohur si Lufta e Vlorës. Përfundimi i Luftës së Parë Botërore në 11 nëntor 1918 shtroi para Fuqive të Mëdha dhe aktorëve të luftës organizimin e Konferencës së Paqes, ndërsa pushtuesi italian vazhdonte të mbante nën pushtim territoret shqiptare në Jugun e Shqipërisë.
Konferenca e Paqes u mbajt në Paris dhe i filloi punimet e saj në janar të vitit 1919, e me ç’rast do të vendoseshin dhe kufijtë e rinj kombëtarë, ku do të pasqyroheshin mirë dhe qartë ndarjet etnike. Ballkani ishte një çështje e nxehtë dhe do të trajtohej në Konferencën e Versajës. Në këtë rast, dy aleatët e Shqipërisë; Gjermania dhe Austro- Hungaria e kishin humbur luftën. Ndërsa Jugosllavia e porsakrijuar dhe Greqia kishin pretendimet e hapura ndaj Shqipërisë (territoreve tokësore në Veri dhe në Jug). Shqiptarët mbështetën shpresat te SHBA-të, një shtet që kishte vendosur dhe fatet e Luftës së Parë Botërore. SHBA-të kishin ndërhyrë deri në Vatikan për të marrë në mbrojtje Shqipërinë, ndërsa Italia gjatë kësaj kohe kishte trupat e saja pushtuese në Jugun e Shqipërisë.
Konsulli amerikan (Jozef Havente) në Torino, si i dërguari i presidentit Uillson kishte bërë një vizitë në Shqipëri, kryesisht në Vlorë, i cili nuk pranoi të qëndronte tek gjenerali italian Piacentini, por qëndroi në shtëpinë e patriotit Qazim Kokoshi. Haven preku një realitet proamerikan në Shqipërinë e Jugut, deri në Tepelenë, por edhe në udhëtimin e tij në Durrës, Tiranë, Shkodër dhe Krujë, përgatiti një raport, që iu dërgua Ambasadës amerikane në Romë, duke reflektuar qëndrimin e Uillsonit, i cili nuk pranoi asnjë korrigjim kufijsh në kurriz të trojeve të Shqipërisë, duke u ngarkuar Lidhja e Kombeve për të përcaktuar kufijtë fizikë të saj.
Dhe gjatë Konferencës së Versajës, pretendimet ndaj Shqipërisë ishin të tilla: Italia kërkonte Vlorën dhe protektoratin mbi shtetin autonom shqiptar, qeveria greke kërkonte të aneksonte Korçën dhe Gjirokastrën, ndërsa mbretëria serbo-kroate-sllovene kërkonte të mbetej pavarësia e Shqipërisë në kufijtë e vitit 1913, duke parë rivalitetin e madh italo – jugosllav, kërkonte që Shqipëria të ishte nën ndikimin e kësaj mbretërie. Delegacioni shqiptar në Konferencën e Versajës kërkonte që Pavarësia e vendit, e vendosur në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1913) të konsiderohej e sigurohej me këto vendime, por gjithashtu kërkohej të rregulloheshin edhe gabimet dhe të ndreqeshin padrejtësitë që ishin bërë në Kongresin e Berlinit në vitin 1878, ku trojet shqiptare ishin copëtuar. Ndërsa kërkesat për rregullimin e territoreve të copëtuara në vitin 1878 nuk u pranuan, delegacioni shqiptar kërkoi që territoret shqiptare që ishin jashtë kufijve të shtetit amë të administroheshin nga forcat e SHBA-ve.
Pjesa më e madhe e kërkesave të delegacionit shqiptar nuk u pranuan, ndërsa në një memorandum të përfaqësuesve të Anglisë, SHBA-ve dhe të Francës, ata i njihnin Qeverisë Italiane sovranitetin e plotë mbi Vlorën dhe krahinat e saj. Ndërsa Mbretërisë Serbo- Kroate- Sllovene i njohën të drejtën e daljes tregtare në Shqipërinë e Veriut. Përfaqësuesit e Anglisë, Francës dhe Italisë kishin rënë në kompromis (janar 1920) për ricopëtimin e Shqipërisë, siç ishte parashikuar në Traktatin e Fshehtë të Londrës, ku do të merrnin pjesën e tyre Italia, Greqia dhe Mbretëria Serbo – Kroato – Sllovene. Nën një ndikim të tillë qeveria italiane vuri nën kontroll aparatin e Qeverisë Shqiptare të Durrësit, duke përqendruar pushtetin e tyre dhe përmes ushtrisë që ende kishin në Shqipëri, qeveria serbe përpiqej të penetronte në elementë të veçantë në Veri dhe përkrahte Esat Pashë Toptanin. Francezët në Korçë dhe krahinat e saj ndaluan flamurin shqiptar, por lëvizja kombëtare, duke lëshuar thirrjen “Atdheu në rrezik!” u rrit dhe fitoi një fuqi të madhe në të gjithë vendin. Kjo ishte panorama që do të çonte shpejt drejt Luftës së Vlorës në vitin 1920.
Kishin kaluar gati 11 muaj që Konferenca e Paqes në Paris kishte filluar punimet. Në të gjitha raste, popujt e përfshirë në luftëra të këtyre përmasave, siç ishte Lufta e Parë Botërore, me gati 20 milionë njerëz të vrarë, shpresonin që të drejtat e tyre të korrigjoheshin nga fituesit, por dhe të merreshin në vlerësim kur ata bënin pjesë dhe tek humbësit. Konferencat Paqësore në fund të fundit këtë qëllim kanë, pasi forcat, armët dhe mjetet e tjera të humbjeve të jetëve njerëzore janë zëvendësuar me dialogun dhe diplomacinë. Deri në këtë kohë, Shqipëria kishte pasur mbështetje vetëm nga Austro – Hungaria, për shkakun se ajo kishte interesa gjeostrategjike në Shqipëri dhe Gjermania, të cilat kishin rezultuar humbëse në Luftën e Parë Botërore, madje Gjermania ishte quajtur fajtore.
Shqiptarët shkonin në Konferencën e Paqes me çështje të rëndësishme, qoftë me atë të ndarjes së kufijve në vitin 1912-13, por dhe me Traktatin e Fshehtë të Londrës, i cili ishte një projekt i errët dhe që lidhej përsëri me copëtimin e Shqipërisë. Në Konferencën e Parisit, Shqipëria dhe shqiptarët nuk kishin aleat, në skenë kishte dalë vetëm SHBA-të, presidenti Uillson, i cili pas vizitës së Konsullit Jozef Haven në Shqipëri, ai ishte kundër prekjes së trojeve shqiptare nga nacional – shovinizmi ballkanik.
Kjo gjendje gri ishte e lexueshme dhe në vitin 1919, ndërkohë kur Lufta e Parë Botërore kishte përfunduar, në Shqipërinë e Jugut trupat pushtuese italiane nuk ishin larguar, ndërkohë Italia synonte protektoratin mbi Vlorën dhe krahinat e saj. Në këtë gjendje të nderë, kur pushtetin e administronte ushtria italiane, dita e Shpalljes se Pavarësisë së Shqipërisë, 28 nëntori, merrte një kuptim të rëndësishëm. Vlora kishte qenë dhe vazhdonte të ishte shumë e lidhur me zhvillimet historiko- politike, duke qenë dhe qyteti i Pavarësisë dhe qeverisë së parë shqiptare drejtuar nga Plaku i Vlorës, Ismail Qemali, i cili përbënte një nga simbolet e pavdekshme të saj.
Qytetarët e Vlorës, të udhëhequr nga Osman Haxhiu dhe atdhetarët e patriotët e shumtë e shënuar këtë ditë si një ditë të rëndësishme. Më 28 nëntor 1919, në përvjetorin e shtatë të Shpalljes së Pavarësisë, në Vlorë u organizua një manifestim i fuqishëm patriotik, gjatë të cilit u bënë përleshje me pushtuesit, demonstruesit u shpërndanë vetëm me forcën e bajonetave. Manifestimi përcillte dhe një lloje proteste për qëndrimin që shtetet e mëdha evropiane vazhdonin të mbanin ndaj Shqipërisë, në kushtet e mbarimit të Luftës së Parë Botërore, kryesisht të Italisë, e cila vazhdonte të kishte trupat e saj pushtuese në Vlorë dhe në krahinat e saj përreth.
Pavarësisht këmbënguljes dhe përpjekjeve që shqiptarët bënë në Konferencën e Versajës, që siç merrej vesh, se arsyetimet dhe kërkesat bazike të shqiptarëve nuk ishin marrë në konsideratë, Shqipëria përsëri ishte e rrezikuar si gjatë konferencave apo kongreseve të mëparshme. Situata që ishte krijuar tashmë me mbarimin Luftës së Parë Botërore, ku Shqipëria e Jugut akoma ishte nën sundimin e trupave pushtuese italiane, bëri që një grup atdhetarësh të kërkonin mbajtjen e Kongresit të Lushnjës. Kongresi i Lushnjës, përveç vendimeve të rëndësishme historike, i cili në shumë aspekte ishte vazhdimi i angazhimit për të patur vendi institucione kombëtare, që kishin nisur që me Lidhjen e Prizrenit, me “Qeverinë e Përkohshme”, e Ismail Qemalit, me Shpalljen e e Pavarësisë, ai ishte dhe një reagim një bashkë-vendimmarrje e rëndësishme në situatën që kishte lënë pas Lufta e Parë Botërore dhe projekti i Anglisë, Francës dhe Italisë për ta ricopëtuar Shqipërinë si në projektin e Kongresit të Berlinit. Në këtë rrethana të reja Kongresi i Lushnjës kishte një rëndësi të jashtëzakonshme. Ai u mbajt nga 21 deri në 31 janar të vitit 1920, i cili miratoi dhe Aktin Kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë dhe që përbëhej nga një këshill kombëtar prej 37 vetash, me të zgjedhurin si Kryeministër, z. Sulejman Delvina.
Në interpretimin historik mbi Kongresin e Lushnjës shquan ideja se ai kishte qëllimin kryesor, studimin e situatës së brendshme dhe të jashtme të vendit dhe marrjen e masave për rrezikun e copëtimit të Shqipërisë. Kongresi kërkoi që të mbaheshin protesta të mëdha dhe të ashpra kundër vendimit të Fuqive të Aleatëve për zbatimin e Paktit të Fshehtë të Londrës, i cili ishte mbajtur më 26 prill 1915, ku sanksionohej copëtimi i Shqipërisë. Gjithashtu u analizua dhe veprimtaria e Qeverisë së Durrësit, e cila kishte dalë nga programi që i kishte dhënë Kongresi i Durrësit. Siç u diskutua në Kongresin e Lushnjës, Qeveria e Durrësit e kishte çuar vendin në kaos dhe anarki.
Kongresi i Lushnjës, në mënyrën se si ai e pati përfaqësimin kombëtar, delegatët dhe si i zhvilloi punimet ishte njëra nga praktikat e para që ngjante me një parlament demokratik dhe bashkëpunues përmes një debati dhe diskutimi konstruktiv. Zgjedhjet e senatit dhe të qeverisë i dhanë këtij kongresi atributet e një parlamenti, me emra të njohur në jetën politike shqiptare. Kongresi kishte vendosur dhe përfaqësimin diplomatik të Shqipërisë në delegacionin e Konferencës së Paqes në Paris si: Luigj Bumçi, Dr. Turtulli dhe Mehmet Konica.
Pavarësisht refuzimit, madje dhe tendencën për ta anuluar me forcë Kongresin e Lushnjës, ku njihet episodi me ish ministrin e brendshëm të asaj kohe, Ahmet Zogu, i cili ishte delegat në Kongresin e Lushnjës, kongresi mbeti gur themeli dhe një busull orientuese për zhvillimet e mëvonshme, qoftë dhe të Luftës së Vlorës. Në bazë të Traktatit të fshehtë të Londrës (1915) Italia po mbante të pushtuar Vlorën dhe disa krahina te tjera shqiptare, duke u përkrahur nga qeveria e Durrësit, dhe në pikëpamjen politike, ajo në vitin 1919 nënshkroi me Greqinë, marrëveshjen Tittoni – Venizelos, e cila ia njihte Greqisë kërkesat mbi Shqipërinë e Jugut me kusht që edhe Greqia ta njihte sundimin italian mbi pjesën tjetër të vendit.
Në këtë situatë të nderë për shqiptarët, jugosllavët ishin në Dibër, ndërsa grekët në viset e Jugut Qeveria së Durrësit dhe Esad Pashë Toptani shkonin në Paris, në qendër të intrigave që thurnin armiqtë e Shqipërisë. Kështu, në Kongresin e Lushnjës kërkohej t’i jepnin fund anarkisë, të ndërtonin një shtet shqiptar të përqendruar mbi forcat e tij dhe të pavarur. Me kushtet dhe qëllimet e padrejta ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve në Konferencën e Versajës, Kongresi i Lushnjës u shndërrua si i vetmi autoritet i Shqipërisë, me fuqi sovrane, me statusin e shtetit shqiptar. Ai zgjodhi Tiranën për kryeqytet dhe i dha vendit një Qeveri të ligjshme, e cila iu vu me energji organizimit të administratës, të xhandarmerisë, të shkollave dhe u mundua t’i jepte fund anarkisë. Në pak kohe, Qeveria e Tiranës, e dalë nga Kongresi i Lushnjës, u njoh prej të gjithë shqiptareve dhe u formua kështu një qendër rreth së cilës mund të mblidheshin energjitë e kombit.
Në këto kushte viset e Vlorës e të Labërisë dhe pastaj e tërë Shqipëria e Jugut u ngritën me armë në dorë kundër ushtrisë italiane, të cilën brenda pak muajve e shtrënguan të tërhiqet dhe të lëshojë Vlorën. Tërheqja e Italisë nga Vlora për kushtet në të cilat zhvilloheshin këto ngjarje, përbënte de facto pavarësinë e shtetit shqiptar. Me tërheqjen e ushtrive italiane nga Vlora, më 1920, Shqipëria mbetej automatikisht shtet i pavarur. Dhe si i tillë u pranua në gjirin e Lidhjes së Kombeve që në shtator të atij viti. Një vit më vonë, më 9 nëntor 1921, Konferenca e Ambasadorëve në Paris, i hodhi poshtë kërkesat e grekëve mbi Korçën dhe Gjirokastrën dhe Lidhja e Kombeve nisi të vëzhgoi lëvizjet e jugosllavëve.
Lufta e Vlorës është një çështje komplekse, e cila pavarësisht pjesëmarrjes së madhe të gjithë luftëtarëve nga Vlora, krahinat përreth dhe një pjesë tjetër nga trevat e jugut të vendit, ajo ka karakter kombëtar. Është një luftë, e cila u zhvillua në kushte tepër të rëndësishme të qëndresës së shqiptarëve kundër vendimeve të fshehura të 1915 në Londër, ku ishte vendosur copëtimi i Shqipërisë, si dhe një nënvlerësimi që Shqipërisë dhe shqiptarëve iu ishte bërë dhe vazhdonte të iu bëhej në Konferencën e Paqes në Paris. Kongresi i Lushnjës ishte një rikonceptim i plotë për atë që po ndodhte në Shqipëri, veçanërisht në Vlorë, me ç’rast u vendos dhe përgatitja e kryengritjes së armatosur kundër pushtuesve italianë, që nisi më 5 qershor 1920. Një nga shqetësimet më të rëndësishme ishte se çështja e Vlorës duhet të zgjidhej me armë. Paraprakisht ishte e rëndësishme të zgjidheshin shumë hallka, që nga krijimi i organeve drejtuese, përgatitja morale e masave popullore, problemet e organizimit ushtarak, të përqendrimit të forcave dhe krijimit të një baze të përshtatshme për fillimin e kryengritjes, etj, ku dhe siç kuptohej, një ndihmesë të madh mund dhe duhej të jepte Qeveria e Tiranës. Qeveria, dhe pse nuk doli hapur në skenë, duke e “quajtur” luftën një “kryengritje të popullsisë të krahinës së Vlorës”, ajo ndihmoi në furnizimin e frontit, rritjen e forcave dhe sigurimin e prapavijës me forca të tjera kryengritëse. Në frontin e luftës, ajo dërgoi 25 ushtarakë, armatime, ushqime, si dhe ministrin pa portofol Spiro J. Koleka.
Pas shumë komunikimesh dhe ecejakesh në mars të vitit 1920, ishte e qartë se ushtria italiane nuk e lëshonte Vlorën pa luftë. Në këtë situatë Komiteti i “Mbrojtjes Kombëtare” i përbërë nga përfaqësues të fshatrave dhe të qytetit me Osman Haxhiun kryetar, vendosi që “çështja e Vlorës të zgjidhej me armë”. Për këtë u organizua një kuvend me përfaqësues të popullit. Kuvendi u mblodh më 29 maj 1920 në Barçalla të Vlorës, me pjesëmarrje të rreth 200 vetave, i cili pa hezitim vendosi të fillojë kryengritja e armatosur, drejtimi i së cilës iu ngarkua Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare” të zgjedhur e të përbërë nga 12 anëtarë. Komiteti krijoi organet e luftës si: Komisionin Ushtarak me funksionet e një shtabi për drejtimin e kryengritjes, vendimet e të cilit kishin fuqi pasi të miratoheshin nga Komiteti, Komisioni Gjyqësor Ushtarak, si dhe një aparat që merrej me punët administrative. Komisionit Ushtarak e drejtoi Ahmet Lepenica pastaj Qazim Koculi. Në Drashovicë u ngrit edhe qendra e Prefekturës, me prefekt Qazim Koculi. Vendimet e Kuvendit u bënë të njohura në të gjithë vendin, ku u sensibilizua populli për ndihmë të Luftës së Vlorës. Komiteti i “Mbrojtjes Kombëtare” të Vlorës, kishte bashkëveprim të vazhdueshëm me qeverinë e Tiranës dhe me krahinat e tjera të vendit.
(Vijon numrin e ardhshëm)
Mënyra si u mendua organizmi i kryengritjes së armatosur, nga Komiteti “Mbrojtja Kombëtare”, i cili mori gjithë peshën e një lufte të tillë, tregoi një aftësi të jashtëzakonshme, duke e konsideruar atë si një kryengritje popullore të armatosur në bazën e të cilës qëndronte vullnetarizmi. Në këto kushte në pika të caktuara strategjike u krijuan çetat dhe lufta ishte një luftë çetash, përballë një ushtrie me mbi 20 mijë luftëtarë dhe makineri moderne lufte. Gjeografia e shpërndarjes së çetave që morën pjesë në Luftën e Vlorës zë një hapësirë të konsiderueshme në Vlorë dhe krahinat. Në fazën e parë të luftës, në krahinën e Vlorës u krijuan 7 çeta krahinash, çeta e Dukatit, e Rrëzës, e Shullërit, e Kudhësit, e Mavrovës, e Treblovës dhe e Gorishtit. Pastaj, në kodrat dhe brigjet e Vlorës, në Kotë, Gjormë, Kaninë e Llogora, në Bestrovë, Babicë e Vreshtat e Mësha, u derdhën luftëtarët e çetave të Mallakastrës, Tepelenës, Himarës, Përmetit, Gjirokastrës, Kurveleshit, Skraparit, Kolonjës, Verçë – Sulovës, Çamërisë, si dhe vullnetarët shqiptarë të Amerikës dhe Banda muzikore “Vatra”.
Komiteti “Mbrojtja Kombëtare”, veçanërisht Osman Haxhiu dhe krerët e tjerë të tij, gjatë gjithë kohës arritën të shkelin me këmbë, për të krijuar një gjendje optimale për luftën në të gjithë terrenin ku pritej të zhvillohej lufta, pasi forcat italiane ishin të shpërndara me një strategji, që nuk mund të eliminohej lehtësisht. Pikat strategjike, kalatë apo lartësitë kërkonin sakrifica dhe aftësi për t’u marrë nga kryengritësit. Duke qenë një luftë e pabarabartë, drejtuesit e saj ushtarakë kishin menduar që ajo të zhvillohej në çdo formë të mundshme, madje në bazën e saj do të ishte lufta popullore, d.m.th me mjetet rrethanore dhe të luftimeve tradicionale. Ndërkohë dhe në krahinat e largëta të Jugut, ishin ngritur çetat luftarake që do të vinin në frontin e Vlorës. Kjo kishte të bënte me problemin e armatimit, i cili ishte i varfër nga ana e kryengritësve.[1]
Një çështje tjetër ishte krijimi i bazës së luftës. Në këto kushte strategjia për të krijuar mundësi që frontet të bashkëvepronin me njëri- tjetrin, me një aksion rrufe u arrit që të thyhej rrjeti i postëkomandave dhe postblloqeve italiane në një hapësirë të konsiderueshme, siç ishte ai në pika të rëndësishme si në Selenicë, Rexhepaj, Sevaster, Mazhar, Vajzë, Ramicë, Dukat, Tragjas, Bolenë, Kuç e Progonat. Ndërsa Qeveria e Tiranës me porositë e Këshillit Kombëtar të mbledhur më 27 mars 1920, bëri operacione që siguronin pavarësinë e Shqipërisë siç ishte hyrja e forcat shqiptare më 24 prill në Gjirokastër. Po ashtu Bajram Curri u muar me spastrimin e bandave esadiste. Nënshkrimi i Protokollit të Kapshticës (28 maj 1920) bëri të mundur të shmangej konflikti me Greqinë në kufirin jugor dhe juglindor të vendit, ku në një situatë të tillë u rrit përqendrimi i energjive të popullit shqiptar në vlugun e nxehtë të Luftës së Vlorës, e cili ishte mbështetur mbi shpirtin e revoltës popullore kundër pushtuesit.
Në Beun, më 2 qershor, tri ditë para se të fillonin luftimet në kuadër të Luftës së Vlorës, çetat që do të vepronin në drejtim të Vlorës u mblodhën aty, sipas vendimit të Kuvendit të Barçallës. Në Beun u ngrit flamuri shqiptar si shenjë e shpalljes së kryengritjes dhe qëllimit që ajo kishte lidhur me situatën politike në vend, por dhe në raport me zhvillimet ndërkombëtare lidhur me Shqipërinë, në thelbin e të cilës qëndronte karakteri kombëtar i saj. Më 3 qershor 1920 Komiteti i “Mbrojtjes Kombëtare” nga Beuni,[2] i dërgonte Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë Italiane, gjeneral Piaçentinit një ultimatum. Në të ndër të tjera shkruhej “Sot populli shqiptar i bashkuar më shumë se çdo herë tjetër vendosi të marrë armët në dorë dhe të kërkojë nga Italia administrimin e Vlorës, të Tepelenës dhe të Himarës, të cilat t’i dorëzohen me të shpejtë Qeverisë Kombëtare të Tiranës”.[3] Përgjigja e ultimatumit pritej deri më datë 4 qershor, ora 19.00. Mbas mbarimit të kohës së ultimatumit çetat u nisën për në pozicionet e luftimit në gatishmëri për të filluar veprimet luftarake. Kjo është tabloja e plotë e përgatitjes së Luftës së Vlorës, që filloi më qershor 1920.”
Luftimet në Vlorë zënë një hapësirë të gjerë kohore në verën e vitit 1920. Injorimi nga komanda italiane, solli hapjen e luftës në frontet e Kotës, Gjormit, Drashovicës, Jonufrës dhe të Llogorasë. Në kronikën e kohës thuhet se luftëtarët, kryesisht fshatarë, arritën të zbërthejnë istikamet e thurura me tela me gjemba e të mbrojtura me qindra mitralozë.[4] Ndërsa në një korrespondencë të kohës, thuhet: “Po këto ditët e fundit mësuam sigurisht që lëvizja nisi. Vlorasit dhe fshatarët, me ndihmën e krahinave rreth e rrotull, vendosën t’u bien italianëve që rrinë edhe në Vlorë, edhe në Tepelenë. Pas lajmit që na erdhi dje, fuqia e madhe është mbledhur në Smokthinë, e cila nisi të veprojë të mërkurën e shkuar”.[5]
Komiteti “Mbrojtja Kombëtare”, Osman Haxhiu, Ahmet Lepenica dhe shtabi i luftës, ishin organizatorët dhe ata që morën mbi vete përgjegjësinë në zhvillimin e luftimeve në Luftën e Vlorës. Ata treguan zotësi të rrallë në planin e tyre, qoftë nga mënyra se si u luftua, si u bë plani dhe si u motivuan luftëtarët, zgjedhjen e komandantëve etj. Kështu në 9 qershor 1920. Ky Komitet njoftonte mbi sukseset e luftëtarëve shqiptarë në një informacion që ata i dërgonin Elbasanit, ku tregohej se armikut i ishin zënë robë mbi 1000 ushtarë, ishin marrë mbi 70 mitraloza kish mbetur akoma pa marrë Vlora dhe Kalaja e Kaninës.[6] Në rrjedhën e luftimeve betejat ishin të njëpasnjëshme për shkakun e një fronti të gjerë dhe të shpërndarë në pikat strategjike. Që në fillim ishte synuar që luftimet të ishin të menjëhershme për ta çoroditur armikun, ku problem ishin frontet e Kalasë së Kaninës dhe Vlora brenda, e cila ishte e fortifikuar dhe kishte një përqendrim të madh forcash italiane dhe armatim të rëndë.
Më 11 qershor u sulmua në Qafën e Koçiut për të marrë Vlorën. Atë ditë mbeti i vrarë Selam Musai e Dule Dalani nga Salarina.[7] Ndërsa më 17 qershor, forcat kryengritëse të fshatarësisë së Vlorës, Mallakastrës, Kurveleshit, Përmetit e Çamërisë bënë sulmin e dytë për të marrë Vlorën. Ishte një nga betejat më të përgjakshmet, pasi ushtria italiane nuk donte ta dorëzonte kurrsesi Vlorën. Në shtypin e kohës shkruhet: “Më 17 të korrikut, trupat fshatare revolucionar bënë të dytin sulm për të marrë Vlorën. Qafat e Koçiut aq të forta i muarën; mirëpo s’i mbajtën dot, se bombardimi i flotës italiane përpara, i aeroplanëve përsipër dhe kalasë së Kaninës për brinjë , i shtrënguan t’i lënë qafat e marra me aq theori”. [8]
Gjatë kësaj kohe kryengritësit shqiptarë numëroheshin deri në katër mijë, dy mijë vlonjatë dhe të tjerët kurveleshas, tepelenas, gjirokastritë, dëshnicas, mallakastriotë, elbasanas, tiranas, korçarë dhe vullnetarë të tjerë. Në këto beteja shkëlqeu zotësia ushtarake dhe trimëria e një varg kapedanësh e ushtarakësh si: Ismail Haki Kuçi, Toto Hosi, , Memo Mete Brati, Beqir Velo Kanina, Alem Mehmeti, Hodo Zeqiri, Sali Vranishti, Azem Sulo, Brahim Selimi, Riza Runa, Kapo Topulli, Halim Hamiti, Rrapo Çelo, Isuf Rustemi, Ali Malindi, Mehmet Fega, Selam Musai, Barjam Mehmeti, Zaçe Xhelo, Çaush Tafili, Ahmet Kajca, Thanas Beni, Kolë Mërkuri, Muharrem Rushiti, Mehmet Selimi, Mehmet Musai, Ali Dauti e mjaft të tjerë, të cilët kishin marrë pjesë edhe në luftërat dhe përpjekjet për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë në fillim të shek. XX.
Nga 5 qershori kur dhe filloi lufta, ka disa data të tjera të shënuara në këtë kalendar lufte. Kështu: 6 qershor – U asgjësuan disa përqendrime trupash italiane në Vlorë; 11 qershor – Filluan luftimet për çlirimin e qytetit të Vlorës;12 qershor – U zhvilluan në qytetet e Italisë manifestime kundër luftës imperialiste në Vlorë; 13 qershor – Avni Rustemi vrau në Paris Esat pashë Toptanin dhe me 21 qershor – U dorëzua garnizoni italian i Tepelenës.
Lufta e Vlorës zgjati një periudhë kohore gati dy mujore, por ajo ishte një luftë që kishte një rëndësi jashtëzakonisht të madhe për aktualitetin politik dhe diplomatik të vendit. Studiuesi Muin Çami shënon në një nga librat e tij analitik për Luftën e Vlorës: “Sovraniteti italian mbi Vlorën dhunonte në mënyrën flagrante tërësinë territoriale të shtetit shqiptar.”[9] Lufta e Vlorës përcillte jo vetëm një zhvillim brenda Shqipërisë, por ajo kishte marrë një vëmendje të madhe në zhvillimet ballkanike, kryesisht në shtetet nacional- shoviniste si Jugosllavia, e cila po e mësynte Shqipërinë nga Veriu, kryesisht nga Dibra, nga Greqia e cila ishte gati të sulmonte nga Jugu, po ashtu dhe Italia që nuk pranonte kurrë të dorëzonte Vlorën, me ç’rast lufta kishte mbetur mundësia e vetme për vlonjatët dhe shqiptarët.
Këto ngjarje luftarake, të cilat kishin filluar që më 5 qershor, kishin gjetur një pasqyrim të madh në shtypin e kohës, atë shqiptar brenda dhe jashtë vendit. Gazeta “Drita” e Gjirokastrës, Mbrojtja Kombëtare” dhe “Politika” Vlorë, “Kuvendi” (Romë), “Dielli” (SHBA), “Koha” Korçë, kishin shënuar të gjithë dinamikën e ngjarjeve, editoret e tyre përcillnin me një përgjegjshmëri të madhe arsyet pse luftohej në Vlorë, kush ishin të vërtetat e mëdha të Shqipërisë në këtë kohë, deri në arsyetime të tjera, që bënin me dije se tashmë shqiptarët nuk mund të mashtroheshin nga asnjë manovër diplomatike e kohës, dhe asnjë politikë mercenarësh e brendshme.[10] Ajo që binte në sy gjatë kësaj kohe, ku nuk mungonin as dhe kronikat e luftës, korrespondencat, informacionet që Komiteti u dërgonte qeverisë së Tiranës, prefekturave diplomacive dhe të dërguarve të vendeve të ndryshme në Vlorë dhe në vend, përbëjnë një arkivë të rëndësishme si një dëshmi, e cila vijon të ketë rëndësi dhe në ditët e sotme.
Një vend të veçantë zë edhe vendimi i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare”, i cili dërgoi në Korfuz një “Komision”, të cilët u lidhën me mjaft personalitete diplomatike, si dhe gazeta të vendve të Europës për t’u bërë të ditur ngjarjet dhe të vërtetat mbi Luftën e Vlorës. Në mandatin e firmosur nga Osman Haxhiu më 29 maj 1920 thuhet: “Z. Hamza Isai – kryetar, z. Sheref Dano, z. Sali Hallko, u ngarkojmë me barrën e përfaqësimit të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare” për t’i bërë të ditur gazetave dhe botës evropiane luftuan tonë kundër tiranisë italiane. Ndërlidhës mes nesh: Naqe Konomi, P/Komisionin O. Haxhiu”.
Për herë të parë. luftëtarët shqiptarë patën në frontin e betejave edhe gazetarët e talentuar të gazetës “Drita” të Gjirokastrës: Veli Hashorva, Asim Mero dhe Gani Iliazi. Në letrën që i dërgon Gani Iliazi, Mësuesit të Populllit Thoma Papapano, 23 gusht 1924 shkruan: “I shtrenjti Basho Thoma, po të dërgoj Abetaret dhe Këndimet që më dha Ibrahim Shyti. Kujtimet për ty dhe kohët që ishit në Vlorë, i kemi të gjalla, shpesh fjalosemi me miqtë tanë , z. Peço e z. Brahim, që të çojmë të fala nga zemra. Shkuan dy mote e nuk kam haber nga miku im i Luftës së Vlorës, z. Asim Mero, që jeshmë në ballinat e luftës me z. Veli (Hashorva), në Bestrovë, Llakatund, Sherishtë e Qafat e Ullinjve. Nuk e di si e ka plagën, kur u lavos në ballinën e Bestrovës, lehtë. Për këtë më ka pyetur edhe doktor Ali Mihali, në spitalin e Kotës. Veç artikullave për fletoren “Drita” ne çonim edhe për gazetën “Kuvendi” dhe zhurnalet e Evropës…”.
Lufta e Vlorës ka brenda saj një zhvillim të rëndësishëm për kohën. Ajo ishte një luftë e drejtë, një luftë që u mbështet në vullnetarizmin e masave popullore, të cilat edhe pse të rrënuara ekonomikisht u vendosën përballë një pushtuesi, që ishte një nga fuqitë e mëdha ekonomike të kohës. Ishte një luftë që kishte të bënte me aktin themelor të një populli, aspiratën për independencë të njërit nga popujt më të vjetër të Ballkanit, i cili i kishte dhënë shumëçka Evropës Perëndimore në ditët e saja më të vështira. Duke pasur në themel këtë fuqi madhore, d.m.th të drejtën e pakontestueshme, Lufta e Vlorës nuk u shua për asnjë çast. Sulmet e njëpasnjëshme nga çdo anë dhe në pikat e dobëta të kundërshtarit, i kishin dëshmuar ushtrisë pushtuese italiane, se shqiptarët të bashkuar si në jo pak herë si kjo nuk mund të zmbrapseshin pa ia arritur qëllimit, largimin e ushtrisë italiane nga vendi.
