Lufta për universitetin, garojnë 54 mijë maturantë

redaktor

Maturantëve të këtij viti u duhet të përpiqen shumë për të siguruar të drejtën e ndjekjes së studimeve në fakultetet publike, gjatë vitit të ri akademik 2015-2016. Një ditë pas mbylljes së regjistrimeve në sistemin online, rezulton se gara do të jetë shumë e ashpër.

Kjo pasi në sistem janë rikthyer për të konkurruar rreth 14 mijë maturantë të viteve të shkuara, pjesa dërrmuese e të cilëve nuk arritën të kalonin sezonin e provimeve të detyruara në maturën e vitit të shkuar. Shumë prej tyre u penalizuan nga lënda e matematikës, në testin e të cilës nuk mundën të siguronin as 20 për qind të pikëve totale të testit për të qenë kalues. Ndërkohë që aktualisht janë në prag të mbylljes së studimeve të shkollës së mesme rreth 45800 maturantë.

Kjo pjesëmarrje e lartë në garë nuk shoqërohet me një rritje të kuotave të pranimit, për shkak të mungesës së kapaciteteve pritëse që raportojnë universitetet. Çka do të thotë se mundësitë për të siguruar studimet në degën e preferuar do të prodhojnë një garë të fortë, sikundër mundësitë për të fituar një të drejtë studimi edhe pse jo në degën e parapëlqyer do të jenë më të pakta. Specialistja e Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Edlira Bellova, ka deklaruar ditën e djeshme, se do rikthehen në garë rreth 7 mijë maturantë mbetës të viteve të shkuara, të cilët rezultojnë të kenë plotësuar formularin A1Z.

Sipas saj, nga të dhënat e marra prej drejtorive arsimore procesi i regjistrimeve ka ecur mirë, duke shtuar se nuk ka pasur kërkesa për shtyrje të procesit si shkak i ndonjë problematike të mundshme. “Krahasuar me vitin e kaluar, ku ishin rreth shtatë mijë aplikime në formularin A1Z, ky vit ka gati dyfishin e regjistrimeve të bëra. Kjo vjen dhe për arsye të mbetësve në maturën e vitit të kaluar, sidomos në lëndën e matematikës. Për momentin nuk kemi kërkesa për shtyrje të afatit, por nëse do të ketë ndonjë problem të caktuar, në bashkëpunim me drejtoritë arsimore do t’i shqyrtojmë rast pas rasti”, shprehet Bellova.

Pranimet në universitete gjatë vitit të ri akademik do të shoqërohen me ndryshime të shumta, të cilat rrjedhin nga hyrja në fuqi e kornizës së re ligjore të reformës, projektligji i të cilit mori gjatë ditës së djeshme aprovimin e Këshillit të Ministrave. Sipas detajimeve të bëra, do jenë departamentet e fakulteteve përgjegjëset që do të propozojnë kuotat, si dhe kriteret specifike të pranimit në çdo program studimor. Një nga këto kritere parashikohet të jetë edhe nota mesatare. Në këto kushte, i gjithë procesi i pranimeve do të ndryshojë, pasi maturantët do aplikojnë direkt, duke përzgjedhur vetë programet e fakulteteve.

Me mbylljen e fazës së regjistrimeve në sistemin online, maturantët kanë nisur tashmë përgatitjet konkrete për provimet e maturës, ku testimi i parë do të zhvillohet më datën 23 maj në lëndën e gjuhës së huaj. Shkollat e mesme janë udhëzuar që të zhvillojnë sipas një grafiku të përcaktuar, konsultimet për të gjitha lëndët që do të jepen si provime me zgjedhje apo të detyruara, në mënyrë që maturantët të mos kenë paqartësi në lidhje me temat që duhet të përvetësojnë në përgatitjen finale.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *