Lutja…

redaktor

E dashur DITA.

Në Politeknikumin 7 Nëntori (sot, si dikur, Harri Fullc), në vitin e parë flinim nëpër kabanone, pothuajse me 50 vetë me krevate dyshe. Përballë meje, lartë, flinte shoku im i klasës. Fran Arapi. Çdo natë, pasi kujdestari i radhës në orën 10, mbasi bënte kontrollin e fundit se mos mungonte ndonjë, fikte dritën dhe largohej. Frani lutej me një lutje që edhe sot e kësaj dite më vjen ëmbël nëpër vesh. Po e shkruaj ashtu siç unë e dëgjoja: “Shenjtja Mri. Nana e tën zot. Lutu për ne. Mkat nor. Shët e firi e martes sonë… Ashtu kjoft… ” Këtë “shët e firi e martes sonë” kështu e dëgjoja dhe faktikisht kështu më ka mbetur në kujtesë pa e kuptuar asnjëherë se ç’do të thotë kjo pjesë e lutjes. Fillimisht acarohesh me këtë ritual te përnatshëm aq sa edhe gjumin ma trazonte, por, më vonë, çuditërisht, dalëngadalë, kjo lutje e Franit mu bë si ajo nënkreisja e gjumit të ëmbël. Asnjëherë nuk i rashë në sy shokut tim se unë e dëgjoja atë. Dhe ai asnjëherë nuk dha të kuptojë se dinte që unë e dëgjoja, por një nate teksa rrezja e hënës na ndriçonte si dritë nate, sapo ai filloi, befas, instiktivesht bashkë me të fillova edhe unë lutjen… Frani qeshi dhe më shkeli syrin… Që atëherë, mos ju duket aspak çudi apo hipokrizi, unë pjellë e prindërve mysliman, por që nuk besoj dhe nuk i besoj asnjë Perëndie, shpesh, pas një lodhje, pa vetëdije, pëshpëris lutjen: “Shenjtja Mri. Nana e tën zot. Lutu për ne. Mkat nor. Shët e firi e martes sonë… Ashtu kjoft…” I shkel syrin Franit dhe prehem në shplodhjen e ëmbël…

 

Letër e nënshkruar

Astrit Çerma, Aktor

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *