Konfindustria vlerëson, se përpjekjet e agjencive ekzekutive për luftën kundër informalitetit në ekonominë shqiptare duhet të jenë pjesë e përhershme dhe e përditshme e punës së tyre dhe në asnjë mënyrë me fushata.
Paralajmërimi i ministrit të financave për rifillimin e fushatës së kontrollit nga inspektorët në datën 1 gusht për kuponin tatimor në thelbin e tij tregon nga njëra anë pafuqinë e institucioneve ligjzbatuese në luftën kundër evazionit fiskal dhe nga ana tjetër deështimin e politikave fiskale të deritashme.
Konfindustria vlerëson, se ndikimi pozitiv i nismës qeveritare në 3 mujorin e fundit të vitit 2015 në luftën kundër informalitetit u ndërpre nga vendimet përjashtimore nga tatimet dhe TVSH te biznesit të ashtuquajtur ” të vogël” me qarkullim vjetor 5 dhe 8 milion lekë. Vendimet e mësipërme kanë një natyrë të qartë populiste dhe njëkohësisht tregojnë paaftësinë e vazhdueshme të politikës për tu përballur me procesin e domosdoshëm të formalizimit të ekonomisë.
Ekonomia shqiptare paraqet një nivel të lartë informalitetit që llogaritet 45-50% të PBB me pasoja të rënda për konkurencën e lirë, tërheqjen e investimeve dhe të ardhurat në buxhetitn e shtetit. Njëkohësisht, shkalla e lartë e fshehjes fiskale krijon trysni të fuqishme të largimit të paligjshme të parave të shqiptareve jashtë vendit të shoqëruara dhe me rrezikun ne rritje të ngjarjeve kriminale të grabitjeve.
