Lumi Vjosa, “Diga apo lumë i Egër”        

Ornela

Intervistë me Kujtim Bektash Çela   

Intervistoi: Ing. Frano Koka, Virxhinia  USA

  

Zoti Kujtim, ju jeni një ndër projektuesit më të vjetër në Shqipërinë tonë, me një veprimtari të gjerë jo vetëm në fushën e projektimeve, por dhe një studjues me botime si  manuale të aplikueshme, libra dhe studime shkencore të vlerësuar dhe jashtë vendit. Do të donim një vlerësim tuajin në lidhje me debatin që është bërë në lidhje me Lumin Vjosa, ku mendimet janë të ndryshme: “Diga ose lumë i egër”.

Si në çdo disiplinë shkencore përgjigjet për këtë rast e cila është i një rëndësie të veçantë për vendin tone duhet të jepen nga një analizë e thellë shkencore për çdo variant. Para se të flasim për digat po trajtojmë në mënyrë të shkurtër rëndësinë e lumenjve ku mbi to ndërtohen digat. Lumenjtë janë një nga dhuratat më të çmuara të një vendi. Shumë qytete dhe qendra të banuara janë të ndërtuara anës lumenjve ose në afërsi të tyre, ku jeta e banorëve, mirëqenia, zhvillimi është i lidhur me lumenjtë. Kështu njerëzit kanë, gjithashtu, nevojë për lumenjtë. Lumenjtë mund të transportojnë, të vaditin kulturat bujqësore, mund të mbushin tubacionet e ujësjellsave, të vënë në lëvizje turbinat për prodhimin e energjisë elektrike, shfrytëzohen për inerte për ndërtim, si dhe të furnizojnë fabrikat me ujë. Lumenjtë janë burim frymëzimi dhe çlodhje për njeriun. Ne kënaqemi kur lahemi, kur peshkojmë dhe lundrojmë në lumenj. Shumë lumenj janë ndërprerë tashmë me diga për energjetikë, prirje kjo gjithnjë në rritje, për më tepër e quajtur si zgjidhja e artë për të mbështetur zhvillimin e sotëm. Digat janë quajtur me një përkufizim të lumtur “ikona të përparimit”. Si të tilla ne duam t’i konsiderojmë ato dhe t’i përdorim ato si një shembull i një realiteti, i një zhvillimi të projektuar nga elitat inxhinierike, ekonomike dhe tregtare të vendit. Pyetja themelore që duhet të shtrojmë vetë është nëse teknologjia domosdoshmërisht çon në përparim. Kjo kërkon studime të grupeve specialistësh të shumë disiplinave shkencore pa anashkaluar problematiken e peisazhit. Ndërtimi i një dige në mënyrë të pashmangshme përfshin një ndikim të caktuar mjedisor që, në rastet më serioze, mund të shqetësojë një ekosistem. Pra në mënyrë të përmbledhur, lumenjtë dhe digat e ndërtuara në to jane burimet më të fuqishme të një vendi për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e popullsisë. Rëndësia e digave nuk është vetëm në përsosmërinë inxhinierike dhe ndërtimore të arritur për të realizuar projekte komplekse dhe ambicioze, por mbi të gjitha në aftësinë e tyre për të krijuar energji “të pastër”, të bollshme dhe ekonomike, të lindur nga një burim i rinovueshëm si uji.

Aktualisht – sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (një organ që është pjesë e OECD) – hidrocentrali është teknologjia më e përhapur në botë në prodhimin e energjisë nga burime të rinovueshme. Energjia hidrocentrale e instaluar në Planet është e barabartë me 1.000 GW, e barabartë me energjinë elektrike totale evropiane nga të gjitha burimet. Dhe në pesë vitet e fundit, ato janë instaluar çdo vit, kryesisht në kontinente të tilla si Afrika dhe Amerika Latine – 30 GË në vit. Një zhvillim i shkëlqyeshëm që nuk duket i destinuar të ndalet, sepse agjencia tregon se nga tani deri në vitin 2050 hidrocentrali  do të dyfishojë kontributin e tij për sa i përket energjisë së instaluar, duke shmangur kështu 3 miliardë ton emetime vjetore të dioksidit të karbonit, që vijnë nga burimet fosile. Faza e planifikimit të një dige është e lidhur me konsideratat politike, ekonomike dhe kulturore. Elementët kryesore janë: zgjedhja nga qeveritë e një modeli zhvillimi bazuar në praninë e burimeve të energjisë, që në përgjithësi nënkupton dhe zgjedhjet e agjencive të financimit. Digat jane një sfidë për njeriun drejt natyrës, është një ndërtim i ngritur mbi fuqinë e një lumi. Një digë që ndryshon rrjedhën e ujërave, rishkruan morfologjinë e territorit dhe shndërron një burim natyror në një pasuri të çmuar për zhvillimin e vendit (që pa e egzagjeruar  mund të themi janë minera ari për një vend), si për bujqësinë ashtu edhe për furnizimin me energji, krijimin e një mikroklime duke bërë verën më të freskët dhe dimrin më të butë.

Tani të vijmë te rasti konkret për digat në lumin Vjosë (por vlen dhe për lumin Drini i Zi). Sipas informacionit që unë disponoj mendohet që në lumin Vjosa të ndërtohen 8 diga. Unë vlerësoj se duke parë zhvillimet e fundit teknologjike në botë në lumin Vjosa mund të ndërtohen më shumë se 8 diga. Me teknologjinë e re digat bëhen më të vogla dhe më të shpeshta, me rezervuar uji më të vegjël, me volume ndërtimi të digave më të vogla, përmbytje më të vogla nga baseni i liqenit, gjithashtu  kanë kosto ndërtimi më të vogla dhe  vihen në shfrytëzim në një kohë të shkurtër. Gjithashtu ndikimi mjedisor është minimal dhe me një projekt të hartuar me përgjegjësi dhe emocion digat dhe liqenet që rezultojnë nga këto diga të vogla, harmonizohen mirë me mjedisin, bëhen miqësor dhe rrisin vlerat e njëri- tjetrit. Duhet të përmendim që Hidrocentralet janë objektet më fitimprurëse se çdo lloj investimi. Në këto objekte lënda e është uji, dhuratë e natyrës, dhe kosto operative dhe e mirëmbajtjes për prodhimin e energjisë është shumë e vogël në krahasimin me fitimin e madh nga prodhimi i energjisë. Duhet të përmendim se me ndërtimin e digave disiplinohet lumi nga dëmtimet në zonën fushore të Fierit dhe Vlorës. Siguroht sasia e nevojshme e ujit për vaditje si për rrjetin ekzistues të vaditjes, por ajo që është më e rëndësishme, nëpërmjet ujit të këtyre digave përgjatë lumit krijohet një mundësi e artë për zgjerimin e sipërfaqeve të vaditura të tokave dhe kodrave, ullishteve, pa nevojën e ngritjes mekanike  nëpërmjet  stacioneve të pompave të cilat kanë një kosto të lartë për arsye të përdorimit të energjisë elektrike. Me ndërtimin e digave në lumin Vjosa në të ardhmen krijohet mundësia për të furnizuar me ujë të pijshëm (natyrisht nëpërmjet impjanteve të pastrimit) të gjithë zonës turistike bregdetare të Vlorës, Fierit dhe Lushnjës ku zhvillimi i turizmit (si burimi kryesor i vendit tonë për zhvillim) sapo ka filluar. Gjithashtu  nëpërmjet  krijimit të baseneve ujore të krijuar nga ndërtimi i digave do të zhvillohet dhe industria e peshkimit.

 

Si e shikoni mundësinë e ndërtimi të këtyrë hidrocentraleve nga  mundësia e burimeve  financiare të vendit tonë?

