Lufta e Vlorës në faqet e gazetës “Drita” të Veli Hashorvës

Ornela

Filluan luftën të pështetun në shpresë të ndihmës së Perëndisë e të bashkimit vëllazëror, e pa të sosë a me mbetë të gjithë në lam të luftës ose me shpërthe dyert e hekurta e ledhet e çelikta të armiqëve.”

At Shtjefën Gjeçovi

Prof. Dr. Shyqyri Hysi

Në fund të Luftës së Parë Botërore në Prefekturën e Gjirokastrës u krijua një eksperiencë pozitive në fushën e gazetarisë. Në atë kohë në Gjirokastër botoheshin përkatësisht këto gazeta: “Viroj”, “Vllazërimi”, “Omonia”, “Konkordia”, “Zëri i Gjirokastrës”, “Bisedë e Lirë”, ndërsa në Këlcyrë botohej gazeta “Reforma”.  Më 27  mars 1920  u botua  për të parën herë në Gjirokastër gazeta “Drita”, e cila njihet edhe si Gazeta “Drita e Veli Hashorvës”. Ajo botohej një herë në javë dhe ishte një gazetë “popullore, politike dhe kombëtare”. Koha kur gazeta doli në Gjirokastër përkon me një gjendje tepër kritike, si në aspektin e brendshëm ashtu edhe në arenën ndërkombëtare. E ardhmja politiko- administrative e vendit, fati i Shqipërisë dhe shqiptarëve ishin rihedhur në tavolinën e diplomacisë evropiane (Konferenca e Paqes në Paris 1919 – 1921), e cila me gërshërë në duar ishte gati për ricopëtimin e trojeve shqiptare.

Prezenca e ushtrive të huaja në Shqipëri dhe troje, pothuajse mbante statukuon e pjesshme ndërkombëtare për llogari të shteteve fituese dhe aleatëve të tyre (Itali, Greqi, Serbi). Por, situata tejet e vështirë politike, ekonomoike dhe ushtarake, nuk e pengoi  rritjen e lëvizjes dhe frymës kombëtare. Pas Kongresit të Lushnjes 28 – 31 janar 1920, ajo u bë më e zjarrtë dhe erdhi vazhdimisht duke u rritur, deri në sigurimin e plot të hapësirës kombëtare në kufijtë e vitit 1913, më 3 shtator 1920. Shqetësimi më i madh në atë kohë ishte këmbëngulja e Romës për të mbajur Vlorën, Tepelenën dhe Himarën nën juridiksionin e saj ushtark, politik e administrativ.  Ajo kundërshtonte hapur çdo kërkesë të Qeverisë kombëtare të Sulejman Delvinës për bashkimin e kësaj treve me pjesët e tjera të shtetit shqiptar, duke cënuar sovranitetin dhe pavarësinë e vendit. Në këto kushte për sigurimin e indipedencës kombëtare mbeti vetëm një rrugë, lufta e armatosur.

Gjatë gjysmës së parë të shek. XX janë botuar katër gazeta me emrin “Drita” dhe një revistë “Drita” –  “Dituria” 1884 – 1885 në Stamboll. Gjithashtu në vitin 1961 filloi botimin edhe gazeta “Drita”, letraro – artistike,  organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

  1. Gazeta “Drita” e Sofjes, numuri i parë i së cilës doli, më 1(14) nëntor 1901 në Sofje. Gazetë e përjavshme politike, shoqërore, kulturore e letrare. U botua deri në vitin 1908, gjithsej 101 numra.
  2. Gazet “Drita” e Manastirit, 1908. Botohej një herë në javë,  numri i parë i së cilës doli më 3 mars 1911 në Manastir. Gjithsej u botuan 88 numra.
  3. Gazeta “Drita”, organ gjysmë zyrtar i vitit 1936. Botohej në Tiranë një herë në javë. Drejtor i saj ishte M. H. Leskoviku, i cili botonte me pseudonimin Muço Qulli. Botimi i saj vazhdoi deri në vitin 1939.
  4. Gazeta “Drita” e Gjirokastrës. Studiuesi Palok Daka në punimin: “Biblografi retrospektive e shtypit periodik shqiptar e mbi Shqipërinë e viteve 1848 – 1944”, shkruan: “ ‘Drita’. Del një herë në javë. Popullore, politike, kombëtare. Organ kombëtar, Editor (redaktor SH. H) dhe Gjerant i Gjegjshëm Veli Hashorva – Gjirokastër. Gazetë në gjuhën shqipet (në dialektin toskërisht Sh. H), prej 2 e 4 faqesh, format 24 x 34.5. cm. dhe 29 x 43 cm. Numuri i parë doli më 27 mars 1920.

Tepër interesant është momenti i përcaktmit të emrit të gazetës “Drita”. Këtë emër e vendosi Petro Poga, në atë kohë ministër i Drejtësisë në Qeverinë e Durrësit (1918 – 1920).  Veliu kujton: “I vajta një ditë të piqesha me të si i dërguari i gazetës “Dielli”, organ i Vatrës në Amerikë. …Biseduam afro një orë e ca. Midis fjalëve më tha në kam dëshirë të botoj një gazetë në Gjirokastër. Ju përgjigja menjëherë se jo vetëm që dëshiroj, po di ti mar ndër sy çdo rrezik dhe ndalim që mund të më dilnin përpara… Në mesë të bisedimeve që patëm me P. Pogën më tha se në kohë të shkuara ka qënë editor i gazetës “Drita” që dilte në Stamboll. Dëshiron që gazeta që do dal të mar emrin “Drita”? Ky proponim i P. Pogës më pëlqeu shumë. E Para që ishte një fjalë plotë kuptim dhe e dyta që ishte një fjalë e shkurtër. Veçanërisht ishte një fjalë historike. Poga e pagëzoi gazetën time pa hapur sytë”. Me të dalë gazeta “Drita” ajo u promovua në një ceremoni të thjeshtë, në sallën e shkollës “Liria” dhe të ish klubit atdhetar “DRITA” të Gjirokastrës. Veliu kujton: “Në mars 1920 ‘Drita’ doli në dritë me një farë ceremonie. Thirra një tok qytetarësh…Pasi mbajta një fjalë të shkurtër i ndava gazetat një e nga një”. Gazeta u përshëndet nga gjithë shtypi i kohës midis tyre përmendim gazetat: “Drita” e Stambollit dhe “Dielli” i Bostonit. Gazeta “Dielli” e informuar prej korrespondentit të saj, Xhafo Poshit, shkruante: “Me të vërtetë është një mungim i tmerruar, mëkat i madh që Gjirokastra të mos kishte një gazetë kombëtare.”

Po cili ishte qëllimi i botimit të kësaj gazete? Këtë e zbulon botuesi i saj, Hashorva: “Të zbulonte ku qëndronte gjilpëra e kronometrit politik… Në radhë të parë vinte propaganda kundër imperialistëve. E dyta ishte të vinim popullin në kontakt me qytetrimin. …Dalja ime nëpër qytet së bashku me gruan fytyrëzbuluar i shërbente sado pak qytetrimit.” Një mision i vështirë, por jo i pamundur në truallin më të lashtë pellzgo – iliro – arbëror. Gazeta mori përsipër edhe misionin e mbrojtjes së çështjes kombëtare përballë pushtuesve dhe  veglave të tyre. Sikurse shprehet Veilu, “..duke përballur  kundërshtime të ndryshme”, prej krahut të bejlerëve dhe kolaboracionistëve.

Gazeta “Drita” dhe stafi i përkushtuar i saj u  rreshtuan denjësisht në radhët e atdhetarëve të kohës, që ndikuan në edukimin atdhetar,  demokratik dhe civilizimin e popullit shqiptar në viteve njëzetë. Studiuesit e vendosin “Dritën” e Gjirokastrës përkrah: Gazetës “Populli” të  KMKK dhe Sali Nivicës, të Gazetës “Politika” të Vlorës e Halim Xhelos, Gazetës “Koha” ku shpalosi idetë e veta Mihal Grameno dhe “Ura e Shkumbinit” që botohej në Elbasan prej Emin Matraxhiut.  Gazeta publikoi idetë e saj në një kohë kur problemet shoqërore e kombëtare ishin të shumta. Gazeta e V. Harshorvës e deklaronte qëllimin e vet qysh në numrin e parë të  saj, më 27 marsit 1920, kur theksonte se: “… del në Gjirokastër me shumë gaz e plotë shpresë për t’i shërbyer çështjes kombëtare…., del për t’u shërbyer shqiptarëve të vërtetë si një llambë  që do t’u tregojë udhëtarëve në mjegull udhën e drejtë”.

