Xhevdet Shehu
Tre vjet më parë u bë një sherr i madh në shtyp, pas një propozimi për ndalimin e filmave të kohës së regjimit socialist. Na prishin moralin, dhe na deformojnë karakterin, ishte arsyetmi i propozuesve, që i përkisnin një grupi antikomunistësh të krahut neoballist. Nejse, debati u bë, folën pro dhe kundër, por filmat ishte e pamundur t’i ndalnin.
Folën në atë kohë shkrimtarë e artistë, intelektualë e gazetarë. Në fund fitoi arsyeja e shëndoshë dhe logjika normale. Filmat nuk ndalen dot. Kush të dojë t’i shikojë, kush nuk do, le të kalojë në një kanal tjetër të ekranit…
Është e pamundur të realizohet një projekt i tillë, më tha mbrëmë përkthyesi i njohur Shpëtim Çuçka. Është një trashëgimi e tërë e krijuar me shumë mundim në të gjitha fushat që kërkon të fshihet, të shuhet, të asgjësohet… Por është një projekt i pamundur…
E kam pyetur Prof. Rexhep Qosjen tre vjet më parë, ndërsa debati për ndalimin e filmave të kohës së diktaturës ishte në kulm dhe më qështë përgjigjur në këtë mënyrë:
“Kjo nismë për ndalimin, në të vërtetë për censurimin e tillë të filmave, siç e ka vërejtur Moikom Zeqo, megjithatë, godet dhe letërsinë, krijimtarinë artistike dhe krijimtarinë shkencore në gjuhën shqipe në përgjithësi në Shqipëri dhe në Kosovë. Filmi është art, art i popullarizuar, por arte janë edhe letërsia, edhe muzika, edhe piktura po aq të popullarizuara. Ajo që nismëtarët e censurës së filmave e thonë për filmat, prandaj, mund të thuhet edhe për artet e tjera, sidomos, për letërsinë dhe muzikën, rrjedhimisht do të mund të dilte, prandaj, edhe kërkesa për ndalimin e tyre, sikundër për filmat.”
Në ditët e karantinës së pandemisë së koronavirusit, kam riparë disa nga filmat e asaj kohe. Nuk konstatova asgjë të rrezikshme ndër ta, përveç ndonjë politizimi. Por në përgjithësi janë filma me vlera, pasqyrë dhe dëshmi autentike e një kohe.
Ripashë filmin “Ngadhënjim mbi vdekjen” me lojën e shkëlqyer të Edi Luarasit, Naim Frashërit, Rikard Ljarjes, Eglantina Kumes etj. Ky film ka lënë nam në Kinë. Është padyshim një nga filmat që ka arritur një rekord të paarritshëm shikueshmërie. Dhe një nga kyçet e suksesit të atij filmi është padyshim muzika e Feim Ibrahimit.
Ja ç’më ka treguar Artisti i Popullit, Piro Milkani, bashkëregjisor I filmit “Ngadhnjim mbi vdekjen“. Nuk ka pse të shtoj unë fjalë të tjera këtu.
Tregon Piroja:
„E gjithë kjo histori kulmoi në vitin 1966 kur filloi i ashtuquajturi “revolucion kulturor” që vetëm kulturor nuk ishte. Liberalët filluan të dënoheshin publikisht përmes Dacibaove që mbushnin muret e Pekinit dhe i shëtisnin nëpër qytet të shoqëruar nga Gardistët e kuq. Me mijëra djem e vajza të indoktrinuar thellësisht nga krerët dogmatikë, kishin një uniformë ngjyrë ushtarake dhe nga një shirit të kuq në krahë. Sulmi u shtri edhe në fushën e artit e të kulturës dhe shumë artistë u dëbuan në komunat e largëta që të riedukoheshin në gjirin e fshatarësisë. Prodhimi kinematografik u ndërpre dhe u hoqën nga qarkullimi të gjithë filmat e prodhuar ato vite. Në kinematë e Kinës filluan të shfaqen vetëm filma shqiptarë, rumunë apo jugosllavë, të gjitha të dubluara në gjuhen kineze. Kjo gjë vazhdoi deri në vitin 1975. Numri i filmave shqiptarë i kalonte 25 tituj…
Filmi që kishte pasur sukses të madh ishte “Ngadhnjim mbi vdekjen”. Ai ka marrë mbi 300 milion spektatorë. Sipas kineastit shqiptaro amerikan Tomas Logoreci filmi e mbajti rekordin botëror deri në vitin 1992 kur ia kaloi filmi amerikan “The Fugitive” me Harrison Fordin e Tomy Lee Jones. Për kureshtje kërkova në Uikipedia dhe zbulova se filmi amerikan kishte inkasuar 183 875 720 Usd në Amerike dhe 368 875 750 Usd ne Botë. Dukshëm Logoreci ngatërron dollarët me numrin e spektatorëve.
***
Feimi u nda nga jeta në vitin 1997. Në 5-vjetorin e vdekjes së tij kam bërë një shkrim në kujtim të tij, nën titullin “Ars longa, vita brevës” (Arti është i gjatë, jeta është e shkurtër) ku nënvizoja meritën e tij në këtë film. Po e ribotoj këtë shkrim pa asnjë ndryshim.
Ars longa, Vita brevis
Në kujtim të Artistit të Popullit Feim Ibrahimi
Pranverë e vitit 1997. Është ndoshta rast unikal që përbri emrit pranverë, duke përmendur stinën e bukur të luleve, pra të lulëzimit dhe ringjalljes së përgjithshme, të kujtosh perëndimin e jetës, largimin pa kthim, vdekjen, trishtimin e pakufishëm. Por, s’kemi ç’i bëjmë! E tillë ishte ajo pranverë. E, ajo pranverë nuk ka se si të kujtohet ndryshe, përveçse me dhimbje, me lot, me një ndrydhje të madhe në shpirt, sikur lulet të mos kenë çelur fare atë pranverë. Nuk po përmendim këtu mijëra vdekjet e asaj pranvere të zymtë. As Otranton e 28 marsit nuk po e përmend. Po ndalem në rastin e ndarjes me një poet të madh të ndjenjave, në pragvdekjen e një artisti të madh të tingullit muzikor si Feim Ibrahimi…
Pikërisht atë pranverë u ravijëzua vdekja e Feim Ibrahimit, që tashmë është fiksuar në një pllakë mermeri në formën e pianos me datën 2 gusht 1997 në varrezat në periferi të Tiranës.
I mbyllur në studion e tij në Tiranë, Feim Ibrahimi, në ditët e lemerishme të marsit të atij viti vërtitej me një dhimbje të thellë në gjoks, i torturuar nga një ankth i papërfytyrueshëm, duke mos e kuptuar asnjëherë se ishte zemra e tij apo zemra e një populli të tërë që lëngonte dhe se kush po vuante më tepër. Ai përmes kësaj dhimbjeje kapte në eter kumte të zymta dhe konturonte vepra të reja që priste me padurim t’i kompozonte. Koka e tij ziente nga notat dhe tingujt e magjishëm, më thotë pesë vjet më pas bashkëshortja e tij Vera, me sy të përlotur, sikur ndarja me Feimin të ketë ndodhur dje e jo disa vjet më parë. Gjithçka që lidhet me kujtimin e tij është fare e freskët… Pikërisht ato ditë të tmerrshme të pranverës ’97 morën formë dy vepra e fundit të tij.
Ndërsa jashtë dëgjoheshin krismat e kallashnikovëve dhe jetët e njerzve korreshin si fije bari, artisti ynë i shquar hidhte në pentagram notat e fundit të dy veprave të tij më të dhimbshme. E, ato vepra, përkundër titujve të gëzuar si “Il regalo di nozze” (Dhuratë për martesën) dhe “E la tua veste e bianca” (Edhe fustani yt është i bardhë), mbartin një dhimbje të thellë, trifish të trishtë për krijuesin e tyre. Ato nisën si vepra dhuratë për vajzën e artistit të madh, Etrin, që martohej atë pranverë. Dhe gëzimi i madh, sikurse është martesa e vajzës së vetme, nuk është gjë tjetër veçse një dhimbje e ëmbël dhe e thellë, një dhimbje e shumëpritur, e pashmangshme, një dhimbje e domosdoshme. Kjo padyshim ishte e para dhimbje e artistit, e skicuar në mendjen e tij për vite me radhë bashkë me idenë e një dhurate të bukur për bijën e shtrenjtë në atë ditë të shënuar. E, një artist si ai, ç’mund t’i dhuronte tjetër krijesës së tij engjëllore që martohej përtej detit, përpos një dashurie të plazmuar në nota pentagramesh? Kështu pra, lindi idejapër këto dy vepra. Si një dhuratë për vajzën. Dhuratë a vajtim?! Quajeni si të dani. E rëndësishme është të thuhet se ai kur krijonte këto vepra ishte në momentet hyjnore të artistit, në momentet e perëndishme poetike të krijimit. Në ato momente, thotë Sokrati, një perëndi e veçantë u qëndron pranë dhe ata (poetët, artistët) ndryshojnë siç i mëson ajo.
Së dyti, ishte dhimbja e thellë e artistit për krusmën që përjetonte populli i tij në pranverën e ’97-s, për fatin e zi e të pamerituar të bashkëkombasve, të cilëve u kishte falur talentin dhe shpirtin e tij të ndjeshëm. Mbase kjo ishte dhimbja më e thellë, e transplantuar krejt padashje në krijimet që do t’i kushtoheshin vajzës në ditën e martesës.
Së treti, ishte dhimbja e vetë artistit. Zemra e tij vuante nga nja pamjaftueshmëri e pariparueshme, së cilës nuk do të kishin ç’t’i bënin as mjekët më të shquar të Shqipërisë, Austrisë dhe Italisë. Në ditët e pranverës së ’97-s, ndërsa vërtitej nëpër dhomë me mendimin se po krijonte dhuratën më të bukur për vajzën e tij Etri, ai si pa kuptuar po kompozonte Requiemin e tij.
Unë i jap plotësisht të drejtë artistit Zhani Ciko kur, ndërsa dëgjonte “Il regalon“…, tha: “Kjo nuk është dhuratë për martesë. Ky është Requiem!”.
Volfgang Amadeus Moxart, në ditët e fundit të jetës së tij, ndërsa shkruante pa pushim nota mbi pentagram për një meshë, i zhytur në mjerimin dhe varfërinë e tij proverbiale, kompozonte pa dashje një nga kryeveprat e tij: Requiemin…
Kështu ndodh me artistët e mëdhenj. Ata parandiejnë, ata parathonë, ata krijojnë vepra hyjnore që udhëtojnë në përjetësi. Dhimbja e tyre është përgjithësim i të gjitha dhimbjeve dhe fateve njerëzore. Artisti i Popullit Feim Ibrahimi ishte njëri prej tyre. E quaj të panevojshme të përmend këtu dhjetëra përcaktime të shkëlqyera dhe njëkohësisht të vërteta nga kompozitorë, poetë, artistë e specialistë të muzikës, të vendit dhe të huaj për Feim Ibrahimin. Artisti ynë i madh me veprën që krijoi është i vetëmjaftueshëm për panteonin sipëror të artit dhe nuk ka nevojë për epitete.
Te krijimet e Feim Ibrahimit është derdhur shpirti i një populli, me ndjeshmërinë, kthjellësinë, bukurinë e dhimbjen e tij. Nuk është aspak shpirti i një njeriu të vetëm.
Feim Ibrahimi ka lenë si rrallë kush vepra të tilla monumentale në fondin e muzikës sonë që e radhitën atë prej kohësh midis artistëve më të shquar jo vetëm shqiptarë. Emri i tij fitoi një popullaritet të jashtëzakonshëm që në fillimet e krijimtarisë së tij muzikore, ndërsa me muzikën e filmit “Ngadhnjim mbi vdekjen” (1967), emri i tij mori përmasa gati planetare, ndërsa miliona kinezë dhe vietnamezë fërshëllenin me gëzim dhe kënaqësi të rrallë melodinë mrekullueshme: “Kjo pranverë që po vjen…”
Më tej veprat e tij marrin përmasa të jashtëzakonshme me muzikë filmash, vepra vokale, romanca, këngë, vepra orkestrale, muzikë dhome, vepra pianistike e elektroakustike… E, në të njëjtën kohë që vepra e tij zgjerohej në gjini të ndryshme muzikore, përsosej artistikisht dhe thellohej në përmbajtje, një përmbajtje e spikatur kombëtare, duke qartësuar gjithnjë e më tepër individualitetin e papërsëritshëm artistik të Feim Ibrahimit.
Një nga poetët e tij më të dashur ishte Migjeni. Ishte rastësi a fatalitet që edhe zemra e Feim Ibrahimit t’i pushonte të rrahurat në Torino, atje ku 59 vjet më parë kishte mbyllur sytë poeti ynë magjik dhe rebel. Më kërkoi disa herë të shkonim për të vizituar sanatoriumin ku kishte qenë shtruar Migjeni, por nuk arriti dot, më thotë Vera. Mbi vargjet e “Recitalit të malsorit” Feimi pati bërë një romancë të mrekullueshme, ndërsa e dinte thuajse përmendësh gjithë krijimtarinë e Migjenit. Më tej ai adhuronte Naim Frashërin, Dritëro Agollin, Ismail Kadarenë, Ali Podrimjen, e, më tej akoma Gëten, Kuazimodon…
Në librin e mrekullueshëm monografik që bashkëshortja e tij Vera, ka bërë për Feim Ibrahimin, nën titullin kuptimplotë “Vikama e tingullit”, na e sjell të gjallë dhe monumentale në thjeshtësinë dhe përkushtimin artistik jetën e kompozitorit tonë të madh. Brenda faqeve të atij libri është Njeriu Artist me zemër të madhe. Përshkrimi poetik dhe i dhimbshëm i përcjelljes së artistit është në të vërtetë fillimi i udhëtimit të tij në përjetësi.
Nuk ka gjë më të mundimshme se mbyllja e kapakut të një arkivoli, – thotë Vera. Dhe ka të drejtë. Por edhe ne kemi po aq të drejtë të besojmë të kundërtën e këtij pohimi, kur kemi parasysh se bëhet fjalë për Feim Ibrahimin. Si mund të mbyllet në arkivol jeta e tij, veprat e mrekullueshme që krijoi për vite e dekada me radhë? Si mund të mbyllet në arkivol “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë”?
Dhe deti, që thellë meje ushton…
Pas vdekjes
Shpirtin do ma shpërndajnë në ankand
Do m’i shesin ëndrrat e thërmuara…
Janë këto vargje të Lui Aragonit, që Feimi i ka vënë me një nëntekst të lexueshëm në fillim të Kohës së katërt të Simfonisë Tragjike.
…Sepse erdhën disa kohë në Shqipëri që artistët, intelektualët, krijuesit, mendjet më të ndritura të këtij kombi janë mënjanuar, fyer e përbaltur, anashkaluar e lënë thuajse në harresë. Artisti i madh, paradoksalisht në këto kohë që erdhën në Shqipëri pas ’90-s, çmohet më pak se një trafikant klandestinësh apo një bos me fillore, por me miliona para të ndyra në xhep.
Sidoqoftë, ne besojmë në përkohshmërinë e këtij paradoksi, ndërsa ndiejmë në thellësi përjetësinë e artistëve si Feim Ibrahimi. Vikama e tingujve të tij na jep besim dhe shpresë….
Ars longa, Vita brevis, kanë thënë latinët.
“Drita”, 28 korrik 2002

Artisti i Popullit Feim Ibrahimi per ne qe e njofem ishte jo vetem muzikant i talenyuar por dhe nje njeri shume njerzor ,figura e tuja dhe thesari qe krijoi mbeten pasuri e madhe per Shqiperin
Po kjo eshte antivlere.
Ne Kine gjate Revolucionit kulturor u ndaluan te gjithe prodhimet aertistike boterore,mbeten vetem Filmat Sterile prej Dogmes dhe MEDIOKRRITETIT ARTISTIK te Kinostudios shqiptare.
Niveli fshataresk i filmave shqiptare ka qene i pademshem per revolucionin fshataresk kulturor te gardistave te kuq ne Kine.
Ishin filma pa yndyre artistike.
Po kishte edhe me keq.
Me keq se filmat shqiptare ishine filmat kineze.
Keta ishin te shpelare.
E kam spjeguar edhe me pare perse Teatri Popullor ne ate kohe kishte aktore te medhenj,ndersa Kinostudio prodhonte filma te vegjel.Kjo vjen se autoret e filmave artistike qe u prodhuan ne ate kohe nuk kishin te benin fare me artin,kulturen,aktrimin,regjisuren.
NUK ESHTE POLITIZIMI.
NUK E KA FAJIN POLITIZIMI.
Filmat shqiptare kane te meta te theksuara profesionalizmi,sepse regjisoret, NUK JANE REGJIZORE,nuk kane te bejne me artin,aktrimin,
KANE TE BEJNE ME TEKNIKEN.
Te gjithe Regjisoret shqiptare te filmit nuk kane studiuar per regjisure,por kane studiuar per kameramane,fotografe,,./.
Te tille kane qene Pirro Milkani,Gezim Erebara,Viktor Gjika,Sajmir Kumbaro,Kristaq Dhamo,Pali Kuke,Kujtim Cashku,..Te gjithe kameramane. Keta jane me te miret,po te tjeret jane karroqe fare,prandaj nuk po i permend.
Eshte si te marresh punetorin e fushes,ate qe kosit barin dhe ta besh trajner futbolli..
Me autoresine e filmit shqiptar nuk u moren Regjisoret e mirefillte Mihallaq Luarasi,Lec Shllaku,Pirro Mani,qe dhuruan kryevepra ne skenen e Teatrit me plejaden e shquar te aktoreve..
I paafti nuk ka nevoje ta mesosh per te futur politiken,dogmen,propoganden,sepse Ay i tille eshte vete edhe pa e mesuar.
Prandaj filmat mediokerr shqiptare paten nje sukses te jashtzakonshem ne Kine dhe kerkoheshin nga udheheqja dogmatike kineze,sepse ishin vete te sterilizuar nga MEDIOKRRITETI .PROVINCIAL.
Shumica e ketyre kameramaneve qe u bene regjizore ter Kinostudios,vinin nga katundet e Korces.
Keta sollen ne Kinostudio mentalitetin fshataresk,dogmatik te keshillit popullor te fshatit,humorin bajat,folklorik
I vetmi regjizor profesionist i filmit ne Shqiperine e asaj kohe ishte Hysen Hakani,qe kishte studiuar per regji filmi ne Bullgari.Shihni ekranizimin e Toka Jone me ate kaste aktoresh qe nuk i vjen me ketij vendi.
Kryevepra e De Sikes”Nuk ka paqe nen ullinj” nuk ben diference.
Jam i sigurte qe kete film plot energji artistike nuk e kane pelqyer kinezet.
Kane pelqyer Ngadhnjim mbi vdekjen,Njesiti gueril,Kur zbardhi nje dite,Tomka dhe shoket e tij,Beni ecen vete ,Ne fillim te Veres”,dhe surrogato si keto.
Edhe njehere:I paafti nuk ka nevoje ti injektosh politike,sepse eshte i vete i sterilizuar prej paaftesise.
Nuk ka nevoje t`i kufizosh kulturen,se eshte vete I PAKULTURUAR.