Lufta e Vlorës në rrëfimet e bashkëkohësve…

J L

Prof. Dr. Bardhosh Gaçe

(Shënime mbi librin “Lufta e Vlorës në kujtimet e mia” të Gani Iliaz Abazi)

 

Dhe pse Lufta e Vlorës ka një shekull që ka ndodhur në historinë e popullit shqiptar ajo ka një peshë të rëndësishme, jo vetëm si një ngjarje, si një luftë dhe si një kundërshti e Vlorës dhe shqiptarëve kundër pushtuesit italian, por dhe në konceptet e zhvillimeve shoqërore shqiptare dhe evropiane. Pushtimi i Vlorës dhe një pjesë e mirë e trevave të jugut nga ushtritë italiane me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, si rezultat i luftës së shteteve kapitaliste për territore dhe riciklim të zhvillimeve kapitaliste ekonomike, ku Shqipëria ishte një nga terrenet më të rëndësishme jo vetëm për Italinë, por shumë shtete të Lindjes dhe të Perëndimit, e gjeti Shqipërinë si një shtet që sapo ishte krijuar dhe të paorganizuar në të gjithë hapësirën e vet, pasi kishte shpërthyer lufta Ballkanike, me ç’rast vendit i kërcënohej një rrezik tjetër, por dhe për shkakun se Fuqitë Perëndimore nuk kishin treguar asnjë kujdes për ta konsoliduar atë, po ashtu më shumë se gjysmat e tokave shqiptare ishin lënë jashtë kufijve shtetërorë të 1912-1913.

Në këto rrethana Lufta e Vlorës merrte një perceptim të gjerësishëm në kuadrin e zhvillimit politik shqiptar në raport me shtetet e tjera perëndimore dhe ata ballkanike, të cilët vazhdonin të këmbëngulnin në planet e tyre për copëtimi të mëtejshëm të tokave shqiptare, por dhe të zhvillimeve të brendshme shqiptare, të cilat pas vitit 1920 ishin të vrullshme me batica dhe zbatica të krahëve politik por që në fund të fundit përbënin zhvillime dhe një përvojë politike, veçanërisht, pas Kongresit të Lushnjës me çështjet e parlamentarizmit. Po ashtu, Lufta e Vlorës tregoi dhe vazhdimësinë e traditës historike shqiptare lidhur me mospajtimin e pushtuesve të çdo natyre qofshin ata, por që në kushtet e zhvillimit të vendit kjo kishte një rëndësi të madhe.

Lufta e Vlorës ishte një luftë çlirimtare dhe kishte karakter kombëtar, pavarësisht se barrën më të madhe të saj e mbajti populli i Vlorës me krahinat përreth, ishte vazhdim i ngjarjeve madhore shqiptare që nga koha e Skënderbeut, i cili në Kuvendin e Lezhës i dha atij karakter kombëtar, rasti i Lidhjes së Prizrenit e cila kishte karakter kombëtar, që u sublimua apo u shenjtërua me 28 nëntor 1912 me shpalljen e Pavarësisë në Vlorë, ngjarje që në rrjedhën e historisë shqiptare kanë mbetur si gurë të çmuar, duke e shënuar popullin shqiptar një popull të lidhur me lirinë dhe vetëdijësinë e tij në pikëpamjet politike të kohës.

Dhe pse kanë kaluar 100 vite nga kjo ngjarje, bashkëkohësit që e kanë jetuar dhe kanë qenë pjesëmarrës në një ngjarje të tillë, po e pasurojnë dhe sjellin njohje të gjerësishme, madje po reflektojnë dhe një lloj korrigjimi të ndonjë situate, momenti, njerëzish dhe zhvillimesh, të cilat ose nuk janë thënë kurrë, ose nuk janë lejuar për t’u thënë, por që në kushtet e reja ata marrin rëndësi të madhe historike.

Në pasurimin e kronikës së përgjakshme disa mujore të Luftës së Vlorës, krahas shënimeve historike, me kontribute të institucioneve shkencore shqiptare nga historianë dhe nga atë që ka pasqyruar kënga popullore, e cila e ka trajtuar gjerësisht këtë periudhë, jo vetëm si një luftë çlirimtare, por dhe në profilitete të shumta njerëzore, luftëtarësh dhe kontribuesish të tjerë, pas viteve “90-të kanë shkruar libra dhe kanë sjellë kujtimet e tyre bashkëkohës, luftëtarë, njerëz që e kanë parë me sytë e tyre, madje dhe bashkëluftëtarë të saj. Në këtë kontekst, ajo është plotësuar me mish dhe me gjak të nevojshëm, për t’i dhënë dhe peshën e vërtetësinë e duhur.

Kujtimet e njërit nga luftëtarët dhe pjesëmarrësit të Luftës së Vlorës marrin një rëndësi të madhe për Luftën e Vlorës. Gani Iliaz Abazi, në një botim të shkurtër, por të ngjeshur në informacion, i cili ka qenë pjesëmarrës, por dhe njeriu i rëndësishëm i kronikës së kësaj lufte në ngjarjet më të rëndësishme të saj, një njohës i drejtpërdrejtë dhe komunikues me të gjithë aktorët e kësaj lufte, ata që ishin organizatorët, bashkëpunëtorët, projektuesit, administruesit e forcave dhe fuqisë ushtarake, njerëzit që kishin mbështetje të madhe në popullin e Vlorës dhe krahinave të Vlorës, të qeverisë së S. Delvinës, personat që kontribuuan ekonomikisht dhe në fuqi luftarake, personi që ishte urë ndërlidhëse me qendrën dhe qendrat nevralgjike ku lufta ushqehej me energji dhe luftëtarë, me ide atdhetare e patriotike, siç ishin krahinat e Vlorës, deri në Tepelenë e Gjirokastër, gjithë këtë tablo të gjerë dhe me një informacion të dendur për gjithçka ka një luftë është libri i titulluar “Lufta e Vlorës në kujtimet  e mia”.

Gani Iliaz Abazi e njeh mirë Luftën e Vlorës jo vetëm në konceptimin historik të saj, vendin që ajo zë në luftërat e Vlorës dhe luftërat shqiptare, por ai njeh mirë peshën politike të kohës dhe të ngjarjeve të mëvonshme që ajo mbartte në vetvete, që përveç s daljes në dritë të një plejade luftëtarësh dhe heronjsh, që nga Selam Musai i njohur kombëtarisht si njëri nga shembujt e pa përshkruar të kësaj kronike të përgjakshme dhe flamuri i saj, por dhe shumë të tjerë, të cilët përbëjnë fuqinë madhore të një një lufte e cila ishte popullore dhe bashkëkohore njëkohësisht falë gjenisë së drejtuesve të saj, por në kujtimet e këtij bashkëkohësi dhe bashkëluftëtari ka një një subjekt të shtrirë veprimesh kontaktesh njerëzore, komunikimi dhe psikologjie njerëzore në të gjithë shtresat sociale, ka kronikën e luftës, të cilën ai e ka parë me sy dhe ka qenë njëri nga luftëtarët e saj në llogore dhe në aksionet kundër pushtuesit italian; por, ajo që është ndoshta më e rëndësishmja, në libër tregohet një dakordësi popullore, një popull i cili ishte i gatshëm të luftonte me çdo gjë kishte mundësi. Gjatë kësaj kohe në Vlorë dhe në krahinat e Vlorës mjaft nga atdhetarët dhe patriotët e saj, të cilët kishin prekur nga afër Pavarësinë e vendit, dhe ishin shumë të lidhur me të, vepronin klube dhe komitete atdhetare patriotike, shkollore, kulturore dhe të natyrës bashkëvepruese, të cilat krijuan një rrjet të madh bashkëpunimi, e që çoi drejt aktit madhorë, vendimit të shpërthimit të Luftës së Vlorës, siç ishte Komiteti “Mbrojtja Kombëtare”.

Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” e kishte Gani Abazin me detyrat e ndërlidhjes të tij me aktorët e tjerë të luftës në Vlorë dhe në krahinat dhe krerët e lëvizjes. Lidhur me praninë e Gani Abazit në Luftën e Vlorës ka një burim historiografik, në të cilin thuhet :”Në majë të Bregut doli një figurë e gjatë, e hollë që dukej për qiellsh, tundte krahët dhe bërtiti pareshtur me sa fuqi zëri që kish: Hajdeni, hajdeni se ra kalaja! Ishte Gani Abazi nga Tërbaçi që thërriste shokët.” (Ago Agaj, “Lufta e Vlorës”.) Por Gani Iliazi ishte dhe njëri nga intelektualët e kohës në Vlorë dhe në Shqipëri, kështu që shënimet e tij për Luftën e Vlorës kanë peshën e një njeriu me mendim të avancuar për kohën dhe shoqërinë.

Lidhur me Luftën e Vlorës, siç është shkruar dhe në qëllimin e parë të ri-vëmendjes për librin “Lufta e Vlorës në kujtimet e mia” të Gani Iliaz Abazit. Autori i librit është njëri nga njerëzit e kësaj lufte, prandaj libri merr rëndësi dhe vëmendje. Po ashtu, një zhvillim interesant për kohën është rrethanat shoqërore dhe ndërgjegjja kombëtare- politike që çuan në Luftën e Vlorës, si një zhvillim, i cili nxori në dritë një lidhje të forta mes njerëzve me eksponentët e luftës dhe vetë luftën, ndërgjegjen kombëtare para pushtuesit. Gani Abazi na jep një dije të qartë sa ndikim, madje sa të rëndësishme kanë qenë ata për të krijuar një lidhje të fortë të ideve kombëtare, njerëzve përparimtarë, masës popullore dhe praktikisht luftës, si një akt i rëndësishëm në të cilin duhet të mishërohen dhe materializohen këto ide dhe ndjenja të rëndësishme patriotike- atdhetare.

Në vitin 1918 në Mesaplik është qeliza e parë me krijimin e shoqërisë përparimtare “Shtizat e Qytetërimit” në të cilën militonin kryesisht mësuesit e zonës, por që shoqëria pati një shtrirje të gjerë, e cila para autoriteteve dhe censurës së kohës u propagandua si mbrojtëse dhe ndihmëse e arsimimit të varfërve dhe vobektëve, e cila u kundërshtua nga arsimtarët italian. Në të militonin Halim Xhelua, Murat Tërbaçi dhe të tjerë. Gani Iliazi ka qenë njëri nga pjesëtarët, e kësaj shoqërie. Përballë presionit shtetërorë të kohës, në prefekturën e Vlorës shoqëria u detyrua të regjistrohet me emrin “Mbrojtja Shkollore” e cila siç do të shihet më vonë do të jetë në të vërtetë Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” një komitet i cili kishte në gjirin e vet njerëz me peshë patriotike, kulturore, atdhetare dhe politike nga Vlora, Kurveleshi, Tepelena, Gjirokastra që nga Halim Xhelua, Abdurrahman Çiraku, Qazim Kokoshi, Beqir Sulo, Murat Tërbaçi, Abaz Mezini, Osman Haxhiu, Rexhep Sulejmani nga Vajza, Gani Aliko nga Shkoza etj, një komitet i cili do të përgatiste dhe Luftën e Vlorës.

Gani Abazi ka një informacion të gjerësishëm dhe të plotë për ngjarjet e kësaj kohe, pasi ai pasi lë detyrën e mësuesit, i kthehet një pune private familjare në Vlorë, por është dhe korrespondenti i gazetës “Drita” të cilën e botonte V. Hrashova në Gjirokastër, një gazetë që ka një informacion të plotë dhe të rëndësishëm për ngjarjet e kësaj periudhe në faqet e saj. Gani Iliazi tregon se demonstrata e njohur e 28 nëntorit 1919 ishte një dallëndyshe e parë e shoqatës “Shtizat e qytetërimit”, ku militonin arsimtarët  Daut Seferi nga Vranishti, Gani Abazi nga Tërbaçi, Hasan Brahimi nga Brataj, Muço Delo nga Vajzë, Abdurrahman Çiraku  nga Vermiku, Yzeir Skëndo nga Velça, Hajro Qamili nga Matogjini, shoqatë që më vonë u njoh si (“Mbrojtja Shkollore” a “Mbrojtja Kombëtare”, demonstratë e cila u zhvillua në Xhaminë e Tabakëve, për të arritur në majin e vitit 1920, kur një delegacion (Osman Haxhiu nga Vlora, Rexhep Sulejmani nga Vajza dhe Gani Aliko nga Shkoza) marrin kontakt me qeverinë e kohës në Tiranë, dhe i kumtojnë asaj përgatitjet për luftë të armatosur kundër Italisë si pushtuese disa vjeçare e Vlorës dhe krahinave të tjera të jugut. Gjatë kësaj kohe në Vlorë u formua dhe “Komiteti i Fshehtë” (ai vepronte dhe ishte aktiv që në muajin mars të vitit 1920), i cili zgjeroi mjaft rrethin e njerëzve të njohur dhe me peshë në qytetin e Vlorës, që për kohën dhe situatën kishte një rëndësi jashtëzakonisht të madhe.

Ndërkohë Gani Abazi ka një informacion të qartë dhe korrekt lidhur me kontaktet e gjerësishme të krerëve të lëvizjes, kontaktet e shumta që ata po bënin me eksponentë të krahinave, fshatrave, me njerëz të spikatur si atdhetarë dhe patriotë, burra me peshë dhe fuqi në fshatrat e Vlorës, për të përgatitur luftën. Gjatë kësaj kohe, autori njofton përmes kujtimeve të tij se në krahinat e Vlorës kishte një numër të konsiderueshëm çetash të krahinave apo fshatrave të caktuar, të cilat do të përbënin bazën e luftës në një kohë të shkurtër. Kështu bazën e luftës e përbënin luftëtarë të njohur pas të cilëve qëndronin forca luftarake si: Nga Dukati: Hodo Zeqiri me nënkomandant Muhamet Lazja, nga Tragjasi: Yzer Muçua, nga Radhima: Bilbil Sinani, nga Vranishti: Sali Murati dhe nënkomandant Azem Sulo, nga Tërbaçi: Selman Hyseni dhe nënkomandant Selam Abazi, nga Brataj: Memo Mete, nga Lepenica: Sheme Jazo, nga Gjormi: Selam Hasani, nga Gumenica: Bajram Mehmeti me nënkomandant Deli Bajrami, nga Lapardhaja: Selim Sulejmani, nga Drashovica: Hysni Fallani, nga Kanina: Beqir Velo me nënkomandant Muhamet Bedini, nga Bashak: Zigur Lelo me nënkomandant Dushan Qamili, nga Matogjini: Demir Mystehaku, nga Ramica: Çaush Tafili me nënkomandant Elmaz Ademi, nga Velça: Çaush Mehmeti me nënkomandant Hasan Hyso, nga Vajza: Çoban Nuredini, nga Sevasteri: Rrapo Çelo me nënkomandant Hamit Mahili, nga Shkoza: Kanan Maze me nënkomandnant Mane Aliu, nga Dusharaku: Qendro Fega (Xhelili) etj, të cilët do të përbënin dhe fuqinë e Luftës së Vlorës për forcat luftarake të Vlorës.

Gani Abazi sjell një komunikim dhe një informacion të dendur, detaje dhe personazhe të rëndësishëm të kësaj kohe të cilët pjesa më e madhe e tyre janë për herë të parë. Gani Abazi duke qenë një profesionist e kronikës dhe lajmit, ka një kujdes të veçantë në evidentimin e njerëzve, njerëzve me të cilët ka komunikuar, ka parë dhe ka njohur, duke qenë dhe ndërlidhësi i nyjeve më të rëndësishme të aktorëve dhe veprimtarëve të luftës, po ashtu të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare” dhe krerëve të tij që nga Osman Haxhiu, Halim Xhelua, Murat Tërbaçin dhe të tjerë. Po ashtu ai kujdeset që informacionin mbi këtë luftë, e cila zë një kohë të madhe që nga ideja, përgatitjet, ngjarjet, “filtri” patriotik dhe atdhetarë nëpër të cilin kaloi programi dhe përgatitjet për tu dakordësuar për luftën.

Në libër zë një vend të rëndësishëm idetë, mendimet, kontaktet, përplasjet, tendencat për marrëveshje me anën e ushtrisë italiane, jo vetëm përpara fillimit të luftës, por dhe gjatë saj dhe në përfundimin e saj. Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” ka treguar një raport të rëndësishëm të kohës në respektin e ligjeve të luftës, që nga tendencat për të pasur marrëveshje, respektimi i robërve të luftës, shërimi i të plagosurve dhe respektimi i armëpushimit, si një ligj i cili ndihmuan shumë në mbrojtjen e jetëve njerëzore në të dy anët, si një mundësi reflektimi për ndonjë marrëveshje të mundshme dhe si një zgjidhje racionale e përkohshme.

Vendimi për të hyrë në Luftë është marrë në Kuvendin e krerëve të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare” dhe krerëve të çetave, të cilët do të përfshiheshin në luftë. Gani Abazi sjell një tablo të plotë dhe detaje interesante me këtë rast, i cili mbart në vetvete aktin dhe fuqinë e një lufte e cila do të kishte dhe do të ketë një fuqi të madhe historike jo vetëm në historinë  popullit shqiptar, por dhe më shumë se kaq.

Në kronikën e Luftës së Vlorës Gani Abazi nuk harron të kujtojë pushtimin italian të vitit 1914. Ishte një pushtim i cili pasoi me arrestime të shumta në Vlorë për të demonstruar terror dhe frikë. Lëvizja kundër pushtuesit u shfaq më hapur rreth vitit 1917, që përkonte me daljen në skenë dhe të personave të caktuar në Vlorë dhe krahinat përreth. Spikat Halim Xhelua, Murat Tërbaçi dhe të tjerë të cilët u organizuan rreth shoqatës “Shtizat e Qytetërimit”, që pasoi në mbledhje dhe veprimtari revolucionare- patriotike nëpër fshatra, shkolla, vende besimi dhe shtëpi. Formimi i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare” dhe “Komiteti i Fshehtë” krijuan një frymë patriotike të mirë-organizuar, duke krijuar një rrjet të tërë bashkëpunimi mbi idenë e luftës kundër pushtuesit. Autori informon një gjeografi të gjerë veprimtarie, jo vetëm në Vlorë e krahinat e saj, por dhe në Tepelenë dhe Gjirokastër e gjetkë. Kongresi i Lushnjës kishte krijuar një dimension tjetër politik dhe atdhetarë- patriotik, ndërsa gazeta “Drita” e Veli Hashrovës po bënte një punë të mirë lidhur me këtë frymë të re atdhetare- patriotike, e cila qe shndërruar në një urë lidhëse qytet- fshat.

Vendimi i Kuvendit të Barçallasë për të filluar luftën kundër pushtuesit, një luftë që u mbështet e gjitha në vullnetarët popullorë të organizuar në çetat lokale dhe të krahinave të Vlorës a më gjerë, u shoqërua dhe me një kërkesë drejtuar njerëzve të lëkundur, ata që nuk kishin besim te lufta apo dhe të ishin lidhur me institucionet vendore që vareshin nga italianët, që të bëheshin pjesë e luftës çlirimtare, për të cilën shkruan dhe Gani Abazi, i cili si ndërlidhës i Komitetit me Vlorën dhe struktura të tjera të institucioneve të kohës i din mjaft mirë këto çështje. Ndërkohë Komiteti, i cili tashmë punonte përmes një Komisioni, i cili ishte dhe “komiteti i luftës” (i cili kishte 12 anëtarë) kishte kontakte të vazhdueshme me qeverinë e Tiranës, e cila merrte kontakte të vazhdueshme diplomatike me pushtuesin italian, qoftë dhe të qeverisë italiane. Komiteti kishte të dërguarin e vet pranë qeverisë së Tiranës, e cila ka luajtur një rol të rëndësishëm gjatë kësaj kohe në afrimin e vullnetarëve në Luftën e Vlorës.

Autori sjell dëshmi dhe detaje të reja, njohje të re për Luftën e Vlorës për mënyrën si do të sulmohej ushtria italiane, e cila gjatë qëndrimit të saj gjashtë vjeçar në Vlorë dhe krahinat e saj, kishte krijuar dhe kishte fortifikuar pika strategjike, lartësitë, kalatë, kishte ndërtuar fortifikata me armatim të rëndë, vend ku përmes artilerisë së rëndë, kryesisht topave dhe mortajave, e mbështetur dhe nga fuqia ushtarake detare e saj krijonte një front të vështirë lufte dhe mbrojtjeje të forcave të saj në të gjithë hapësirën ku ishin vendosur trupat italiane. Ai tregon:”Çeta e Dukatit, Tragjas, e Radhimë do të sulmonte ushtrinë italiane në Gjormë. Çeta e Gjormit dhe e Lepenicës atë të Llogarasë. Çeta e Tërbaçit- Radhimën e Jonufrës. Çeta e Shullërit, Kudhësit, Gorishtit dhe Kurveleshit do të sulmonte Kotën, ku ishte fuqia më e madhe armike...”, me të cilën u hap dhe Lufta e Vlorës.

Në këtë luftë, e cila ishte e rrufeshme dhe kishte në vetvete fuqinë e djalërisë dhe atdhetarisë së madhe të luftëtarëve, të cilët kishin ardhur vullnetarë në luftë, si në të gjithë luftërat e tjera, të cilat ishin të suksesshme autori zbulon emra luftëtarësh të shumtë nga djalëria dhe patriotët e Labërisë dhe të Vlorës. Autori i ka takuar të ketë kontakte të shumta me komandantët e luftës, me anëtarët e Komisionit të Luftës, me luftëtarët në llogore, ku njëri prej tyre ka qenë dhe ai vetë bashkë me Halim Xhelon, një intelektual i njohur i kohës dhe një patriot i spikatur, dhe njeh mirë rënien e Llogorasë e cila zgjati tri ditë, rënien e Kotës, Gjormit, Drashovica, Radhima dhe Jonufra, të cilat autori thotë se ranë shpejt nga presioni dhe sulmi i shpejtë mbi ta.

Një tablo të gjerë zë lufta për të marrë Vlorën, të cilën italianët nuk pranonin ta dorëzonin kurrë. Plani për të marrë Vlorën ishte më i rëndësishmi dhe kishte shumë vështirësi, pasi Vlora mbrohej nga artileria italiane në disa pika të fortifikuara me armë dhe forca të cilat nuk mund të eliminoheshin lehtë. Këtë moment delikat por të rëndësishëm, pas vendosjes së Komisionit të Luftës në Drashovicë, i cili drejtohej nga Osman Haxhiu, Gani Abazi e sjell me detaje:” Çeta e Tërbaçit dhe Dukatit kishin Malin e Shashicës, qysh nga ana e detit e deri në Qafën e Brumbillit. Çeta e Vranishtit, Bratajt dhe Kuçit kishin Kalanë e Kaninës. Shullëri dhe smokthiniotët kishin Malin e Vreshtave të Mëdha. Kudhësi e Gorishti kishin zënë Qafën e Vlorës deri në Panaja. Në to kishte dhe mallakastriotë. Në Qafën e Koçiut kishin zënë vend çetat e Kurveleshit të Sipër dhe të Tepelenës.” Por ndërkohë ky është dhe një nga momente që në historinë e kombit nuk do të harrohet kurrë, luftëtarë në këtë betejë është dhe Selam Musai, i cili kishte një temperament shpërthyes, duke u nisur para kohe në luftë, i cili nuk e priti çetën e Kurveleshit.

Siç dhe shikohet nga taktika e luftës që kishte menduar Komisioni i Luftës, mundësia për të marrë Vlorën ishte e kushtueshme, ashtu siç ndodhi në të vërtetë, pasi të gjithë sulmet e çetave të luftëtarëve të Vlorës ishin të ekspozuara ndaj artilerisë italiane, e cila qëllonte nda toka dhe nga deti. Gani Abazi ka sjellë një informacion të rëndësishëm për sulmet dhe luftërat në të gjitha nyjet ku ajo zhvillohej, tregon për djem dhe luftëtarë të paepur, të guximshëm dhe kurajoz. Dhjetëra të rënë sakrifikuan jetën për çlirimin e Vlorës, dhjetëra shtëpi ishin rrënuar nga artileria italiane. Lufta zhvillohej si baticë dhe zbaticë, pasi armiku kishte municion dhe armatim modern ndër më bashkëkohorët në Evropë. Po ashtu, krahas tojës dhe detit, ushtria italiane kishte filluar bombardimet nga ajri me aeroplanë të shumë që niseshin nga aeroportet ushtarake të Italisë.

Në këtë luftë të ashpër, të pabarabartë dhe dëme të konsiderueshme në jetë njerëzore, populli i Vlorës dhe fshatrave përreth, veçmas gjatë kohës që luftohej për të marrë Vlorën, nuk u mposht, nuk u frikësua, të jetuarit me vdekjen u kthye në një gjë normale kujton autori i librit “Lufta e Vlorës në kujtimet e mia”. Autori në një numër të vogël faqesh ka shtruar dhe treguar të gjithë dinamikën e luftës, e cila është treguar dhe në burime të tjera historike dhe kontribute shkrimore të autorëve vlonjat dhe të tjerë, por ajo që bie në sy, Gani Abazi ka një prirje interesante, sjell informacion, krijon një kronikë në të cilën flitet për ngjarjen, kohën dhe njerëzit. Ndryshe gjithë autorëve të tjerë të cilët kanë shkruar për  Luftën e Vlorës. Gani Abazi është përpjekur të mos lejë jashtë kujtesës dhe kronikës së tij të kësaj lufte asnjë person me të cilin  ka komunikuar, asnjë person i cili ka kontribuar në këtë luftë, asnjë luftëtarë i cili ka qenë në llogoren e luftës, asnjë sulm dhe armë të shkrehur që ai e ka parë me sytë e tij, asnjë drejtues i kësaj lufte, i cili ka qenë njëri nga bashkëpunëtorët dhe kontribuuesit e kësaj lufte.

Lufta e Vlorës përthithi një numër të madh luftëtarësh dhe aktivistësh, vullnetarësh dhe njerëzish të lëkundur. Ajo ishte një luftë çlirimtare dhe si e tillë me të vlonjatët dhe pjesëmarrësit e tjera nga krahina të ndryshme të vendit treguan dhe demonstruan shpirtin liridashës të tyre. Ajo ishte një luftë që pati hierarkinë e vet, drejtimin si strategji lufte, por dhe një lloj drejtimi politik. Komisioni i Luftës mori vendime unanime dhe me dakordësi të plotë, jo vetëm për luftën dhe planin e saj, por dhe në komunikimet e shumta me prefekturat e vendit, qeverinë dhe me vetë pushtuesin, i cili deri në momentet e fundit u përpoq që përmes një marrëveshje të mundshme të mos e lëshonte Vlorën. Komisioni i dha ultimatum ushtrisë italiane, që ajo të largohej pa asnjë kusht, pasi Italia dhe ushtria italiane, ku po shihej se fuqia e saj po binte, kërkonte të shfrytëzonte bisedimet me qeverinë e Tiranës për ta zvarritur largimin.

Një situatë rrëqethëse sjell autori qoftë për betejën në kalanë e Kaninës, por veçmas atë të Betjës së Vreshtave, e cila kishte qenë si një baticë dhe zbaticë. Autori kujton:”Mbasi u bë natë dhe armiku nuk dallonte dot, u nisëm nga Qafa e Pllakës nëpër Qishbardhë dhe arritëm në bregoren Heloja. Aty u bëmë tok dhe në qetësi të madhe na caktuan pozicionet që do të zinim. U nisëm lart bregores dhe muarëm luginën. Nga krahu i majtë ndodhej çeta e Gumenicës me Bajram Mehmetin në krye. Ne muarëm krahun e djathtë zinxhir deri në majë    të Vreshtave ku ishte Sali Murati me çetën e Vranishtit dhe në anën tjetër të Saliut ndodhej çeta e Dukatit me Muhamet Mazen e kështu me radhë çeta deri në Gropë të Derrit.

I pari shtiu Saliu në majë të Vreshtave. Lufta u ndez e rreptë tym e flakë shikohej që nga Kalaja e Kaninës deri në Liqenin e Nartës...”

Kronika e luftës së ashpër tregon se ishte një luftë vërtetë e rëndë dhe e pakursyer në jetët njerëzore, pasi në të u plagosën Sali Murati (komandant i çetës së Vranishtit), Selman Hyseni po ashtu u plagos (komandant i çetës së Tërbaçit), por spikat heroizmi i djemve dhe luftëtarëve si Muço Deli, Nuro Ahmeti dhe Beqir Selimi (nga Tërbaçi) të cilët i turren një topi armik, i cili qëllonte në majë të Vreshtave. Ky sulm kishte qenë ndër më të përgjakshmit, pasi kishte marrë më vete jetët e shumë luftëtarëve, por dhe shumë të plagosur të tjerë.

Gani Abazi ka lënë një nga dokumentet më me vlerë lidhur me Luftën e Vlorës. Në kapitullin përmbyllës të librit “Lufta e Vlorës në kujtimet e mia” ka një lëndë informuese të rëndësishme pasi në të ai ka përmbledhur të gjithë ngjarjet, njerëzit, planet e luftës, Komisioni i Luftës, të rënët të plagosurit, strategjia e sulmit për të marrë Vlorën e cila lidhej shumë me kalanë e Kaninës, kontaktet e Kryqin e Kuq amerikan etj. Në konceptin historikografik dhe atë të informacionit të gjerësishëm që sjell libri në fjalë, bien në sy tri gjëra të rëndësishme dhe bazike:

-Së pari, që në fillim- vitet 1900, të cilët lidheshin shumë me ngjarjet e mëparshme ata të Lidhjes së Prizrenit, për të ardhur te shpallja e Pavarësisë, në Vlorë dhe krahinat e saj kishte një prirje të dukshme në organizimit e njerëzve të shkolluar dhe patriotë në shoqata dhe organizata, të cilat shndërroheshin në nyje të rëndësishme rreth të cilave afroheshin njerëz dhe krijoheshin lidhje të krahinave, fshatrave dhe hapësirave të konsiderueshme. Pashallëku i Ali pashës kishte krijuar një formë të çuditshme dakordësish dhe organizmi të njerëzve ndaj zhvillimeve politike. Pastaj trevat e Labërisë kishin qenë treva me luftëtarë dhe udhëheqës popullorë të shquar gjatë gjithë viteve 1800 e më vonë kundër reformave turke në Shqipëri.  Dhe në dy dekadat e para të viteve 1900 këto shoqata, organizata apo komitete kishin vijuar të krijojnë lidhje të forta ndër njerëz me qëllime politike, kulturologjike, të cilat në rastin konkret kishin qenë iniciatorët që kishin çuar dhe në organizimin e Luftës së Vlorës, e cila rezultoi e rëndësishme dhe historike.

-Së dyti, Lufta e Vlorës kishte qëllime të qarta politike- historike, ajo lidhej me çështjet e lirisë. Duke u zhvilluar në kushtet e rënda ekonomike në të cilat gjendej populli shqiptar, ndërkohë që klasat e pasura në vend nuk e prishën aspak qetësinë dhe aleancat e tyre, ajo përveçse mori karakter popullorë, duke fituar një fuqi të jashtëzakonshme, pati dhe karakter kombëtar. Në luftën e Vlorës ka një gjeografi jashtëzakonisht të madhe të pjesëmarrjes në luftë të të gjithë krahinave të saj, por dhe nga trevat  tjera të vendit. Autori i librit ka sjell një opinion të gjerësishëm për këtë pjesëmarrje, e cila ka një rëndësi të dukshme për ngjarjen, e cila zhvillohej në një periudhë zhvillimesh politike në vend.

-Së treti, më shumë se sa të gjithë autorët, të cilët kanë shkruar kujtime apo libra historik për luftën e Vlorës, Gani Iliaz Abazi ka përfshirë në librin e tij një numër të konsiderueshëm kontribuesish njerëzorë, që nga aktorët kryesorë, njerëzit e thjeshtë, luftëtarët, udhëheqësit e luftës, duke i dhënë librit vlerën e një dokumenti me rëndësi. Është një nga dokumentet më të gjerësishëm dhe më të besueshëm, pasi autori është pjesëmarrës dhe personi që e ka prekur fizikisht dhe në profesionin e kronikanit (gazetarit) këtë realitet , që nga fillimi deri në fund.

Është interesant dhe ka vlerë fondamentale lista e madhe e emrave të të rënëve dhe të plagosurve që autori shënon në kapitullin e fundit të librit. Të rënët dhe të plagosurit janë gjëja më sublime në një luftë. Ata janë kurora e artë, janë çmimi i shtrenjtë dhe i shenjtë i lirisë. Me këtë rast, libri shton besimin se pjesëmarrësit, kontribuuesit, të rënët dhe plagosurit, e gjithë vlera njerëzore që prodhoi kjo luftë për çlirim ka gjetur veten më së shumti në të. Po ashtu, libri është dhe një llojë thirrjeje që kontributet shkrimore për Luftën e Vlorës kanë vlerë dhe në të ardhmen, pasi ajo pati shumë aktorë, shumë pjesëmarrës dhe si një ngjarje historike ajo mund të shihet nga shumë anë, siç shihen dielli dhe yjet nga çdo anë nga toka.

 

Tiranë- Vlorë, shkurt 2021

Share This Article
3 Comments
  • Lufta e vlores eshte e ndaluar te perkujtohet nga sllavo-

    komunistet qe shpallen armiq te sllavokomunizmit

    allbanez gjithe udheheqesit e asaj lufte.

    Shqipetaret jane Osmanllinj, jo sllavo-komunist,

    o shoket e dites.

  • Eshte e adhurueshme puna hulumtuese, e palodhur intelektuale dhe atdhetare e studjuesit jo vetem te laberise Bardhosh Gaçe.

    Kanan Mazeja nga Shkoza
    Me nofullen copa-copa.
    Kanan, i thane, t’u prish bukuria.
    “Le të rrojë Shqipëria,
    Shqiperia le te rroje, çka se mbeta une pa goje”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *