Ish-ylli i Real Madrid, i famshëm më së shumti për atë që konsiderohet nga tradhtitë më të mëdha në botën e futbollit, Luis Figo ka folur sot në lidhje me të ardhmen e bashkëkombësit të tij, Cristiano Ronaldo, nëpërmjet një interviste të dhënë për programin Directo Gol Gol, gjatë pasdites.
Figo e konsideron të vështirë largimin e Ronaldos nga Real Madrid, ndonëse nuk e përjashton kategorikisht mundësinë e transferimit të portugezit, por gjithashtu specifikon se klubi nuk duhet të varet te CR7, apo askush tjetër.
“Ka një sërë elementësh dhe faktorësh që duhet të realizohen njëherësh, në mënyrë që largimi i Ronaldos të ndodhë realisht, por është gjithmonë një vendim personal.
Nëse një person dëshiron të bëjë diçka, atëherë përfundon që e bën atë gjë.
Unë jam i opionionit që askush nuk është i pazëvendësueshëm, kjo jo vetëm kur flasim për Cristianon.
Klubet nuk mund të varen nga askush. Historia e klubit vjen mbi çdokënd tjetër, madje edhe mbi presidentin dhe cilindo tjetër”, deklaroi Luis Figo.
