Lulishtja e spitalit prishet për zgjerimin e parkingut

anazapta

Uzurpimi i hapësirave publike nga ndër timet pa leje, pas pedagogëve nxjerr në protestë edhe personelin mjekësor të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë tereza”. Prerja e pemëve dhe gërmimet e bëra para shërbimit të hemofilisë, me qëllim zgjerimin e parkimit nga firma që ka fituar koncesionin ka nxitur zemërimin e mjekëve të katër shërbimeve për të ndërprerë punën në shenjë proteste. Bluzat e bardha u kërkuan strukturave përgjegjëse që të ndërhyjnë për të ndalur këtë masakër, e cila është shndërruar në një makth.

Prerja e pemëve për zgjerimin e parkimit ka revoltuar stafin mjekësor të shërbimit të kirurgjisë dhe radiologjisë, të cilët kanë paralajmëruar edhe masa të tjera drastike nëse lulishtja nuk rikthehet në gjendjen e mëparshme, për t’u shërbyer pacientëve dhe mjekëve të kësaj qendre spitalore. duke paralajmëruar përshkallëzimin e mëtejshëm të protestës, shefi i shërbimit të Urologjisë Mustafa Xhani ka deklaruar gjatë protestës se nëse ky skandal nuk do të marrë zgjidhje, do të veprohet me bojkotimin e operacioneve të planifikuara, si dhe ndërprerjen e procesit mësimor nga Fakulteti i Mjekësisë, gjatë nisjes së vitit të ri akademik 2013-2014. Masa këto që janë mbështetur edhe nga mjekët e shërbimeve të tjera.

 

QSUT ka më shumë   lokale se klinika

Sipas tyre ky është një tjetër skandal që po vë në gjendje të vështirë qendrën spitalore, e cila gjatë viteve të fundit është vënë përballë problemeve të shumta si rrjedhojë e vendimeve të marra për qëllime përfitimi në kurriz të pacientëve. Madje vetë mjekët pohojnë se janë të mjaftueshme alternativat për ndërtimin e parkingut duke mohuar kategorikisht prishjen e atij pak gjelbërimi që ka mbetur në QSUT. Hapësirë, e cila vite më parë ka qenë e konsiderueshme, por që në pak kohë u mbush nga lokalet e njëpasnjëshme, të cilat në mënyrë të çuditshme janë pajisur me leje ndërtimi. Ndonëse e cilësojnë skandaloze, mjekët vënë në dukje të vërtetën e hidhur se kjo qendër spitalore ka më shumë lokale se sa klinika. Kirurgu Arben Gjata është njëri nga mjekët që i është bashkuar kësaj proteste. arsyeja, thotë ai është e thjeshtë: “Më mire të prishet një lokal për parkim sesa të hiqen edhe ato pak hapësira të gjelbra që ka QSUt-ja”. Personeli mjekësor vë në dukje se lulishtja i është dhënë një kompanie koncensionare, e cila do të zgjerojë hapësirën e parkingut duke prerë pemët.

“Kërkojmë që t’i thuhet stop masakrës që po bëhet mbi këto ambiente të gjelbëruara. Ky park është 100 vjeçar. Është një firmë që e ka marrë me koncesion parkimin në spital, të paktën kështu mësuam pranë drejtorisë së spitalit. Sigurisht që ne nuk kemi asnjë kundërshtim që të rregullohet situata, madje ne përkrahim një ide të tillë, pasi qarkullimi në spital është bërë një makth i vërtetë që duhet të përmirësohet. Por, jo në kurriz të sipërfaqeve të gjelbëruara. Unë kam njoftuar edhe ministrin Halim Kosova, kam biseduar edhe me drejtorin e spitalit, i cili nuk ishte dakord me vijimin e punimeve. Sipas tij,leja ishte dhënë nga drejtoria e mëparshme. Bëj thirrje që të ndalen punimet në emër të gjithë këtyre bluzave të bardha, që gjithë ditës i kanë sytë dhe duart me gjak, kur dalin në dritare të mund të shohin gjelbërim për të larguar stresin dhe jo zhurmë nga makinat.

Ju sugjeroj që parkimi të bëhet tek drejtoria e vjetër, e cila është bosh fare. Ne do të protestojmë me mënyrat tona paqësore deri në ndërprerjen e operacioneve të planifikuara, si dhe të procesit mësimor, kur të nis viti i ri akademik. Fati ynë i keq është që komuniteti mjekësor është jashtëzakonisht i përçarë, pra me kontradikta mes tyre, e sigurisht nga këto situate përfitojnë grupe të caktuara, të cilat na vënë përballë problematikave të tilla. I bej thirrje firmës që të reflektojë në këtë që është bërë për të mirën e përgjithshme dhe të personelit”, deklaroi gjatë protestës Mustafa Xhani.

 

Reagimi i drejtorisë për ndërprerjen e punimeve

Nëpërmjet një komunikimi për mediet, drejtoria bënë të ditur se janë pezulluar punimet e firmës e cila po kryen investime në pjesën e parkimit dhe menaxhimit të trafikut. Drejtoria sqaron se firma kontraktuese ka fituar tenderin nga Ministria e Ekonomisë që në nëntor të 2012-s, dhe kontrata është firmosur në mars të 2013. Përballë kësaj situate, burimet zyrtare të drejtorisë konfirmojnë gjithashtu se është ngritur një grup i përbashkët pune për gjetjen e një zgjidhje. ”Punimet aktuale konsistonin në krijimin e vendparkimeve për personelin shëndetësor, por kjo është kundërshtuar nga shefat e shërbimeve të kirurgjisë dhe personeli i këtyre reparteve. Aktualisht, drejtoria spitalore ka ngritur një grup punë i cili po punon për gjetjen e zgjidhjes së përbashkët.

Ndërkohë sa i përket ambienteve të tjera gjatë këtyre 5 muajve të fundit nga ana e drejtorisë së QSUt-së nuk është dhënë asnjë kontratë për shfrytëzim të ambienteve të brendshme,bëjnë me dije burimet zyrtare të QSUT-së.

Share This Article
5 Comments
  • Un jam doktor vete, por me duket pak groteske te kercnosh se do hidhesh ne greve per prerjen e ca pemeve, nderkohe qe ne QSUT nuk ka as sapune per te lare duart, as ilace, pambuk, shiringa.

    • Zonja Klodi! Ju mund te keni te drejte ne arsyetimin tuaj dhe ne faktin mbi te cilin e beni arsyetimin, por une do thosha se ata mjeket edhe kur i pashe ne kronikat televizive me krijuan pershtypjen se mezi e kishin pritur fundin e qeverisjes se Sali Berishes per te treguar se e kane fituar te drejten te protestojne.
      Keta burra dhe gra te spitaleve tona nuk kane protestuar kurre per gjendjen e mjerueshme ku i katandisi korrupsioni spitalet, per jetet qe shuhen per mungese sherbimi mjeksor, per poshtrimet qe u bente Saliu duke u vene perpara peticione kunder opozites, te cilat ata i firmosnin me nje fryme etj. etj. Pra shkaku nuk ishin pemet, ato ishin vetem preteksti per te provuar shijen e lirise.
      Pas heqjes se zgjedhes se Sali Berishes kemi per te pare shpesh protesta, madje nuk duhet te cuditem edhe nese shohim artistet e TOB-it te protestojne per ato qe ata dhe udheheqesi i tyre z. Zhani Ciko nuk kane guxuar t’i kerkonin nga qeveria e Saliut qe vetem i perdorte. Shumekujt ka per t’i dale lepuri nga barku. Nga clirimi prej frikes shoqeria s’ka te keqe, perkundrazi.

  • Eshte skandaloze te presesh nje peme e cila na ndihmon shendetin per te mos pasur pune me spitalin dhe aty te vendosesh automjetet te cilat i bejne dam shendetit te njeriut.Duhet te deklarohet emri i firmes si dhe pronari i saj,e ti hiqet e drejta per tu marre me sherbime ndaj publikut,pasi shume persona paraja ia ka bllokuar shikimin e mendimin.Keta tipa me parate e taksapaguesve jane te gatshem te shkaterojne cdo gje vetem per ti dhe rrushfet sa me te madh,atyreve qe i kane dhene lejen per tu kujdesur per lulishten e ketij spitali.

  • po do te shihni pas ca javesh kur te jepet leje per pallat. Se lokale nd ambientet e pavioneve nuk jane me risi, me i fundit eshte hapur nd ambientet e kardiokirurgjise, madje me 3 kate plus verande. Ky eshte modeli i drejtimit te spitalit nga mond rrusherat…snese drejtor do jete mjek, nuk mund te jete i papergjegjshem…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *