Ato janë frutat e para të stinës së pranverës. Të shijshme, të freskëta dhe plot lëng, luleshtrydhet njihen edhe për numrin e vogël të kalorive, çka i bën shumë të preferuara në këtë sezon. Për më tepër, një studim britanik thotë se luleshtrydhet janë magjike për zemrën dhe sistemin kardiovaskular.
Ekspertët e Universitetit të Warwick-ut në Britaninë e Madhe kanë zbuluar se këto fruta kanë në brendësi të tyre potenciale të rëndësishme. Bëhet fjalë për substanca që aktivizojnë dhe stimulojnë prodhimin në brendësi të organizmit të një proteine të veçantë që quhet Nrf2, e cila njihet për vetitë e saj antioksidante dhe mbrojtëse.
Kafshatë pas kafshate, luleshtrydhet favorizojnë prodhimin e kësaj proteine, e cila ka aftësinë për të ulur dukshëm faktorët e riskut të sëmundjeve që prekin zemrën dhe sistemin e qarkullimit të gjakut, ndryshe lipidet, ose yndyrnat dhe kolesteroli.
Reduktimi i yndyrnave dhe kolesterolit të keq që akumulohen brenda enëve të gjakut do të thotë të reduktohet në mënyrë të dukshme rreziku që kërcënon zemrën, duke zvogëluar mundësinë e shfaqjes së patologjive që lidhen me të si infarkti dhe hipertensioni.
Pra, luleshtrydhet janë aleate të atyre që duan të mos shtojnë në peshë, por janë aleate të të gjithëve kur është fjala për një zemër të shëndetshme.