Raportuesja e PE-së për Kosovën, Ulrike Lunaçek, ka thënë se për të fituar datën e bisedimeve me BE-në, Serbia duhet të heqë institucionet paralele në veri të Kosovës, raportojnë mediat serbe.
Lunaçek mendon se në raundin e ardhshëm të dialogut politik, ku do të bisedohet për paralelizmin e institucioneve është me rëndësi që strukturat e jurisprudencës dhe ato të sigurisë të vendosen në kuadër të kornizave kosovare dhe në këtë mënyrë të garantojnë sigurinë e popullatës.
“Shpresoj që javën e ardhshme të ecet përpara dhe në këtë mënyrë Serbia mund ta fitojë datën e fillimit të bisedimeve me BE-në”, tha Lunaçek për agjencinë serbe Tanjug dhe si hap pozitiv në këtë drejtim ajo ka përmendur marrëveshjen që paratë nga Serbia të dedikuara për serbët në veri të shkojnë nëpërmjet fondit në Prishtinë.
E pyetur se heqja e strukturave paralele do të thotë reformim i pushtetit komunal në veri të Kosovës, Lunaçek u përgjigj se është e domosdoshme që të mbahen zgjedhjet lokale sipas ligjeve të Kosovës edhe në veri.
Lunaçek ka përsëritur qëndrimin e mëhershëm se Serbia për t’u anëtarësuar në BE duhet ta njohë pavarësinë e Kosovëa, por kjo pyetje nuk shtrohet gjatë këtij viti, as gjatë vitit të ardhshëm. / Kosova.com