Nga Entela Petrro
“Lulet e skajbotës”, romani i dytë i shkrimtarit Namik Dokle vjen te ne me të njëjtën forcë shprehëse dhe fuqi mbresëlënëse, si romani i parë, “Vajzat e mjegullës”, i cilësuar prej autorit si roman izolimi. Historia e romanit të dytë është në rrjedhë kronologjike me të parin… është e njëjta botë e vogël, janë të njëjtat vende, bjeshkë, njerëz që pinë ujë te të njëjtat burime dhe kanë të njëjtat ndjesi për vendin ku kanë lerë, por jo për njëri-tjetrin, ndaj janë fatkeqë. Jeta e tyre është një dramë e dhimbshme, e mjerë, nën efektin e një mallkimi të lashtë dhe djallëzor. Ndaj ky roman i braktisjes, sa realist, aq dramatik, është një jehonë e fuqishme për shqiptarët brenda dhe jashtë Shqipërisë, ku janë shpërndarë si zogjtë pa krahë dhe askush e asgjë nuk i rikthen dot më. Mërgimi u ka shpëlarë trurin të rinjve të ikur në një rrugë pa kthim. “Qepa than lisin dhe i ligu fisin”, shkruan shkrimtari. Kështu, dalëngadalë, po shuhej Gora, vendi i lashtë… “Vdekja të mban në vathë, kurse mjerimi të nxjerr jashtë.” Dhimbja dhe plaga e largimit nga vendi nuk do të gjenin shërim për këtë vend të mallkuar, të mbetur peng nga kanunet, tragjeditë e dhimbjet. Obruçi i shpirtit nuk do të gjente kurrë shërim…
Zoti e krijoi Gorën kur kaloi atypari, duke fluturuar nga mali në mal. Gora i ra nga dora e mbeti aty ku është sot… Si duket, një pakujdesi e Zotit, edhe pse u nis nga dashuria për të Mirën. Por nga kjo pakujdesi përfitoi Djalli, i cili u punoi goranëve rrengun e frikës së përjetshme, sepse siç shkruan dhe autori, “vetëm Djalli mund të krijojë frikë pa fund”.
Gora është plot legjenda dhe histori prekëse. Të bën të vajtosh, të vësh kujën për historitë e dhimbshme, sa reale, aq vrastare… Të vazhdosh të vajtosh për “lulet e thara nga malli dhe humbja e dashurisë”, “për vajzën e humbur dhe nënën fatkeqe e të mjerë që çeli varrin e të gjallëve”, “për dashuritë e vrara”, “për të përdhunuarat”, “për vajzën partizane, vajzën e Lirisë që e bënë kurban miqtë e saj”, “për pafundësinë e rrugëtimit të errët dhe të frikshëm të motrës në kërkim të vëllait dhe të vëllait në kërkim të motrës” e të tjera ndodhi që sot janë bërë pjesë e pandarë e jetës sonë. Pra, një ndërthurrje ndjenjash, si: frika, gëzimi, dashuria, vdekja, urrejtja, dhimbja dhe përçmimi për të shkuarën, por më tepër për të tashmen, të befasojnë e të lënë pa frymë.
Është një libër i fortë, që jo vetëm ta trazon shpirtin, por dhe ta pastron atë, të mëson se çfarë është dhimbja e vërtetë, deri ku mund të arrijë mendësia e djallëzia shtazarake e njerëzve të etur për pará e pushtet. Romani mban brenda tij legjendën, poezinë, këngën, vallen, ditarin, biografinë, historinë me periudhën e luftës e me skutat e saj më të errëta, me mëkatet që kurrë s’mund të shlyhen, për kohën e komunizmit dhe tragjeditë e tij, për periudhën postkomuniste e tranzicionin e pafund që po kalojnë goranët dhe mbarë shqiptarët.
Duke e lexuar romanin humbet në thellësinë e kohërave dhe ngatërrohesh me rrymat, me historitë e një bote të vogël, me shpirtin e “një komiteti pa ballkon, që shpesh brenda tij zhvillohej një luftë e cila merrte përmasat e luftës së yjeve”. Por autori nuk lë pa theksuar ndjeshmërinë e karakterin e skalitur të mjeshtrave, të cilët i quan jo vetëm mjeshtra në zanat, por burra në karakter, të veçantë në Mirësinë dhe aftësinë e tyre.
Mallkimi filloi… nga një bast i humbur me Djallin dhe që do t’i ndiqte gjithë jetën… sepse djalli ishte fshehur kudo: majtas, djathtas, përtokë… Dhimbja vazhdon të rritet në kohë. S’u ka mbetur gjë tjetër … vetëm bajga dhe legjenda… E keqja nuk qëndron këtu… Më e madhja ndër më të këqijat është “e keqja që nuk ta zënë dhe nuk e njohin për të keqe”…
Fillon e mbaron dhimbshëm historia në Gorën postkomuniste. Ҫ’vlera i kanë mbetur shoqërisë kur shkulen të vdekurit nga varret e lashta dhe të gjallët nga toka e tyre, për të marrë sa më shumë zhavorr, për t’ia shitur shpirtin Djallit e për të lënë qyqe nënat dhe motrat?! Si mund të ekzistojë një “hajdut pulash” që po u vjedh shpirtin njerëzve, që po u vret nderin baballarëve dhe vëllezërve, që di vetëm të krijojë tragjedi më të frikshme se ato të Shekspirit në jetën e një populli të shumëvuajtur?
Piskamat e vajticave dëgjohen fuqishëm dhe krijojnë eksode shpirtërore që s’po gjejnë dot rrugëdalje e shërim… ato thellohen e shtohen si zjarri në pyll. Vajulërima e një vajze, e Jetmirës Mirëzezë nuk përfundon pas hapjes së arkëmortit ku nuk ndodhej trupi i pajetë i vëllait të saj… por shtohet kur ata gjejnë njëri-tjetrin në një skajbotë tjetër akoma më vrastare, edhe pse në zemër të Europës. Kjo rigjetje e tyre i bëri të vetëvriten më poshtërisht nga dhimbja e incestit mes motrës dhe vëllait, të planifikuar nga vetë bashkëkombësit e tyre. Pas prekjes së nishanit të rinjohjes, vjen humbja në puset më të errëta, në puset pa ujë, edhe pse kanë qenë mbushur me dinjitet, dhimbje e lot ndër vite. Tradhtia e pabesë brenda familjes, fisit, i detyronte të vdisnin me rreshkën përvëluese ndër buzë, e cila ishte përfundimi i një rrugëlodhjeje të vetmuar e një hakmarrjeje të pabesë. Drena kosovare e Hana gorane njohën pjesën më të errët të karakterit njerëzor, vuajtën dhimbjen e poshtërimit, fshehën pafajësinë, por dhe mëkatin e tyre, u sakrifikuan dhe nuk mundën të dilnin nga balta çopuriste, që nëse të afrohej, nuk mund të të shqitej kollaj.
Ajri dridhet me vuajtjet e nënave si Lula e mjerë, e cila çeli varrin e të gjallëve dhe kurrë s’ka për ta parë Njomëzën e saj të shtrenjtë, që nuk dihet ku është, ashtu si kurrë s’ka për ta shijuar dashurinë e parë, dashurinë e Andrinit fatkeq, artistit të njohur e të vlerësuar në skenat europiane, por të ngujuar e të përndjekur nga ligji i gjakut në vendin e tij… Këndesat e skajbotës sikur janë sëmur në fyt e nuk këndojnë, por çirren, pasi dinë sekretet e Hanës dhe Hasimesë, hallës veterane. E shiti lirë vdekjen Hasimeja, ashtu si Ҫopur Ҫabraku, ky ciribash syçapin që dikur trembte pulat e tani kthen borën e shkrirë në lot për nënat, motrat, vëllezërit e të dashurit… krijon “gjëmat e ferrave” në familjet gorane e shqiptare.
Laboratori i shkrimtarit Dokle, ka skalitur personazhe, si fizikisht, ashtu edhe nga ana psikologjike përmes gjuhës së përzgjedhur, fjalorit të pasur, shprehjeve frazeologjike të rralla e shumë domethënëse, figuracionit të goditur dhe ironisë së papërsëritshme…
Gjatë leximit të këtij korpusi, të këtij burimi të pashtershëm folklorik shijon çdo fjalë, çdo përshkrim, çdo legjendë, çdo histori dhe ndien dhimbje për të gjitha sakrificat, dënimet, vrasjet, përdhunimet, largimet nga vendi të qindra shtëpive e banorëve, për ngujimet e pakuptueshme të këtij shekulli, për çdo të keqe që i është bërë gjithë popullit tonë në vite.
Mjeshtëria, vërtetësia, stili i veçantë sa rrëfimtar, aq edhe lirik, pasuria gjuhësore, fjalët e të folmes së përditshme, dialekteve, krahinave, fjalët e vjetra, shumë domethënës, mallkimet e urimet kanë krijuar një fjalor të mëvetësishëm, një thesar leksikor e semantik të gjuhës së gjallë. Nëpërmjet tyre formësohet e njehsohen zakonet, traditat, ritet, forca shpirtërore e popullit tonë, u jepet ngjyrë zhargoneve familjare, zhargoneve të luftës, zhargoneve të pabesa e drithëruese të pushtetit të pangopur dhe vdekjendjellës. Emocionaliteti i fuqishëm që krijohet nga fatet e personazheve të romanit, të ngjallin fatet drithëruese të njerëzve të thjeshtë.
Por ajo që të mbetet në mendje janë vlerat e njerëzve, vlerat e të rinjve, burimi i dashurisë, pa ta s’ka jetë, pa ta nuk çelin lulet e skajbotës, pa ta nuk lind Dielli, jo vetëm mbi Gorë, po në gjithë Shqipërinë…
Mrekullia e mirësisë, dashurisë dhe drejtësisë njerëzore krijon parajsën tokësore dhe parajsa është shpresa që nuk shter kurrë… Kjo parajsë tokësore e krijuar mes dhimbjes e sakrificës shqiptare duhet të lexohet, sepse do të jetohet përmes shkronjash, rreshtash të shkruar mjeshtërisht.

Kjo eshte “bota e lire” per te cilen edhe Namiku duket se eshte penduar qe kontribuoi aq shume..
Vetem per tu shtuar e shpejtuar varret gorareve…