24 Qershor 2014 është kjo hera e fundit që Luis Suarez ka mbajtur veshur fanellën e Uruguait.
Në sfidën mes Italisë dhe përfaqësueses Celeste e vlefshme për Kupën e Botës, Brazil 2014 sulmuesi i Barcelonës bëri një gjest të ulët duke kafshuar Giorgo Chiellinin në shpatull, një veprim që i kushtoi shumë pasi 29 vjecari nga Salto u dënua nga Fifa me 9 ndeshje skualfikim me kombëtaren e Uruguait dhe me 4 muaj pezullim nga cdo aktivitet futbollistik.
Megjithatë Suarez tashmë e ka lënë pas atë periudhë të errët dhe po shkëlqen me fanellën e Barcelonës, por duke filluar që nga ky muaj El Pistolero mund të ndihmojë me klasin e tij edhe përfaqësuesen uruguaiane.
Pasi mungoi në Kupën e Amerikës që u zhvillua vitin e kaluar në disa prej ndeshjeve eliminatore për Botërorin Rusi 2018, bomberi 29-vjecar e ka shlyer pezullimin prej 9 takimesh dhe në fund të muajt Mars do të rikthehet të luajë me kombëtaren Celeste. Suarez është përfshirë nga trajneri i Uruguait Oscar Tabarez, në listën prej 28 lojtarësh që do të jenë pjesë e 2-herë kampionëve të Botës për dy ndeshjet e radhës kualifikuese ndaj Brazilit më 25 Mars dhe Perusë, 4 ditë më pas.
Luis Suarez është padiskutim futbollisti më i rëndësishëm që ka në dispozicion Uruguai dhe rikthimi i tij në kombëtare vjen në një moment kur përfaqësuesja Celeste ka shumë nevojë për golat e tij. Në sfidën e tij të parë pas rikthimit El Pistolero do të ketë përballë si kundërshtar partenerin e tij në sulm te Barcelona, brazilianin Neymar. Luis Suarez është pjesë e kombëtares së Uruguait që prej vitit 2007 dhe në këtë periudhë ka zhvilluar në total 82 ndeshje duke realizuar dhe 44 gola.
