Ndeshja ndërmjet Luftëtarit dhe Vllaznisë u mbyll me rezultatin 0-0. Kjo sfidë ishte shumë e rëndësishme për të dy skuadrat, pasi mund të vendoste shumë në tabelën e klasifikimit.
Vendasit mund të futeshin në vallen për Europë, ndërsa miqtë mund të largonin “hijet” e rënies nga Kategoria Superiore.
Pjesa e parë ishte mjaft e luftuar nga të dy kampet.
Gjirokastritët ishin më kërkues dhe rrezikuan më shumë portën e Sherrit, ndërsa shkodranët i qëndruan besnikë kundërsulmeve.
Reshjet e dendura të shiut rënduan terrenin e stadiumit “Gjirokastra” duke ndikuar drejtpërdrejtë në lojën e ekipeve.
Pasimet ishin më të vështira dhe shpeshherë skuadrat preferonin topin e gjatë për të dalë nga zona e tyre.
Në pjesën e dytë ishin gjirokastritët që morën frenat e lojës. Ekipi vendas pati mundësi të njëpasnjëshme të kalonte në avantazh, por Abazaj ishte në një ditë shumë të keqe.
Ai pati mundësinë në minutën e 49-të, por i vetëm përballë Sherrit nuk gjeti kuadratin. Shtatë minuta më vonë, Bregu gjuan nga distanca, Sherri reagon mirë, por lë topin brenda zonës, Abazaj gabon sërish duke e përplasur topin në trupin e portierit shkodran.
Pak minuta më vonë gabon Abazaj sërish, ndërsa radha për të bërë të pamundurën e merr Bregu, i cili me portën e boshatisur e nxjerr jashtë.
Ndeshja më pas vijoi e ekuilibruar me Vllazninë që u mundua të shohë drejt portës së Luftëtarit, por nuk pati forcë përpara. Përfundimisht, sfida mbaroi me rezultatin 0-0. Një pikë që i shërben më shumë Vllaznisë.
Luftëtari kalon Partizanin në renditje duke kaluar të 6-ët me 28 pikë, ndërsa Vllaznia në vendin e tetë me 23 pikë.
a.s/dita