Redaktori i saj ishte atdhetari Veli Hashorva. Por kush ishte Veli Hashorva? Ai lindi në Gjirokastër në vitin 1892, shkollën fillore dhe të mesme i përfundoi në qytetin e lindjes. Në vitin 1911 shkoi me studime në Stamboll, por me shpalljen e  Pavarësisë Kombëtare, më 28 nëntor 1912, Veliu u kthye në atdhe dhe mori pjesë intensivisht në Lëvizjen Kombëtare shqiptare të asaj periudhe. Kur trupat greke pushtuan Gjirokastrën në vitin 1913, Veliu u shpall në kërkim, por ai i mbrojtur nga populli i Gjirokastrës, u shpëtoi përndjekjeve të andartëve dhe u përgatit për mërgim. Për të qënë më i sigurt atdhetarët gjirokastrit dhe anëtarët e klubit “Drita” të Gjirokastrës, e këshilluan djaloshin 27 vjeçar të “…hidhej në Amerikë”.

Me të mbritur në SHBA, Veliu mori kontakt me përfaqësuesit e Federatës “Vatra” dhe u bë anëtar i saj. Qëndrimi katërvjeçar në SHBA i shërbeu V. Hashorvës si një shkollë  për jetën, formimin demokratik dhe ngritjen intelektuale. Atdhetari gjirokastrit, Veli Hashorva botoi atje edhe një  gazetë të cilën e titulloi “Vjosa”. Studiuesi Palok Daka në punimin: “Biblografi retrospektive e shtypit periodik shqiptar e mbi Shqipërinë e viteve 1848 – 1944”, shkruan: “ ‘Vjosa’. Del dy herë në muaj. Organ Kombëtar – kombëtare, popullore, literare, satirike. Botohet prej  një shoqërie nacionale/ Published by nacional company, New Jork. Redaktori V. Hashorva… Gazetë në gjuhën shqipet (në dialektin tosk, Sh. H) prej 4 faqesh, formati 25x 34.5 cm. numri i parë doli në qershor 1916”. Gjendet në BK – T”.

Veliu u kthye në atdhe në vitin 1919, u lidh menjëherë me atdhetarët dhe mori pjesë intensivisht në lëvizjen kombëtare, me synimin për mbrojtjen e trojeve jugore shqiptare.  Veliu në kujtimet e veta, Stamboll 1973, shkruar me një gjuhë të thjeshtë dhe tepër origjinale, thekson veç të tjerash edhe strategjinë e veprimtarisë së tij: “Kur  u ktheva në Gjirokastër nga Amerika e para e punës ish të mësoja gjendjen e vërtetë të vendit; fuqinë e italianëve dhe me kë do të bashkëpunonja po të ish nevoja”. Gjirokastra kishte shumë djem në SHBA, një pjesë e të cilëve ishin kthyer edhe në Gjirokastër në përfundim të Luftës së Parë Botërore. Këta ishin edhe bërthama atdhetare me të  cilët bashkëpunoi Veliu. Veliu kujton: “Në Gjirokastër gjeta shumë shokë  të mirë, patriot të zjarrtë, më të  shumtët kthyer nga Amerika”.

Gazeta kishte si qëllim: “..t’i shërbente çështjes kombëtare këtu (në Shqipëri); me një mënyrë, dhe me një gjuhë, fare tjetër nga sa janë përdorur deri më sot”. Në fjalën e tij gjatë ceremonisë së promovimit të numrit të parë të gazetës, 28 mars 1920, V. Hashorva theksoi: “Me këtë organ do ia bëjmë të ditur miqëve dhe armiqëve tanë, që gjuha, dhe sentimentet’ e këtij vendi thërresin e do të thërrasin për Shqipërinë.”

Dhe këtë detyrë redaktori i saj, Veli Harshorva, e realizoi së bashku me djemtë dhe burrat atdhetar gjirokastrit si: familjen Topulli, vëllezërit Shapllo, Shemsho Hajro, Hysni Babametua, Qazo Putua, Besim Nishani, Xhafo Poshi, Jorgji e Polo Meksi, Urani Rumbo, Vasil Dilo, Namik Delvina, Kiço Koçi, Javer Hrushidi e Hasan Dosti. Për ecurinë e mbarë të punëve kombëtare, Veliu me shokë krijuan edhe një organizatë atdhetare – kulturore, organizatën “OPINGA”. Prej saj Veliu u zgjodh edhe delegat në Kongresin e Lushnjes 28 – 31 janar 1920, si përfaqësues i Gjirokastrës. Studiuesi Lefter Dilo, pasi përshkruan frymën atdhetare në prag të zhvillimit të Kongresit të Lushnjes thekson: “Më 8 janar 1920, kur nga Gjirokastra u nisën për në kongres delegatët Veli Hashorva e Kiço Koçi, në një miting, populli thërriste: ‘Në Lushnjë, në Lushnjë!”,” Jemi me Lushnjen! ”. Në faqet e gazetës V. Hashorva deklaronte: “… kjo shoqëri e pa të nevojshme të kishte një gazetë, e cila do t’i fliste popullit hapur, të demaskonte gjithë ata që bënin pazarllëqe me pavarësinë e Shqipërisë, të demaskonte e të luftonte imperialistët dhe shërbëtorët e tyre dhe të luftonte për të drejtat demokratike të popullit”.

Historiografia shqiptare konfirmon se: “Delegatët e mbledhur në Lushnje ishin të ndërgjegjshëm se në përpjekjet për të vënë në jetë vendimet e këtij kongresi, do të ndeshnin vështirësi të shumta, për kapërcimin e të cilave duheshin bashkuar të gjitha forcat e të organizohej dhe lufta e armatosur  si mjet i  fundit për mbrojtjen e tërësisë tokësore të vendit. Duke u nisur nga kjo ide, mjaft delegatë nga krahinat e Beratit, të Gjirokastrës, të Korçës e të Vlorës, në një mbledhje jopublike që organizuan në Lushnje, e quajtën të nevojshme të fillohej puna për përgatitjen e një qëndrese të tillë”. Me t’u kthyer në Gjirokastër, Veliu dhe atdhetarët e tjerë gjirokastritë iu vunë punës për zbatimin e vendimeve të Kongresit të Lushnjes. Lefter Dilo shkruan: “Delegatët u kthyen në Gjirokastër pas afro një muaj dhe më 2 shkurt 1920, ditën e diel, kur ndodheshin këtu edhe përfaqësues të shoqërisë “Vëllazëria”, që kishin shkuar në Romë, u bë një mbledhje e gjerë. Një nga delegatët e Kongresit të Lushnjës, Veli Hashorva, lexoi procesverbalin e mbledhjes së Kongresit”.

Veliu e gazeta “Drita” mbështetur edhe nga atdhetarët gjirokastrit e më gjerë, krijuan një front të gjerë atdhetar e demokratik në trevën jugore shqiptare. Meraku se, “si do të pritej gazeta” e shtyu V. Hashorvën, që të organizonte një takim të gjerë paraprak ku paraqiti argumentat , përse duhej botuar një gazetë e re në Gjirokastër. Puna pesë vjeçare e Hashorvës me shokë, tregoi më së miri vlerat e botimit të saj. Veliu dhe gazeta e tij u radhitën në vijën e parë të frontit, me koshiencë të plotë  për momentin kritik që kalonte vendi. Gazeta trajtoi këto probleme:

– Zhvillimin e Kongresit të Lushnjës, të Luftës Kombëtare të Vlorës 1920 dhe vrasjen e Esat Pashës nga Avni Rustemi, duke i konsideruar ato si: “…Triniti divinte të epilogut të rilindjes politike të Shqipërisë.”

– Trajtoi përpjekjet e fqinjëve  për të përçarë popullin sipas ndasive fetare. “Shtetet fqinje të Ballkanit, Italia dhe Greqia me anë të këtyre elementëve kanë gjetur shesh për të bërë propagandë armiqësore kundër vendit tonë”. Në nr. 7 të saj me titull: “Greqia dhe Shqipëria”, gazeta analizonte marrëdhëniet dypalëshe dhe qëndrimin fisnik të shqiptarëve. Gazeta hodhi poshtë propagandën greko – serbe se, Shqipëria është “Turqia e vogël” dhe argumentoi se: “… elementi shqiptar i besimit ortodoks është një forcë vitale kombëtare”. Ata do të jenë në krye të drejtimit të shtetit, të barabartë me gjithë shqiptarët e besimeve të tjera fetare dhe nuk mund të jenë, “qytetarë të dorës së dytë si në kohën e Turqisë së Madhe”. Gazeta botoi një artikull të posaçëm për të sqaruar raportet e besimeve fetare dhe rolin e popullsisë ortodokse në Shqipëri. Artikulli u botua në nr. 3 të “Dritës” dhe titullohej: “Të krishterët përpara detyrës”.

–  Me shkrimet e saj “Drita” mori në analizë raportet dhe interesat  italo – greko – serbe. Ajo konkludonte se: “Influencat italiane në Shqipëri dhe vendosja e  Italisë në Vlorë, që janë fatale për Shqipërinë, nuk janë më pak fenestes për Greqinë. Fqinjët tanë….janë në të  njejtën shkallë të bashkinteresuar për pavarësinë dhe integritetin e Shqipërisë…. influenca italiane në Shqipëri do të përbënte një rrezik të madh për vendet e tyre”. Gazeta nëpërmjet shkrimit: “Fuqia vet”, komentoi se fatet e atdheut i kemi vet në dorë, ndaj nuk ka vend për frikë se: “…nëse dëbonet Italia mos e zëri vendin e saj Greqia”? Gazeta i kushtoi artikuj të posaçëm marrëdhënieve shqiptaro – greke. Më 9 qershor në faqet e “Dritës” u botua shkrimi “Greqia dhe Shqipëria”, në të cilin V. Hashorva theksonte: “…në istorinë moderrne të Greqisë emri i shqiptarit çkëlqen më tepër se kushdo tjetër”. Në nr. 6 të saj nën titullin “Valona e nostra dhe Vlora e Shqipërisë”, gazeta shkruante: “Vlora është tona dhe duhet të jetë….Vlora është e Shqipërisë, është tona e duam, e kërkojmë dhe do ta marrim, dhe Shqipëria do të shpëtojë. Për këtë gjë le të jenë të sigurt Shqiptarët, Italianët dhe Ballkanasit”. Në nr. 14, gazeta botoi shkrimin: “Politika Jugo-Sllave kundër Shqipërisë”, në të cilin theksonte: “Jugo-Sllavia sot çfaq këtej Adriatikut gjithë me atë interes dhe politikë që trashëgoi nga Serbia”. Pothuajse në çdo botim gazeta trajtoi qëndrimin e shteteve dhe lidershipit ballkanik ndaj Shqipërisë. Kështu per shembull “Drita” në nr. 15 të saj botoi shkrimin: “Ç’thotë z. Venizellos?”

– Gazeta mori në analizë qëndrimin e shteteve europiane dhe konkludoi se: “Diplomacia evropiane ia ka vënë Shqipërisë thikën në grykë dy herë”. Në nr. 12 “Drita”  botoi një artikull me titull: “Çështja shqiptare përpara botës”, në të cilin gazetari analizon mosbesimin e europianëve tek forca e shqiptarëve dhe shpreh habinë që kishin treguar Fuqitë e Mëdha ndaj sukseseve të ushtrisë kombëtare.  Gazeta komentoi e analizoi marrëveshjet dhe projektet antishqiptare britaniko – franceze të 9 dhjetorit 1919 dhe 13 – 14 janarit 1920, si dhe lidhjen e problemit shqiptar me “Çështjen e Adriatikut”. Gazeta pasqyronte në çdo javë ngjarjet e konferencat ndërkombëtare dhe vendimet e tyre. Në nr.6 dhe 7 të saj ajo pasqyronte zhvillimet në Konferencën e San Remos, 19 – 27 prill 1920. Editori shkruante: “Coptimi i Shqipërisë kundër dëshirës së popullit shiptar është rreziku m’i madh i politikës italiane në Ballkan e në Adriatik”.

– Gazeta përkrahu Komitetin  Mbrojtja Kombëtare të Vlorës, Tepelenës, Përmetit dhe Gjirokastrës. Disa studiues si: S. Papuli, M. Çami, B. Mema, A. Shahu, B. Gaçe etj., e konsiderojnë atë “…krahu i djathtë i KMK”. Gazeta i bënte vazhdimisht thirrje popullit të merrte pjesë në Luftën  Kombëtare të Vlorës 1920. Ajo bënte njoftime e thirrje të drejtpërdrejta: “Yrysh përpara”, “…të marrim armët e të kërkojmë nga Italia administrimin e Vlorës, të Tepelenës dhe të Himarës, të cilat t’i dorëzohen me të shpejt qeverisë së Tiranës”. Pas fitoreve të 5 – 6 dhe 11 – 12 qershorit që ushtrisa kombëtare korri mbi pushtuesit, gazeta i ftonte shqiptarët të bëheshin pjesë e kësaj lufte: “O burra, përpara shqiptarë!” në shkrimin e saj të 16 qershorit V. Hashorva nëpërmjet artikullit “Valona et l’eclat de la nuovelle guerre” dhe “Vullnetarët për  Vlorë” u kërkonte shqiptarëve të shpëtonin nga thonjtë e pushtuesve “Betlehemin” shqiptar. Ajo shkruante: “Përpara për tek ajo Vlorë, tek vendi i bekuar, simbol i lirisë dhe indipedencës”. Gazeta botoi të gjitha raportet e Komitetit Mbrojtja Kombëtare dhe Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Kombëtare në Vlorë 1920.

– Gazeta organizoi komisionet e ndihmës së Luftës Kombëtare të Vlorës 1920, mblodhi ndihma dhe nxiti vullnetarët të shkonin në radhët e frontit kombëtar. Studiuesi Sotiraq Papuli shkruan: “Në Gjirokastër ashtu si në të gjithë vendin, me iniciativën e popullit dhe të patriotëve u ngritën komisione për të ndihmuar Luftën e Vlorës kundër imperialistëve italianë. U mblodhën ndihma të konsiderueshme në të holla, në drithë, bagëti etj. Gjithashtu komisioni bëri edhe regjistrimin e vullentarëve për në Vlorë”.

– Gazeta “Drita” goditi që në fillim planet aneksioniste italiane dhe vendimet e diplomacisë europiane. Në faqet e saj maj 1920 lexojmë: “Me qëndrimin e Italisë në Vlorë Shqipëria do të jetë në rrezik… rreziku vjen nga Vlora, nuk ka çështje të Toskërisë, të Gjirokastrës apo të Shkodrës. Fati i këtyre viseve është i lidhur me atë të Vlorës… Për të siguruar jetën e tërë Shqipërisë, duhet që Vlora të jetë e Shqipërisë, siç ka qenë”. Në artikullin “Mbrojtja kombëtare” gazeta shkruante: “Malet’ e larta dhe fushat e gjera virgine që janë ngjyer me gjak shqiptar, duhet të mbajnë virgjërinë e tyre, eshtrat’ e të patërve tonë s’duhet të shkelen prej këmb armike. Më mirë vdekur nën dhe sesa turpëruar mbi dhe.”

– “Drita” komunikoi hapur, qartë e prerë me lexuesin shqiptar. Ajo i mëshoi fort faktorit të brendshëm.  Ajo goditi mendimet disfatiste e mosbesuese të disa individëve dhe gazetave dhe u bëri thirrje shqiptarëve t’u dilnin zot fateve të tyre. Në faqet e “Dritës” më 3 prill 1920 kishte një artikull që tingëllonte si një kushtrim, ai titullohej: “Fuqia vet” dhe V. Hashorva theksonte: “Zgjohu pra o Shqiptar! Nuk është aq vonë për punë…vendos fatin tënd me duart e tua dhe mos prit të të shpëtojë i huaji. …Mund të humbasim Shqipërinë për jetë po të rrimë të mpirë”. “Historia – shkruante “Drita”- le të na kujtojë si një komb që preferon vdekjen përpara robërisë.”

– Gazeta botoi disa shkrime ku theksonte rolin e SHBA dhe Presidentit W. Wilson në mbrojtje të çështjes shqiptare. Qysh në numrin e parë të saj ajo botoi artikullin: “Presidenti Uillson dhe Shqipëria”. Shkrime ka edhe në nr. 7, datë 13 maj 1920, me titull: “Konditionet e Uillsonit”. Gazeta nuk e konsideroi të mjaftueshëm kundërshtimin e projektit britaniko – francez të 13 – 14 janarit 1920. Duke trajtuar këtë problem M. Çami thekson: “Botuesit e Dritës shprehën dëshirën dhe njëherazi shpresën se përfaqësuesit amerikanë do ta rishikonin qëndrimin e tyre ndaj Shqipërisë, se ata do t’i kundërshtonin  më në fund edhe pretendimet e dy fuqive të tjera, të Italisë dhe Greqisë. Por në qofë se kjo nuk ngjet, athere le të besojmë sigurisht, që politika amerikane u mund përpara diplomacisë plakë të Evropës, dhe neve s’na mbetet tjetër veçse të qajmë hallin tonë vetë”.

