INTERVISTA/ Luftar Paja: Qeveri, na mbro nga hajdutët!

anazapta

Bisedoi Xhevdet Shehu

Artisti i shquar i humorit, Luftar Paja, nga Orikumi ku kalon muajt e verës, ngre një shqetësim jo të vogël: Gjithë zona turistike e bregdetit zhytet herë pas here në errësirë, për shkak se dikush apo disa persona vjedhin telat e linjës së tensionit të lartë të energjisë elektrike. Dje Luftari ishte shumë i revoltuar. Kemi 24 orë pa energji, na tha. Si është e mundur të ndodhë kjo në pikun e sezonit turistik. Prandaj me këtë rast ai, në emër edhe të banorëve të zonës dhe të pushuesve, i bëri një apel të fuqishëm qeverisë dhe ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri të gjejë dhe të ndëshkojë këta keqbërës të rrezikshëm. Këto ditë, shkrimtari dhe regjisori i njohur Pëllumb Kulla, kujtonte në Facebook punën me estradën e Fierit, ndërsa për Luftar Pajën, duke kujtuar rolin e tij të fshatarit Cane që i kanë vjedhur lopën, thoshte as më pak e as më shumë se Luftar Paja është “një aktor që i vjen skenës një herë në njëmijë vjet”. Duke besuar në mirëkuptimin e Pëllumb Kullës për botimin e kësaj konsiderate dhe për ribotimin në gazetën ‘DITA’ të skeçit “Po ai që vodhi lopën”, zhvilluam edhe një intervistë ekskluzive me Luftarin. Sepse, që ta marrë vesh edhe Pëllumbi atje në Amerikën e largët, Luftarin e kanë vjedhur prapë. Por këtë herë nuk i kanë vjedhur lopën… Ja biseda e plotë që bëra dje me Luftarin:

 

Si të mërzitur, të shikojmë Luftar. Çfarë ke?

E si të mos jem i mërzitur, more. Po kemi 24 orë pa drita. Kam një muaj këtu në Pashaliman dhe thuajse natë për natë përsëritet i njëjti avaz. Na vjedhin telat e tensionit të lartë dhe mendo që në kulmin e sezonit turistik, që nga Radhima, Tragjasi, Dukati, Orikumi, Llogaraja e matanë Dhërmiu, Palasa e Himara janë pa energji. Ka plasur hajdutllëku sheshit…

 

Domethënë prapë të vodhën, o Luftar. Si atë lopën që ta vodhën 30 vjet më përpara.

Prapë. Më vodhën…

 

Po kaq i humbur je, o derëbardhë. Vetëm ty të vjedhin kështu. Vetë e ke fajin…

Jo këtë radhë nuk më kanë vjedhur vetëm mua. Kanë vjedhur gjithë banorët dhe pushuesit e kësaj zone. Prandaj, të lutem le të flasim seriozisht. Le ta quaj  këtë një apel për qeverinë dhe ministrin e Brendshëm Sajmir Tahirin. Apeli im, në emër edhe të banorëve dhe të pushuesve është ky: Qeveri, na mbro nga hajdutët!

 

E çfarë mund të bëjë qeveria me ca hajdutë telash?

Ata nuk janë hajdutë ordinerë. Ata janë keqbërës të mëdhenj. Dhe qeveria duhet t’u tregojë vendin.  Në fakt policia ndonjëherë e bën punën, i kap hajdutët. Por më pas, pas një a dy muajsh ata i liron gjykata… Aty do dilja tek ky problemi i gjyqësorit. Ne nuk kemi drejtësi. Sa të jenë shokët dhe sëra e Gjin Gjonit në kupolën e drejtësisë, do të kemi vetëm padrejtësi. Kjo është për të vënë kujen.

 

Unë e shikoj që i nevrikosur, po prapë Luftar duhet ta pranojmë se kemi një situatë tjetër, një vit pas zgjedhjeve të 23 qershorit, apo jo?

Eshtë e vërtetë që kur ishte Saliu në qeveri, hajdutët bridhnin hergjele, të vidhnin e të vrisnin e s’të linin të bëje gëk. Se ishte si ajo që tregohet për kohën e Zogut? Pyeti ai farë mbreti njëherë një burrë të mençur nga një rreth i largët: Hë, e pyeti mbreti, si u venë punët, a ka hajdutë këtej në anët tuaja? Jo, lartmadhëri, i tha fshatari i mençur. Që kur ke ardhur zotrote në pushtet kemi shpëtuar, sepse të gjithë hajdutët dhe kriminelët i ke mbledhur zotrote në Tiranë dhe u ke dhënë grada… Kështu dhe puna e Saliut.
Mos ka ndonjë lidhje me Berishës kjo që më tregove për Ahmet Zogun? 

Merre si të duash. Kush ka sy le të shikojë,  kush ka veshë, le të dëgjojë. Po unë e kisha llafin te ky viti i fundit. Sigurisht që është punuar dhe për një vit ne nuk mund të presim të vijë menjëherë mrekullia, por ne për hallet që kemi qeverisë do t’i drejtohemi. Prandaj dhe thashë që në fillim: Qeveri, na mbro nga hajdutët!

 

Luftar, opozita thotë se situata në vend është përkeqësuar këtë vitin e fundit…

Epo varet kush i thotë këto.. Saliu e Lulzim Basha thua ti? Apo Eduard Halimi e Jozefina me Arben Ristanin? Më ler rehat, o vëlla. Sidomos kur flet Eduard Halimi mua më shpëtojnë lotët nga mallëngjimi. Pa le kur i del në krah Kastriot Islami, Edi Paloka e Gent Strazimiri. Shiko mua më vodhën lopën dhe njerëzit qeshnin me Canen, me atë fshatarin fukara që i ngelën çilimiqërit pa një pikë qumësht… Kur flasin këta mua më vjen t’ia bëj prapë “Uëëë”, si në rolin e Canes.

 

Aty doja të dilja. Mua nuk më qeshet me atë rolin tënd me Canen. Më trishton gjendja e tij por edhe e shoqërisë. Kur ka ndodhur ajo histori?

Para 30 vjetësh e kam luajtur atë rol. Por edhe sot e kesaj dite ma kujtojnë batutën “Po ai që e vodhi lopën, nuk ka faj?” Mua më vjen mirë. Në ato pak fjalë përmblidhet thelbi dhe një mesazh shumë i fuqishëm. Ishte mjeshtëria e Pëllumb Kullës që kishte një shije dhe nuhatje të jashtëzakonshme artistike… Shikoji hajdutllëqet që bëhen sot në mes të ditës. Hajduti bëhet milioner, ndërsa njerëzit vuajnë për bukën e gojës. Kush e ka fajin këtu? Qytetari apo hajduti? Prandaj ka ngjitur ajo fabul artistike.

 

Këto ditë Pëllumbi ka postuar në Facebook një shënim pikërisht për atë skeçin e lopës dhe për rolin e Canes që i vodhën lopës. Për ty, Luftar, Pëllumbi flet me fjalët më të mira, vlerëson maksimalisht talentin tuaj… (qesh)