Ajo që unë vlerësoj si shumë të rëndësishme është se këto vepra (si në Vjosë dhe në Drinin e Zi) duhet apsolutisht të ndërtohen nga shteti dhe në asnjë rast me koncesion. Fitimi  i madh nga hidrocentralet është real, jo imagjinar dhe fuqizon buxhetin e shtetit, krijon mundësi si për investime, rritjen e pensioneve, zhvillimin e arsimit dhe rrit në mënyrë të pa diskutueshme mirëqenien e popullit. Për kujtesë, sikur të mos ishin ndërtuar hidrocentralet në kaskadën e Drinit, kushdo e imagjinon që ne nuk do të kishim lekë për të blerë energji nga jashtë. Në lidhje me burimet financiare, le të pranojmë se ato mungojnë, por rrugët e zgjidhjes janë të thjeshta. Ky hezitim në investimin e këtyre hidrocentraleve deri më sot ka ardhur nga konceptet dhe projektet dhe teknologjitë e vjetra, të cilat ishin mbështetur në diga të mëdha, me përmbytje dhe shpronësime të mëdha, me kosto shumë të madhe ndërtimi dhe kohë të gjatë për t’u vënë në shfrytëzim. Edhe ndikimi negativ në mjedis do të ishte shumë i madh, ndoshta dhe me zhvendosje të popullsisë nga basenet e ujit që do të formonin këto diga. Me kushtet e reja në kohët moderne që jetojmë, me futjen e teknologjive të reja, nuk del më e nevojshme të ndërtohen diga të larta. Siç përmendem më sipër, digat e vogla dhe të shpeshta, me basene të vogla ujëmbledhëse, kanë kosto të vogël në ndërtim dhe kohë të shkurtër për t’u vënë në shfrytëzim. Por ajo që është kryesore se fitimi nga prodhimi i energjisë është shumë i madh dhe çdo investim që do të bëhej për ndërtimin e këtyre hidrocentraleve, do ta vetëshlyente investimin në një kohë shumë të shkurtër. Në këto kushte edhe sikur shteti të mos ketë mundësitë e domosdoshme për të filluar ndërtimin e këtyre hidrocentraleve nuk mendoj se krijohet shqetësim për ekonominë dhe financat. Në këto raste marrja e kredive me çfarëdo lloj interesi do ja vlente, pasi shlyerja e kredisë bëhet për një kohë të shkurtër. Natyrisht nuk mund të ndërtohen të gjitha digat në të njëjtën kohë.

 

Po në lidhje me shpronësimet që zë liqeni nga ndërtimi i digave çfarë mendimi keni?

E kam përmendur dhe më sipër se futja e të rejave dhe teknologjive të reja krijon mundësinë që lumit ti marret maksimumi i mundshëm i energjisë dhe se digat dhe liqenet do të jenë më të vegjël. Kështu përmbytjet e tokave, pyjeve, livadheve, shtëpive të komuniteteve dhe objektet e infrastrukturës do të jenë shumë më të vogla. Duhet të kemi parsysh që  shpronësimet kur investohet për ndërtimin e këtyre hidrocentraleve e bën shteti, në vlerësimin e shpronsimit unë ruaj mendimin se, një sipërfaqe toke, pylli, livadh, kullotë është i përjetshëm për jetesën, mirëqenien dhe ekzistencën e jetës së banorëve ku i zë liqeni. Kështu çmimi i shpronësimit duhet të rishikohet duke u kompensuar banorëve dëmet që u shkakton liqeni nëpërmjet studimeve dhe llogarive dhe sakta e të kujdesshme për këtë problem.

 

Por në rastin kur ndërtimi i hidrocentraleve jepet me koncesion…

Jam shprehur dhe më sipër, në lumin Vjosa dhe në lumin Drini i Zi nuk duhet të jepen hidrocentrale me koncesion. Por edhe nëse ndonjë hidrocentral duhet të jepet me koncesion, atëherë shpronësimin duhet ta bëjë koncesionari dhe duhet të veprohet siç bëhet kur një investitor ndërton pallate në qytete. Pra pronarët e shtëpive, tokave, pyjeve, livadheve duhet të futen bashkëpronarë në përqindje në ndërtimin e një hidrocentrali, në përqindje me vlerat e pronave që humbasin nga ndërtimi i hidrocentraleve siç bëhet për ndërtimin e pallateve ku pronarët janë bashkëpronarë në përqindje.

 

Jeni shprehur që hidrocentralet në lumin Vjosa dhe Drin i Zi t’i ndërtojë shteti dhe të mos jepen me koncesion, si e justifikoni mendimin tuaj?

Një pyetje shumë e drejtë. Vlerësimi im qëndron në një fakt shumë të thjeshtë. Në periudhat me thatësirë kur niveli i ujit në kaskadën e Drinit bie, shteti është i detyruar të nxjerrë valutë jashtë për të blerë energji elektrike. Mirëpo në të gjitha rastet e tilla shteti ka rishikuar buxhetin dhe më e keqja është se ka ndërprerë investimet e vendit për të përballuar blerjen e energjisë jashtë. Me fjalë të thjeshta është ndërprerë zhvillimi i vendit.

 

Si e vlerësoni mjedisin në ndërtimet e digave?

 

Peisazhi si term, ka qenë subjekt për një sërë disiplinash të gjëra, si arti, historia, gjeografia, ekologjia, politikat, planifikimi dhe projektimi. Megjithëse ka qenë shumë i lidhur me termat fizike të mjedisit, sot termi i peisazhit i referohet shumë më shumë pamjes, pra referimi i mjedisit  vlerësohet me shprehjen peisazh. Duhet të vëme në dukje se dhe ligjislacioni i BE për sa i përket ndikimit mjedisor lejon që metodikat e projektimt të ndryshojnë me vende të ndryshme të BE-së, brenda një limiti të caktuar duke i përshtatur këto metodika në kushtet specifike të çdo vendi. Duhet të sqarojmë që peisazhi është një koncept subjektiv që nuk mund të përcaktohet saktësisht. Ai përfshin një numër të madh elementësh me karakteristika të veçanta si, relievi, bimësia, ndërtimet e ndryshme, rajoni ku ndërtohen digat, rruga, hidrografia, sistemet e ndarjes së tokës sipas veçorive të saj, si dhe çështje që kanë të bëjnë me trashëgiminë kulturore, historike dhe arkeologjike.“Pra  peisazhi është i kompozuar jo vetëm nga ajo që shtrihet para syve tanë por nga ajo që është brenda mendjes sonë” D.W.Meinig (1979). Konventa europiane për peisazhin (landscape) sanksionon se çdo nismë planifikimi, ndërtimi, të marrin për bazë peisazhin. Në asnjë moment nuk duhet të anashkalohet fakti që digat ndërtohen mbi një mjedis dhe në çdo moment ndërtimi i tyre duhet ta ruajë mjedisin dhe të harmonizohen miqësisht midis tyre, duke rritur vlerat e baseneve ujore që krijohen nga ndërtimi i digave dhe për të bërë mjedisin dhe peisazhin më aktrativ dhe çlodhës për komunitetin. Një ndërveprim midis këtyre objekteve dhe peisazhit ku Konventa Europiane për peisazhin në vitin 2000 e përkufizon ate si një “hapësirë” e perceptuar nga njerëzit, ku  karakteri i saj është rezultat i veprimeve dhe ndërveprimeve të faktorëve  natyralë me ato njerëzore. Si ndërtimin e digave dhe peizazhi i përfshirë në një projekt hidroteknik, kërkon njohuri jo vetëm në shkencat ekzakte por dhe njohuri në disiplinat e  shkencave të tjera sidomos të artit. Në këtë raste projekti kërkon një punë emocionuese dhe sfiduese nga ana e projektuesit, për të plotësuar më së miri si anën utilitare ashtu dhe atë estetike, mjedisore. Projektuesi duhet të respektojë tërësinë e elementeve natyrorë, lëvizjen e ujit, kafshët e egra, mjeteve dhe njerëzve, të cilat kontribuojnë në koherencën e një peisazhi.  Projektuesit e digave duhet të përqendrohen në mënyrë të veçantë te vlerat çlodhëse, piktoreske, natyrore, estetike dhe historike. Këto janë ndikime të fuqishme estetike dhe funksionale në projektimin e një vepre hidroteknike. Peisazhi i digave shtrihet përgjatë gjithë gjatësisë së lumit, përfshin të gjithë komponentët natyral dhe huazon elementët e gjerë që ekzistojnë. Nga ana tjetër ndërtimi i digave ndikon në mënyrë të pakët osë në formë agresive mbi mjedisin duke bërë që efektet e saj pozitive të zhduken disi. Dëmtime ekologjike që lidhen me zënien nga liqenet e sipërfaqeve të tokës, livadhit, pyllit, abitanti kryesor i kafshëve të egra si dhe ndërprerjen e rrugëve natyrore ku kalojnë këto kafshë, korridoret e zogjve, amfibëve, zvarranikëve etj., shoqërohen me zhdukjen e një pjese të mirë të këtyre specieve. Nisur nga ky përkufizim që i bëhet peisazhit është tepër e qartë se pavarësisht natyrës, elementi njerëzor zë një vend goxha të rëndësishëm, kjo për vetë faktin se ndikimi që ka njeriu në natyrë dhe mjedis është shumë i madh. Projektet e ndryshme, të gjithë krijohen nga dora e njeriut, pra ai është elementi kryesor në mirëmbajtjen ose prishjen e natyrës. Ndaj ndërveprimet e njeriut me natyrën shihen si themel për të gjithë elementët që e përbëjnë peisazhin. Peisazhi përbëhet nga faktorët fizikë të cilët kanë ndikimin e tyre dhe po ashtu nga element ose karakteristika që caktohen nga faktorët fizikë në bashkëveprim me njeriun. Faktorët kryesorë fizike që ndikojnë në peisazhin janë klima, kushtet hidrogjeologjike etj. Ekosistemet antropogjenike evoluojnë përmes ndërveprimit të vazhdueshëm në mes të proceseve natyrore, kulturore dhe sociale. Ekosistemet natyrore dhe njerëzore janë elementët strukturorë të peisazhit (i quajtur gjithashtu “llojet e Elementëve të peisazhit “) dhe evoluojnë vazhdimisht me kalimin e kohës, sipas derivateve të kondicionuar nga sistemi që ata vetë kanë përcaktuar dhe ndryshimet që ndodhin për shkak të veprimeve të drejtpërdrejta apo indirekte, natyrore dhe të bëra nga njeriu.