Kur forcat kryengritëse po merrnin fitore të njëpasnjëshme, Italia ishte detyruar të fillonte bisedimet me qeverinë e Tiranës. Më 4 korrik 1920 baroni Alioti fillon bisedimet në Tiranë, i cili u përpoq të zëvendësonte humbjet me anë të bisedimeve. Ai kërkoi që të ndalohej lufta, ndërsa trupat italiane të qëndronin në ishullin e Sazanit, dhe aty të ndërtonin një bazë ushtarake, e cila të shërbente si strategji për sigurinë dhe paqen në Ballkan, por kërkonte dhe lehtësira tregtare dhe ekonomike në Shqipëri. Qeveria e Tiranës nuk e pranoi kërkesën e Aliotit, madje njerëzit) populli) u indinjuan me kërkesat e pushtuesit. Më 9 korrik në Tiranë u mbajt një miting i madh, ku krahas indinjatës kundër pushtuesit, demonstruesit thirrnin: “Rroftë Vlora jonë!”
Alioti këmbënguli deri në shantazhim që t’i bindte shqiptarët për çfarë ai kërkonte në emër të qeverisë së Romës. Kështu niset të shkojë në Vlorë (në Drashovicë), që të bisedonte dhe të bindte Komitetin “Mbrojtja Kombëtare” për kërkesat italiane, por dhe kjo orvatje dështoi. Luftëtarët e kryengritës qëndronin në pozicionet e luftës. Kështu, më 17 korrik, me anë të Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare”, i kërkojnë italianëve përmes qeverisë së Tiranës (20 korrik) pranimin e kërkesave ose jo të shqiptarëve.[11] Hezitimi i italianëve, bën që më 23 korrik luftëtarët të ndërmarrin një sulm tjetër të fuqishëm , ku arritën të hyjnë deri në lagjet e jashtme të qytetit. Baroni Alioti u kthye në Itali i dështuar. Qeveria italiane solli një tjetër të dërguar të saj, kontin Manozni, i cili duhej të përfundonte në Tiranë traktatin në bazë të kërkesave të palës shqiptare, dhe pse qeveria italiane e kishte të vështirë ta pranonte këtë humbje. Madje Benito Musolini shkruante kështu në korrik të vitit 1920, për atë që po ndodhte në Vlorë dhe Shqipëri: “Kaparetoja“ shqiptare është shumë më e rëndë se të tjerat, që u zhvilluan midis Izoncos e Piaves. Atëherë humbëm pozitë materiale, njerëz dhe dy krahina, por nuk humbëm vullnetin për të rifituar. Këtë herë disfata jonë është e rendit moral dhe tanimë diplomatikisht e kemi vulosur si një fakt të pranuar dhe të kryer. Pak mijëra shqiptarë, pa artileri na hodhën me furi në Vlorë dhe, për të shmangur hedhjen në det, hapëm bisedime pa ndonjë rezultat”.[12]
Më 2 gusht 1920 bisedimet mes qeverisë së Tiranës dhe përfaqësuesit të qeverisë së Romës përfunduan me një protokoll, ku rëndësi të madhe nga 8 pikat ishin ajo se, qeveria italiane do të tërhiqte trupat e saj nga Vlora dhe nga pjesë të tjera të Shqipërisë, me përjashtim të Ishullit të Sazanit. Në protokoll kishte detaje të shumta, të cilat ishin të mirë-studiuara nga qeveria e Tiranës, të cilat i reflektonte protokolli taksitivisht. Nënshkrimi i protokollit u prit me entuziazëm nga populli shqiptar dhe Vlora, e cila kishte dhënë djemtë dhe burrat, gratë dhe të moshuarit në këtë luftë të përgjakshme dhe të pabarabartë. Pavarësia e Shqipërisë kishte rifituar dimensionet dhe peshën e saj.
Tërheqja e trupave italiane filloi sipas protokollit, ashtu si dhe forcat luftarake kryengritëse, të cilët e respektuan duke zbrazur zonën neutrale. U muar në dorëzim administrata që më parë e kishte ushtria italiane, ndërsa më 3 shtator u festua madhërishëm çlirimi i Vlorës. Lufta e Vlorës shënonte jo vetëm një fitore të rëndësishme në kuadër të Luftës së Parë Botërore dhe pse ajo kishte përfunduar që në vitin 1918, por ajo ishte një luftë që i dha një dimension tjetër luftërave të shqiptarëve në Ballkan dhe në Evropë, i dha një mësim të madh monopoleve ekonomike evropiane, të cilat po përgatisnin luftën tjerët botërore, duke pasur në strategjinë e tyre monopolet ekonomike në Evropë dhe në botë.
Fitorja e Luftës së Vlorës i dha një dimension tjetër luftërave çlirimtare në botë. Ajo motivoi dhe mblodhi rreth vetes konsiderata të shumta nga shtresa të tjera solidare në botë. Gazeta “Arvaniti” e kishte dënuar sulmin që Italia kishte bërë ndaj një vendi dhe populli të vogël si Shqipëria,[13], ndërkohë, emigrantë shqiptarë nga Amerika dhe vende të tjera kërkuan të vinin si vullnetarë në Vlorë.[14] Lufta e Vlorës gjeti mbështetje në protestat që shtresat e ndryshme italiane, protestuan kundër pushtimit të Shqipërisë nga Italia, ashtu siç protestuan studentët shqiptarë në Evropë , drejtuar presidentit të Konferencës së Paqes në Paris. Me vullnetarët e lirisë në Vlorë u bashkuan atdhetarë të ardhur nga Italia, Franca, Amerika, Rumania, Bullgaria, Turqia të shoqëruara me kërkesat për të drejtat e kombit shqiptar pas Luftës së Parë Botërore.[15] Ngjarjet e Shqipërisë i përcolli gati gjithë shtypi italian i kohës, ku krahas dënimit të pushtimit që Italia i kishte bërë Shqipërisë, kërkohej zgjidhja e situatës[16], pasi shqiptarët nuk e duronin më një nënshtrim të tillë, kështu që atje kurrë, asnjë pushtues nuk mund të ndjehet i qetë, para një populli të pakënaqur.[17]
Qëndrime pro popullit shqiptar dhe Vlorës pati në Parlamentin Italian. Fitoret e luftëtarëve të Vlorës e tronditën qeverinë italiane të kohës, ku në jo pak raste gazetat përparimtare të këtij vendi hodhën thirrjet: “Nuk duam udhëtime ushtarake në Shqipëri!”, “Ne kërkojmë largimin e trupave italiane nga Shqipëria dhe njohjen e të drejtës së popullit shqiptar!”. Mbështetje të madhe lufta e popullit shqiptar mori nga shtypi në Belgjikë, Francë, Amerikë, Zvicër, Jugosllavi, Greqi, Rumani, Bullgari, Spanjë, Gjermani, Egjypt e deri në Japoni. Gazeta franceze “Democratie Nouvelle” në qershor 1920, e quante popullin shqiptar të panënshtruar, ndërsa gazeta tjetër francezë “La Tribune republikanie” më 24 qershor 1920, shkruan se ngjarjet në Vlorë e kanë nxjerrë këtë kohë popullin shqiptarë në rendin e ditës për preokupimet evropiane. Lufta e Vlorës në jo pak vende evropiane shkaktoi ballafaqime të forta mes qeverive, opozitave dhe sindikatave si në Itali.[18]
Lufta e Vlorës ishte një luftë për çlirim kombëtar nga pushtuesi, si rezultat i fillimit të Luftës së Parë Botërore, e cila kishte shkaqet e saja të thella lidhur me territoret ndërkombëtare për t’i zotëruar ushtarakisht dhe ekonomikisht nga fuqitë e mëdha ekonomike dhe ushtarake të kohës. Ajo u zhvillua në kushtet kur fuqitë evropiane kishin organizuar Konferencën e Versajës, me qëllimin për të krijuar gjeografinë e re, qoftë dhe territoriale të Evropës dhe botës, ku Ballkani dhe çështja shqiptare ishin ndër më delikatet, për shkakun interesave evropiane nga njëra anë dhe të nacional – shovinizmit ballkanik, i njohur për qëllimet e tij që në Kongresin e Berlinit në vitin 1878.
Lufta e Vlorës ishte njëra nga luftërat më të rëndësishme, një gur themeli pas Shpalljes së Pavarësisë, pasi ajo në kushtet e një pushtimi të ri, fitoi një dimension dhe solidaritet kombëtar me mbështetje të gjerë evropiane. Ajo dëshmoi se luftërat e drejta nuk mund t’i ndalojë asnjë lloj fuqie ku shquajnë faktori moral – politik i lartë, uniteti i mendimit dhe veprimit, ku dolën në pah vetitë luftarake të një populli, i cili kishte mbijetuar në shekuj vetëm me luftërat mbrojtëse, pa nënvlerësuar terrenin në të cilin ajo u zhvillua dhe vullnetarizmin e madh nga të gjithë shqiptarët kudo në botë. Lufta e Vlorës konsolidoi Pavarësinë. Ajo mori mbështetje të madhe ndërkombëtare dhe gjeti pasqyrim të gjerë në shtypin e vendit dhe të huaj, si dhe në kancelaritë e Fuqive të Mëdha, për shkakun e të drejtës që ajo kishte me vete.
[1] Ref Halim Xhelo “Vlorë 1920”, “Politika”, nr.25, dt, 3.IX. 1924
[2] “Vlora më 1920, burim i cituar
[3]Ultimatumi I 3 qershorit të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare drejtuar komandës italiane në Vlorë
[4] Halim Xhelo, “Liria Kombëtare”, nr.90, dt 1.IX. 1928
[5] “Drita” Gjirokastër, nr.10, 9 qershor 1920, fq.3
[6] AQSH i RPSH, F.MPB. D.Nr.80, Origj.
[7] Halim Xhelo, burim i cituar
[8]Halim Xhelo, burim i cituar.
[9] Muin Çami, “Lufta e Vlorës”, Botimet “Toena”, Tiranë 2000, fq.15
[10] “Drita”, Gjirokastër, 10 korrik 1920
[11] “Drita” Gjirokastër, nr.16, 31 korrik 1920, fq.1
[12] Historia e Shqipërisë, Vëll 3, Tiranë, 1984, fq. 232- 233
[13] Gazeta “Avanti”, 18 qershor, 1920
[14] Revista “Përparimi”, Nju York, fq. 1, viti 1920
[15] AQH i RPSSH, D.1, Dok, nr.47, origjinal
[16] “L’Italia”, 5 gusht 1920
[17] “Il Tempo”, 7 gusht 1920
[18] Muin Çami, burim i cituar, fq. 60-61

Shkrimi i një intelektuali dhe atdhetari të vërtetë i cili meriton respekt.
Të lumtë pena, o Profesor i nderuar!
(….Presidenti Uillson me 14 pikat për vetëvendosjen e kombeve mirë e mendonte, po sikur… s’kishte ndonjë kundërshtim që Vlorën ta mbante Italia.)
Sa për foton ilustruese, do thënë që s’duket të jetë e duhura për pamjen e protagonistëve të Luftës së Vlorës.