Arvizu: Sistemi gjyqësor, i dobët. Në 2013 vetëm 2 dënime për trafik të qenieve njerëzore

redaktor

Gjyqësori mbetet një hallkë e dobët në Shqipëri. Ky ishte konstatimi i përcjellë sot nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu. Duke folur Workshop-in Rajonal Ballkanik mbi Trafikimin e Qenieve Njerezore, te organizuar nga OPDA ambasadori amerikan i mëshoi me forcë fakti se nëse trafikantët apo kriminelët nuk marrin dënimin e merituar atëherë çdo përpjekje qeverisë për të luftuar fenomenin do të ishte e kotë.

“Mbeten ende sfida domethënëse pavarësisht përparimit të prekshëm. Disa prej aspekteve më të rëndësishme të luftës kundër trafikimit të qënieve njerëzore janë hetime të thelluara dhe ndjekja penale e sukseshme që rezulton në dënime kuptimplota. Fatkeqësisht në 2013 këtu në Shqipëri pati vetëm dy dënime për trafikimin njerëzor. Kishte arrestime të shumta të trafikimit të qënieve njerëzore për 2013 dhe fillim vitin e 2014, por është tejet e rëndësishme, është jetike që këto arrestime të përkthehen në një numër më të lartë dënimesh, e në mënyrë që të ndodhë kjo, qeveria duhet të bëjë punën e saj, por gjithashtu prokurorët dhe gjykatësit duhet të jenë pjesë e kësaj përpjekje në mënyrë që të arrihet progresi i mirëfilltë”, u shpreh ambasadori Arvizu.

Në vlerësimin e tij, pavarësisht përjekjeve të qeverisë, pa gjyqësorin nuk mund të ketë një luftë reale ndaj krimit dhe korrupsioni.

“Nuk mund ta theksoj sa duhet, qeveria mund të bëjë të gjithë përpjekjet e saj që janë të mundura, sigurisht nuk është e përsosur, por ajo mund të realizojë të gjithë përpjekjet e saj, por këtu në Shqipëri pa këtë hallkë që është shumë e rëndësishme, këtë hallkë të dobët që është gjyqësori këto gjëra nuk mund të arrihen”, deklaroi Arvizu.

Në këtë linjë, u shpreh dhe zëvendëskryeministri, Niko Peleshi. Sipas tij, dështimi në luftën kundër trafikimit të personave apo krimit të organizuar në tërësi, nuk mund të shpjegohet kurrsesi në mënyrë shteruese, pa u marrë parasysh edhe si një faktor vendimtar dhe mosfunksionimi siç duhet i sistemit të drejtësisë, si edhe korrupsioni që dukshëm ka përfshirë pjesë apo në tërësi këtë sistem, duke e kthyer atë në një hallkë kyçe në luftën kundër krimit.

“Nga një hallkë kyçe në luftën kundër krimit, ajo behet shpeshherë një pjesë të problemit. Mjafton të hapësh gazetat, mjafton të bësh një kërkim në “Google” me emrat e personave të arrestuar apo të kërkuar nga policia për krime nga më të rëndat, përfshirë edhe trafikun e qenieve njerëzore, për të zbuluar se pjesa më e madhe e tyre janë individë të arrestuar mëse njëherë për krime që, normalisht, duhet të ishin mbyllur në burgje për vite apo dekada me radhë, por që janë lejuar të enden të lirë dhe të merren me aktivitetet e tyre kriminale, duke shkaktuar vuajtje, dhimbje dhe kosto për shoqërinë, falë vendimeve të pashpjegueshme dhe të pajustifikueshme kurrsesi, të marra nga sistemi i drejtësisë. Reformimi i këtij sistemi në të gjitha hallkat e tij, për ta kthyer atë në shërbim të shtetit dhe të qytetarëve, është sfida e madhe që ne kemi përpara për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe suksesin në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve”, tha Peleshi.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *