Konsumimi i tre porcioneve luleshtrydhe apo boronica në javë (një porcion është baras me 150 gram ose ndryshe gjysmë gote) redukton rrezikun e infarktit me një të tretën te gratë. Ky është rezultati i një studimi të publikuar në revistën “Circulation”.
Studimi në fjalë ka testuar 93 mijë gra të moshës nga 25 deri në 42 vjeç, shëndeti i të cilave është mbajtur nën monitorim për 18 vjet. Çdo katër vjet, të testuarat duhet të mbushnin një formular me pyetje rreth mënyrës së ushqyerjes.
Gjatë studimit janë regjistruar 405 raste infarktesh. Krahasimi i të dhënave mbi mënyrën e ushqyerjes nxori se gratë që konsumonin luleshtrydhe dhe boronica e reduktonin me 32 për qind rrezikun e infarktit, në krahasim me ato që konsumonin më pak apo fare, ndërsa të gjithë faktorët e tjerë i kishin në të njëjtët parametra (pesha, mosha etj). Studiuesit mendojnë se potenciali për të mbrojtur zemrën i këtyre frutave të pyllit vjen nga përqindja e lartë e antioksidantëve që kanë në përbërje, në veçanti disa lloj flavonoidesh të emërtuara antocianina.