Dy senatorë amerikanë, Mark Kirk e Dan Coats, i kanë propozuar FIFA-s përjashtimin e Rusisë nga finalet e kampionatit botëror të futbollit, të cilat nisin në qershor, për shkak të krizës së Krimesë. “Pas pushtimit të Rusisë, e cila ka shkelur sovranitetin e Ukrainës, i kërkojmë FIFA-s të marrë në konsideratë pezullimin e përkohshëm të Federatës Ruse të Futbollit dhe si pasojë edhe përjashtimin e kësaj kombëtareje nga Kupa e Botës”, shkruhet në letrën e dërguar nga dy senatorët në FIFA. Kjo nuk është e vetmja masë që propozohet, pas dyshja e senatorëve kërkon gjithashtu që Rusisë t’i hiqet e drejta e organizimit të botërorit pasues, më 2018. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që një vend i kualifikuar të përjashtohet nga botërori, por ekziston një precedent në Evropë. Më 1992, UEFA përjashtoi Jugosllavinë nga finalet e kampionatit evropian që u luajtën në Suedi, për shkak të luftës me ish-republikat e tjera jugosllave, Slloveni, Kroaci e Bosnjë. Në vend të Jugosllavisë së përjashtuar u ftua Danimarka, e cila kishte zënë vendin e dytë në grup dhe pikërisht kjo skuadër bëri surprizën e madhe, duke fituar trofeun, pasi mundi 2-0 Gjermaninë në finalen e Stokholmit.
