Dërguar me Email
Në adresën e redaksisë
Më duhet ta nis me një replikë për një shkrim ku bëhej krahasim Merkel-Kohl me Basha-Berisha. Megjithëse është një shembull pozitiv dërgimi i Kohlit në shtëpi, por nuk ka gjasa të ndodhë në Shqipëri. E para, se jemi vende me nivele të ndryshme zhvillimi e mendësie. Së dyti, kjo dyshja jonë nuk është me dy veta, por me një. Nuk do të çuditesha fare nëse Saliu e dërgon në shtëpi “djalin” e tij shpirtëror. E kundërta është e pamundur. Vetëm “Zoti” në e çoftë dogun në shtëpi. Por edhe ne nuk e lëmë “të pushojë” këtë krijesë të fandaksur duke i prishur qetësinë e ditëve të fundit. Nuk kam të drejtë kritike të medieve, pasi jemi një vend i “lirë”, por të mbushësh një hapësirë televizive me çartallisjet e një personazhi tepër negativ për vendin, të lë një shije të hidhur. Nuk po përmend jehonat e këtyre në gazeta. Natyrisht faqet e tyre duhen mbushur, por pikërisht edhe këta e bëjnë atë këmbëngulës për një protagonizëm krejt të panevojshëm e shumë të dëmshëm në botë-formimin e atyre që e dëgjojnë. Amerika e njeh më mirë se ai njeh vetveten. Ai i druhet asaj si djalli temjanit e megjithatë sulmon ambasadorin e saj. Të jetë i pacenueshëm ky lloj buri llafazan e grindavec? Faktet kanë treguar se po. E këtu qëndron e keqja. Këtu fillon një farë misticizmi që të shkurajon duke menduar se edhe e keqja më e madhe mund të triumfojë. As që e mendoj se ne të tjerët jemi engjëj, ama ky dogu ynë kalon çdo parashikim. Mbetet vetëm shpresa se do të heqë vullnetarisht dorë e të kthehet në hullitë e njeriut e jo të demonit. E pabesueshme që kjo të ndodhe, po a ka mënyrë tjetër? Profeti