Dua t’u sjell rezultatet e një ankete për pyetjen: Në qoftë se do të donit të përmirësonit një aspekt të aftësive të bërjes dashuri të partnerit, cila do të ishte ajo?
-Të bënte seks më shpesh……………………………….22.6 %
-Të bënte seks më rrallë……………………………………1.6%
-Të bënte seks me më shumë konsideratë………………………….6.5%
-Të ishte më aventurier…………………………………………….0.5%
-Të bëjë më shumë zhurmë…………………………12.4%
-Të bëjë më pak zhurmë……………………………… 0.6%
-Ta zgjatë më shumë………………………………… 13.0%
-Të mbarojë më shpejt…………………………………2.4%
-Nuk do të ndryshoja asgjë……………………………17.0%
Siç e shikoni, përgjigjet janë shumë interesante dhe prekin shumë aspekte të marrëdhënies seksuale, ku hyjnë edhe shqetësimet tuaja. Aftësia seksuale e një burri, përgjithësisht, ka të bëjë me moshën e tij, shëndetin që ai gëzon dhe me zakonet që ai ka fituar, pa përmendur edhe plot faktorë të tjerë.
Gjëja, që të gjithë bëni mirë ta dini është: Kur një burrë, i ri ose i moshuar, me shëndet të mirë ose jo, kur arrin të bëjë një ejakulacion (derdhje), ai ka nevojë për një periudhë kohe të caktuar pushimi, dhe vetëm pas kësaj, ai do të arrijë një ereksion dhe ejakulacion të dytë.
Kjo është fiziologjia. Kështu është ndërtuar trupi i burrave. Në arritjen e orgazmës, nga faza kulmore e kënaqësisë, burrat, zbresin menjëherë në fazën e rezolucionit, që është një fazë refraktare, ku burri nuk i përgjigjet asnjë ngacmuesi seksual. Pra, kur burri “mbaron”, ai “mbaron fare”.
Pas kësaj, atij i duhet një periudhë kohe, që ta marrë veten dhe të eksitohet përsëri. Kjo kohë e domosdoshme, nuk zgjat njësoj për të gjithë burrat. Disa e kanë disa orë dhe të tjerë e kanë disa ditë. Kjo është individuale. Kjo është fiziologjia e orgazmës tek burrat dhe kjo është përforcuar në evolucion.
Çiftja duhet të jetë plot
Ju e dini se nga pikëpamja evolucionare seksi është një aktivitet që synon të bëjë pasardhës. Pra supozohet, që pas një ejakulacioni burri derdh të gjitha spermatozoidet (farat) e tij për të fekonduar një vezë. Pra, 500 milion spermatozoide të vegjël sulen për të fekonduar një vezë. Për t’u kryer fekondimin edhe pse duhet vetëm një spermatozoid, në sulm nisen 500 milionë. Kjo bëhet kështu, vetëm, që të sigurohet fekondimi. Natyra, në këtë mënyrë, ka kapërcyer një nga faktorët negativë për ngjizjen, siç është ambienti jo miqësor për spermatozoidet, në rrugët gjenitale të gruas. Shumë “ushtarë” vdesin rrugës, duke notuar kundër rrymës, që të arrijnë “mbretëreshën”.
Për të bërë një fekondim të dytë, burrit, nga ana biologjike i duhen po aq fara të tjera rreth 500 milion. Që këto të prodhohen në testikujt e burrit, duhet kohë. Dhe kjo, është koha që burri nuk i përgjigjet asnjë ngacmimi seksual, por prodhon spermatozoidet, që çiften ta ketë plot kur të qëllojë për herë të dytë. Siç e shikon, kjo mos përgjigje është e justifikuar biologjikisht. Evolucioni i ka bërë gjërat që të jenë të sigurta
Gratë janë ndryshe
Gratë janë ndryshe. Ato nuk kanë nevojë për këtë kohë refraktare, ato mund të arrijnë disa orgazma rresht. Gratë janë poliorgazmike. Nga pikëpamja evolucionare, femra pret çdo mashkull, që është në gjendje ta fekondojë vezën e saj të gatshme.
Pra për ju që më pyesni, kam këtë përgjigje: Gjithçka që ndodh tek burrat, është normale, prandaj mos u shqetësoni për këtë vonesë. Shqetësuese do ishte mungesa e dëshirës në këtë fazë refraktare. Kjo nuk duhet të ndodhë. Është tjetër dëshira dhe tjetër mundësia. Këshilla ime: Mos u ngri menjëherë dhe të shkosh tek televizori, ose mos kthe krahët dhe t’ia marrësh me gjumë. Vazhdoni të qëndroni të përqafuar me njeri-tjetrin dhe përkëdheluni. Kjo është me shumë rëndësi për marrëdhënien. Kjo është qetësia pas stuhisë.
Një temë me shumë gënjeshtarë
Lidhur me atë se ka shumë burra që bëjnë seks disa herë radhazi, kjo mund të ndodhë. Kjo më shpesh ndodh, kur vajza me të cilën kryen marrëdhënie është shumë tërheqëse, kur u ka marrë shumë malli për njeri-tjetrin, se keni qenë larg për shumë kohë, ose partnerja zotëron teknika të mrekullueshme për eksitimin e partnerit.
Por mos harroni edhe këtë: Në fushën e seksit, gënjeshtrat janë nga më të mëdhatë. Gjithkush mundohet t’i zmadhojë sukseset në këtë fushë.
Në seks, mos u tërhiqni shumë nga sasia dhe nga numrat. Shikoni cilësinë. Më mirë një dhe tamam se sa shumë e për lumë. Spanjollët kanë një shprehje të bukur për këtë: Macho nuk do të thotë Mucho.
Dr. Adem Harxhi – Dita
