Bashkitë kanë rritur më tej varësinë ndaj të ardhurave që burojnë nga sektori i ndërtimit, nëpërmjet të ardhurave që vilen nga Taksa e Ndikimit në Infrastrukturë (TNI).
Në vitin 2020 të ardhurat nga kjo taksë përfaqësuan rreth 52.2% ndaj totalit të të ardhurave nga taksat vendore me rreth 8 miliardë lekë analizoi Co-PLAN, instituti për Zhvillimin e Habitatit në kuadër të raportit për zhvillimin e financave vendore në vitin 2020.
Raporti vuri në dukje se, të ardhurat nga sektori i ndërtimit në buxhetin e bashkive kanë ardhur në rritje teksa indeksi i besimit në bizneset e ndërtimit ka ardhur me rënie. Të dy treguesit paraqiten në dy grafikët bashkëngjitur tregojnë se zhvillimet në sektor kanë qenë më pozitive se pritshmëritë e ndërtuesve.
Ndonëse deri në vitin 2017 treguesi i Treguesi i Besimit në Ndërtim (TBN) dhe i të ardhurave nga (TNI) në total paraqesin korrelacion të mirë ndërmjet tyre, në vitet në vijim ecuria e tyre është e ndryshme.
Sipas analizës së zhvilluar në raport, kjo diferencë rezulton të përcaktohet nga ecuria e të ardhurave nga TNI në bashkinë Tiranë, veçanërisht pas vitit 2017 dhe rritjes në vijim. Në të kundërt, të ardhurat nga TNI për 60 bashkitë e tjera në vend dhe TBI paraqesin korrelacion në kohë.
Co-Plan analizon se përformanca në të ardhurat prej kësaj takse sugjeron për vijimësi të presioneve zhvillimore matur nga numri i lejeve të ndërtimit, ndonëse ky presion është përqendruar kryesisht në bashkinë Tiranë (rreth 24.2% e totalit të lejeve të dhëna në gjashtëmujorin e parë të vitit 2020).
Ndonëse në terma të të ardhurave të gjeneruara nga TNI dhe nga numri lejeve të ndërtimit të dhëna situata paraqitet dinamike dhe zhvillim të përshpejtuar, në perceptimin e bizneseve të sektorit të ndërtimit, përafruar nga treguesi i besimit në ndërtim (TBN), situata vijon të jetë thellësisht negative (shiko grafikun). Në periudhën në analizë, TBN qëndroi në territor negativ duke sugjeruar për një situatë negative të perceptuar në këtë sektor në fund të vitit 2020.
Në nivel mesatar, të ardhurat nga TNI (nga ndërtimet e reja dhe të ardhurat nga legalizimet) kanë rritur në mënyrë progresive kontributin e tyre në buxhetet vendore.
Në periudhën 2010-2015, të ardhurat nga TNI përfaqësuan mesatarisht rreth 25.6% të të ardhurave totale nga taksat vendore dhe në periudhën 2016-2020 pesha e tyre u rrit në rreth 44.6% të të ardhurave nga taksat vendore. Në fund të vitit 2020, të ardhurat totale nga TNI nga 61 bashkitë përfaqësuan rreth 52.2% të të ardhurave nga taksat vendore.
Për rreth 8% të bashkive ose 5/61 bashki, të ardhurat nga kjo taksë qëndrojnë mbi mesataren kombëtare të raportit TNI/të ardhura nga taksat vendore: bashkitë Himarë (82.6%), Tiranë (64.6%), Malësi e Madhe (59.1%), Kamëz (57.2%) dhe Sarandë (53.2%).
Në bashkinë Vlorë, raporti i të ardhurave nga TNI ndaj taksave kombëtare shënon një nivel pranë mesatares kombëtare. Ndërkohë, në rreth 21% të bashkive ose 13/61 bashki të ardhurat nga kjo taksë përfaqësojnë më pak se 10% të të ardhurave nga taksat vendore duke reflektuar deri diku edhe presione më të ulëta zhvillimi apo mungesë kërkese për zhvillime të reja.
Ndonëse me peshë të madhe në të ardhurat nga taksat vendore, të ardhurat nga TNI nuk realizohen njëtrajtësisht në të gjitha bashkitë.
Rreth 80.4% e të ardhurave nga kjo taksë u mblodh në bashkinë Tiranë dhe diferenca nga 60 bashkitë e tjera në vend. Në vitin 2020, bashkia Tiranë arkëtoi rreth 6.4 miliardë lekë, në rritje me rreth 2.4% në terma vjetorë. Me diferencë të theksuar nga bashkia Tiranë, bashkia Vlorë mblodhi rreth 2.5% të të ardhurave nga TNI për vitin 2020 ndjekur nga bashkitë Durrës (rreth 2.4%) dhe Himarë (rreth 2.0%).
e.sh/Dita