– Gazeta filloi t’i komentojë dhe pasqyrojë ngjarjet e Luftës Kombëtare të Vlorës 1920 më 29 maj, dhe më tej në datat 6, 16, 23 qershor, 10, 15, 16, 31 korrik 14, 21 gusht  dhe 5 shtator 1920. Disa nga artikujt e saj janë: “Vlora është tona”, “Lufta e Vlorës dhe bota e huaj”, “Lufta e Vlorës dhe detyra jonë”, “Çështja shqiptare përpara botës”, “Vullnetarë për Vlorë”, “Përpara”, “Fuqia vet”, “Pas Vlorës”, “Mbi ngjarjet e Vlorës”, “Përpara Tepelenë” etj. Pas fitores dhe kur bisedimet me palën italiane dukeshin drejt fundit gazeta shkruante: “Vlorën e fituam vet,  dhe duhet t’i japim besim fuqisë tonë; shqiptari kur do bënë çudira”, “Lufta u fitua, Vlora në dorë të kryengritësve”. Nga fronti i luftës korrespondenti i gazetës “Drita”, Gani Abazi katër ditë pas sulmeve të datës 22 – 23 korrik (më 27 korrik) njoftonte me anën e një relacioni redaksinë e gazetës në Gjirokastër mbi zhvillimin e luftimeve. Për këtë luftë ka edhe një “Njoftim të Komandës së Përgjtithshme të luftëtarëve shqiptarë”, që mban të njëjtën datë, 27 korrik lëshuar nga Drashovica. Ky relacion është botuar i plotë në faqet e gazetës “Drita”. Në Relacioni u botua në gazetën “Drita”, më 31 korrik 1920. Gazeta “Drita” boton tre letrat e të plagosurve në spitalin e kuotës 115 në Mavrovë“Na ardhë në zyrë këtu tre letra dërguar prej të plagosurëve që gjenden në spitalin e Quotës 115 në Mavrovë. Letrat janë të gjata, e para për bashkëluftëtarët e tyre në frontë, e dyta për Komitetin “Mbrojtja Kombëtare”, dhe e treta, drejtuar kryetarëve të fshatrave që morën pjesë në luftë… po botojmë shkurtimet”.

                    – Gazeta trajtoi temat që rrokte shtypi i huaj në lidhjen me Luftën kombëtare të Vlorës 1920. Midis problematikës që lidhej me Shqipërinë ishte edhe qëndrimi i socialistëve italian ndaj Luftës Kombëtare të Vlorës 1920. Në nr. 13 të saj “Drita” botonte artikullin: “Bisedimet e 27 qershorit në Parlament”, në të cilin trajtonte qëndrimin e grupit parlamentar socialist italian. Ky grup nën drejtimin e Kazamallit deklaroi se: “Nuk do të votonte buxhetin provizor të qeverisë derisa ajo të hiqte dorë nga Vlora. Deputetët Mafi, Casalini, Kanarodi, Dassamali, Donati, Pio Riboldi, Bassi, Matteoti, De la Selta, Bionchi, Umberto Pagolla etj. të gjithë socialistë, vunë përpara këtë urdhër të ditës: Parlamenti që interpreton mendimin e popullit, i cili është treguar kundër çfardo lufte dhe aventurës ushtarore dhe me anën e kryengritjevet të qeverisë t’ushatrëve, merr parasysh kundërshtimin midis deklaratave të qeverisë përmbi çështjen e indipendecës në Shqipëri dhe mbetjet aty të trupave italiane të pushtimit, vendos  heqjen e ushtrisë nga Shqipëria.”

 

Gazeta pati sukses të jashtëzakonshëm. Popullariteti i saj u shtri në gjithë prefekturën e atëhershme, në Korçë, në Vlorë e Tiranë. Këtë sukses e provoi redaktori i saj V. Hashorva,  i cili i shoqëruar prej korrespondentit të saj Gani Abazit (Iljazit), vizitoi frontin, spitalin dhe qendrën e Prefekturës kombëtare në Drashovicë. Ai bisedoi me KMK, me Komisionin Ushtarak dhe komandantin e luftës Qazim Koculi. Madje “Drita” dhe redaktori i saj kishin një vend të veçantë edhe në ceremoninë e festimeve në Vlorë. Suksesi i gazetës “Drita” lidhet me:

  • Gazeta “Drita” ishte e para që botohej në Gjirokastër tërësisht në gjuhën shqipe.
  • Stafi i saj ishte grup shqiptarësh me ndjenja atdhetare dhe profesionist të kohës. Midis tyre spikaste redaktori Veli Hashorva, të cilin S. Pollo e rreshton midis figurave udhëheqëse të çështjes kombëtare 1918 – 1920. Ai thekson: “Populli ynë nxori nga gjiri i tij, ashtu si në të kaluarën, udhëheqësit e vet, njerzit e shquar të penës e të pushkës , si Aqif Elbasanin e Sotir Pecin, Kadri Hoxhën e Veli Harshovën, Riza Cerovën e Shaban Blloshmin, … të cilët ditën të orjentohen drejt në labirinthet e regjura të diplomacisë evropiane.”
  • Shtroi dhe mbrojti çështjen kombëtare. Mema e A. Shahu shkruajnë: “Gazeta “Drita”  fitoi shpejt popullaritet, sepse u bë tribunë e mendimit të përparuar politik e shoqëror, luftëtare e vendosur e ideve demokratike…. trajtoi me kompetencë e prefesionalizëm problemet themelore që shqetësonin vendin dhe popullin.
  • Mbështeti shtresat e gjera popullore, veçanërisht të mesme dhe të varfëra. U deklarua në opozitë me feudalët e mëdhenj si familja Libohova etj.
  • Ajo zhvilloi kritikën si armë të fuqishme kundër koncepteve dhe ideve të vjetra, kjo sepse nëpërmjet kritikës “…shihet qytetrimi e përparimi i intelekual i një kombi.”

 

Në këtë 100-vjetor jehojnë ende thirrjet e lebërve, vlonjatëve, kurveleshasve, mallakstriotëve, libohovitëve, skrapallinjëve, elbasanllinjve, përmetarëve, beratasve, durrësakëve, shkodranëve, shqiptarëve të emigruar në SHBA nën organizimin e kulturuar të Vatrës, forcave të Qeverisë së Kongresit Kombëtar të Lushnjes, Qeverisë së Sulejman Delvinës, dhe e gjithkujt që nderi, Atdheu, shpirti i lirisë, gjaku i të parëve, amaneti i rilindësave u thirri: “DREJT VLORËS!”,  “VLORA – VLORA!”, “Rroftë VLORA!” “Përpara Tepelenë!” Ishte koha për t’u ngritur si shqiponjat mbi padrejtësitë që bota bënte vazhdimisht tek shqiptarët. Ata njerëz të thjeshtë të punës e të nderit e peshuan drejt momentin historik madje, më mirë se kancelaritë europiane, lidhën  besën e thanë: “JA DO BËHET VLORA JONË, JA DO BËHET SHKRUMB E HI!” Dhe me sakrifica sublime, e lanë me gjak verën e vitit 1920. Por, ia dolën, e shpëtuan Vlorën dhe gjithë Shqipërinë nga planet për copëtimin e tretë kombëtar.

Epopeja e Luftës Kombëtare të Vlorës 1920 ishte pjesë e gjithë lëvizjes kombëtare gjatë viteve 1918 – 1920, e atij hovi kombëtar që përfshiu gjithë shtresat popullore të kohës. Zëri i atdheut i thirri shqiptarët nga çdo fshat, krahinë, trevë e qytet. Ata u nxitën nga ndjenja e dashurisë për ta parë atdheun pa pushtues. Ndaj u ngritën me forcë të paepur për mbrojtjen e tërësisë tokësore dhe pavarësisë kombëtare. Organizimi ishte mbi baza vullnetare dhe për drejtues zgjodhën shokët e tyre. Heroi kryesor i asaj lufte ishte populli.

Gazeta “Drita” e Veli Hashorvës u bë organi më i dashur i kohës si për luftëtarët e Luftës Kombëtare të Vlorës 1920, ashtu edhe për gjithë popullin dhe atdhetarët shqiptar kudo që ndodheshin. Ajo ishte ushqimi shpirtëror dhe pasqyra e gjithë ndjenjave, ngjarjeve e veprimtarisë kombëtare.

Lavdi të përjetshme, mirënjohje dhe respekt për dëshmorët, heronjtë dhe luftëtarët e Luftës Kombëtare të Vlorës 29 maj 1920 – 2 shtator 1920.

 

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *