Nga RAMAZAN ÇEKA
Festivali i Dytë i Këngës Popullore Qytetare Shkodrane hapi për tre netë me radhë siparin e tij në skenën e Teatrit “Migjeni” në Shkodër, në këtë tempull që ka qenë gjithmonë shtëpia e artistëve shkodranë, e teatrit të komedisë, e estradës dhe koncerteve që kanë qenë pasuri jo vetëm e këtij qyteti, por e mbarë Shqipërisë.
Janë vite dhe dekada që ky teatër ka krijuar emrin dhe biografinë e tij dhe nuk është aspak çudi të krenohemi me të, duke e krahasuar jo vetëm me institucione të tilla në vendin tonë, por edhe më gjerë.
Kështu, pra vjen përsëri e këndshme në këtë vjeshtë kënga e bukur shkodrane, krejtësisht me krijime të reja, por gjithmonë me aromën dhe tharmin e këngës së vjetër shkodrane e cila është dhe do të jetë gjithmonë një pasuri e madhe, jo vetëm e këtij qyteti, por e gjithë kombit tonë.
U zgjata pak me këto vlerësime, sepse në këtë shkrim është më e domosdoshme të ndalem në repertorin, në pjesëmarrjen e artistëve shkodranë që performuan për tre net me radhë. U ngjitën në skenë këngëtarë dhe artistë të afirmuar, por risia ishte pjesëmarrja e artistëve dhe këngëtarëve të ri, të cilët në kuptimin simbolik do të jenë ata që do ta çojnë përpara këtë “stafetë” dhe do të mbajnë gjallë vlerat e kësaj kënge që ka në kokë një kurorë që quhet “Luleborë”.
Në festival u paraqitën për konkurrim 22 këngë të reja që për tre netë me radhë elektrizuan sallën e Teatrit “Migjeni”. Çdo moment ishte i mrekullueshëm, çdo moment publiku shkodran përjetonte emocionet që përcillnin këngëtarët e mrekullueshëm, çdo moment ata me duartrokitjet e tyre i vënin “notën” çdo kënge që këndohej, sepse ky është publiku shkodranë, juria më e mirë dhe më e kualifikuar. Ata s’të lënë të gabosh.
Por në të vërtetë festivali “Luleborë” kishte edhe jurinë e vet. Figura dhe personalitete të shquara të artit, muzikës dhe interpretimit, kishin marrë përsipër të vlerësonin arritjet dhe më të mirët e pjesëmarrësve. Në mënyrën më të thjeshtë, pa pompozitet juria ishte ulur në mes të publikut me një tavolinë simbolike, me detyrën e vështirë të vlerësimit të më të mirëve.
Juria përbëhej nga emblemat e artit shqiptar, Robert Radoja-kompozitor, Enriketa Kuqani-këngëtare, David Tukiçi-kompozitor dhe këngëtar, Julian Deda-aktor prpfesionist dhe Osman Mula-kompozitor, i cili ishte edhe kryetar i kësaj jurie.
Nën tingujt e orkestrës së festivalit të drejtuar nga dirigjenti i mirënjohur i RTSH Jetmir Barbullushi dhe me prezantimin e moderatores Arlinda Çausholli, e re, e bukur, e zhdërvjelltë, e cila ishte edhe autore e libretit të këtij festivali dhe që drejtoi për tre net me radhë në mënyrë artistike dhe profesionale, festivali përcolli nga skena adrenalinën e këngës dhe aromën e luleborës shkodrane. Me aftësinë e saj komunikuese, moderatorja u bë ura e lidhjes së artistëve në skenë me publikun në sallë.
Drejtimin e festivalit e kishte marrë përsipër Markelian Kapedani, djali i kompozitorit të shquar shkodran Gjon Kapedani.
Festivali vazhdoi sipas programit, ku siç e thamë u prezantuan dhe interpretuan 22 këngë të reja me aromën shkodrane të këngës qytetare.
E shoh të udhës që në këtë shkrim të përmend edhe disa nga pjesëmarrësit krijues dhe interpretues, që nga ata me moshë më të vjetër, deri tek ata më të rinjtë, sepse pikërisht ky gërshetim është edhe suksesi i një evenimenti të tillë: Trashëgimia është ajo që do të mbajë gjallë këtë pasuri.
Në skenë u ngjitën këngëtarë të shquar si: Bashkim Alibali, Myfarete Laze, Mukades Çanga, Grupi “Karaifilat që ka Shkodra” (i rinovuar), Blerta Cina, Ailend dhe Albana Fani dhe më të rinjtë që të gjithë ishin të mrekullueshëm: Artemisa Mithi, Klodiana Vata, Niki Mjeda, Lidia Lufi, Ilsi Ademi, Glerdit Turmetaj, Riad Bashi, Adelina Corraj, Ademir Fresku, Laorjan Ejlli, Orjeta Kelaj, Rezarta Smaja, Leonard Guga, Viki Haxhi me grupin “Berti dhe miqtë”, Xhuli Pjetraj, Arjan Elezi dhe Ylber Tahiri.
Këngëtarja Blerta Cina me zërin e saj të mrekullueshëm u shoqërua nga grupi famoz 40-vjeçar “Karaifilat që ka Shkodra”, i cili me performancën e tij dhe rinovimin me zëra të rinj, sollën në skenë aromën e vërtetë të karafilave dhe të bahçeve shkodrane.
Ka bashkëpunim solli edhe vlerësimin e jurisë dhe publikut në sallë. Interpretimi i tyre ishte një mrekulli dhe publiku duartrokiti kur Juria e nderoi me çmimin e tretë të Festivalit me këngën: “Një dashuri troket”, me tekst nga Alfred Çapaliku, muzika: Oleg Gjerga, orkestroi: Roland Guli.
Çmimi i dytë i Festivalit iu akordua këngës: “Vajza Shkodrane” me tekst nga Denisa Domnori, muzika: Enrik Çefa, Orkestruar nga Enis Mullaj, të cilën e interpretoi këngëtarja Lidia Lufi.
E mrekullueshme si gjithmonë erdhi para publikut shkodrania çapkëne, këngëtarja e mrekullueshme Myfareta Laze me këngën: “Me ty u rrit kanga Shkodrane”, e cila u ngjit në skenë pas shumë vitesh, me shumë emocione dhe mall dhe po kështu u prit nga publiku në atë skenë ku është rritur. Kënga ishte e mrekullueshme, sepse atë e kishin realizuar tre artistë të mrekullueshëm, poeti Agim Doçi “Mjeshtër i Madh”, kompozitori Edmond Zhulali “Mjeshtër i Madh” dhe Myfarete Laze, këngëtarja që e interpretoi me aq pasion e dashuri, e cila fitoi edhe çmimin e parë të festivalit.
Juria kishte menduar këtë radhë edhe për vlerësimin e një çmimi inkurajues, të cilin e fitoi këngëtarja më e re e Festivalit Artemisa Mithi me këngën: “Lulja e dashtun” me tekst nga Kristian Gajtani dhe muzika nga Enis Mullaj.
Ky edicion i dytë i Festivalit të Këngës Qytetare “Luleborë” është një organizim i madh kulturor, i cili nuk është një projekt, por një realitet i mundësuar nga Bashkia Shkodër me ekipin realizues, pasi pas rreth 30 viteve u rikthye në jetën artistike të qytetit, por jo vetëm kaq, por edhe në atë sociale, pasi qyteti i Shkodrës nuk ndjehet mirë kur në teatrin e tij mungojnë shfaqjet, koncertet e festivalet, kur në stadiumin e tij dhe në pallatin e sportit mungojnë vajzat dhe djemtë sportistë, nuk ndjehet mirë kur në bibliotekën e qytetit mungojnë promovimet e shkrimtarëve dhe poetëve të rinj.
Kjo është Shkodra, e cila kështu ka qenë dhe do të jetë.
Për të realizuar evenimente të tilla duhet gjithmonë jo vetëm dëshira e madhe, por edhe angazhimi institucional, i cili kurrë nuk ka munguar dhe në krye të këtij angazhimi qëndron Bashkia e Shkodrës, e cila ka qëndruar gjithmonë pranë këtyre zhvillimeve.
Ishte Bashkia e Shkodrës dhe kujdesi i veçantë i kryetares së saj znj.Voltana Ademi si udhëheqëse e këtij festivali, ishte angazhimi i znj. Bruna Keçi që jo vetëm ndihmuan në organizimin e këtij aktiviteti, por edhe dhanë kontributin më të madh financiar për realizimin e tij, sepse dashamirësit shkodranë të artit e në mënyrë të veçantë biznesmenët, dhanë gjithashtu kontributin përmes sponsorizimeve të tyre dhe që natyrisht duhet t’i përmendim: Albsig, ACMETECH, Dyqani i luleve “Siluete”, “Pasta e Vino” dhe “Tabu Stickhouse”, si dhe Teatri “Migjeni” me stafin…
Një risi, e gjitha shkodrane ishte dhurata e skulptorit të shquar shkodran Ferid Kola, i cili shpirtëzoi një vepër, një binom të luleborës në lirën e muzikës që do t’i dorëzohej fituesit të çmimit të parë, një simbol domethënës që do të zëvendësonte çdo diplomë e certifikatë.
Ndiej kënaqësi që këtë shkrim ta mbyll me vlerësimin që i bëri këtij Festivali dramaturgu i shquar shqiptar “Mjeshtri i Madh” Fadil Kraja: “Djepi i artit dhe i kulturës, u shpreh ai shumë i emocionuar pas festivalit, vazhdon të përkundet, sepse këtë djep e përkund me këngën e saj një nënë që nuk i vë rëndësi paraqitjes së saj, por dashurisë që ka për atë që përkund”.
