Letër e nënshkruar në DITA!
E dashur Dita! Më lejo të jap një përshëndetje komunikatave direkte mbi zotërinjtë Berisha, Basha, Paloka dhe për t’iu përgjigjur thirrjeve të tyre. Faleminderit miq për zbulimin e veprimtarisë “mafioze” të mafiozëve të shumicës kuvendore në ndarjen territoriale të vendit. Punë titanike, i dolët të keqes para. A shtruat trupin mbi letra, harta, qytete e fshatra, zbuluat masakrën e madhe, planet ogurzeza? Medet, po të mos ishit ju, kush do të na mbronte ne të gjorëve?!
Larg qoftë! Sikur të kishit marrë pjesë vërtet në atë komision të fëlliqur, kush jashtë komisionit do i kishte zbuluar të gjitha këto? Medet, do kishte pllakosur heshtja gjithkund! Njerëzit s’do qeshnin me diellin në plazhe. Dashuritë, puthjet do rrinin shpinë më shpinë me njëri-tjetrin. Medet! Vërtet, sikur të ndodhte e padëshiruara, pjesëmarrja juaj në komision të eliminonte diskriminimin krahinor në ndarjen administrative, kush do bërtiste për diskriminimin deri në kupë të qiellit? Po sikur të ndalonte dhe atë që konstatonit ju, përplasjen e madhe? Medet, si mund të rrinë komandantët pa mobilizim ushtarak? Përplasja, si do ndodhë? Nga do fillojë? Së pari nga jugu apo nga veriu? Përvojë kemi me bollëk. Më parë, a do armatosim militantët si në ’96-ën? Po mercenarëve, për t’i hedhur kundra Lushnjës, Fierit, Beratit, Vlorës, si t’ju themi: sulmoi greku, si atëherë, apo Amerika? Largpamësia juaj të lë pa frymë. Lumë si ne që ju kemi! Por kujdes, kujdes: që atëherë qenë dritëzuar ca hitlera. E tani ka rënë e gjithë boja. Më besoni, ka mbetur vetëm një copë llamarinë e ndryshkur. Vërtetë, sikur të kishit marrë pjesë në atë komision të fëlliqur, se mendje i thonë… Po, po, të ngrihemi të pushtojmë sheshe e maja. Po nga ju, kë të qajmë më parë?
Me respekt, Has Halili.