Shiko, unë Facebukun nuk e lexoj. Unë nuk lexoj Berishën, e jo të lexoj Pëllumbin Kam tjetër mënyrë komunikimi me Pëllumbin. Pëllumbi le të vijë e të m’i thotë në sy ato që ka për të thënë. E ftoj në Pashaliman, do kënaqemi me peshk  e verë tek Babalja. Megjithatë po i kthej reston Pëllumbit. Që ta marrësh vesh ti,  Pëllumbi është një qerrata i madh që nuk e ka shokun. Me ato gjoja estradat që bënte në Fier, ai e hodhi në erë sistemin. Mbi Pëllumb Kullën rëndojnë krime të rënda. Unë besoj se do të përgjigjet ndonjë ditë për këto krime. Janë të shkruara e zezë mbi të bardhë dhe janë të filmuara ato. S’ka nga përdridhet. S’ka qenë gjë Enveri para Pëllumb Kullës. Atij, Pëllumbit si artist të artit skenik, nuk ia gjen shokun në gjithë Evropën lindore. Ohu, kam kohë që e kam menduar këtë. Gjoja me ato shakatë dhe skeçet që bënte në Fier gajaseshin njerëzit. Po dardha e kishte bishtin prapa. Se, ja, u përmbys sistemi diktatorial komunist, po kush na erdhi? Kam marrë vesh se edhe Pëllumbi e ka sharë demokracinë e Berishës, ka shkruar gjithë ato shkrime me  ironi dhe sarkazëm edhe në gazetën ‘DITA’. Ka shkruar edhe libra në Amerikë. Mirë ka bërë se nuk i rrihet atij pa gudulisur e  ngacmuar njerëzit. Po përgjegjësia mbetet. Prandaj mos të hyjë shumë në të thella Pëllumbi se nuk i hamë ne ato. Kërkon të  ma ngjeshi mua atë punën e lopës. Po fjalët kush i shkroi? Kush e vuri në skenë? Janë të thella këto punë, o i dashur Pëllumb Kulla. Po ti e ke kollaj se flet nga Amerika ku veprojnë ligje të tjera, pandeh se njerëzit të kanë harruar, po fierakët nuk t’i harrojnë gjithë ato që ke bërë. As fierakët as shqiptarët. Hajde po ta mbajti këtu dhe të marrësh vesh se çfarë bëhet në këtë vend. Ka shumë mundësi të të hapet ndonjë proces gjyqësor për krime të rënda dhe tradhti të idealeve me të cilat është ushqyer një popull i tërë. Dhe e di kush do të gjykojë? Ta them unë: Gjin Gjoni! Hë, ta mban të vish këtu e të përballesh me të vërtetat që ti vetë i ke shkruar dhe ke vënë në skenë?! Ia mbush dot mendjen (nuk po them për ta korruptuar, larg qoftë) Gjinin që të dalësh i pafajshëm? Kam bindjen se jo.

 

***

Për një artist si Luftar Paja…

Pëllumb Kulla

Pellumb Kulla
Pellumb Kulla

Në vigjiljen e ndërrimit të qiejve shqiptarë, mbështetur në punën e mirë që patëm bërë vite me radhë në Estradën Profesioniste të Fierit, tok me regjisorin Roland Roshi dhe me artistin e shquar të kameras Stefan Gajon nisëm përgatitjet për një serial të humorit popullor. Planifikuam pesë seri të njëjta që fillonin me përrallat klasike që na ofronin karaktere dhe situata për zhvillim, pastaj i shtuam krijimtarinë e re, e cila përfshinte tema nga robëria turke, burokracia e nëpunësve të mbretërisë, tema e luftës kundër okupatorit , dhe burokracia e veset e bashkëkohësve tanë. Guxuam të flisnim më shumë se më parë, duke përfituar nga një shkrirje e lehtë akujsh na jepte dorë të provonim guximin tonë të brishtë. Të pesë seritë do ta kishin njësoj shtrirjen. Tharmin popullor ne synonim ta ruanim edhe në trajtimin tim letrar edhe  në shpërfaqjen regjisoriale. Pastaj ne e ndjenim veten të fortë edhe nga ekipi aktorial që kishim në Fier. Aktorët e estradës sonë nuk na i kishte kush! Të gjithë filmimet do t’i largoheshin skenës. Gjithçka do të zhvillohej në natyrë dhe ne, pas miratimit nga Drejtoria e Televizionit, bëmë shëtitje për gjetjen e vendeve të xhirimit. Nuk ishte punë e lehtë, sidomos për të përshtatur përrallat dhe mesjetën. Kudo na shfaqeshin bunkerët e shtyllat e betonta, ato të tensionit të lartë dhe shtëpitë me tulla. Megjithatë ne arritëm ta peshkojmë natyrën e virgjër në ca fshatra të Përmetit, në Mallakastër dhe Mirditë… Ishte një përvojë interesante ai lloj kërkimi…

Era e ndryshimeve, vështirësitë financiare, mungesa gjithnjë e më e shpeshtë e karburantit dhe energjisë, dizinteresimi ndaj projekteve artistike kur ravijëzoheshin projekte politike më me peshë, e nxirrnin ndërmarrjen tonë nga fusha e vëmendjes… Mbeti një projekt i pa realizuar. Mbeti një peng.

Por një numri materialesh letrare që do të ishin pjesë e serialit, ne arritëm t’u japim jetë skenike. E tillë  është dhe komedijëza që është bërë mjaft popullore tashmë dhe që unë duke mos i rezistuar valës së nostalgjisë po e postoj në fejsbuk.

Besoj se do t’ju kujtohet të gjithëve. Dhe do t’ju kujtohet ngaqë në qendër të episodit luan një aktor, që unë pa hezitim do ta quaja yllin e asaj trupe, një aktor të cilit nuk i gjen të dytë për lojën realiste, për syrin transparent, për zërin e bukur dhe për shkrirjen e rrallë me figurën letrare… Luftar Paja! Është një aktor që i vjen skenës një herë në njëmijë vjet. Dhe ky vlerësim nuk e merr aspak temperaturën nga nostalgjia. Lexim të këndshëm!…

 

PO AI QË E VODHI LOPËN? (1984)

Shtëpia përdhese e Canes. Aty brenda ka rënë zija. Cania, në mes, e ca miq të tij anash, kanë ulur kokat e pijnë duhan për të mbytur pikëllimin. Re duhani rrinë pezull mbi kokat e tyre.

Një bashkëfshatar i ri futet aty brenda e shkon drejt e i shtrëngon dorën Canes.

I RIU

E vërtetë, o Cane?

CANIA

E vërtetë!

I RIU

Ta vodhën lopën, ëh?

CANIA

Ma vodhën. Vate!

Heshtje e thellë.

I RIU

Eh, iu thaftë dora atij që ta vodhi! Të thau pishën!

CANIA

Lëre, o lëre! Më la çiliminjtë pa qumësht. Ka hyrë në oborr, pa u ndjerë hiç, ka hapur derën e ahurit, ka rrëmbyer lopën e …

I  RIU

(Ulet përdhe tok me fshatarët e tjerë, ul kokën i pikëlluar e ndez duhanin). Po ke faj vetë, Cane! Hyri pa u ndjerë, thotë! Mbaj o një qen! Jo, po, të thuash të drejtën: ke faj vetë!

TË TJERËT

Ka! Ka faj! Ka faj, ka!

Një mysafir i dytë shfaqet aty dhe kërkon Canen me sy.

I DYTI

Ku është? (Përqafon Canen). Unë nuk e dija. Ta paskan vjedhur lopën, ëh?

CANIA

Iku, ma vodhën!

I DYTI

Ime shoqe ma tha: shko, tha, se ka rënë gjëma andej nga Cania! Po ka faj vetë Cania, tha ime shoqe, përse nuk e forcon gardhin? Gardh, gardh, po nuk ia bën të lehtë punën hajdutit. (Merr duhanin që i zgjatin, ulet me të tjerët rreth Canes dhe e ndez). Është faj që s’të falet!

CANIA

Faj, është. E pranoj.

I DYTI

Jo, po, pranoje të tërin!

TË TJERËT

Atë i thamë dhe ne: ka faj vetë. Ka faj. Faj që ç’ke me të! Ka goxha faj.

Një mysafir i tretë vjen me nxitim.

I TRETI

Mirëmbrëma,  burra! Sikur ta dija, që do t’ia vidhnin! Është faj i madh ta lesh ahurin pa një kyç!

CANIA

Është! E pranoj!

TË TJERËT

I a thamë!

I TRETI

Qen nuk ka! Gardhi copë-copë! Kyç nuk sheh gjëkundi!…

TË TJERËT

Ia  thamë! Të gjitha ia thamë! Ka faj!

I TRETI

Ka faj e çfarë faji!

TË TJERËT

Ia thamë! Faji është i tëri i Canes!

CANIA

(Pasi i vjen shpirti në majë të hundës). Po amani, or vëllezër! Ç’bëni kështu?! Po ai që e vodhi lopën, nuk ka faj fare, ai?! Gjithë fajin unë e paskam?! Uëëëë!..

Luftar Paja ne rolin e Cane Rykes (1)

Share This Article
6 Comments
  • Ore Tare,ne Orikum sikur ke thene nje llafe vjet ti per keto premtimet,do ti mbajne keta apo ti zeri ajo fjala jote? Po me duket i kapi i kapi. jote?

  • Kabllin e tensioniot te larte e kane vjedhur elektricistet e Cez,pasi jane paguar nga greket e Himares per rivalitet turistik.Kablli i tensionit te larte nuk fal ,Dhjetra hajtute kabllosh kane lene koken duke vjedhur kabllo.Pa u bere stakimet ne nenstacinet rajonale me dijeni te dispecerit,nuk vidhet kablli.Prandaj,o Luftar,kabllin nuk e kane vjedhur,e kane marre.!

  • Artisti i Popullit Luftar Paja mbetet nje kolos i skenes dhe kinemase. Eshte fatkeqesi qe nuk e shohim me ne ekrane dhe skena duke na mbushur me emocin dhe kenaqesi te pa pershkrueshme. I uroj pushime te mbara dhe jete te gjate dhe mos te merzitet se perseri do ta vjedhin “telin”, se duan te kursejne njerzit nga faturat e fryra te energjise. Une po shkoj e te takoj Mjeshtrin Pellumb Kulla e t’i lutem te shkruaj dicka te re per kete histori te vjeter…Perqafime nga Nju Jork.

  • Luftar Paja eshte i mire per humore ne fshate,ne gjurmet e tij po ecen dhe i biri me thenien e famshme:Te hengert dheri ere….ku eshte humori ketu?

  • Eshte per te ardhur keq,qe ky artist katandiset ne kete fare feje vetem nga militantizmi partiak.O Luftar o te placin syte po Orikumi,ku shkon ti ishte fshat dhe u be qytet kur bashkine e kishte PD-ja.Ky tjetri i PS-se ka me shume se tre vjete dhe ne vend qe ta conte perpara e ktheu ne fshate sic ishte.Le nam o Luftar, qe thua akoma fajin e ka Saliu ! Me perpara njerzit qeshnin me personazhet e tua,tani qeshin me ty.

  • Ju përshëndes me një poezi
    kushtuar figurës tënde
    nga Artisti Bujar Kardashi

    Ty të don kjo tokë

    Mjalt nga Gorishtova zbriti për në Fier
    Kjo ëmbëlsir mali na ka mbush me nder
    Meteor i Mallakastrës me humor na erdhe
    Me shpirtin e zërin lum batutash derdhe
    Aktor si një luftar dhe paja s’ tështë ndar
    Në dramë e teatër tek “Hijet e Natës”
    Tek “Çobo me shokë” le vulë të hollë
    Ndaj ty Luftar Paja të duan gjithmonë
    Ke plot 50 vjet që hyn në çdo shtëpi
    Nga jugu ku linde n’Kosov e n’veri
    Me gjith shpirt të thonë të vish përsëri
    Bëre “Dy fytyrat”, dhe role patrijoti
    I luajte aq bukur me zëmër dhe lotë
    Do mbetesh gjithmonë në kujtesën tonë
    Se ishe “Këshilltarë”hodhe “Gun mbi tela”
    Ke zgjuar shqiptarët,ju the kush jan të parët
    Që 2000 vjet më parë Fjeri teatër ka parë
    Pushtues e tradhtarë ca shekuj e kan vrarë
    Por ti bashk me artin mbetesh nga t’parët
    Sepse ti me shokë teatrin do ndërtonit
    Pasi i vure shpirtin “Bylis” do ti thonit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *