Trupi i femrës ka qenë gjithmonë një fushëbetejë. Në çdo vend të botës, gjatë gjithë historisë.
Është një fushëbetejë kur dhunohen, keqtrajtohen, përdhunohen dhe pastaj fajësohen sikur faji të ishte i tyre.
Është një terren beteje edhe kur flitet për kontraceptivët, ku trupi i femrës shndërrohet në një element “biologjik” si i moralshëm ashtu edhe i pamoralshëm.
Femra duhet të bëjë …. femrat nuk duhet…..kështu fillojnë të gjithë komentet, duke e shndërruar femrën në një kategori mediatike, duke humbur mundësinë për një reflektim real mbi të.
Diskutimet e fundit mbi kontraceptivin e “5 ditëve” pas kryerjes së marrëdhënieve, kanë hapur sërish debatin mbi mundësinë e shitjes në farmacitë italiane pa ndonjë recetë të veçantë.
Kundër mundësisë së blerjes në farmaci, si gjithmonë nuk mund të mungonin mjekët katolikë, të cilët e konsiderojnë një “abortim të maskuar”.
Përsëri, ndodhemi përpara kategorizimit të femrës si një qenie irracionale e pandërgjegjshme dhe e paaftë të marrë një vendim në pavarësinë e saj.
Në Itali aborti është i ligjshëm, kështu që problemi i 5 apo më shumë ditëve është thjesht një detaj i parëndësishëm.
Këto lloj arsyetimesh, edhe kur maskohen si qëllime dashamirëse, janë të papranueshme për kohët dhe shoqërinë në të cilën jetojmë. Prandaj sot ju lutem të lëmë mënjanë atë çfarë mendojmë ne, le të flasin vetë femrat.
Italia dita-ditës po plaket, duke u shndërruar në një vend steril, por kjo jo për faj të abortit dhe të divorceve. Nuk mund të fajësojmë të drejtat me qëllim që t’i modifikojmë.
Kontraceptivi i “5 ditëve” shkon në drejtimin e duhur, në një shtet të së drejtës, që e konsideron shtatëzaninë si zgjedhje dhe jo si rastësi. Dhe sigurisht nuk mund të jetë një recetë që mund ta ndalojë. D.T/DITA