 

Tani vijmë te problemi konkret,  Lumi Vjosa -Diga apo lum i ”Egër”?

Janë dy rezoluta të parlamentit Europian të cilat po i citoj më poshtë në bazë të informacionit që unë disponoj. Në prill 2015, PE i kërkon Qeverisë ‘braktisjen e planeve për ndërtimin e HEC-eve përgjatë lumit të Vjosës dhe degëve të tij, sepse këto projekte do të dëmtojnë lumin e fundit të egër në Europë dhe ekosistemet e tij natyrore’. Në 15 Prill 2016, Parlamenti Europian në Rezolutën për vendin tonë i bën thirrje qeverisë shqiptare ‘të kontrollojë zhvillimin e hidrocentraleve në zonat e ndjeshme mjedisore, si në lumin Vjosë, ashtu dhe në zonat e mbrojtura, për të ruajtur integritetin e parqeve kombëtare ekzistuese’. Pavarësisht nga këto rezoluta hartuesit dhe miratuesit e këtyre rezolutave pak ose shumë pak e njohin, rëndësia e çështjeve ekonomike dhe mjedisore të lumit Vjosa për ta ruajtur atë të “Egër”. Po i rëndis problematikat e këtij shqetësimi nëpërmjet fakteve të mëposhtme;

  1. Në gjendjen aktuale të lumit Vjosa vendit dhe komunitetit të banoreve anës këtij lumi i shkaktohen dëme ekonomike dhe psikologjike shumë të mëdha. Le t’i thërrasim kujtesës se  në këto kushte lumi Vjosa çdo vit shkakton përmbytje në zonën e Fierit dhe Vlorës. Këtu nuk kemi vetëm dëmet materiale, psikologjike, por dhe mundin dhe sakrificen e banorëve të kësaj zone për të jetuar. Gjithashtu dhe dëmin që i shkaktohet buxhetit të shtetit për të kompensuar këto dëme. Të mos harrojme që lekët e buxhetit të shtetit dalin nga taksapaguesit shqiptar dhe për të paguar këto dëme duhet të shtrëngojnë rripin shqiptarët.

2.Vitet e fundit anëve të shtratit të lumit Vjosa në kohë inondatash janë gërryer me mijëra hektarë tokë me të cilat është e lidhur ekzistenca dhe jetesa e banorëve të këtyre zonave ku kalon lumi. Dëmet që ka shkaktuar lumi Vjosa dhe vazhdon të shkaktojë janë me pasoja të mëdha për pronarët e tokave.  Megjithë djersën, mundin e hedhur në këto toka agresioni i lumit i ka lënë pa qe ose siç thotë populli, u ka hequr bukën e gojës.

3.Vitet e fundit janë evidentuar rrëshqitje të mëdha në shpatet e lumit Vjosa, ku në shumë  raste janë prekur rrugët automobilistike. Shteti nxjerr vazhimsht fonde për stabilizimin dhe reabilitimin e këtyre dëmtimeve. Duhet të kemi të qartë, vlerat e këtyre riparime kapin shuma të mëdha financare. Pra dhe në këto raste janë taksapaguesit shqiptar që duhet të paguajnë.

4.Edhe parqet e gjelbra të ndërtuar në shumë vite me vlera të paçmuara anëve të qyteteve si Tepelena, Memaliaj, Gjirokastra etj., janë dëmtuar rëndë, janë përgjysmuar dhe për t’i kthyer në gjendjen fillestare (që është një emergjencë) kërkojnë fonde të konsiderueshme.

Këtu jam i detyruar të trajtoj shkurtimisht rëndësine e këtyre parqeve ku mençuria e komuniteteve të kësaj lugine i kanë krijuar, ruajtur, me kontribudin e të gjithë grupmoshave të banorëve, që nga fëmijët, të rriturit dhe pensionistët. Por tani shikojnë me trishtim se si lumi Vjosa me egërsinë e tij po u rrëmben një pronë e një rëndësie të veçantë me këto vlera;

  • Mbrojnë tokën anës tyre ku lumenjtë kalojnë
  • Bëjnë pastrimin e ajrit nëpërmjet fotosintezës, pra thithin gazin karbonik dhe prodhojne oksigjen.
  • Krijojnë një mikro klimë sidomos në periudhën e verës në zonën ku janë ndërtuar këto qytete.
  • Janë abitat i mirë për kafshët.
  • Shërbejnë për çlodhje dhe pushimin e qytetarëve nëpërmjet ndërtimit të rrugicave për këmbësorë dhe biçikleta, terreneve sportive, objekteve të shërbimit etj.
  • I japin vlera peiasazhit të vendit dhe qytetit.
  • Këto  parqe anës lumejeve na bëjnë të ndihemi mirë shpirtërisht, pasi ata i bëjnë thirrje nevojës sonë të lindur që të jemi rreth natyrës. Sjellja në elemente natyrore e ngre gjendjen tonë, duke na bërë më të vëmendshëm dhe optimistë.
  • Studimet kanë treguar gjithashtu se mund të ulin sjelljet negative, si agresioni dhe ankthi. Për më tepër, një lidhje me natyrën është gjetur për të zvogëluar stresin dhe për të tejkaluar  lodhjen mendore.Përveç ndikimeve të drejtpërdrejta shëndetësore, cilësia e përmirësuar e ajrit është provuar për të rritur vigjilencën e njerëzve dhe aftësitë njohëse.
  • Erozioni. Humbja e tokës nga erozioni në Shqipëri mendohet të jetë nga 70 deri 100tonë/ha në vit natyrisht këtu ndikim të madh kanë prerja e pemëve dhe shkurreve.
  • Erozioni i fuqishëm sjell edhe ndryshime cilësore në përbërjen kimike të ujërave. Në përgjithësi të gjithë përbërësit kimikë të ujërave rriten, të cilat shkaktohen nga shpëlarja që i bëhet sipërfaqes së pellgut, sidomos nga shkarkimet e zonave të banuara brenda pellgut ujëmbledhës, duke ulur ndjeshëm cilësinë dhe shkallën e përdorimit të ujërave, duke kërcënuar seriozisht botën e gjallë ujor dhe shëndetin e njeriut.
  • Bashkë me zvogëlimin e mbulesës bimore varfërohet dukshëm larmia bimore dhe shtazore, përfshirë këtu edhe ato që kanë interes ekonomik, si p.sh. bimët mjekësore dhe industrial. Këto janë në mënyrë të përmbledhur vetëm disa dëme që shkakton lumi Vjosa në kushtet aktuale.

Si e shikoni zgjidhjen edhe kërkesën e shumë ambientalistëve dhe Parlamentit Europian për të mbajtur të egër lumin Vjosa

 

Zgjidhja është shumë e thjeshtë. Shteti shqiptar duhet të sigurojë burime financiare (grande)  nga jashtë, në mënyre që lumi Vjosa të qëndrojë i egër. Burimet financiare më të domosdoshme për ta mbajtur lumin Vjosa të egër vlerësohen si më poshtë;

Së pari, për të eleminuar pasojat e dëmtimeve të lumit Vjosa në gjendjen aktuale:

  1. Duhen burime financiare për të paguar çdo vit dëmet nga përmbytjet e lumit Vjosa.
  2. Për shpërnguljen e zonave të banuara në zonën e ulët bregdetare të lumit Vjosa të cilat përmbyten çdo vit.
  3. Për rehabilitimin nga gërryerja e tokave në të dy anët e lumit Vjosa në të gjithë gjatesinë e tij.
  4. Për menaxhimin e ujërave të zeza dhe pastrimin e tyre të të gjitha vendbanimeve dhe qyteteve afër lumit.
  5. Për të bërë pyllëzimin e të gjitha shpateve të pellgut ujëmbajtës të këtij lumi. Rëndësia e pyllit është thelbësore për të zvogeluar inondatat.
  6. Të sigurojnë burime financiare (grande ) për ndërtimin e pritave malore të të gjithë përrenjve që ushqejnë lumin, të cilat sjellin në lumë materiale të ngurta nga gërryerjet e shpateve.

Së dyti, për zhvillimin e turizmit i cili është përfitimi më i madh i yni duke lënë të egër lumin Vjosa kërkon këto burime financiare;

  1. Për të kthyer të gjitha zonat e banimit në të dy anët e këtij lumi në zona turistike si me rehabilitimin e banesave, përshtatjes së tyre dhe për turizëm gjithashtu me ndërtimin e  rrjeteve të nevojshme të infrastrukturës.
  2. Ndërtimi i rrugëve paralele (për turizëm) në të dy anët e lumit Vjosa dhe degëve të tij. Pas realizimit të këtyre çfarë thamë më sipër krijohet dhe mundësia e filmave kinematografikë për të xhiruar filma të periudhës së mesjetes kur lumenjtë ishin të gjithë të egër në Europë.

 

Ju për cilin variant jeni?

Jam shprehur dhe më sipër. Si në çdo disiplinë shkencore përgjigjet për këtë rast i cili  është i një rëndësie të veçantë për vendin tonë duhet të jepen nga një analizë e thellë  shkencore për çdo variant. Vlerësimi më i saktë do të ishte kur të ishin në dispozicion  projektet (qoftë edhe në fazën e projektidesë).

 

Nga kush i kërkoni këto projekte?

Natyrisht këto projekte duhet t’i financojë shtete dhe duhet të bëhen kryesisht nga studio dhe projektues shqiptar.

Pse insistoni që këto projekte të bëhen nga projektues dhe studio shqiptare? 

Për fat të mirë unë i njoh pothuaj të gjithë projektuesit dhe studiot shqiptare. Pa u zgjatur shumë, niveli shkencor dhe profesional i projektuesve tanë është i barabartë me projektuesit e huaj që kanë projektuar këto 30 vite në Shqipëri. Shumë studio dhe projektues shqiptar kanë qenë bashkëautor dhe kanë punuar me firmat projektuese të huaja në Shqipëri. Gjithashtu sot në Shqipëri ka kapacitete të lira projektuese. Pjesa me e madhe e këtyre projektuesve kanë hartuar në vitet e kaluara projekte të ndryshme në këto zona dhe kanë informacione të veçanta dhe specifike për luginen e Vjoses dhe Drinit të Zi, informacione që nuk dokumentohen në manuale dhe libra të botuar ose në arshiva. Janë njohës të mirë të trashëgimisë kulturore, historike, arkeologjike, si dhe të elementëve kulturor dhe historiko-kulturor, ekonomikë, dhe veçorive të traditës, mentalitetit dhe anës psikologjike të komuniteteve. Kanë informacine për fenomene që kanë ndodhur më parë në kohë dhe janë të pa dokumentuara, si dhe njohin mirë nivelin e jetesës, si dhe prirjet dhe ambiciet i këtyre komuniteteve për zhvillim.

Engineering and Applied Sciences ju ka ftuar më shumë se një herë për të punuar në këtë institucion të rëndësishëm në Amerikë, por ju e keni refuzuar. Cila është arsyeja e këtij refuzimi?

I kam sqaruar pse kam refuzuar.

  • Së pari jam shprehur se kam në dorë dy studime me vlera ekonomike të papërfunduara.
  • Së dyti, një fjale e urtë popullore thotë: Guri i rëndë peshon në vendin e vet.

 

Share This Article
1 Comment
  • Intervista ishte mjaft e gjate .
    Nuk e kuptova kush ishte ky ing.Frano Koka qe ju interviston, per ke gazete apo reviste punon,kur eshte bere intervista dhe kujt i sherben?
    E them kete se permenden rezoluta te Parlamentit Europjan te kater- pese vjeteve te shkuara per Qeverine Shqiptare dhe ky ing.shqiptar nga virxhinia…mos valle tani e ka marre vesh?!
    Ky ju drejtohet Ju si projektues i vjeter ,pasi ju njeh; ndersa pyetjet jane (disa) sikur i drejtohet ndo nje perfaqesuesi te qeverise!

    Pyetjes “Ju per cilin variant jeni?”,qe ju ka bere intervistusi afer fundit, mendoj se i jeni pergjigjur mire me dy rreshta.Te tjerave i ke rene …anes.

    Nuk e kuptova ate pyetjen e fundit te intervistuesit lidhur me propozimet qe ju i keni refuzuar!?
    Po te ma kishin bere mua ate propozim, sigurisht do ta pranoja, dhe kjo nuk do te me pengonte te punoja per Shqiperine…. Gjithsesi seicili ben zgjedhjen e tij.

    Une te njoh dhe te respektoj per aftesite e tua si projektues dhe zbatues sidomos ne rruge ,ura dhe studime ne fushat qe ke levruar. Te pergezoj edhe per botimin e fundit mbi “Projektimi i hekurudhave & aeroporteve”, dhe te uroj suksese te tjera. Eshte krenari edhe per ca si puna ime qe te njohim ,por s’para shkruajme.

    Gjithsesi… nuk besoj se Vjosa do te” zbutet”, ne se do te behen nja dy diga njera pas tjetres ne Vjose andej fundi. ( e kam fjalen per ate te Kalivacit , e cila ka filluar por eshte nderprere ,por jo anulluar) si dhe ate te Pocemit.

    Te jesh i sigurt se nuk kam asnje lidhje dhe interes personal lidhur me to, por ndertimi i tyre, vec qellimit kryesor, do te ndikoje pozitivisht edhe ne mosgrryerjen dhe mospermbytjen e zones se poshteme deri ne derdhje te lumit ne det.
    Liqenet (rezervuaret) do te kene funksionin edhe te prerjes se pikut gjate prurjeve te medha,” e ngjajshme me izolimin total nga koronavirusi 19″
    Je mire brenda fushes qe zoteron.Ne kete interviste je jashte fushe…!
    Gjithsesi , respekt per angazhimin tuaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *