Lufta kundër informalitetit, 66 persona të proceduar penalisht

Edona Llukacaj

Po vijon aksioni i Policisë së Shtetit kundër informalitetit.

Kontrollet e detajuara në biznese të ndryshme po japin rezultatet e veta. Vija bregdetare po lirohet nga ata që e kanë zaptuar në mënyrë të paligjshme.

Mes abuzuesve të ligjit ka dhe nga ata që janë proceduar penalisht  për krime ekonomike, finaciare dhe mjedisore.

Sipas njoftimit që policia ka bërë për mediat, në total janë proceduar penalisht 66 persona.

Njoftimi i policisë:

Vijon operacioni kundër informalitetit, krahas operacionit  që zhvillohet në gjithë vijën bregdetare, për lirimin e plazheve të zaptuara në mënyrë të kundërligjshme.

66 shtetas të proceduar për vepra penale në fushën e krimit ekonomik e financiar dhe krimeve mjedisore.

Në zbatim të këtij plani të posaçëm në shkallë vendi, vetëm gjatë  fundjavës janë ushtruar kontrolle në qindra subjekte të ndryshme në zonat urbane, kontrolle në pyje e kullota për prerje të paligjshme, në fushën e  ndërtimeve pa leje apo të tregtimit të hidrokarbureve, etj.

Si rezultat i këtyre kontrolleve janë evidentuar një sërë shkeljesh dhe janë proceduar penalisht 66 shtetas për vepra penale si:  “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, “Punësimi i paligjshëm”,  “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Ndërtimi pa leje”  dhe “Prerja e paligjshme e pyjeve”.

Konkretisht:

13 raste janë evidentuar dhe ndëshkuar në  qarkun Dibër, 9 raste në qarkun Elbasan, 8 raste në qarkun Durrës, 7 raste në qarkun  Gjirokastër, 5 raste në qarkun Korçë,  5 raste në  qarkun Tiranë, 5 raste në qarkun Lezhë, 4 raste në qarkun Shkodër, 3 raste në qarkun Kukës, 3 raste në Qarkun Fier, 2 raste në qarkun Vlorë dhe 2 raste në qarkun Berat.

Policia e Shtetit gjatë këtij operacioni  është përqendruar edhe në zbulimin, dokumentimin dhe procedimin  penal të  çdo zyrtari Bashkie, Tatimesh, IQT, Dogane, Punësimi etj., të cilët me dashje nuk kanë kryer detyrën për kontrollin e territorit, por kanë lejuar informalitetin, ndërtimet pa leje, ushtrimin e aktiviteteve të tregtisë së paligjshme, ushtrimin e aktivitetit tregtar pa kasë fiskale, shmangien doganore në interes të tyre ose të personave të tretë, duke i sjellë dëme të konsiderueshme mjedisit, qytetarëve, bizneseve të ligjshme, nëpërmjet lejimit të konkurrencës së pandershme si dhe i kanë sjellë dëme të konsiderueshme buxhetit të shtetit.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin pa pagesë 112, në Komisariatin Dixhital apo në adresat zyrtare në rrjetet sociale të Policisë së Shtetit, si dhe në numrin 0800 90 90 të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) në Ministrinë e Brendshme, duke garantuar anonimatin dhe një reagim të shpejtë e të paanshëm!

Share This Article
1 Comment
  • Prape gazetari do kishte ba punen ma mire sikur te kushte illustruar artikulin me rastet per Kukes apo Vlore per shembull sepse me lindin shume dyshime per vetem dy raste ne Vlore e 4 raste ne Kukes qe paskan shkaktuar aq shume demebuxhetin te shtetit ( sa nuk na tregon kush e si paskan ardhur ne ato shifra! )

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *