“Kudo që bëhet një padrejtësi, ajo përbën kërcënim për drejtësinë gjithandej” – Martin Luther King Jr.
Nga VIKTOR MALAJ
Vendimi i gjykatës së Tiranës për të akuzuarit e ngjarjes së 21 janarit 2011 shkaktoi ndjenja të përziera, por më të shprehurat janë indinjata dhe befasia. Efektin më të fortë, duke sjellë tronditje, dëshpërim, dhimbje, zemërim dhe urrejtje, vendimi i ka shkaktuar tek të afërmit e viktimave. Tek opozita shqiptare u duk se shkaktoi keqardhje dhe revoltë. Tek shumë anëtarë dhe simpatizantë të pushtetit shkaktoi habi, që u shoqërua me ngritje supesh. Tek “të paangazhuarit” dhe tek “të painteresuarit” ose solli indiferentizëm, ose një lloj çudie dhe pasigurie.
Sipas meje, të gjitha këto ndjesi janë të justifikuara, përveç çudisë, të cilën e gjen të pranishme tek të gjitha kategoritë shoqërore. Por përse duhet të çuditemi, çfarë vendimi tjetër prisnim, kur gjithë çfarë ka ndodhur menjëherë pas ngjarjes e deri sot është shtjelluar para syve tanë? Nga kush e prisnim një tjetër vendim kur dimë përçudnimin që i ka bërë të vërtetës njeriu më i fuqishëm i vendit (oh, sa i pëlqen atij ky përcaktor!) kryeministri Sali Berisha? Si mund të lejonte ky Kryetar i të Gjitha Pushteteve të Shqipërisë që e vërteta e ngjarjes, e shtrembëruar, e fshehur dhe e tjetërsuar prej tij, të gjente një pasqyrim juridik tjetër veç atij që i interesonte pushtetit të vet? A mund të lejonte ky i plotfuqishëm një vendim gjyqësor të pavarur, kur ne e dimë se si veprimet e paligjshme të një grupi njerëzish që përdorën gurë dhe shkopinj kundër mbrojtësve të rendit, bëri çfarë mundi t’i paraqesë si “puç për marrjen e pushtetit me dhunë” dhe të gjithë ata që nuk iu bashkuan alibisë së tij (duke përfshirë edhe Presidentin e vendit dhe Kryeprokuroren) i konsideroi puçistë dhe “horra e lavire bulevardi”? A mund të ishte aq naiv sa të qëndronte indiferent ndaj gjyqësorit njeriu që urdhëroi fshehjen e filmimeve të ngjarjes dhe, më pas, pengoi zbatimin e vendimeve të gjykatës për arrestimin e personave të dyshuar si fajtorë?
Të vërtetat u zhvilluan para syve tanë dhe nuk na lejojnë të çuditemi me vendimin e pafajësisë. Vendimi i gjykatës ishte epilogu i zinxhirit të veprimeve kriminale të pushtetit. Të prisje një vendim tjetër do të thotë se, ose je i painformuar për çfarë ndodh në Shqipëri prej 22 vitesh, ose je më shumë se naiv. Opozita politike, familjarët e viktimave dhe shumë njerëz të tjerë e përqendruan shikimin fajësues vetëm tek një individ, tek ai që besohet se është përgjegjësi kryesor për shumicën e të këqijave që përjetojmë prej 22 vitesh.
Personalisht kam bindjen se përgjegjësitë morale, politike, juridike dhe historike për të këqijat, traumat dhe padrejtësitë që pësojnë popujt gjatë rrugëtimit të tyre historik janë të përqendruara tek individë me rol të veçantë, por, deri diku, janë edhe të shpërndara te individë e kategori njerëzish, madje edhe te populli. I bindur se ngjarja e 21 janarit dhe vendimi që dha gjykata janë produkte të gjendjes së përgjithshme ku ndodhemi sot, po ndalem tek shkaktarët e gjendjes.
Sali Berisha
Askush nuk e vë në dyshim rolin absolutisht dominues të Sali Berishës në jetën e vendit përgjatë 22 viteve. Po kështu, asnjë mendje e arsyeshme nuk mund ta vërë në dyshim rolin përcaktues të Sali Berishës në vrasjen e katër qytetarëve dhe në përmbajtjen e vendimit të gjykatës.
Më kishte ngelur në mendje thelbi i thënies së lexuar disa vite më parë: “Ju i keni të gjitha karakteristikat e një politikani populist: një zë të përçudnuar, një formim të shtrembër dhe një sjellje vulgare”. I bindur se këto fjalë ishin thënë për Sali Berishën, kërkova ta citoja saktësisht autorin. Por e kapa veten në gabim. Ai nuk ishte bashkëkohës yni. Autori i shprehjes portretizuese qenkësh Aristofani. Nuk mund të mos mendosh se Aristofani e ka formuluar mendimin e sipërm duke pasur parasysh një tip social e politik konkret që i ka hapur plagë shoqërisë së asaj kohe.
Ashtu si Zogu për periudhën monarkiste dhe Enveri për atë komuniste, edhe Sali Berisha është përgjegjësi kryesor, si individ, për të gjitha aktet e paligjshme, antipopullore, antikombëtare dhe antiligjore të kryera në emër të shtetit, në krye të të cilit ai qëndron, me dhe pa vullnetin e popullit.
Ndryshe nga dy të parët, që kishin fizionomi politike të përcaktuar qartë, Sali Berisha është një individ politik pa identitet ideologjik, që e ushtron pushtetin jashtë realitetit qeverisës të botës së sotme demokratike. Është tipi i njeriut pa kurrfarë idesh dhe idealesh, pa kurrfarë skrupulli moral, por që, për të realizuar ambiciet e tij për dominim dhe sundim të pakufizuar dhe të përhershëm, është i gatshëm të propagandojë cilëndo ide dhe të zbatojë cilëndo formë të regjimit politik që ka qenë në modë në një periudhë të caktuar historike. Me energji të pashtershme, që burojnë nga etja e madhe për pushtet, ai ka aftësinë që luftën e tij për sundim mbi të tjerët ta paraqesë si përpjekje për të mirën e të tjerëve dhe si kauzë që të tjerët duhet ta përqafojnë medoemos. Shndërrimin e tij brenda pak ditësh nga komunist konservator në antikomunist të dalldisur, nga propagandues i ideologjisë së të varfërve në ideolog fals të interesave të të pasurve, shumë njerëz (disa pa mend dhe disa shërbëtor tinëzarë), e paraqesin si “e drejtë për të ndryshuar”. Po, pse, çfarë është njeriu, një pemë që mund të shartohet në çfarëdo kohe dhe të japë fruta krejt të ndryshme nga të djeshmet? Edhe fik i egër të kishte qenë nuk do të mund të bëhej i butë brenda disa ditësh. Kolegu i tij Isuf Kalo thotë se Berisha ka qenë anëtar partie por jo komunist. Kjo është e vërtetë, por ky fakt na dëshmon se shtetasi Sali Berisha ka jetuar 22 vjet me maska, jo për të mirën e popullit por me shpresën se ashtu, i maskuar, do të mund të ngjitej në majat e pushtetit komunist. Dhe jo për ta luftuar e rrëzuar atë sistem, por për të sunduar brenda atij sistemi. Kur sistemi e dërgoi për të qetësuar protestuesit e ngritur kundër sistemit dhe ai e pa se sistemi po binte, nxori shpatën e demagogut që qelbej nga era e hipokrizisë dhe pafytyrësisë së tij dhe filloi luftën donkishoteske kundër atij që kishte marrë rrugën e mërgimit politik dhe social. Kush mund të na bind ne se, një njeri që ka jetuar 22 vjet i maskuar për interesat e tij, nuk vazhdon të jetë përsëri një aktor i teatrit me maska që luhet në skenën politike shqiptare prej 22 vitesh, por tani në pozitën e drejtorit të teatrit? Çfarë karakteri dhe morali ka një njeri i cili, statusin e tij social-politik, që e pati fituar me lutje dhe mbajtur me përkushtim për 22 vjet, e përdor për 22 vjet të tjerë si etiketim fyes dhe turprues për kundërshtarët e tij politikë, edhe pse ata s’e kanë pasur asnjëherë atë status? A mundet që një njeri, i cili paska jetuar në mënyrë të turpshme deri në moshën 47 vjeç, të bëhet tani simboli i të ndershmit, i të moralshmit dhe udhërrëfyes për të tjerët?
Kush ka ndjekur me vëmendje rrugëtimin 22 vjeçar të Sali Berishës si politikan e ka të qartë se sjelljet e tij nuk kanë kurrfarë lidhjeje me interesat e popullit por, thjesht, me marrjen apo mbajtjen medoemos të pushtetit. Krimi i 21 janarit 2011 nuk është krimi i vetëm dhe as më i madhi. Do të ishte fat po të jetë i fundit.
Pasi u vu në krye të një konglomerati njerëzish kundër-regjim në vitet ’90, i mbushi skalionet e para të tij me lumpenin dhe filloi krijimin e kaosit social e politik të vendit. Fillimet e tij ngjajnë në mënyrë perfekte me ato të Hitlerit në vitet ’30 të shekullit të njëzetë. Rrëzimi i njëpasnjëshëm i qeverive me imponime të dhunshme dhe aktivitete kriminale, të shoqëruara me përplasje të vazhdueshme me ligjin dhe forcat e rendit, i bënë të mundur ardhjen në pushtet në vitin 1992. Dërgimi i kriminelëve të armatosur, të kryesuar apo mbështetur nga Azem Hajdari, për të rrethuar Akademinë Ushtarake në Tiranë dhe sulmi ndaj Komisariatit të Policisë në Laç shkaktuan 4-5 viktimat e para “të luftës për demokraci”. Organizimi dhe nxitja e njerëzve për të djegur institucionet kryesore shtetërore të Shkodrës, pasi e kishte pranuar rezultatin e zgjedhjeve të para pluraliste, shkaktoi edhe katër viktima të tjera të pafajshme. Po të ishte me vepra ai që paraqitet me fjalë, Sali Berisha nuk do të kishte ideuar dhe drejtuar dhunimin skandaloz të zgjedhjeve të majit 1996 dhe, rrjedhimisht, nuk do të pasonin ngjarjet e vitit 1997, të cilat sollën disa mijëra të vrarë dhe qindra të mbytur në detin Adriatik, në përpjekje për t’i shpëtuar kaosit social-politik të vendit.
Me bëma të kobshme Sali Berisha provoi se nuk e donte rënien e sistemit komunist për të vendosur një sistem të konkurrimit nëpërmjet ideve dhe alternativave. Në pamundësi për ta zëvendësuar me një sistem tjetër njëpartiak dhe totalitar, ai ka punuar që në Shqipëri të funksionojë një sistem karikatural shumëpartiak, në të cilin ai të sundojë gjithmonë dhe të tjerët, ose të jenë vartës dhe shërbëtorë të tij, ose të katandisen në milingona politike, pa aftësi konkurrimi për rrotacionin e pushtetit. Prandaj lufta e tij 22 vjeçare nuk ka qenë konkurrim idesh, por banditizëm politik i shprehur në etiketime biografike, në burgosje politike, në dhunime dhe falsifikime zgjedhjesh, në vrasje dhe burgosje politike, në mercenarizëm politik, marrje të pushtetit me dhunë (në shtator 1998) dhe komandim të të gjithë pushteteve në shërbim personal.
Praktikisht, Saliu ia ka dalë t’i vërë të gjitha pushtet në shërbim të interesave të tij personale, familjare dhe klanore. Vendimi i dhënë për ngjarjen e 21 janarit nuk është tjetër veçse dëshmia më e fundit se pushteti gjyqësor është vegël e Sali Berishës.
Çdo njeri i vëmendshëm ka mundur të konstatojë se kryeministri i Shqipërisë, gjatë gjithë karrierës së vet politike, nuk i është drejtuar asnjëherë arsyes por pasioneve. Arsyeja dhe arsyetimi paraqesin rrezikshmëri për të. Ato e bëjnë popullin të mendojë, kurse ai ka synuar të nxisë sferën emotive të votuesve, duke krijuar kështu turma pa mendim por që i mbajnë të bashkuara instinktet e ndryshme. Ai nuk flet por ulërin, nuk argumenton por fyen, shpif dhe kërcënon. A mund të dalë dikush të kujtojë një ide jetëgjatë apo një thënie të mençur të këtij shtetari? Shikoni grimasat e tij dhe lëvizjet fizike në marrëdhënie me publikun dhe krahasojini me ato të Hitlerit dhe Musolinit. Ngjashmëria është e habitshme, por nuk duhet t’ia lejojmë vetes të habitemi edhe me pasojat që po na trokasin fort në portën e përbashkët.
Sikur Sali Berisha të kishte për ideal dhe mision shërbimin ndaj popullit do të tregohej i vendosur, energjik dhe i pamëshirshëm me ata që cenojnë jetën, shëndetin, nderin dhe pasurinë e popullit dhe jo ma ata që rrezikojnë pushtetin e tij personal. Në vend të mallkimit të kundërshtarëve të ligjshëm politikë do të duhej të trembte numrin pafundësisht të madh të hajnave që i kanë hipur popullit në kurriz (vetëm për vitin e kaluar administrata e tij shtetërore i ka shpërdoruar 100 milion euro). Në vend të kërcënimit të opozitës politike, do të duhej të frikësonte ata punonjës të sistemit juridik që i kanë kthyer gjykatat në qendra ankandi të së drejtës. Në vend të burgosjes dhe vrasjes së atyre që protestojnë kundër tij, do të duhej të burgoste ata që me vite të tëra mbajnë të ngujuar nëpër shtëpi për gjakmarrje gati dy mijë familje shqiptare. Në vend të poshtërimit të atyre që nuk e duan atë, do të duhej të poshtëronte ligjërisht ata mjekë që i kanë kthyer spitalet në vendpagese faturash. Mirëpo, asnjërën prej këtyre veprimeve nuk e ka bërë sepse misioni i tij, ideali i tij, atdheu i tij, populli i tij është vetëm sundimi i pakufizuar personal.
Për pushtetin e tij, për interesat e familjes së tij dhe të një klike që e rrethon, Sali Berisha ka shkaktuar shumë viktima dhe shumë dëme. Është e rëndë dhe e dhimbshme të thuhet, por e vërteta është se Sali Berisha është bërë shumë i rrezikshëm për vendin. Ka fyer, shpifur, kërcënuar, burgosur, vrarë, shpërdoruar pasurinë kombëtare, ka burgosur e gjymtuar gazetarë dhe ka djegur redaksi gazetash apo makina gazetarësh, ka bërë kontrabandë nafte dhe armësh, ka bërë trafikim dhe trukim zgjedhjesh, ka tentuar të cenojë tërësinë territoriale të Shqipërisë në favor të fqinjëve, ka penguar fshehtas dhe haptas drejtësinë në ushtrimin e funksioneve ligjore. Për turpin dhe fatin e tij të keq, ashtu si Sadam Husein dhe Moamar Khadafi, edhe kryeministri i Shqipërisë ka aktivizuar në skalionet e tij të luftës politike gjithë njerëzit e familjes dhe, madje, edhe fisin e vet dhe të gruas së tij. Kjo është provë e degradimit të tij përfundimtar, por njëherësh na paralajmëron për rrezikun që na kanoset si shoqëri.
Jozefina ose Rosinanti Topall
“Për sa kohë të jesh i rrethuar nga torollakët, do të mund të qëndrosh lehtësisht në krye të tyre ” Frank Dane
Në aventurën e tij të turpshme, Sali Berisha nuk është i vetëm. I vetëm, ai nuk do të ishte më i rrezikshëm sesa një kriminel ordiner. Sundimin e tij të parë (1992-1997) gazeta angleze “The Independent” e marsit 1997, e quajti “regjim gangsterësh”, ndërsa gazeta gjermane “Suddeutsche Zeitung” e shkurtit 1998, pas sulmit të bandave të tij ndaj komisariatit të policisë së Shkodrës, ku u vra një polic e u plagosën disa persona, e quajti vetë Berishën “ordiner i rrezikshëm”.
Disa kritikë të letërsisë e konsiderojnë figurën e kalit, Rosinantit të Don Kishotit të Mançes, si kopje të figurës tragjikomike të të zotit. Këtë rol ka marrë përsipër të luaj në politikën shqiptare Folësja e Kuvendit, Jozefina Topalli. E ardhur nga një familje me të kaluar të shkolluar dhe e persekutuar nga regjimi komunist, duke qenë edhe femër, supozohej se në aktivitetin e saj politik do të demonstronte mençuri, tolerancë dhe moderacion, por fatkeqësisht rezultoi krejt ndryshe. Karrierën e filloi me zgjedhjet e dhunuara të 1996. Me fjalët e saj, me sjelljen e saj dhe me qëndrimet e mbajtura ndaj ngjarjeve dhe zhvillimeve në vend, ka dëshmuar një nivel fare mesatar kulturor dhe një karakter të deformuar si figurë politike. Shërbimet e saj servile ndaj Sali Berishës janë nga më të shëmtuarat sjellje që kemi parë në sallën e Kuvendit.
Mahnitja dhe mahitja e saj para pak ditësh, kur udhëtonte në rrugën Milot-Kukës, la pa mend shumëkënd. Duke thënë se “Vetëm Sali Berisha mund t’i lëvizë malet”, na solli në mendje një bareshë dhish në një fshat të thellë të Pukës, 50 vjet më parë, e cila, kur pa një kamion të tipit “Skodë” me rimorkio në rrugën automobilistike të sapo përuruar, i tha shoqes së vet: “Rrnoftë shoku Enver se veç ai munet me e pru trenin në rrugë makine”.
Reagimi i saj ndaj vendimit të Gjykatës së Tiranës dhe protestës së opozitës për pafajësinë e oficerëve të gardës ishte antinjerëzor për një deputete, i turpshëm për një qytetare dhe i pafalshëm për një nënë, bashkëshorte dhe motër. Edhe sikur vendimi të ishte i drejtë, ato që ajo tha në Kuvend të çojnë në disa konkluzione. Duke thënë se, “Kur flet gjykata ju duhet të mbyllni gojën… Nuk është kinemaja kjo që kërkoni të varen në litar, ka drejtësi sot….ikni frikacakë….Boll kini vra për 50 vjet, ka ikur koha juaj”, kjo shtetase shqiptare që rastësisht dhe pa meritueshëm mban postin numër dy të shtetit, na jep mundësinë të depërtojmë në mentalitetin e saj dhe të besojmë se, po të ishte për të (dhe jo vetëm) në Shqipëri do të vendosej një sistem tjetër diktatorial, njëpartiak por, me kusht që ajo dhe sëra e saj të jenë gjithmonë sundimtarë dhe të tjerët të sunduar (madje të shtypur). E vini re: “ka ikur koha juaj” (pra ka ardhur koha jonë) dhe nuk e kupton sistemin si “koha juaj dhe e jona”. Nëse është e vërtetë që sa herë flet gjykata (edhe kur është e përbërë nga hajna të korruptuar dhe matrapazë të së drejtës, të komanduar nga Don Kishoti i saj) atëherë edhe ajo dhe gjithë të tjerët duhet të heshtin për të dënuarit e regjimit komunist, sepse edhe atëherë “ka folur gjykata”. Thënia se “Boll kini vra për 50 vjet” nuk nënkupton tjetër gjë veçse “tani është radha jonë për të vrarë”.
Një nga pyetjet që lind është: cili nga deputetët e opozitës ka vrarë, kë, kur dhe përse nuk e burgos ti, si “shtet demokratik”? Nëse është e vërtetë se paraardhësit e ndonjë deputeti e kanë bërë një gjë të tillë, deputeti është përgjegjës për këtë aq sa janë fëmijët e Topallit për ata që ka vrarë pushteti i saj. Ndërsa Topalli nuk mund t’i shmanget përgjegjësisë së drejtpërdrejtë (të paktën politike dhe morale) për vrasjet e sotme. Është shumë e rëndë dhe shumë provokuese kur i legjitimon. Nëse të gjithë deputetët e opozitës i quan përfaqësues dhe përgjegjës të regjimit komunist, atëherë duhet ta marrë Don Kishotin e saj dhe ta vërë në krye të tyre, pasi opozita nuk ka asnjë deputet që të ketë qenë 22 vjet anëtar dhe sekretar i partisë komuniste.
Sigurisht që nuk është vetëm Jozefina, por kjo, përveç që mban një postë të rëndësishëm, është mbështetëse e përhershme, e drejtpërdrejtë dhe po duket gjithnjë e më shumë se ndien kënaqësinë e përpjekjeve të saj për të lartësuar Saliun, pa kurrfarë droje për poshtërimin që i bën vetes. Ka dhe shumë të tjerë që i japin oksigjen pushtetit të Sali Berishës. Për ta, për ne dhe të huajt do flas nesër.
II
Mirë fajtorët, po të tjerët ?
Gjendja në të cilën ndodhemi nuk do ishte kjo që është. As vendimi i gjykatës nuk do ishte ai që u lexua nga gjyqtari i mjerë, që na kujtoi shërbëtorin e hershëm të Saliut, Qazim Gjonin, gjyqtarin qyqar të “2 Prillit”. Gjendja nuk do ishte kjo që është, në qoftë se Sali Berisha nuk do të ishte në krye të vendit. Dhe për këtë, përgjegjës jemi edhe ne të tjerët, si popull. Përgjegjëse është edhe diplomacia e disa vendeve të huaja.
Ne të tjerët
Në propagandën e regjimit komunist i bëhej një glorifikim i skajshëm popullit. Të gjitha meritat për zhvillimin i atribuoheshin atij (nganjëherë edhe partisë). Asnjëherë nuk fajësohej populli për të metat, traumat, gabimet, fajet dhe prapambetjen historike. Një trajtim i tillë është krejt i gabuar. Në qoftë se, moralisht dhe ligjërisht, një individ konsiderohet përgjegjës për sjelljet dhe veprimet e tij pas moshës 14 vjeç, atëherë, pse një bashkësi njerëzish të tillë duhet përjashtuar nga përgjegjësia për rolin që luan dhe qëndrimet që mban ndaj zhvillimeve historike, lokale, kombëtare apo ndërkombëtare?
Nëse i referohemi historisë një shekullore të qeverisjes shqiptare dhe flasim për tri periudhat kryesore (monarkiste, komuniste dhe kapitaliste) mund të gjykojmë se përgjegjësia e popullit për prapambetjen dhe padrejtësitë është e ndryshme. Në periudhën zogiste populli kishte një mundësi krejt minimale të ndikonte në këtë drejtim, për shkak të prapambetjes kulturore dhe asaj urbane të vendit. Pas mbretit gjysmanalfabet, si përgjegjëse kryesore duhet vlerësuar elita intelektuale (aq sa ishte). Në regjimin komunist përgjegjësia e popullit vjen duke u rritur për shkak të rritjes arsimore, kulturore dhe urbane të vendit. Për fat të keq, nota që mund të vlerësojë qëndrimin popullor është e ulët. Populli nuk kishte mundësi ta përmbyste regjimin, por mund dhe duhej ta detyronte atë të korrigjohej. Populli nuk kishte alternativë tjetër për të zgjedhur, por kishte mundësi t’i bënte fletët e votimit të pavlefshme, duke i dhënë kështu një mësim të mirë hierarkisë udhëheqëse që besonte se e kishte me vete 99 për qind të popullit.
Ndërsa sot, që besohet se niveli arsimor i popullit është ende i lartë dhe mjetet e informimit janë dhjetëra herë më të shumta dhe më pluraliste, përgjegjësia e tij për zhvillimet në vend është shumë më e madhe. Është e pafalshme që një bashkësi njerëzish, me një nivel më të lartë kulturor dhe mundësi më të mëdha informimi, të bëhet përkrahëse dhe bashkëfajtore e krimeve të pushtetit.
Përvoja e vendeve të zhvilluara na tregon se cilësia e qeverisjes dhe ritmet e zhvillimit varen nga fakti se sa i vëmendshëm është populli dhe si reagon ai ndaj qeverisjes. Duket qartë se shqiptarët nuk janë aq të ndjeshëm sa popujt e vendeve të tjera ndaj veprimtarive qeverisëse. Nga këtej vijmë në përfundimin se Sali Berisha është produkti ynë, është bima që ne e kemi mbjellë me pasionin tonë, e kemi kultivuar me marrëzinë tonë dhe e mbajmë në kopsht me ligësinë tonë. Nëse nuk mund të fajësohemi për mbjelljen në kohë emocionesh, ne jemi tërësisht përgjegjës për kontributin tonë të mëpastajmë.
Ajo çfarë të çudit në qëndrimin politik të popullit tonë (të një pjese të tij) është pajtimi me padrejtësitë dhe amoralitetin. Vetëm në një shoqëri në degradim moral mund të gjejnë ushqim politik individë si Sali Berisha. Si mundet që njerëz që e çmojnë lart integritetin familjar të votojnë një njeri, i cili fyen, përgojon, shpif dhe poshtëron familjet e kujtdo që i rrezikon pushtetin? Si mundet që njerëz që pretendojnë se janë atdhetarë (madje nacionalistë) t’i shkojnë mbrapa personit që tentoi t’i japë territor ujor Greqisë? Si mundet që persona që e urrejnë korrupsionin t’i japin votën një kryehajduti si Ilir Meta (i cilësuar nga diplomacia amerikane si jashtëzakonisht i korruptuar) dhe Sali Berishës që e shpëtoi juridikisht nga dënimi, jo vetëm pse i shkoi në shtëpi në mënyrë demonstrative dy ditë para vendimit të gjykatës, por edhe sepse përdori presione dhe joshje të drejtpërdrejta mbi gjyqtarët dhe familjarët e tyre që mbajnë poste të larta shtetërore? Shqiptari që beson se vjedhja e parave të buxhetit të shtetit nuk është edhe vjedhje ndaj tij është budalla dhe nuk meriton fat më të mirë në jetë. Si mundet që anëtari apo votuesi i PD-së të mos shqetësohet nga “humbja” e 230 milion eurove në rrugën Durrës-Kukës dhe të mos kërkojë llogari se ku ndodhen këto para? Si mundet që një pasardhës i atyre që luftuan (apo, edhe dhanë jetën) për çlirimin e Shqipërisë në vitet ’40 të shekullit të kaluar të votojnë një individ apo parti që e ka përçmuar, fyer dhe denigruar atë luftë dhe nuk ka lënë tradhtar të kombit pa e rehabilituar si patriot? Si mundet që një person, i cili pretendon se qe burgosur nga diktatura komuniste sepse donte pluralizmin dhe zgjedhjet e lira, t’i shkojë mbrapa një force politike që i ka dhunuar disa herë këto zgjedhje? Si mundet që një individ si Amik Kasaruho, babain e të cilit diktatura komuniste e pushkatoi sipas një procedure tërësisht kriminale, të bëhet agjitator i një regjimi që pushkatoi katër njerëz të pafajshëm pa kurrfarë procedure ligjore? Si mundet që një pensionist, të cilit i rritet pensioni me dhjetë euro, t’ia dijë për nder kryeministrit të vendit, fëmijët e të cilit fitojnë një milion euro në vit?
Ka shumë pyetje të tilla, të cilat të bëjnë të besosh se sjellja jonë është shpesh hipokrite dhe vetëvrasëse, se ne çmojmë më shumë forcën dhe pushtetin se të drejtën dhe moralin. A nuk ishin shumë nga të parët tanë që, pasi krenoheshin me devizën “Fe e Atdhe”, sapo kapedani, bajraktari apo i pari i fshatit ndërronte fenë, ata, në vend që të braktisnin të parin e tyre për fenë, bënin të kundërtën, ndërronin fenë dhe shkonin pas tij? Jo pak prej tyre braktisën edhe atdheun dhe iu bashkuan pushtuesve, sigurisht për përfitime personale. Mos ndoshta thënia e Ernest Koliqit se “Shqiptarit i mungon ideali” nuk është krejt pa vend? Atëherë, si mund t’i shërbehet Shqipërisë pa ideale?
Natyrisht që përgjegjësia nuk është e barabartë, sepse edhe ndihmesa nuk është e tillë. Kujtesa na ndihmon t’u japim hakun kontribuesve aktiv.
Kur kujton njerëzit që e kanë rrethuar Saliun gjatë kësaj kohe dhe qëndrimet e mbajtura prej tyre, nuk mund të mos ndihesh i zhgënjyer dhe me shpresë të brishtë. Një numër i konsiderueshëm i figurave qendrore politike të PD-së, gjatë këtyre dy dekadave, janë sjellë në atë mënyrë që na kanë bindur se ishin dhe mbeten thjeshtë figurina politike, njerëz të vegjël dhe pa kurrfarë idealesh, ushtarë të plagosur të një ushtrie pa mision. Duke filluar me “Mocionistët” , të cilët u larguan nga PD-ja me arsyetimin se “partia e tyre kishte kaluar në ekstrem”, por iu ribashkuan asaj kur ajo dhe kryetari i përjetshëm i saj u zhytën akoma më shumë në krime, dhe duke ardhur deri tek shumica e “disidentëve” të fundit, bindesh për mungesën alarmante të vlerave të elitës aktuale politike. Pa folur për disa kapterë politikë si Imami, Shehu, Ruli, Pollo, Selami, Shehi, Xhaferri etj., që u graduan dhe zhgraduan sa herë deshi “komandanti”, të bën përshtypje personaliteti i një njeriu si Neritan Ceka, i cili, nga larg, të krijonte idenë e një individi me integritet moral që bartte edhe ideale. Kur sjell ndërmend çfarë ka thënë ai për Sali Berishën për mbi dhjetë vjet rresht dhe, pasi kryeministri e “daroviti” me dy poste diplomatike për vete dhe të birin, u shpreh se “nuk e di as unë pse jemi prishur me Berishën”, bindesh plotësisht se e quajtura “Lëvizje e Dhjetorit” nuk kishte kurrfarë lidhjeje me revolucionin demokratik dhe se “udhëheqësit” e saj nuk i lidh asgjë me interesat e popullit shqiptar.
Individë, të cilët Berisha i ka përçmuar, fyer, poshtëruar, rrahur, burgosur dhe diskredituar, kthehen në oborrin e tij dhe i shërbejnë jetëzgjatjes së pushtetit të tij, juridikisht të paligjshëm dhe moralisht të diskredituar. Persona të tillë iu ngjajnë qenve endacakë, të cilët, edhe pas hungërimave dëshpëruese nga shkelmimi, kthehen e të vijnë sërish tek këmbët, me shpresë se do iu hedhësh ndonjë kockë.
Pa folur për ish-spiunë dhe ish-hajdutë të markës Frrokër dhe Farinjë, individët e mësipërm dhe disa “personalitete” të opozitës kanë qenë dhe mbeten tubat e serumit që mbajnë gjallë një regjim që nuk e duan, të paktën, 70 për qind e shqiptarëve.
Opozita shqiptare ka një përgjegjësi shumë të madhe për rikthimin e Sali Berishës në pushtet dhe qëndrimin e tij në fron. Megjithëse me qeverisjen e saj tetëvjeçare solli dy vlera në politikën tonë (ndërrimin e kryetarit të partisë dhe atij të qeverisë, si dhe dorëzimin e pushtetit tek kundërshtari politik paqësisht dhe duke respektuar protokollin e një shteti normal), qeverisja e saj u karakterizua nga shthurja dhe korrupsioni. Sjellja e Fatos Nanos gjatë qeverisjes dhe, sidomos, pas daljes në opozitë, tregoi se kemi pasur të bënim me një personalitet politik të vogël, të shthurur, pa ideale dhe pa integritet moral.
Të huajt
“Drejtësia nuk qëndron në të qenit i paanshëm midis së drejtës dhe të gabuarës, por në zbulimin e së drejtës, përkrahjen e saj, kudo qoftë, kundër të gabuarës” – Theodore Roosevelt
E kam thënë edhe diku tjetër se në mbijetesën politike të Sali Berishës kanë pjesën e tyre edhe disa diplomaci të huaja. Jo vetëm pse e shpëtuan nga burgosja e merituar në vitet 1997-1998, por sepse ndaj popullit shqiptar nuk janë treguar sa e si duhet të çiltër.
E pse duhet të jenë ata sot të tronditur nga vendimi i gjykatës? Ata e njohin shumë mirë se kush është, se çfarë ka bërë dhe çfarë është i gatshëm të bëjë. Ta përcaktosh si “kreun e trukimit të zgjedhjeve” dhe, pastaj, pasi ka vrarë katër njerëz të pafajshëm, ta quash “burrë shteti” dhe bashkëpunëtorin e tij “yll në ngjitje”, kjo s’ka vend ku të rrijë. Të shkruash në raportet e tua diplomatike se popullit shqiptar “i është minuar e drejta për të ndryshuar qeverinë lirisht” dhe të mos iu thuash shqiptarëve se kush është minavënësi, kjo do të thotë se po sakrifikon popullin për qeveritarët e tij. Ta quash zëvendësin e tij (në korrespondencën diplomatike) “jashtëzakonisht të korruptuar” dhe t’i dërgosh telegram duke e quajtur “lider rajonal”, do të thotë të vësh në dyshim besueshmërinë tënde si “mbrojtës i vlerave demokratike”.
Të vësh në të njëjtën pozitë si dhunuesin e zgjedhjeve ashtu edhe të dhunuarin, si vrasësin ashtu edhe të vrarin, si atë që komandon gjykatat (ose që pengon zbatimin e vendimeve gjyqësore) ashtu edhe atë që e pëson nga vendimet e komanduara, dhe pastaj t’iu kërkosh që “të merren vesh”, “të bien në konsensus” etj., do të thotë se ke shkelmuar standardet dhe kriteret, jo vetëm etike, por edhe juridike e diplomatike.
Gjithsesi, edhe diplomacia ndryshon, ashtu si ndryshon jeta. Shpresojmë të ndryshojë për mirë.
Ç’duhet të presim?
Nuk mendoj se Drejtësia ka forca të çlirohet nga pushteti i Sali Berishës. Rrjedhimisht nuk pres që për viktimat e 21 janarit do jepet drejtësi sipas ligjit dhe provave pas disa muajve. Bindjet e mia juridike nuk më lejojnë të jem në një mendje as me organin e akuzës për kualifikimin juridik të veprës penale. Por jam krejtësisht i bindur se të akuzuarit janë po aq të pafajshëm sa ishte Ilir Meta për korrupsion, sa ishte Lulzim Basha (dhe Sali Berisha) për “humbjen” e 230 milion eurove të rrugës Durrës-Kukës, sa ishte i pafajshëm Fatmir Mediu (dhe Sali Berisha) për Gërdecin, sa janë të pafajshëm Berisha e Basha për “Marrëveshjen për Detin”. Megjithëkëtë, duke mos u pajtuar kurrë me gjakmarrjen, familjarëve të viktimave iu sugjeroj të heqin dorë nga çfarëdo ideje për vetëgjyqësi. Kam besim se ndjekja e procedurave ligjore deri në fund do të mund të sjellë një ngushëllim sado të pjesshëm për familjarët e viktimave.
Në njëfarë mënyre, edhe oficerët e Gardës janë viktima. Janë viktima të atij që ka mbi 20 vjet që vjell vrer, që mbjell urrejtje e ndasi dhe që, për interesat e pushtetit të vet, i përplas shqiptarët kundër njëri-tjetrit, deri në vrasje. Po të isha në vend të Andrea Prendit do i kërkoja ndjesë palës së dëmtuar. Ndoshta kurrë në jetën e tij nuk i ka shkuar ndërmend të vrasë ndokënd, por përpjekjet për të krijuar idenë se vrasjet duheshin bërë për të mbrojtur jetën e rrezikuar të kryeministrit janë të papajtueshme me realitetin, që falë teknologjisë e njeh gjithkush, dhe shumë të dëmshme.
Me afrimin e zgjedhjeve po afron edhe rreziku i destabilizimit të vendit. Opozitës, diplomacisë dhe institucioneve ndërkombëtare që janë të përfshira në përpjekjet për një Shqipëri demokratike nuk u lejohet të mendojnë se Sali Berisha nuk do t’i vjedhë zgjedhjet. Tashmë Sali Berisha ka shkuar shumë larg dhe nuk e shkurajon asnjë deklaratë paralajmëruese, qoftë edhe po t’i thuhet hapur nga ndërkombëtarët se po prishi procesin zgjedhor e pret fati i Gadafit. Ai nuk është trim, por e di shumë mirë se, për t’i shpëtuar përballjes me drejtësinë për krimet që ka kryer, ka vetëm një mundësi, të qëndrojë në pushtet. Dhe pushtetin nuk e mban dot pa vjedhur e prishur procesin zgjedhor.
Aktivizimi i Ministrisë së Brendshme dhe vetë ministrit kundër kreut të opozitës nuk lë dyshime se ajo pjesë e shtetit që ka detyrimin ligjor për sigurimin e procesit zgjedhor, do të jetë bashkëpunëtore në tentativat për dhunimin e zgjedhjeve. Përpjekjet e Ministrit të Brendshëm për të kriminalizuar opozitën në përgjithësi dhe kreun e saj, në veçanti, i japin pushtetit aktual tiparet e një junte ushtarake. Është krijuar bindja se në Ministrinë e Brendshme funksionon një bandë që përgatit manipulimin e zgjedhjeve në shkallë vendi. Anëtarëve të kësaj bande dhe të rekrutuarve të tyre në rrethe duhet t’u bëhet e qartë se nuk kanë asnjë shans t’i shpëtojnë burgut, në rastin më të mirë dhe hakmarrjes popullore, në rastin më të keq.
Si qytetar, nuk jam nga ata që opozitën politike e konsideroj “shpëtimtare të kombit” dhe, aq më pak, një konstelacion engjëjsh. Madje, edhe tek ajo ka figura që më ngjallin neveri kur i shoh apo i dëgjoj. Por, opozita aktuale, si çdo opozitë ka të drejtën dhe detyrimin t’i japë fund një regjimi gangsterësh. Jo për ta zëvendësuar atë me një tjetër të ngjashëm. Populli shqiptar nuk pret shenjtëri politike, por pret dhe e meriton një qeverisje më të përkushtuar ndaj interesave të tij, më dinjitoze, të arsyeshme dhe sa më gjithëpërfshirëse. Shkurt, duhet një qeverisje më e qytetëruar. Sharlatanët dhe xhambazët politikë duhet të kalojnë në muze, nëse nuk ka punë me ta ndonjë gardian burgu.
Opozita duhet të dijë se në zgjedhjet e ardhshme nuk do të konkurrojnë alternativat, por opozita e ligjshme me një bandë pushtetarësh të inkriminuar. Në këto kushte, asaj i duhet bashkimi për shkak të moralit politik dhe jo ndarja për shkaqe programore. Në fund të fundit, ky është sistemi kapitalist, pavarësisht nëse në pushtet dominon e majta apo e djathta. Edhe një e majtë në pushtet e ka për detyrë të mbrojë interesat e ligjshme të së djathtës. Nëse koalicionin qeveritar e bashkoi hajnia, opozita duhet të bashkohet për arsye dhe synime diametralisht të kundërta.
Ke shume te drejte, i nderuar Viktor. Ne jemi ne shume te rrezikuar.
Djallezori Sali po e gjen alibine qe do justifikoje destabilizimin. Vjedhjen e votave dhe pasojen e saj, destabilizimin e vendit, do ta justifikoje me nderhyrjen amerikane. Po e degjoja fjalen e tij ne Parlament dhe me kujtoi vitin 1996, pastaj Blerimin qe akuzonte Cia-an. Alibia eshte: Nuk i vodha une votat, por amerikaneve nuk u pelqente mbrojtja e intervesave te shqiptareve, nuk donin te bashkoja kombin, prandaj e destabilizuan vendin.
Shpresoj qe sidomos Edi Rama, Kreshnik Spahiu, Bamir Topi si dhe udheheqesit e partive te tjera opozitare ta kene lexuar dhe kuptuar paragrafin e fundit te kesaj analize te shkelqyer. Mos t’i genjeje mendja se do t’i fitojne zgjedhjet te vetem! Nuk do te kene perballe nje pale kundershtare, por nje bande kriminelesh qe do te luftojne deri ne vdekje per te vjedhur zgjedhjet! Te vetmuar, Fashisti do t’i haje te tere nje nga nje, te mos kene iluzione!
Faleminderit z. Malaj! Qartesia juaj eshte “e tmerrshme”.
Shkrim bombe! Nje bravo te madhe autorit te nderuar. Gjuhe e paster dhe logjike e ndershme. Te ishte pa emer do mendoja se shkruante Profesor Qosja.
Ka detyra per te gjithe ne kete shkrim. Opozita duhet patjeter te bashkohet kurse ne populli te bejme syte kater ne qershor! Respekte z. Malaj.