Mora vesh po nuk e besova: Si more Pëllumb i mbushe 75 vjet?! Paska qenë i pamëshirshëm ky tranzicion sa na bën të harrojmë dhe ngjarje të shënuara si kjo e datëlindjes tënde. E, me që m’u dha rasti, unë nuk po të uroj si të tjerët jo po të rrosh aq e kaq e të tjera.
Po ta them troç: Mos vdeksh, o Pëllumb Kulla!
Po ta them këtë për ato gjurmë të pashlyeshme që ke lënë në artin shqiptar. Ne të dy, bashkë me gjithë artistët e Fierit kemi ngrënë kushedi sa thasë me kripë, prandaj ta them këtë dhe ta them shumë seriozisht. Sepse ti me artin tënd na bëje të qeshnim nën diktaturë. Ty thuajse t’i kanë thënë të gjitha me rast e pa rast mëkatet që ke bërë në atë kohë. Po meqë erdhi rasti unë po kujtoj dhe një tjetër: Ti ke lindur në 10 janar, në vite të ndryshme por në një ditë me Mehmet Shehun, ish Kryeministrin që nuk guxonte askush të bënte shaka në atë kohë, pa le më ta bënte të qeshte. E, ti ke arritur ta bëje Mehmetit të qeshte. Mbase e ke harruar, por po ta kujtoj. Ti vure në skenë Fier komedinë “Çobo Rrapushi me shokë”. Erdhi Mehmeti në Fier dhe e pa shfaqjen. Ne të tërë, unë që luaja rolin e Çobos dhe sidomos ti që ishe autori i skenarit, ishim në ethe. Gjithë mendjen e kishim se si do të reagonte ai i tmerrshmi që e kishim në radhën e parë. Mirëpo ndodhi ajo që nuk e prisnim: Mehmeti qeshte me lot me lojën tonë, me batutat dhe me humorin që shoqëronte gjithë shfaqjen. Eh sa jemi kënaqur atë ditë, pasi Mehmeti u ngjit në skenë dhe na falënderoi të gjithëve…
Nuk po të kujtoj këtu ato skeçet me ballistë që ti i qaje dhe që ishin objekt humori edhe me rastin e 70-vjetorit të çlirimit të atdheut. Megjithatë, unë nuk ta fal atë që më ke bërë: Kur luaja rolin e një ballisti më ke varur për këmbësh në një degë ulliri, sa që edhe sot e kësaj dite më dhëmbin kyçet e këmbëve. Por, kanë kaluar shumë vite nga ato kohëra dhe në këtë 75 vjetor të ditëlindjes unë miku yt i armëve dhe idealeve të asaj kohe të uroj edhe njëherë me gjithë shpirt: Mos vdeksh, o Pëllumb Kulla! Paç Lavdinë e Mehmetit! Ja këtë të uroj unë, Luftari, një adhurues i Mehmet Shehut.

Ne ate kohe urije koromania e misrit qe piqte Pellumbi me Luftarin dukej si bakllava.