Lule mbi varrin e një patrioti në Bukuresht

redaktor

Pesë vite më parë isha në Bukuresht, ku qëndrova dy ditë. Zhvillohej Samiti i NATO-s. Ishte fillimi i muajit prill të vitit 2008. Dyqanet e luleve ishin plot me gonxhe të freskëta. Ndërsa hotelet ku qarkullonin krerë të politikës ishin mbushur me delegatë nga shumë vende. Shqipëria kishte kohë që bashkëpunonte me Aleancën e Atlantikut. Por ai Samit ishte i veçantë. Ajo do të merrte ftesën për anëtarësim. Qëndrova nga data 2 deri në 4 prill. Kohën e lirë e kalova duke u takuar me familje të emigrantëve shqiptarë. Në ditën e dytë të Samitit shkova me një shokun tim në varrezat Bellu të Bukureshtit. Na shoqëronte një i afërm i patriotit Dhimitër Zografi. Mori me vete dhe të vëllanë. Ai më shpjegoi se aty ndodheshin varret e shumë shqiptarëve të njohur, si dhe të njerëzve të thjeshtë. Pastaj bëri me dorë nga drejtimi i Kishës Luterane që gjendej në qendër të Bukureshtit.

– Atje ndodhet varri i Princ Widit, Mbretit të parë të Shqipërisë, – tha miku ynë. E dija që Princ Vilhelm Widi ishte nipi i Mbretëreshës rumune Elisabeta, e cila, nën pseudonimin letrar Carmen Sylva, pati shkruar një broshurë kushtuar nipit të saj dhe Shqipërisë. Ajo titullohej “Cili ish Ay”. Ishte përkthyer në gjuhën shqipe nga Asdreni dhe qé botuar në Bukuresht më 1914. Edhe pse Princ Widi ishte një mbret butaforik dhe tranzit për shqiptarët, ishte mbreti ynë. Roli i tij u kufizua, sepse edhe hapësirat e lëvizjes nuk e mundësonin hyrjen e tij në histori. Por sidoqoftë, historia e regjistroi si mbret të shqiptarëve në një kohë të vështirë.

Ndërsa miku ynë po na fliste për princ Widin, unë e pyeta për varrin e patriotit Nikolla Naço. Njëri prej tyre, që studionte për filozofi, më tha se varri i Nikolla Naços nuk dihej me saktësi. Kisha lexuar se Naço ishte varrosur në varrezat Santa Vineri (Shën Premtja), në një vend të blerë nga nipi i tij, Vani Burda.  Pikërisht në ato varreza ku gjendej edhe Asdreni, eshtrat e të cilit u sollën në vendlindje në vitin 1974. Tani ai prehej në Drenovë, të cilën e donte aq shumë, saqë e kishte mbajtur edhe si mbiemër. Por varri i Naços nuk dihej me siguri. Shoqëruesi na çoi në një varr, qw nuk kishte mbishkrim. Vendosëm një buqetë lule mbi të, duke rregulluar pak degët e zambakëve. “Nuk jam i sigurt nëse është ky varri i tij”, – shtoi i afërmi i Zografos. Në fakt, pak vite pas ikjes së tij, mbyllën sytë edhe ata që e dinin. Dikur mbaj mend që thoshin për këtë varr pa mbishkrim. Nuk di ç’të them, askush nuk e di varrin e vërtetë të tij.

Humbja e varrit të Naços më trishtoi. Lusja zotin që të ishte i tij ai varr, ku vendosa lule. Nuk e dija më parë, por kur më thanë një gjë të tillë, mu duk një harresë e pafalshme e shtetit shqiptar ndaj këtij patrioti të madh. Dhjetwra ambasadorë i kishin lenë stafetën njëri – tjetrit, por nuk kishin thënë asnjë fjalë për varrin e tij. Nuk kishin kërkuar kurrë të vinin një tufe lule mbi të. Të mos nderosh të parët, do të thotë të mos ndihesh i sigurt për të ardhmen. Nikolla Naço, përveç të tjerave ishte themeluesi dhe drejtori i revistës “Shqiptari”. Ai luftoi aq shumë për përgatitjen e mëvetësisë së shqiptarëve. Ishte një nga njërëzit që gjithë pasurinë e shkriu për Shqipërinë dhe vdiq në varfëri të tmerrshme.

Fan S. Noli, në një letër që i dërgonte nga Bostoni më 28 dhjetor të vitit 1911, pra një vit para Pavarësisë, e quante atë “ushtarin më të vjetër dhe më energjik të çështjes shqiptare”.   Ai shprehte kënaqësinë që ishte njohur me Naçon dhe i shkruante se nuk do ta harronte kurrë ndihmën dhe përkrahjen morale që i kishin dhënë”.

Nikolla Naço mbante pas mbiemrit të tij edhe emrin e vendlindjes, që ishte Korça. Shpesh ai quhej thjesht, Nikolla Korça. Jetoi vetëm 70 vjet. Në vitin 1913, vdiq duke mbetur “Apostull i Shqiptarizmës”. Pas vdekjes, shokët dhe miqtë e tij e shpunë të prehej në varrezat e Stanta Vineri, por fatkeqësisht, 100 vjet më pas, varri i tij nuk dihet saktësisht nga askush.

Për Nikolla Naçon kisha lexuar shumë dhe mbaja mend, se kur ndodhej në spital i sëmurë rëndë, nuk e jepte veten. Mjekët e kishin këshilluar të ruhej prej emocioneve të forta, të cilat ishin të dëmshme për sëmundjen e tij. Madje nuk duhej të lëvizte nga shtrati. Bluzat e bardha e kishin paralajmëruar për një vdekje të afërt. Kjo e kishte trishtuar shumë. Ishte i sëmurë me kancer në hundë. Para kërshëndellave të vitit 1912, ai ishte operuar në spitalin Brancovenesc. Pas operacionit gjendja ishte keqësuar gjithnjë e më shumë. Doktor Petrescu Galati, njëzet ditë para se të vdiste i kishte thënë se nuk kishte ç’të bënte dhe po të donte, le të varte veten. Naçua ua kishte treguar miqve këtë ngjarje dhe kishte shtuar: “Do t’i kisha futur një shuplakë syve, po të kisha qenë i shëndoshë”.

Aty nga mesi i muajit prill 1913, një grup shokësh do t’i shkonin në spitalin “Colti” të Bukureshtit. Një prej miqve të tij i ishte afruar te shtrati buzagas duke i thënë: “Do të jap një lajm të gëzuar”. Ai kishte ngritur kokën dhe pati buzëqeshur ëmbël. Tjetri kishte vazhduar: “Konferenca e Ambasadorëve të Londrës do të shpallë njohjen e ndërkombëtare për sovranitetin e Shqipërisë, duke caktuar edhe kufijtë e saj nacionalë”. Nga ky emocion i fortë, Naçua hapi krahët dhe bërtiti: Rroftë Shqipëria! Plagët e shpirtit tim u shëruan! Tashti le të vdes! Zoti i madh më paska falur një vdekje të ëmbël”!

Këto ishin fjalët e fundit që tha dhe trupi i tij u lëshua pa jetë. U shua një nga njerëzit që gjithë jetën e tij ia kishte kushtuar çështjes shqiptare. Me këtë gëzim mbylli sytë përgjithmonë më 24 prill 1913, në orën 10 të mëngjesit, në shtëpinë e tij me qira, Calea Mosilor, Nr. 388, dhe do të varrosej më 26 prill.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *