Mesfushori i Përfaqësueses së Kosovës, Hekuran Kryeziu do të vazhdojë karrierën te skuadra e Luzernës.
22-vjeçari ka arritur marrëveshjen për rinovimin e kontratës duke hedhur firmën e bashkëpunimit që do të zgjasë deri në vitin 2018.
Lajmin e bën të ditur klubi zviceran në faqen zyrtare të internetit ku shqiptari flet pas arritjes së akordit.
“Jemi kualifikuar në gjysmëfinalen e Kupës dhe aktualisht mbajmë vendin e katërt në kampionat. Ky është një moment shumë emocionues. Luzerna është shtëpia ime. Kisha oferta të shumta por asnjëra prej tyre nuk i plotësoi pritshmëritë e mija“, shprehet mesfushori i lindur në Zvicër.
Hekuran Kryeziu e nisi karrierën në ekipet e të rinjve të Luzernës në vitin 2004 kur ishte vetëm 11 vjeç.
Pasi kaloi disa vite në sektorin e të rinjve ai u bë pjesë e skuadrës së parë në vitin 2011.
Gjatë sezonit 2014-2015 u huazua te skuadra e Vaduzit, ndërsa numëron 30 ndeshje në skuadrat zinxhir të Zvicrës.
Që prej vitit të shkuar ai është bërë pjesë e Përfaqësueses së Kosovës ku ka luajtur një ndeshje.
