Macron: Duhet të zhvillojmë një lloj heroizmi politik

DITA Online

Presidenti francez Emmanuel Macron ka folur për Europën, Francën dhe situatën e tanishme në kontinentin e vjetër në një intervistë për revistën gjermane “Spiegel”.

Duke u ndalur në krahasimin mes Gjermanisë dhe Francës, Macron e ka kërkuar dallimin thelbësor te përkatësia fetare.

Sipas tij, gjermanët janë në shumicë protestantë, kurse francezët katolikë dhe kjo sipas tij ka sjellë një strukturim vertikal në shoqërinë franceze.

Me ironi ai ka hedhur poshtë zërat se e sheh veten si monark, duke theksuar se francezët janë një popull me histori unike në Europë.

“Mbretërvrasës që duan të zgjedhin një mbret të cilin të kenë mundësi ta rrëzojnë sa herë të duan”, shprehet ai.

Paragrafi më me rëndësi i intervistës është ai ku presidenti francez flet për mënyrën si e sheh ai detyrën e tij dhe raportin me politikën.

“Jam një besimtar i idesë se politika moderne duhet të rizbulojë një sens simbolizmi. Ne duhet të zhvillojmë një lloj heroizmi politik. Nuk dua të them se dua të bëj heroin. Por ne kemi nevojë që të jemi të përgjegjshëm edhe njëherë në krijimin e narrativave të mëdha. Nëse doni, për mua, postmodernizmi ishte gjëja më e keqe që mund t’i ketë ndodhur demokracisë sonë. Ideja se mund të dekonstruktosh dhe shkatërrosh të gjitha narrativat e mëdha nuk është e mirë. Qysh atëherë, besimi ka avulluar për çdo gjë dhe te çdokush. Ndonjëherë habitem se është media e para që shpreh mungesë besimi te narrativat e mëdha. Ata besojnë se duke shkatërruar diçka bën pjesë në qëllimin e tyre gazetaresk, pse diçka e madhe duhet patjetër të përmbajë një element të së keqes. Kritika është e domosdoshme, por nga vjen kjo urrejtje për këtë të ashtuquajtur narrativë e madhe?”, shprehet Macron.

I pyetur pse kjo narrativë është kaq e rëndësishme, presidenti francez gjuan sërish në mënyrë shumë të goditur: “Pse tërhiqet kaq shumë një pjesë e rinisë sonë nga ekstremizmi, xhihadizmi? Pse demokracitë moderne refuzojnë që të lejojnë qytetarët e vet që të ëndërrojnë? Pse nuk mund të ekzistojë diçka si heroizmi demokratik? Ndoshta kjo është detyra jonë: rizbulimi i diçkaje si ajo së bashku për shekullin e 21-të”.

Duke mos kursyer kritikat për median, Macron ka zbuluar se ideja e tij për Europën konsiston në tre gjëra: sovranitet, bashkim dhe demokraci.

Për sa i përket rolit të SHBA-së, Macron thotë se aleanca transatlantike është e domosdoshme dhe se SHBA është garancia e lirisë.

Trump është këtu tani dhe unë…nuk do të rresht së punuari me të”, shprehet ai. Në raport me kancelaren gjermane, presidenti francez thotë se “Merkel mishëron fatin e Gjermanisë në shekullin e 20-të”.

Ajo është kancelarja e pajtimit të Gjermanisë me Europën”, shprehet ai.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *