Në fillimin e viteve 60- të të shekullit të kaluar At Zef Plumi ka shërbyer si famulltar në kishën e Nikajve. Ishte aq i respektuar saqë edhe disa shtëpi muslimane çdo të diel shkonin në kishë për t’u rrëfyer te At Zefi.
Ka mbetur si gojëdhënë, një bisedë e At Zefit me kryetarin e këshillit të fshatit. Në një dasëm, ku ishte i pranishëm edhe At Zefi, një besimtar i thotë atij se dëshiron të rrëfehet. Por menjëherë ndërhyn kryetari i këshillit, bashkëfshatar rreth të dyzetave dhe i thotë se të rrëfyerit nuk është burrëri e as punë me mend.
At Zefi, me vetulla të vrënta, i kthehet kryetarit të këshillit: Mos o Mhill, he të faltë Zoti çka fole, se po flet si me kenë pi hardalli. Ti Mhill nga e ke marrë emnin? E ke marrë nga Shën Mhilli. Çdo emën ka një prejardhje e çdo prejardhje ka një histori e çdo histori ka një të kalueme që duhet mësue ne dhe brezat e ardhshëm. Lum ai që rrnon me shpirtin e tij, – mbylli bisedën At Zef Pllumi.
Lexuesi me të drejtë do pyesi se ç’lidhje ka ky episod me ditët e sotme… Unë e lidh me zgjedhjet e 23 qershorit. Ishim mësuar të shkonim në radhë për të kaluar në doganën e një vendi europian, për të blerë bukë e ushqime, librat dhe fletoret e fëmijëve, për të legalizuar dokumente të ndryshme në institucionet shtetërore, por rrallë kishte qëlluar të rrinim me orë në radhë për votuar, madje edhe të moshuar rrinin në radhë mbështetur mbi bastun. Kam dëgjuar njerëz që shreheshin se do qëndrojmë deri në mëngjes po qe nevoja. Ndaj sa e sa here më është kujtuar gjatë këtyre muajve postzgjedhje, thënia e artë e At Zefit: “Lum ai që rron me shpirtin e tij”.
