E enjtja është dita më e bukur e javës. E javës shqiptare e kam fjalën. Më parë e enjtja ka qenë ditë koti. Pothuaj asgjë nga gurra popullore nuk lidhej me të enjten. Asnjë anekdotë nuk kishte për të. Po shyqyr që erdhi demokracia edhe për të enjten. Ajo u bë dita më e zgjedhur për shqiptarët. Të gjithë mendojnë për të enjten, si ta bëjnë më kuptimplotë atë. Deri tani nuk është se kjo bëhej krejt pa sukses. Jooo, e këndshme ishte bërë e enjtja.
Madje, mezi e prisnin të enjten mediat vizive, pasi mjaft të vendosnin fishën tek kamera në sallën e parlamentit dhe gjithë stafi mund të shkonte për pushime. Ajo kamera i formatonte automatikisht të gjitha programet, nga ato informative tek ato argëtuese, madje edhe filmin nightmare të përfshirë. Paketë all-inclusive. Por vetëm kaq ama nuk mjaftonte. Se kjo do të thotë që të ngulesh për divani e të shohësh vetëm TV. Po ne jemi popull dinamik, nuk na pëlqen të rrimë në një vend. Ne duam variacion, lëvizje.
Këtë kuptoi edhe Luli dhe vrau mendjen se si ta rriste larminë e të enjtes. Por me një solucion të shpejtë, ama, se nuk kishte shumë kohë për të pritur. Po vjen sërish qershori dhe nuk para qëllon të jetë muaj fatlum për Lulin. Ndaj duhej nxituar.
Gjellë me të shijshme se protesta nuk ka për demokracinë. Veçse, si demokrat i ri që është, Luli nuk e di se kjo gjellë nuk është edhe aq e lehtë për t’u gatuar. Ajo kërkon një listë të gjatë me përbërës bio dhe pak elemente OMGJ, që pastaj përzihen me zemërimin popullor dhe lihet të nxehet deri në temperaturën e vlimit. Po Luli nuk e di këtë.
Ai mendon se vetëm elementet OMGJ mjaftojnë. Madje, Luli as që e vë në zjarr. Ai preferon ta servirë të ftohtë, ashtu shpejt e shpejt. Mjaft të jetë e enjte. Mjaft të plotësohet e enjtja me dinamizëm popullor.
Tani të gjithë mezi presim. Ah që nuk është e enjte çdo ditë!
Edhe këtë të enjte Luli do të prijë serish protestën me shpresën se këtë herë ajo do të duket më kuptimplotë, nuk do të duket thjesht një xhiro në bulevard. Një konferencë për shtyp, siç e quajti dikush. Na lodhën këta kritizerët. Po çfarë mund të sajohej shpejt e shpejt më mirë se kaq?
Jo se nuk gjenden mbi këtë tokë përbërësit- bio të protestës.
Gjenden, madje të koncentruar. Por Lulit nuk i intereson se çfarë vuan populli, çfarë zhgënjen popullin, çfarë lëndon popullin, çfarë do të gëzonte popullin.
Jo, sepse këto lloj ndjenjash duan kohë të zbulohen e Luli nuk ka kohë. Pastaj, e enjtja vjen shpejt. Në mos kjo e enjte, tjetra.
Mjaft që të mos presim qershorin. E thamë që ai muaj nuk para është i mbarë për të. Se Luli nuk ka asnjë lidhje me Lulin e Vocërr, përveç emrit. Ai nuk ka vuajtur kurrë për gjë. Atij nuk i është dashur kurrë as të zhgënjehet e as të lëndohet. Në asnjë ditë të javës. As të enjten. Ndaj, le ta bëjmë protestën të enjten që njerëzit të mos rrinë thjesht para TV. Le të dalin bashkë me Lulin.
Edhe po nuk u ngjiti kjo kauzë OMGJ, nuk prish punë. Do gjejnë ndonjë gjë më të mirë rrugës. Mjaft që kjo të ndodhë të enjten.
Eh Protesta e Lulit!
E ka një kauzë jo se nuk e ka. Veçse ajo me kujton ëndrrën e Raskolnikovit një natë para kryerjes së krimit, te “Krim dhe ndëshkim” i Dostojevskit.
Raskolnikovi pa në ëndërr sikur ishte fëmijë e, duke ecur me të atin përdore, pa në rrugë një karrocë të mbrehur me një pelë imcake nga ato që të këpusin shpirtin kur i sheh. Në rrugë u shfaqën një turmë njerëzish dhe dikush, që mesa duket ishte pronari i karrocës, u tha të hipnin të gjithë mbi karrocë.
“Po pse kalë për karrocë është ky ore Mikollkë?”- i thanë.
“Hipni ju thashë!”,- tha Mikollka, “Me revan kam për ta bërë të ecë.” dhe mori frerët dhe kamzhikun në dorë. Kërcyen pra të gjithë në karrocë, u bënë nja shtatë a tetë.
U dëgjua “ Ec!”. Pela u tendos, vuri të gjitha forcat, por jo me revan, as me hap nuk eci dot, rrahu tokën me thundra, u përpoq më kot ta tërhiqte nuk mundej;
“Më bëni edhe mua vend vëllezër”,- tha një djalosh i ushqyer që u shkëput nga gjindja.
“Hip! Kush të dojë le të hipë!” – u tha Mikollka-“ të gjithëve u çoj ku të doni!“ ndërsa vazhdonte t’i binte kafshës së gjorë.
“E ku është parë që një pelë e ngordhur si kjo të tërheqë karrocë me ngarkesë?”- shtoi dikush aty. “Do ta ngordhësh fare kafshën e shkretë…”
“S’ka punë njeri! Atë e di unë. Pela ime është ! Ç’të më dojë qejfi bëj. Kush të dojë të hipë. Do ta nis me revan se s’bën!”
Nga të katërt anët dëgjoheshin të qeshura, pela nuk po i duronte dot më goditjet vdekjeprurëse, po i shtrembëroheshin këmbët.
“Ec të çaftë ujku të çaftë, se më turpërove!” ulëriti Mikollka. E hodhi matanë kamzhikun dhe nxori poshtë ndenjëses një litar me nyje të trashë në fund, e ngriti lart dhe e lëshoi mesa fuqi kishte mbi kurrizin e pelës.
“Çfarë bën, do ngordhë fare!”
“Atë e di unë! Pela ime është! Karroca ime është!”
Kafsha e shkretë u lëkund, mezi po e mbanin këmbët, dukej që ishte duke mbaruar. U përpoq edhe njëherë ta tërhiqte, por nuk mundi….Dha shpirt.
“ Vetë e pati fajin. E pse nuk u nis me revan?” tha Mikollka.
Nuk kam faj që Luli më ngjason me Mikollkën dhe kauza e protestës me pelën e pafuqishme që nuk ikte dot me revan.
Se ti po kërkon të marrësh revanin, po pela nuk të ndjek dot. Pse me kaq revan drejt pushtetit? A thua je bërë gati ti vet, e pastaj të gjesh edhe pelën e duhur të karrocës?
Edhe ne këtë pikë një varg kënge më vjen ndër mend. Ç’të bësh, kolosët e letërsisë dhe artit na kanë lënë trashëgimi të vërtetë. Mjaft të dimë ta deshifrojmë.
“Që të ëndërrosh të bëhesh mbret, më parë duhet të jesh burrë!”
“With dreams to be a King, first one should be a Man!”
M’u kujtuan këto vargje të një kënge të famshme të muzikës metal. Edhe për efekt të vijës melodike të fuqishme, është nga ato këngë që të mbetet në mend si lajtmotiv i ditës.
Por a nuk është ky një prej “rregullave” të jetës për të gjithë meshkujt në këtë botë? A mundet dikush të bëhet “mbret” pa treguar më parë se është “burrë”?
Edhe nëse fati e çon dikë në karrigen e pushtetit, a mundet të qëndrojë aty me nder duke prodhuar dinjitet e begati pa jetuar më parë një ditë si burrë? Sigurisht që me “burrë” nuk e kam fjalën për kuptimin fizik të fjalës, por për konotacionin popullor të saj.
Për atë konotacion me të cilin populli thotë “Ai është burrë !”. Madje populli e përdor këtë konotacion edhe për një grua të madhe duke e quajtur “burrnesh”.
Dhe i referohet për këtë edhe një invalidi nëse ai ka treguar forcë shpirtërore, lartësi mendore, zemër të madhe, vullnet të palëkundur për ndryshim, ndershmëri, mbajtje fjale.
Të gjitha këto cilësi që të bëjnë burrë, populli i ka përmbledhur nën një fjalë të vetme : Nder.
Lulzim Basha po përshpejton të enjtet e protestave me një pelë të çalë për kauzë.
Sepse pela e fuqishme nuk shalohet nga një kalorës si Luli.
Pela e fuqishme e protestës kërkon një Burrë me Nder, nga ata që nuk i fshihen ligjit, nga ata që nuk ia falin atdheun të huajit, nga ata që nuk vrasin të pambrojturit, nga ata që nuk u ngulin thikën shokëve, nga ata që nuk e vjedhin e mashtrojnë popullin,nga ata që njohin veten për sovran dhe nuk bëhen hije e sovranit.
Por Lul Basha po nxiton të bëhet “kryeministër” duke kërkuar zgjedhje të parakohshme.
A thua është bërë gati për këtë. A thua është bërë burrë e nuk duron dot më?
Mbase ke të drejtë, Lul. Po duhet të na japësh ca prova me parë.
Filloje nga ca gjyqe të pabëra! Trego që iu rri dot përballë si burrë!
Atëherë po, që mund të jesh bërë burrë. Dhe atëherë po, që mund të shalosh “pelën e betejës” që e con protestën përpara me gjithë ngarkesën.
Por, deri atëherë, do vazhdosh të shohësh zgjuar të njëjtën ëndërr si Mikollka i Dostojevskit.
Deri atëherë do vazhdosh të godasësh një pelë të zgërlaqur që s’të çon dot gjëkundi ty vetëm, pale pastaj me gjithë ne bashkë.

Brilant!
Me teper se kaq z.Metaj.Pela e rraskapitur eshte PD-ja,por ne fakt me kamzhik Pelen e godet Saliu dhe pronar i saj eshte po Saliu.Luli eshte thjesht ndihmes i Karrocierit Sali.Ndonjehere ky i fundit i jep drejtimin e karroces,dhe Luli genjen vehten duke shpresuar se nje dite e gjithe karroca do behet e tija.Por krahasimi mbaron ketu.Drejtimi i PD-se ne fakt eshte shume me teper tragji-komik se kaq.PD-ja duke qene e degjeneruar dhe me maske te cjerre,kerkon te deligjitimoje gjithe politiken Shqiptare.Kerkon te perhape nder Shqiptare idene se Politika eshte e keqja e Shqiperise.Duke kerkuar qe te kaloje ideja se te gjithe jane pak a shume njesoj.Kush me shume e kush me pak.Ne politikanet e Tiranes jemi te gjithe Kriminela.Kete kerkon te percoje PD-ja tek qytetaret Shqiptare.Kush me shume e kush me pak.Harron te thote se Shqiptaret gjithsesi do preferonin ate te keqen me te pakte.PD-ja nuk po ben politike,por anti-politike.Kerkon te barazoje Ramen me Berishen.Dhe nese arrin te propagandoje me sukses dicka te tille,Shqiperia kalon ne kaos qeverises dhe ne humbje te plote te besimit ne te ardhmen e shoqerise Shqiptare.Edi Rama,duhet te jete me i kujdsshem nga c’ka eshte treguar deri ne kete moment.Me duket se ai ende nuk e ka kuptuar se ke ka perballe.PD-ja eshte organizate e strukturuar shume mire ne Institucionet e Drejtesise,Prokurorise,Policise etj etj.Pervec strukturimit dhe organizimit te perpikte qe ka ne Militantet e saj te armatosur per c’do evenimet qe mund te krijohet per veprimtarine e tyre.Personalisht mendoj se Qeveria ende nuk e ka kuptuar se kush i qendron perballe!!!Sulmi ndaj farmacise se babait te Saimir Tahirit nga Mitingashet Kriminele te Tropojes dhe Kuksit duhet te alarmoje qeverine.
Bravo Labi. I ke thene te gjitha dhe bukur. Edhe shkrimi i Ilir Metajt ishte me shume kuptim dhe brilant.
Nje gje ke ngaterruar o Ilir,Luli nuk eshte Mikolka,por pela,qe mundohet te ece(ky te bertase) por zhgenjehet edhe vete dhe nje dite te bukur jo te larget do ta shohe veten te lengoje nga marazi qe nuk arriti nje here te vetme te entusiasmoje ‘turmen”.Bravo Ilir,pena te tilla pershpejtojne proceset e ndryshimit pozitiv te shqiptareve dhe te kombit tone .
Shume klas
Nuk e di ku e shofin brilancen apo klasin e ketij shkrimi disa komentues te egzaltuar ketu, por me duket se protesta ishte e qyteteruar dhe askush nuk gjuajti me gure a me shkopinj, rrjedhimisht edhe nuk u vra njeri si me 21 Janar. Demokracia kete te mire ka, qe edhe pela e Mikollkes ashtu duke ngordhur mund te protestoje. T’ia mohosh te drejten e protestes, apo te tallesh me te, qofte edhe nje pele qe po ngordh (sipas autorit brilant klas) nuk eshte gje tjeter vecse shprehje e hapur e arrogances se atyre qe jane ne pushtet, ose qe i lepijne prapanicen pushtetit.
Ahahaha me shkrive Ilir. Hallall je i madh. Nuk e mbaja mend ate endrren dhe hapa librin e pashe. Me bere mukajet se kisha nja. 10 vjet qe e kisha lexuar. Liber i madh. E bere edhe kombinim me Manowar. Hahaha je i papar. Do te qeras me nje birre te henen ne darke.
Eshte vecanerisht e bukur te lexosh analiza te trajtuara artistikisht dhe me nivel te larte, se na cmenden injorantet, LAJMUESIT, DOSHI hengri dreke…, doshi ngjiti shkallet. doshi u tregua trim , doshi buzeqeshi, doshi ka akoma gjera te tjera sekret etj. etj qe na i merziten ekranet televizive, ne shtepi, markete e supermarke, tek miku e krushku e ku di une se ku tjeter.
Aq sa , nje femij ne nje dyqan i tha mamit: me siguri qe ky doshi kushtoka shume perderisa i behet kaq reklam, cdo dite , cdo nate biles pothuaj cdo ore dhe me intevale pabesish te gjata, prandaj t’i themi babit ta blejme ne.
Scorpionsi Ilir Metaj paska nxjerre hartimin propagandistik te radhes. Kesaj i thone: moralizmi i peles qe terheq karrocen e Mikollke Gjikes, per te qendruar ne temen e zgjedhur nga autori.
ps. cuditerisht censura e njerit prej redaktoreve vazhdon me fshirjen e komenteve te mia. Me sa duket ironia dhe sarkazma jane arme qe duhet te drejtohen vetem kunder nje kahu politik.
shume bukur shkruar Ilir 🙂
Fatkeqesisht, jo te gjithe jane burra :/