Lufta… (Një ese e papërfunduar…)

redaktor

Genc Melonashi

 

Lufta…, një nga paradokset më të mëdha të shoqërisë njerëzore… Një sëmundje më e tmerrshme se murtaja, që ka lindur me njeriun dhe do të vazhdojë ta shoqërojë atë deri në zhdukjen e tij.

Në shërbim të saj, një organizëm gjigant njerëzor e pajisjesh për të prodhuar vdekjen… Armatime, fortifikime pa fund, për të vrarë njëri-tjetrin e për t’u mbrojtur nga njëri-tjetri. Një marrëzi e marrë seriozisht që gjithë popujt e botës e kanë kaluar dhe do ta kalojnë atë, sa të jetë jeta. Më gjeni një shtet në botë, gjatë historisë, por edhe sot, që nuk i është nënshtruar këtij absurdi!

Le të sjellim ndërmend poetin e madh grek Kostandin Kavafis, me disa vargje nga vjersha-perlë, “Duke pritur barbarët”, një nga më të arrirat dhe më tipiket e tij, sa historike, aq dhe tragjike:

 

Sepse ra nata dhe barbarët s’erdhën

Dhe nga kufijtë dikush mbërriti e tha:

Se asgjëkundi barbarë atje s’ka.

Po vallë tani ç’do të bëjmë ne pa barbarët?

Barbarët sidoqoftë një zgjidhje ishin.

 

Falë këtyre vargjeve është e lehtë të ndërtohet edhe skenari i këtij absurdi, që për mijëra vjeçarë, përsëritet e tmerrësisht përsëritet.

Imagjinoni një popull që rrethanat historike, lloji i lidershipit, fati apo dreqi, e kishte vendosur për të mbrojtur një kauzë të marrë apo të drejtë…! Një qeveri e tërë, një popull i tërë, punon për të ndërtuar bunkerë, uzina apo fabrika të nëndheshme, civile dhe ushtarake. Imagjinoni zbore pambarim, armatime, veshje dhe pajisje ushtarake për të gjithë ata, burra e gra. Imagjinoni pra, një popull të tërë (kërkojini dhe do t’i gjeni në të gjitha kohërat dhe në të gjitha kontinentet), që për vite e vite, ushqehej apo jetonte me këtë punë, në pritje të një sulmi imagjinar, në pritje… të ardhjes së “barbarëve”.

 

Por ja që vjen një ditë…, vjen një ditë me një lajm të kobshëm:

– Barbarët nuk do të vinë.

Dhe një popull i tërë, i tronditur pyet:

Uau! Si do bëjmë tani që s’ka barbarë?!

Edhe ne shqiptarët, pas vitit 1991, u habitëm:- Si?! S’paska barbarë, ky mund i kotë… ah…!!!

Por ne pyesnim kot. Ne pyesnim kot se barbarët i paskishim patur me bollëk brenda nesh.

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *