Letër e nënshkruar,
Kol Rrudha
Zoti kryeredaktor i Dita-s së madhe! Pasi lexova atë ekstrat të librit në punim të z. Stefani për “Revolucionin e maskuar”, botuar në Dita, qysh në fillim them se, ngjarjet historike dhe protagonist zhvillues të tyre s’mund të jenë peng vullnetesh politike. LNÇ ishte një zhvillim historik i kushtëzuar drejtpërsëdrejti me fillimin dhe fundin e Luftës së Dytë Botërore (1939-1945). Në atë përballje mes aleancës SHBA, BRSS, Angli nga njëra anë dhe Boshtit Gjermani, Itali, Japoni në anën tjetër, ku humbën rreth 60 milion jetë njerëzish dhe vlera pasurore të pallogaritshme, fitoi aleanca e madhe dhe jo komunizmi. Humbësi ishte nazi-fashizmi e jo kapitalizmi si sistem. Në këtë të vërtetë e gjej arsyen pse shteti i fuqishëm amerikan tipik kapitalist dhe shteti i fuqishëm sovjetik tipik komunist, gjetën fjalën dhe bënë aleancën për mposhtjen e nazi-fashizmit jo si një sistem, por si një kërcënim për të gjithë pa dallim. Pas kësaj logjike zhvillimi, shqyrtimin e gazetarit Stefani e gjej jashtë kontekstit të kohës së afër 80 vjetëve më parë. Ai sugjeron se, për shqyrtimin e Luftës NÇL, si kriter vlerësimi duhet të merret qëndrimi ndaj të drejtave të njeriut. Kësisoj, prej nxitimi apo djallëzisht, i shmanget referencës bazë përcaktuar prej të mëdhenjve që bënë e fituan luftën. Amerika, Bashkimi Sovjetik dhe Anglia konsideruan aleat gjithkënd që luftoi nazi-fashizmin, duke i ndihmuar dhe me armë, veshje e ushqime. Kjo është e vërteta, siç është e vërtetë se dhe për drejtuesit e LNÇ, referenca bazë ka qenë lufta kundër pushtuesve nazi-fashistë. Këtu e gjej arsyen pse përcaktimi i z. Stefani se, “të drejtat e njeriut” si kriter vlerësimi për luftën partizane janë parësore, “lexohet” si një spekulim i pastër që nuk i shërben as pajtimit që ai e uron.
Ai gabon edhe kur thotë se lufta përçau shqiptarët, kur e vërteta është ndryshe. LNÇ bashkoi shqiptarët si asnjëherë në historinë e tyre. A nuk duket i përqasur morali i fabulës së Ezopit te dhelpra dhe rrushtë, me atë çka thotë gazetar Stefani për ballistët? Ai thotë: “Për të shmangur diktaturën, në fakt të keqen më të madhe për Shqipërinë, ballistët vendosën të bëhen tradhtarë të Shqipërisë, një tradhti e imponuar nga tradhtia.” Ky nuk është një justifikim i gjetur, por është më i gjeturi ndër absurditete. Sofizmat nuk vlejnë për të shpjeguar thelbësoren e Luftës së Dytë Botërore, aq më tepër për shqyrtimin e LNÇ që ishte dhe pjesë integrale e saj. Ishte kohë lufte që merrte shumë jetë njerëzish dhe jo hapësirë kohe për t’u marrë me të drejtat e individit. Shpalosja kësisoj e Andrea Stefanit e paraqet atë jo vetëm irreal në shqyrtim, paradoksalisht dhe amoral, sepse “qëllon nga istikamet” e gazetës ku është pjesë, Dita, e cila prej vitesh e ka dëshmuar qartë misionin e vet atdhetar.
Me respekt, Kol Rrudha.
