Te Manchester City nuk mund të jenë të kënaqur, 5 pikë larg kreut në klasifikimin e kampionatit, distancë që mund të shkojë në 8 pikë me Chelsean që ka luajtur një ndeshje më pak. Mourinho që si kryesues në kampionat feston si një fëmijë dhe për trofeun e Capital One Cup, ambiciet në Champions të komprometuara pas disfatës në shtëpi me Barcelonën.
Në këtë situatë e ardhmja e Manuel Pellegrinit në stolin e skuadrës është më e rrezikuar se kurrë dhe nëse në fund të sezonit tekniku nga Kili nuk do të ketë fituar asgjë, lamtumira e tij duket e sigurt dhe ëndrra e drejtuesve për ta zëvendësuar, mban emrin e Pep Guardiolës.
Zhgënjimi mbretëron në ambientin e Citizens. Vetë Pellegrini pas disfatës me Liverpool e pranoi se misioni për mbrojtjen e titullit tashmë është seriozisht i komplikuar. Chelsea në këtë mënyrë në kampionat fitoi edhe pa luajtur, ndërsa triumfonte ndaj Tottenham në finalen e Kupës së Ligës. Citizens nuk arritën të ngjiten në klasifikim për të shpresuar në reduktimin e distancës nga kreu. Sezoni është zhgënjyes për Pellegrinin që në fund të tij sipas të gjitha gjasave do të largohet nga stoli i Manchester City.
Emrat për trashëgiminë e tij kanë filluar të qarkullojnë që tani. Së fundmi është përmendur shpesh Diego Simeone, por pronarët e Cityt po monitorojnë me kujdes situatën te Bajerni i Mynihut, me Pep Guardiolën që në fund të viti mund të largohet nga klubi bavarez.
Padyshim që ky është një lajm entuziazmues për tabloidët angleze, në rast se spanjolli do të shkojë në Manchester do të konfigurohet sërish beteja mediatike mes Guardiolës dhe Mourinhos që pak vjet më parë ndezi La Ligën kur të dy trajnerët drejtonin Barcelonën dhe Realin e Madridit.
