“Bagëti e Bujqësi” është vepra madhore e Naim Frashërit që lexohet dhe do të lexohet me ëndje në të gjitha kohët. Nuk ka shqiptar që nuk di përmendësh vargje të tërë të poetit kombëtar.
Domethënia e këtij libri është e madhe, e gjerë edhe sot e kësaj dite. Janë dy profesione kryesore, me të cilat ne “ndeshemi” çdo ditë. Ndaj, mendoj, t’i kthejmë më tepër sytë nga bagëtia e bujqësia… e Naim Frashërit, të cilat e mbajnë gjallë njeriun. Se të gjithë me laps e me kompjuter në dorë nuk do të ngelemi, apo jo?! Pa industrinë dhe zanatet, padyshim ngec në vend përparimi. Fushë me rëndësi është edhe turizmi, por jo aq sa i mëshohet shpeshherë nga qeveritarë pa vizion. Deri tani na ndodh, fjala vjen, si me juristët që siç shkruan fabulisti i shquar Ferit Lamaj: “Shqipëri, moj Shqipëri /një jurist për çdo shtëpi / male me padrejtësi.” Dhe tani shumë syresh nuk gjejnë punë as si kamarierë!
U veprua shumë keq kur njerëzit, të joshur nga “shkëlqimi” i qyteteve, ia mbathën nga fshati dhe pa ndonjë synim apo orientim shtetëror lidhur me urbanizimin, zunë ish-moçalishtet, grykëderdhjet e buzëlumenjtë, ultësirat dhe luginat. Ik, të ikim duke lënë shkretë shtëpitë, kullat, tokat, kopshtet, bagëtitë e ndryshme. Zbritën për të rrojtur me ajrin e qyteteve dhe rrethinave të tyre! Por ja, shumë nga ato sot u janë kthyer trojeve të mëhershme të gjyshstërgjyshërve dhe kanë nisur ta lulëzojnë e ta jetojnë jetën me punë të ndershme e vizione të reja…Dhe sërish përsërisim se sa madhështor, edhe në këtë fushë, paska qenë poeti dhe rilindësi i shquar, Naim Frashëri.
Letër e nënshkruar
Izet S. Çulli
