Letër e nënshkruar,
Përparim Shullazi
Së pari, duhen dhënë konsiderata dhe përgëzime për punën e mirë të organeve të policisë së shtetit për goditjen e korrupsionit. Modeli i titullares së arsimit në Lushnjë me siguri që nuk është as i pari, as i vetmi dhe as i rastësishëm. Madje do thënë hapur se nga kjo epidemi mund të jenë të përfshirë edhe sektorë të tjerë të punës në administratat e institucioneve shtetërore. Pra vetëm shtetërore dhe jo private, sepse atje ka marrë dhënie të tjera. Nuk mund të ndërhyjë për ryshfete e përfitime askush tjetër. Ndryshe qëndron puna për sa i takon punësimit në shtet ku fenomeni i korruptimit është i pandalshëm. Kush e bën të vështirë këtë gjë? Padyshim vetë drejtuesit e institucioneve që janë vënë jo vetëm me llogari partiake, ndarje tarafesh e pikësynime korruptive, por edhe jashtë çdo kriteri ligjor e parametri social e moral antikorruptiv. Janë pikërisht këto rrethana që kanë krijuar precedentin e burgosjes së drejtoreshës së arsimit në Lushnjë. Por drejtësia mund dhe duhet ta zgjerojë e thellojë kuadrin e goditjeve ndaj të korruptuarve që qëndrojnë në një rang me rastin në fjalë apo edhe më lart. Praktika që ka iniciuar kryeministri për qytetarët që të denoncojnë çdo parregullsi nëpër zyrat e shtetit nëpërmjet internetit, është art i qeverisjes nga njëra anë, por nga ana tjetër edhe bashkëqeverisje me qytetarët.