Luftë urbane në Stamboll

anazapta

Qindra persona të vendosur në parkun “Gezi” në Stamboll që nga fillimi i javës, për të ndaluar buldozerët që të rrëzonin 600 pemë janë përplasur me policinë gjatë dy ditëve të fundit. Kryeministri turk nuk tërhiqet: “Policia do të rivendosë rendin”. Ndërkohë dhuna midis forcave të sigurisë dhe manifestuesve ka shkaktuar mbi 80 të palgosur

E shtuna shënoi ditën e dytë të përleshjeve midis policisë dhe qindra protestuesve në Stamboll që fillimisht u hodhën në mbrojtje të parkut “Gezi”, por përfunduan duke manifestuar kundër kryeministrit Rexhep Taip Erdoan.

Manifestimet nisën të hënën pas zbulimit të vendimit të bashkisë për rrëzimin e 600 pemëve të parkut “Gezi” në afërsi të sheshit ‘Taksim’ dhe në vend të tyre, ndërtimin e një qendre tregtare dhe një xhamie të re.  Protestuesit u goditën me ujë dhe gaz lotsjellës, ndërkaq kundërpërgjigja ishte hedhja e gurëve mbi agjentët e sigurisë. Kulmi i përplasjeve u shënua të premten, por mëngjesin e së shtunës, policia hodhi sërish gaz lotsjellës mbi dhjetëra mijë manifestuesit që po përshkonin urën e Bosforit. Edhe në kryeqytetin turk, Ankara, ata u përpoqën të arrinin Parlamentin.

Nga ana tjetër, kryeministri turk nuk lëshon pe: “Policia ka ndërhyrë dhe kështu do të vijojë sepse sheshi ‘Taksim’ nuk mund të jetë një zonë ku ekstremistët bëjnë ç’të duan. Ju kërkoj personave përgjegjës të ndalojnë menjëherë protestat e tyre dhe të mos u shkaktojnë dëme të tjera turistëve dhe kalimtarëve”, deklaroi për mediat Erdoan.

Në një konferencë për shtyp guvernatori i qytetit, Husein Avni Mutlu, tha se numri i të plagosurve të shtruar në spital ka mbërritur në 26 oficerë policie dhe 54 civilë, por për “Amnesty International” janë më shumë se 100 të tillë. Mutlu iu referua gjithashtu hapjes së hetimeve për personat e arrestuar me akuzën e shkaktimit të trazirave. Mësohet se kanë qenë rreth 900 të tillë.

Ndërkaq “Amnesty International” denoncoi shtimin e forcës nga ana e policisë, duke nënvizuar se përdorimi i gazit lotsjellës kundër manifestuesve paqësorë në një hapësirë të vogël mund të shkaktojë probleme të mëdha për shëndetin e tyre. Përfaqësues të organizatës theksuan së kjo situatë është e papranueshme dhe shkel standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Në një komunikatë, drejtori i kësaj organizate në Evropë, Xhon Dalhusein, paralajmëroi se “përdorimi i dhunës nga forcat e sigurisë në këto nivele mohon të drejtën e zhvillimit të protestave paqësore dhe shkurajon njerëzit që të marrin pjesë në to”. Ai theksoi se kjo situatë është e papranueshme e si pasojë duhet të ndalet menjëherë. Njëkohësisht kërkoi edhe hapjen e një hetimi mbi sjelljen e agjentëve gjatë trazirave.

Ministri i Brendshëm, Muamer Guler, në përgjigje të kërkesës së “AI” deklaroi se qeveria po verifikon akuzat për përdorimin e forcës nga ana e policisë.

Shefi i opozitës socialdemokrate, Kemal Kilicdaroglu, i kërkoi kryeministrit të urdhërojë menjëherë tërheqjen e forcave që mbajnë të rrethuar manifestuesit në parkun “Gezi”. “Mos e vini policinë kundër popullit. Këta njerëz po mbrojnë qytetin e tyre”, u shpreh Kilicdaroglu. Urdhri i avokatëve turq me në krye Metin Feyzioglu lëshoi një apel ndaj kreut të shtetit, Abdullah Gul, që të ndërhyjë për të zbutur tensionet. Në Ankara e Smirne po zhvillohet një situatë e ngjashme me atë të Stambollit dhe mendohet se lëvzja mund të përhapet edhe në qytete të tjera.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara shprehën shqetësim për situatën e krijuar në Turqi, ndërsa manifestuesit vijonë protestën njëjavore të pagëzuar me emërtimin “Occupy Taksim”./ D.Gjuzi

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *