Prof. Dr. Shyqyri Hysi
Lëvizjen Kombëtare Shqiptare gjatë vitit 1920 ka disa maja korabjane, ku spikasin: Kongresi i Lushnjes (28 – 31 janar), Lufta e Vlorës (5 qershor – 2 shtator), si dhe pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve 17 dhjetor 1920. Lufta e Parë Botërore zyrtarisht përfundoi më 11 nëntor 1918, por Shqipëria dhe trojet shqiptare mbetën përsëri në një gjendje kolapsi ekonomik, të pushtuara dhe të ndara në katër zona pushtimi e administrimi. Fati i trojeve shqiptare ishte vulosur në mënyrë apokrifte me Traktatin e Fshehtë të Londrës (26 prill 1915) dhe u rivendos nga aleatët si “kurban” i fqinjëve ballkanik. Shteti i cunguar shqiptar i njohur, më 29 korrik (13 gusht dhe 15 dhjetor) 1913 u rrezikua nga marrëveshjet e fshehta të fqinjëve dhe aleatëve të tyre, sikurse ishin: marrëveshja Tittoni – Venizello, më 29 korrik 1919, memorandumi i 9 dhjetorit 1919 midis SHBA – së, Britanisë dhe Francës, kompromisi i 13 janarit 1920 midis Lloyd Xhorxh – Klemeson dhe Nitit, si dhe bisedimet Çano – Stojadanovoç.
Qëndrimi i ushtrive aleate në Shqipëri e troje u legjitimua nga vendimi në momentin e armëpushimit, i cili theksonte: “…qëndrim i trupave aleate deri sa fati i saj (Shqipërisë Sh.H) të përcaktohet nga Konferenca e Paqes”. Kështu, në Shqipërinë politike dhe troje gjendeshin ushtritë: franceze, italiane, greke, serbo – malazeze dhe britanike. Që prej fillimit të luftrave ballkanike 1912 – 1913 e veçanta e pas luftës, ishte ardhja e trupave britanike në Shkodër. Shkodra kontrollohej prej aleatëve: britanik – francezë – italianë. Francezët, përveç Korçës dhe Pogradecit, e zgjeruan zonën e pushtimit duke u shtrirë deri në afërsi të Elbasanit dhe u futën në Kosovë. Ata e kishin emërtuar zonën e pushtimit si: “Administrata franceze e kufijëve shqiptarë”. Trupat franceze që hynë në Kosovë bashkëpunuan me Beogradin dhe trupat ushtarake serbe. Kështu më 7 tetor trupat franceze i dorëzuan përfaqësuesit serb Gj. Matit qarkun e Fushë – Kosovës, pas një jave edhe Mitrovicën dhe Prizrenin.
Greqia nëpërmjet kërkesave absurde permanente edhe këtë herë i kishte varur shpresat tek: ndihma anglo – franceze, marrëveshja Tittoni – Venizellos, nxitjes së trazirave në Shqipërinë e Jugut etj. Deklarata e Ll. Xhorxhit më 2 shkurt 1920 i dha mundësi Greqisë të bënte “një sy gjumë të qetë” e të ëndërronte se, së shpejti do të gllabëronte edhe një copë tjetër prej trojeve shqiptare.
Ndërsa duhet të kujtojmë se, trojet jugore pas tetorit 1916 administroheshin prej forcave ushtarake italiane. Italia në pritje të Konferencës së Paqes shfrytëzoi tërheqjen e trupave austro – hungareze për të forcuar pozitat politiko – ushtarake në Shqipëri. Ajo e shtriu pushtimin nga Konispoli e deri në lumin Drin i Zi – në afërsi të Shkodrës. Sipas Pastorelit: “Ministri italian i Punëve të Jashtëme, Sinino, porositi komandën italiane në Shqipëri që të vepronin sa më shpejt, me synimin për të shmangur pushtimin serb të Shqipërisë”. Italia që kishte një traktat me aleatët synonte edhe protektoriatin mbi shtetin e ricopëtuar shqiptar. Prandaj, ajo ishte e gatshme të merrej vesh me serbët e grektët për ricopëtimin e Shqipërisë. Roma ka ndryshuar disa herë qëndrimin e vet për të ardhmen e saj në Shqipëri. Në fillimet e Konferencës së Paqës, diplomacia italiane kërkoi të mos zbatohej neni 7 i Traktatit të fshehtë të Londrës (26 prill 1915). Por, synimet italiane binin ndesh me qëllimet aneksioniste të fqinjëve, ndaj problemi shqiptar u lidh edhe me brigjet e Adriatikut Lindor ose “Çështja e Adriatikut”, e cila filloi të diskutohej në Konferencën e Paqes, në prill 1919. Trupat italiane pushtuan Sazanin më, 30 tetor 1914 e më, 25 dhjetor 1914 edhe Vlorën. Qeveria italiane në këtë agresion u nxit edhe prej dy blloqeve ndërluftuese, të cilat synonin tërheqjen e Italisë në anën e tyre. Vendet e Bllokut Qëndror prej kohësh kishin dhënë sinjale se, “prej tyre rrugën e kishte të hapur”. Me t’u instaluar në Vlorë, italianët kryen një sërë veprimesh që dëmtonin çështjen kombëtare shqiptare. Në këtë kontekst përmendim:
- Pushtuesit italianë vunë nën kontroll administratën, duke zëvendësuar personelin që punonte në administratë me personel italian dhe “besnikët” e tyre, apo filoitalianët.
- Ulën flamurin kombëtar shqiptar dhe ngritën atë italian.
- Arrestuan dhe internuan një numër të madh atdhetarësh shqiptarë në Itali.
- Zhvilluan një propagandë antishqiptare brenda dhe jashtë vendit, duke shfrytëzuar gjithë arsenalin e vet, diplomacinë, qarqet politike, shtypin, arsimin, administratën, ushtrinë, ekonominë etj.
Në gusht 1916 trupat italiane pushtuan lumin e Vlorës, bregdetin e Himarës, zbarkuan në Porto Palermo. Nën drejtimin e gjeneralit Xhiaçinto Ferreros, trupat italiane filluan të lëvizin drejt Tepelenës dhe Gjirokastrës. Në tetor të vitit 1916, vendin e pushtuesve grekë e zunë trupat franceze dhe italiane. Në 18 shkurt 1917, pas mësymjes franceze dhe aksionit të përbashkët të trupave aleate , italianët e shtrin pushtimin e tyre nga Vlora në Ersekë dhe në Sarandë. Madje, arritën deri në Prevezë. Trupat italiane në Shqipëri përpara fillimit të Luftës Kombëtare të Vlorës llogariteshin 20 000 vetë dhe drejtoheshin nga “Komanda e Trupave të Shqipërisë” nën drejtimin e gjeneral Piaçentinit.
Pushtuesit italianë bënë disa përpjekje për të larguar vëmendjen e atdhetarëve dhe të popullit shqiptar nga Vlora dhe nga çështja kombëtare. Raportet që dërgoheshin nga Shqipëria theksonin: “…, në popull ekziston ideja se, nëse pala italiane heq dorë nga Vlora, atëherë edhe kombet e tjera do të tërhiqen nga pretendimet e tyre respektive”. Disa nga veprimet dhe masat italiane për të siguruar realizimin e planeve të tyre aneksioniste ishin:
- Deklarata e Fereros në Gjirokastër, 3 qershor 1917.
- Organizuan Kongresin e Durrësit, 25 – 27 dhjetor 1918.
- Vrasja e atdhetarit tepelenas Sali Nivica më 10 janar 1920 me anë të Kolë Ashikut në Shkodër.
- Kërcënimi i atdhetarëve për të mos zhvilluar Kongresin e Lushnjës dhe më pas edhe qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjës, janar 1920
- Nxjerrja e një sërë urdhërash me anë të së cilave ndalonte: mbledhjet, mitingjet, demonstratat, qarkullimin me armë të popullsisë së paautorizuar, qarkullimin natën etj.
- Nxitja e një lëvizjeje antiqeveritare në Shqipërinë e Mesme me kolorite esadiste, në mars të vit 1920.
- Sipas Major C. Bonetit që raportonte nga Gjirokastra, rreth 200 xhandarë e milicë u ndanë nëpër qendra të ndryshme në jug të vendit. Ata u vendosën në: Gjirokastër, Delvinë dhe Libohovë dhe synonin kontrollin e situatës.
- Kundër popullsisë së Tepelenës dhe forcave që u organizuan të merrin Kalanë e Tepelenës gjatë periudhës 17.05. – 21. 06. 1920 përdorën arsenalin e mjeteve të rënda luftarake, topat dhe mitrolozët.
- Hodhja në erë dhe mbytja e lundrave mbi Vjosë; Selenicë e Kalivaç.
- Ndalimi i qarkullimit të lirë të njerëzve drejt Vlorës dhe arrestimet në masë ndaj popullsisë, figurave e parisë vlonjate.
Përballë rrezikut eventual të ricopëtimit dhe ekzistencës shqiptare u vunë atdhetarët shqiptar të kohës brenda dhe jashtë vendit. Kudo u ngritën Komitetet e Mbrojtjes Kombëtare si në: Vlorë, Përmet, Tepelenë, madje vepronin edhe komitetet e fshehta si në: Durrës, Vlorë e Tepelenë. U vranë prej tyre nënprefekti i Tepelenës dhe Prefekti i Beratit. Në Kongresin e Lushnjes u organizuan mbledhje të fshehta dhe u morën vendime për organizimin e lëvizjes kombëtare. Duke filluar nga shkurti i vitit 1920 paria atdhetare vlonjate, tepelenase dhe më gjerë filluan përgatitjet edhe për luftë të armatosur. Ndërkohë, qeveria kombëtare e Kongresit të Lushnjes nën drejtimin e Sulejman Delvinës bëri disa përpjekje për ta shtirë administratën edhe në zonën e pushtimit italian. Po ndërsa ushtria italiane u largua prej Kolonjës, Leskovikut, Përmetit, Këlcyrës, Sarandës, Gjirokastrës dhe Beratit, ajo mbajti të pushtuar hapësirën midis Himarës – Tepelenës dhe Vlorës. Bisedimet midis dy qeverive dështuan dhe e vetmja alternativë mbeti lufta.
Përpjekjet e Qeverisë kombëtare të Sulejman Delvinës për marrëveshje me italianët (me Komisar Kastoldin) përfunduan më 25 maj pa sukses. E vetmja rrugë ishte lufta. Në jug filloi organizimi i rezistencës Kombëtare. Kjo u realizua nëpërmjet komiteteve të fshehta, komiteteve kombëtare të Kosovës, Vlorës, Përmetit, Tepelenës e Gjirokastrës etj., veprimtarive të disa shoqërive atdhetaro – kulturore, ku spikati shoqëria e Halim Xhelos “Mbrojtja shkollore” apo “Shtizat e Qytetrimit”, si dhe të nxitjes së disa gazetave si gazeta “Drita” e Veli Hashorvës.
Shqiptarët gjatë rrjedhave të hisorisë i kanë biseduar shtruar hallet e tyre në kuvendet e besës. Edhe në vitin 1920 në trevën e Shqipërisë së Jugut (Vlorë, Labëri e Kurvelesh) u organizuan disa mbledhje e kuvende si në: Nivicë, 26 maj, Gusmar 27 maj 1920, Barçalla 29 maj 1920, Beun më 2 qershor 1920, Rrapi i Gurrave Smokthinë, Grabovë të Kuçit 3 qershor etj. Forca dhe vendosmëria popullore, zëri i Labërisë dhe shqiptarëve u dëgjuan më fortë e më të zjarrta në Barçalla e Beun. Atje trimëria popullore shqiptare lidhi besën e madhe për të shpëtuar Vlorën dhe gjithë Shqipërinë nga planet e ricopëtimit. Forca kryesore e realizimit të aspiratatve kombëtare ishte populli shqiptar në çdo cep të trojeve, si në: Kosovë, në Labëri, Kurvelesh, Himarë, Malësine e Madhe, Mallakstrës, Tepelenës, Skrapar, Dibër, Korçë, Elbasan, Berat, Përmet, Gjirokastër e gjetkë.
Në pllajën e malit të Dukatit, më 29 maj 1920 u mblodh kuvendi i Barçallasë. Nën thirrjen e Komitetit për Mbrojtjen Kombëtare të Vlorës, në 29 maj rreth 200 burra nga zona e pushtuar prej italianëve dhe paria vlonjate, u mblodh për të mbrojtur trojet amtare. Formulat e betimit të tyre përpara Kuranit e pushkës, ishin të thjeshta, por kuptimplote: “Më thertë me gjithë ç’kam” dhe “Më vraftë e më marrtë në zemër”. Kuvendi i Beunit mori disa vendime me karakter të theksuar kombëtar. Ato janë:
- T’i shpallej luftë forcave ushtarake italiane që mbanin të pushtuar Vlorën dhe Shqipërinë e Jugut. Ata theksuan: “Populli i Vlorës kërkon heqjen e ushtrisë italiane dhe bashkimin e tij me Tiranën: ndryshe me armë në dorë do të rebelohet… derisa të bashkohet me shtetin shqiptar.”
- U zgjodh një këshill ushtarak prej 35 vetash: “Komisioni Epror i Luftës”. Komandat u caktua Ahmet Lepenica dhe pas dy javëve Qazim Koculi.
- U zgjodh Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare prej 12 vetash: Osman Haxhiu, Beqir Sulo Agalliu – Vlorë, Alem Mehmeti – Tragjas, Ali Beqiri – Velçë, Hysen Shehu – Sevaster, Murat Miftari – Tërbaç, Hamid Selimi – Dukat, Qazim Kokoshi – Vlorë, Myqerem Hamzarai – Kaninë, Sali Bedini – Armen, Duro Shaska – Vlorë, Hzbi Cano – Mavrovë. Ndërsa Ahmet Lepenica u caktua Komandant i luftës dhe nuk duhej të ishte në komitet.
- Përfaqësuesi i qeverisë ishte Ismail Haki Kuçi dhe më vonë edhe Spiro Jorgo Koleka
- U ngrit Komisioni i oficerëve që do të drejtonte luftën.
- U caktuan delegatët që do të shkonin në të gjitha krahinat e Shqipërisë, për të njoftuar populllin shqiptar mbi vendimet e Barçallasë.
- U vendos që çetat e luftëtarëve të mblidheshin në një shpat mali midis Vajzës dhe Smokthinës(në Beun), më 2 qershor 1920.
Vetëm 4 ditë pas Barçallas KMK i Vlorës u mblodh në Beun. Trimëria shqiptare lidhi besën e u betua se, do të shpëtohej me çdo çmim Vlora dhe krahinat e Shqipërisë së Jugut nga planet aneksioniste italiane e europiane. Në Beun u mblodhën çetat e Kurveleshit të Sipërm, Labërisë, Smokthinës, Lumit të Vlorës. Kudhësit, Mallakstrës etj. Më 3 qershor 1920, luftëtarët e çështjes kombëtare i dërguan një ultimatum komandantit të forcave pushtuese italiane në Shqipëri, gjeneralit Settimo Piaçentinit. Me anë të së cilit kërkonin: “Prej pesë vjetësh Vlora, djepja e Pavarësisë së Shqipërisë është qeverisur si një nga kolonitë më të ulta: Përveç gjuhës, administratës dhe flamurit tonë na u mohua në kondita shumë të ashpëra, më të këqia se ato të sundimit turk. …Prandaj dhe ka vendosur të rrëmbejë e të kërkoj nga Italia lëshimin e administrimit të Vlorës, Tepelenës, Himarës, vende të cilat duhet t’i dorëzohen sa më parë qeverisë kombëtare në Tiranë.” Mehmet Selim Mallkeqit ishte ai që hyri në historinë shqiptare për kurajon që tregoi duke i dorëzouar Piaçentinit ultimatumin. Përgjigja e Piaçentinit ishte arrogante dhe mospërfillëse. Në atë moment fisnik i dukatit Hamid Selimi tha: “Paçi më qafë veten dhe ne, në këtë dhe në atë botë”!
E vetmja rrugë e zgjidhjes së problemit mbeti lufta. Ajo u zhvillua në dy faza. Nga çdo fshat, krahinë e qytet nën moton “Drejt Vlorës”, luftëtarët vullnetarë të lirisë u vetorganizuan. Ata vepruan nën frymën e lirisë skënderbejane dhe të pavarësisë së Ismail Qemalit, me shpirt atdhetarie, me iniciativë sublime, pa shumë pompozitete, por të vendosur: “Ja do bëhet Vlora jonë, Ja do bëhet shkrumb e hi”. Përpara këtij shpirti të lirë si ajri i maleve tona nuk kishte duk as arsenali i armatimit, as vendimet e kancelarive evropiane, as veprimet e kamufluara diplomatike dhe as shuma numerike e ushtarëve italianë që kishin përpara luftëtarët e Luftës Kombëtare të Vlorës 1920.
Me një veprim rrufe shqiptarët morën brenda dy ditësh të gjitha postëkomandat italiane në: Dashaj, Gjormë, Matohasanaj, Llogara, Selenicë, Kotë, Vajzë, Drashovicë, Himara etj. Ndërsa Progonati ishte çliruar qysh më 24 maj. Por, mbeti Tepelena dhe Vlora. Beteja për marrjen e kalasë së Ali Pashë Tepelenës, zgjati nga 25 maji deri në 21 qershor 1920. Ndërsa për marrjen e Vlorës lufta vazhdoi nga 11 qershori – 23 korrik 1920. Beteja e: Kotës, Drashovicës, Qafës së Koçiut, Qafës së Vreshtave të Mëdha, Kuzbaba, në ullintë e Vlorës, Kaninë, Bestrovë e gjtekë ishin beteja epike, ato janë pjesë e fondit të artë të historisë sonë kombëtare.
Epopeja e Luftës Kombëtare të Vlorës ishte pjesë e gjithë lëvizjes kombëtare gjatë viteve 1918 – 1920, e atij hovi kombëtar që përfshiu gjithë shtresat popullore të kohës. Zëri i atdheut i thirri shqiptarët në çdo fshat, krahinë, trevë e qytet. Ata u nxitën nga ndjenja e dashurisë për ta parë atdheun pa pushtues, të lirë e zotër të trojeve tona. Ndaj u ngritën me forcë të paepur për mbrojtjen e tërësisë tokësore dhe pavarëssë kombëtare. Organizimi ishte mbi baza vullnetare dhe për lider zgjodhën shokët e tyre. Ndaj, heroi kryesor i asja lufte ishte vet populli.
Raporti i forcave ndërluftuese në Luftën Kombëtare të Vlorës 1920 ishte 4.6 me 1, sepse italianët kishin 14 000 ushtarë në Vlorë dhe rrethina, ndërsa trupat e ushtrisë popullore shqiptare fillimisht ishin vetëm 3 000 luftëtarë. Atdhetari tërbaçiot Halim Xhelo jep dy shifra të luftëtarëve pjesëmarrës në Luftën Kombëtare të Vlorës 1920, 4 000 dhe 3 000 vullnetarë. Në punimin “Histori e artit ushtarak shqiptar që nga lashtësia deri në vitin 1939” theksohet se: “në Luftën Komëtare të Vlorës mori pjesë 12. 5% e popullësisë së vendit(trevës jugore që kishte 32 mijë banorë Sh. H).” Marrëveshja e 2 gushti dhe Protokolli i 2 shtatorit 1920 i dhanë fund Luftës Kombëtare të Vlorës. Përfundimi i Luftës Kombëtare të Vlorës 1920, hapi rrugën për zgjidhjen e problemeve të tjera sikurse ishte demokratizimi i vendit dhe integrimi i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Kjo luftë me sakrifica, mundime, djersë e gjak të derdhur si dhe marrëveshja e 2 gushtit së bashku me hyrjen triumfatore në Vlorë më 3 shtator ishin konfirmim i Pavarësisë kombëtare shqiptare të fituar me po aq sakrifica të shpallur më 28 nëntor 1912.
Në këtë 100 vjetor jehojnë ende thirrjet e lebrërve, vlonjatëve, kurveleshasve, mallakstriotëve, libohovitëve, skrapallinjëve, elbasanllinjëve, përmetarëve, beratasve, durrësakëve, shkodranëve, shqiptarëve të emigruar në SHBA nën organizimin e kulturuar të Vatrës, forcave të Qeverisë së Kongresit Kombëtar të Lushnjës, Qeverisë së Sulejman Delvinës, dhe e gjithkujt që nderi, Atdheu, shpirti i lire, gjaku i të parëve, amaneti i rilindësave u thirri: “DREJT VLORËS”, “VLORA – VLORA”, “Rroftë VLORA!” “PËRPARA TEPELENË”! Ishte koha për t’u ngritur si shqiponjat mbi padrejtësitë, që bota bënte vazhdimisht tek shqiptarët. Ata njerëz të thjeshtë të punës e të nderit e peshuan drejt momentin historik madje, më mirë se kancelaritë europiane.
Në këtë 100 vjetor të Luftës Kombëtare të Vlorës 1920, shqiptarët u janë mirënjohës gjithë atyre që mbështetën kauzën e drejt të kombit tonë në Konferencën e Paqes Paris 1919 – 1921 dhe Luftën e Vlorës 1920: Presidentit amerikan U. Uillson, Papa Benediktit XV(1854 – 1922), diplomatit amerikan Jozef Haven, diplomatit Sanderholm, angezit Aubrey Herbert, Miss. Edith Durham, pastorit Telford Eriksen, gazetarit të “Washington Post” dhe “Chicago Daily”, që pasqyroi Luftën Kombëtare të Vlorës, Edsel Mowrer, drejtuesit të Kryit të Kuq Amerikan Charles Hollingsherd, socialistëve italianë që demaskuan veprimtarinë e qeverisë së tyre në atë periudhë, marshallit Vinenzo Giovanit që “u dorëzoi të pa cënuar depon” progonatasve, shoqërisë anglo – saksone të naftës etj.
Mirënjohje të përjetshme 12 “Apostujve” apo 12 “Imamëve” të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare”. Mirënjohje dhe respekt për nënat, motrat dhe gratë shqiptare që u angazhuan në këtë luftë. Për nënat dhe motrat vlonjate që në gjuhë të huaja u bënë të qartë diplomatëve të huaj: “Në se nuk largohen italianët nga Vlora edhe ne do të marrim pushkët përkrahë burrave tanë”. Për femrën gjirokastritë që krijoi komisione, grumbulluan bizhuteritë e tyre dhe me to blenë ilaçe për lutëtarët e Vlorës. Edhe gratë përmetare vepruan me kurajo dhe personalitetin e fisnikërisë shqiptare duke i kërkuan diplomatit amerikan, Jozef Haven: “Mbrojtjen e Shqipërisë në kufijtë etnik”. Emrat e labusheve: Bejushe Llapi, Rubi Hosi, Hsanko Metaj, Tushe Hosja dhe farmacistes libohovite Sure (Susuri) Libohova, janë skalitur me gërma të arta në panteonin e luftëtareve të Luftës Kombëtare të Vlorës. Emri i burrneshës salariote, shqiponjës niviciote dhe bashkëshortes së Selam Musait nënë Zelihasë, mbeti simbol i grave shqiptare. Sado Koshena ishte një grua dukatase, por fjala e saj përpara çetës së Dukatit e tejkalon filozofin spartane. “Mos u ktheni me turp! Se do t’u them atë që i thash Alem Agait. Alem Aga, ku shkon me këta njerëz, apo për t’u fshehur në çitjanet e grave?” Labëreshave s’u bënte “syri tërt”, Safe Musai kur po përcillte kunatin (Selemin) i tha: “Me fitore a të keqen motra! Me fitore! Pa do vi edhe unë me shoqet e mia salarjote, sapo të gjejmë armë.” Përkrahë lebërve dhe forcave kombëtare u rreshtuan edhe gra të tjera shqiptare si infermierja elbasanase Zekine Krasta. Ajo me punën dhe fjalen e saj mjekoi plagët e luftëtarëve në frontin kombëtart të Vlorës 1920.
Mirënjohje për gjithë ushtarakët që kontribuan në triumfin e Luftës Kombëtre të Vlorës, në zgjidhjen e çështjesë kombëtare pas Luftës së Parë botërore si: Ahmet Lepenica, Qazim Koculi, Mustafa Maksuti, Azis Çami, Kanan Mazja, Ferit Frashëri, Kasem bej Radovica, Kasem bej Qafëzezi, Riza Cerova, Spiro Kosova, Tosun Selenica, Haki Ismail Tatzati(Delvina), Xhevdet Picari, Veis Sevrani, Ismail Haki Kuçi, Ibrahim Selimi, Ethem Toto, Neki Daci, Ahmet Kajca, Seit Bega, Mehmet Selimi, Xhevdet Çelo, Selaudin Shkoza, Qani Starja, Prenk Juka, Meleq Frashëri, Mustafa Kapinova, Ali Kame Fratari, Mustafa Aranitasi, Ismail Kuçi, Ali Kosturi, Leon Gjilardi (austriak), Rexhep Shala, Adem Boletini, Sulejman Shkodra, Halo Kuçi, Leonidha Frashëri, Kareman Tatzati, Agathokli Xhitomi, Petro Meksi Labova etj.
Ishte koha kur klerikët e trevës jugore si: Baba Ahmet Turani(Luzi), Baba Xhaferi Përmeti, Baba Xhemali i Përmetit, Baba Hasan Çali(Memaliaj), Sheh Beqiri Toçi, Sheh Ali Bënça(Shehu), Baba Qamili i Melanit, Baba Kasua i Koshtanit, Baba Hasani i Kremenarit, Baba Sulejman Kardhiqi, Dervish Seit Gusmari, Sheh Hysen Arrëza, Sheh Ali Hormova, Sheh Kadri Kolonja(Gjirokastër), Shehu i Mallkeqit etj., jo vetëm e bekuan këtë luftë, por edhe e organizuan, drejtuan, investuan dhe u bënë protagonist të saj.
Sot kujtojmë me nderim pjesëmarrësit në Luftën Kombëtare të Vlorës, që me kulturën e tyre lanë ditare, kujtime dhe impresione nga kjo epope kombëtare. Me këtë rastë përmendim, Halim Xhelo, Riza Runa, Gani Abazi, Ormën Danaj, Shaqo Dërri, Arshi D. Shehu, Resmi Latifi(Shehu), Syrja Vlora, Ago Agaraj, S. Meçe, Ali Bej Këlcyra, Haris Thanasi, Llambi Vaskë Jorgji, Shemsi Hajro, Thoma Papapano, Muço Delo, Faik Xhaferi, Beqir Velo, Abdyl Agalliu, Shaqo Derri, Daut Gjikondi, Ismail Merkaj, Dhimitër Konomi, Vasil Papa, Ago Agaj etj. Respekte dhe mirënjohje për gjithë autorët, që me botimet e tyre kanë kontribuar në htorinë e Luftës Kombëtare të Vlorës 1920: Sali Hallkokondi, Sejfi Vllamasi, Gani Iljazi, Halim Xhelo, Ali Asllanit, Kristo Frashëri, Muin Çami, Bardhosh Gaçe, Shain Leka, Benard Zotaj, Xhafer Matuka, Albert Abazi, Enver Memushi, Gjolek Jupi, Marenglen Verlit, Teki Selenica, Tajar Zavalanit, Petro Marko, Hamza Isaraj, Eqerem Canaj, Luan Toto, Duro Mustafai, Zaho Golemi, Agron Fico, Kadri Shameti, Pelivan Hysi, institucioneve shkencore dhe akademike, Akademisë së Shkencave, Qendrës së Studimeve Albanologjike dhe Instiotiutit të Historisë Tiranë.
Mirënjohje Qeverisë së Sulejman Drelvinës dhe Këshillit të Regjencës së atëhershëm që ditën, “Të hedhin gurin e të fshehin dorën”. Punuan me zgjuarsi, vendosmëri dhe profesionalizëm të plotë duke fituar çdo betejë. Bashkërenduan ndjenjat atdhatare të patrotëve si: Hasan Prishtina, Elez Isufi, Barjam Curri, Hoxh Kadriu, Ramiz Dibra, Ahmet Zogu etj., në veri me veprimet e Komitetit MK të Vlorës me në krye Osman Haxhiun. Vunë në lëvizje gjithë ushtarakët dhe administratorët lokalë duke krijuar frymën e solidaritetit kombëtar. Ajo bashkëpunoi me mediat e kohës dhe i ngriti peshë zemrat prej graniti të shqiptarëve kudo që ishin. Qeveria vlerësoi drejt rolin e diasporës, e pranoi ndihmën dhe përfitoi prej saj. Qeveria u mbështet tek vullneti i popullit shqiptar, i rizbuloi atij genin e nderit, besës dhe atdhetarisë, e nuk lejoi që “lavdia e gjakut iliro – arbëroro –shqiptar, të tretet si kripa n’uji”.
Lavdi të përjetshme heronjve, dëshmorëve dhe protagonistëve të epopesë kombëtare 1920: Selam Musait, Zigur Lelos, Sali Vranishtit, Kanan Mazes, Sado Koshenës, Memë Sherifit, Toto Hosit, Dule Dalanit, Shaqe Smokthinës, Hodo Mahilit, Xhafer Metës, Shefqet Shehut, Sheme Halilit, e mijëra të tjerëve.

Telegramet vene e vijne
punon Kota me Kanine,
Gjenerali me zabine,
Si do bejme une e tine,
se shqiptaret errine
gunebardhe vetetime…
…Osmeni ja hipi kalit
dhe i foli gjeneralit,
breshkamadh i breshkamadhit
dil sterese e jo limanit,
te shoç te zote e vatanit,
djemte e Ismail Qemalit
Keshtu kendonte labçe babai.