Pothuajse çdo dhjetëvjeçar në Shqipëri shpërthen lufta e karteleve të narkotrafikut për të kontrolluar linjat e drogës, femrave dhe veprimtarive të tjera në vendet e BE-së.
Të tilla kanë qenë periudhat 1992-1995, 1997-2001, 2005-2009 dhe kjo e fundit që ka nisur gjatë vitit 2015.
Larje të pastra hesapesh për pazare të prishura në vendet që janë edhe nyjet e drogës dhe prostitucionit, si Holanda, Italia dhe Spanja. Dhe kjo valë e përgjakshme vihet re shumë lehtë për shkak të viktimave që prodhon në një kohë të shkurtër. Qytetet ku lahen këto hesape janë 4, Tirana, Durrësi, Vlora dhe Fieri.
Dhe për këtë mjafton të përmendet fakti se në më pak se tre javë janë ekzekutuar në mënyrë mafioze dhe që kanë lidhje me hesapet e drogës, rivalitetin dhe hakmarrjen zinxhir, të paktën 4 persona, ndërsa një i pestë në Manëz të Durrësit u shpëtua nga policia fal përgjimeve të kryera ditën e martë.
Por kjo luftë ka nisur prej dhjetorit 2015 dhe nuk dihet se sa do të zgjasë. Krime të lidhura me njëra-tjetrën, viktimat të kthyera nga Italia, Spanja apo Holanda. Dhe për të tërhequr këmbëzën, porositë jepen pikërisht nga vendet e BE-së ku kanë bazat organizatat kriminale. Për vrasjet përdoren killerat, ose siç njihen ndryshe “Sicario”-t, një emër i përdorur para erës sonë në Jerusalem, për vrasësit me pagesë. Kjo një praktikë e huazuar nga lufta e karteleve meksikane, ku klanet e drogës përdorin për të qëruar hesapet vrasësit me pagesë dhe nuk aktivizohen vetë, që të mos kapen nga policia.
Burime të besueshme nga Prokuroria dhe Policia konfirmojnë këtë metodë krimi së fundmi edhe në Shqipëri. Tre të arrestuarit e të martës në Maminas teksa do kryenin një ekzekutim të paguar 10 mijë euro, dyshohet se janë të përfshirë edhe në vrasjen e dyfishtë të 20 dhjetorit, ku u ekzekutuan Ervin Kodra dhe Endri Çaushaj, në rrëmbimin dhe ekzekutimin e Gazmend Çollakut mes datave 6-7 janar, i kthyer nga Italia, në atentatin e Mbrostarit në Fier, ku u vra Denis Kasaj, i kthyer nga Holanda dhe në Vlorë, ku u ekzekutua Reagim Meli, i kthyer nga Spanja.
Të arrestuarit kanë mohuar akuzat e përfshirjes në këto atentate vdekjeprurëse, por përgjimet e policisë dhe prokurorisë i kanë vënë me shpatulla për muri, pasi në bisedat telefonike flasin për ekzekutimin e fundit. Asnjë prej tyre nuk ka pranuar të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë dhe kjo për hetuesit është e kuptueshme, pasi kanë kodin e heshtjes dhe mund të luajnë me procesin juridik, duke përdorur alibinë e vetëmbrojtjes dhe të një grabitjeje në tentativë, që parashikon më pak dënim.
Nga ana tjetër dyshimet shtohen nga fakti se kjo bandë mbahej nën mbikëqyrje pas 3 vrasjeve në Durrës dhe dyshohej direkt si e përfshirë, por kanë edhe të kaluar kriminale dhe lidhje me grupe të tjera. Për hetuesit skena e krimeve të fundit është e qartë, ku organizatat apo kartelet e drogës kanë urdhëruar nga jashtë vendit eliminimin fizik të kundërshtarëve të tyre apo tradhtarëve të grupit.
Dhe për të kryer këtë mision dhe kontrolluar linjat e trafikut, mjafton të përdorësh vrasësit me pagesë, të cilët është edhe më e vështirë t’i kapësh, janë profesionistë, por edhe nuk rrezikon direkt dhe hetimet për zbardhjen e krimeve vështirësohen për shkak të kodit të heshtjes dhe kontaktit nëpërmjet korrierëve për porositë.
Hetuesit kanë gjetur precedentët e valës së përgjakshme të hakmarrjeve për shkak të drogës dhe trafiqeve në këto vende. Në Holandë ishte beteja e fundit që përfundoi me 3 të vrarë në bulevardin “Zogu i Parë” në Tiranë, por edhe disa të tjerave në vitet 2009-2010.
Në Spanjë vlen të theksohet lufta e përgjakshme me 6 të vrarë mes dy fiseve, nga Barcelona në Shqipëri, mes të cilëve edhe nëna e njërit prej drejtuesve të organizatës që u qëllua për vdekje në Vlorë, mes viteve 2005-2007. Si dhe luftën e përgjakshme mes grupeve të Durrësit pas vitit 2000 dhe në vijim. /Artur Qoraj/Dita/
