Lulzim Vulashi, furrtari zemërgjerë

redaktor

Një grua hyn në dyqan buke, pa e ditur që ndiqet që kur doli nga banka nga dy persona që duan ta vjedhin. Këta i fusin duart në çantë e i marrin 650 eurot e sapo tërhequra. I zoti i furrës, që gjithçka e sheh edhe të regjistruar nga telekamera e mbikëqyrjes së lokalit, i çon videon forcave të rendit, pastaj e boton në Facebook, e më pas ndërmerr një “fushatë” për të ndihmuar klienten e tij, duke i mbledhur paratë që iu vodhën. Brenda pak ditësh, falë altruizmit të tij, gatishmërisë, zemërgjerësisë së tij e të klientëve, shuma e mbledhur duhet ta ketë kaluar, e jo pak, atë që zonjës iu hoq padrejtësisht.

Nuk është një përrallë me fund të lumtur, por diçka që ndodhi ditët e shkuara në Firence, në furrën e bukës “Pane, Amore e Fantasia” të Lulzim Vulashit, zemërbardhi 36-vjeçar shqiptar, për të cilin është folur edhe vitin e shkuar. Për nismat e tij në ndihmë të banorëve të qytetit, në pranverë për bukën falas për nënat e reja e në vjeshtë për “zemrën” (panine, pica, ëmbëlsira të ndryshme) falas fëmijëve që ktheheshin në bankat e shkollës.

Më në hollësi ajo ç’ka ngjarë është kjo. Të hënën e 31 gushtit, në furrën “Pane, Amore e Fantasia”, mes klientëve të ndryshëm, hyn edhe një zonjë e moshuar, lë mënjanë çantën me rrota të pazarit dhe pret radhën. Nuk e di që prej bankës, ku ka tërhequr ca para, e ndjekin dy persona që hyjnë në dyqan pas saj, e me shkathtësi njëri prej tyre i fut duart në çantë, i merr paratë dhe largohet nga furra. Gruaja e kupton menjëherë çfarë ndodhi, por nuk arrin të bëjë asgjë veçse të shqetësohet e të mërzitet pa masë.

“E shkreta, sa nuk i ra të fikët – tregon Lulzim Vulashi për Shqiptariiitalise.com – U munduam menjëherë të qetësonim gruan, pasi hajdutët u zhdukën e nuk mundëm të rekuperonim atë që iu vodh”.

Luli tregon që të moshuarën e njeh, është mes klientëve të tij të zakonshme dhe iu dhimbs shumë kur gruaja i tregoi që i kishin marrë 650 euro, që sapo kish tërhequr për të paguar disa fatura. “Mos u bëni në merak, sillini faturat e jua paguajmë ne”, i thotë menjëherë por zonja nuk pranon dhe pasi e merr pak veten, ikën në shtëpi.

00000luli-collettaPor Luli, nuk “i vë kapak” me kaq kësaj historie. Nxjerr regjistrimin e telekamerës së kontrollit që ka në lokalin e tij, të mërkurën ua jep karabinierëve dhe, me miratimin e tyre, po atë ditë, e publikon atë në faqen Facebook duke u kërkuar miqve e të njohurve ta shpërndajnë sa më shumë, me shpresën mos ndokush njeh hajdutët e ndihmon forcat e rendit për t’i kapur. “Maskarenjtë! Uroj me gjithë zemër që dikush t’i njohë e t’i denoncojë” – tregon Lulzimi.

Nuk mjaftohet as me kaq. Disa ditë më pas me idenë që të ndihmojë konkretisht të moshuarën, mendon të ndërmarrë një fushatë për të mbledhur shumën që iu vodh të gruas. Merr pëlqimin e saj dhe vë mbi banak një kuti me një shënim me të cilin fton klientët e tij të japin një kontribut konkret.

“Është për t’u habitur se me sa zemërgjerësi iu përgjigjën klientët apelit. Që atë ditë në darkë u mblodhën rreth 400 euro, – tregon Lulzim Vulashi – Të gjithë kanë hedhur nga 5 euro e lart”.

Shumë të tjerë, që nuk jetojnë në Firence, por mësojnë nga Facebook për mbledhjen e parave, duan të dinë se si mund të japin kontributin e tyre. “I falenderoj të gjithë, por nuk është e nevojshme. Besoj se deri tani shuma e mbledhur duhet të ketë kaluar 1.000 euro”.

Edhe fotografia e kutisë është e bukur: Brenda paratë, jashtë një listë e gjatë emrash. “Janë të atyre që kanë mbushur kutinë – thotë Luli – Vetëm emra, pa mbiemër. Duam t’i tregojmë zonjës që kjo botë është plot me njerëz specialë si Lorella-t, Marco-t, Stefano-t, Roberta-t, Paolo-t, të gatshëm ta ndihmojnë dikë në vështirësi edhe pa e njohur ndoshta personalisht. Për t’i dhënë asaj kurajë dhe besim te ata që e rrethojnë”.

Edhe kjo nismë e Lulzim Vulashit merr dhenë: Flasin për të jo vetëm mediat lokale të Firences, por edhe ato kombëtare, Rai1, Canale5. Madje redaksia e “Pomeriggio Cinque”, program i prezantuar nga Barbara D’Urso, i ka kërkuar të jetë e pranishme me telekamerat e saj për emisionin e gazetares.

E kur Lulit i thua “Të lumtë!” për nismën, të përgjigjet si gjithmonë, shkurt e me modesti: “Faleminderit, por mendoj se do ta kishte bërë kushdo”.

Share This Article
1 Comment
  • Per keto njerez duhet folur me shume qe te tjeret ta marrin si shembull dhe jo per kalin e shkelzenit dhe fustanet e armines

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *