Partia Republikane ka akuzuar përfaqësuesit ligjor të familjarëve të Gërdecit se po shtyjnë qëllimisht çështjen ndaj Fatmir Mediut përtej datës 28 nëntor. Kjo për faktin se ministri Mediu përfiton nga amnistia, dhe kjo sipas PR do të përdoret politikisht.
“PR ka ndjekur me vëmendje dhe interes të vazhdueshëm gjykimin e çështjes Gërdeci ndaj kryetarit të saj zotit Fatmir Mediu në Gjykatën e Lartë. Në mënyrë të pajustifikuar dhe në kundërshtim me interesat e familjarëve të dëmtuar nga ngjarja e Gërdecit, të ashtuquajturit përfaqësues ligjor të tyre, janë duke bërë çdo përpjekje proceduriale që ky shqyrtim gjyqësor të shkojë tej datës 28 nëntor 2012. Nëse ky gjykim nuk do të përfundojë brenda kësaj date atëherë në bazë të ligjit për aministinë, ky gjykim do të pushohet. Të ashtuquajturit përfaqësues ligjor të familjarëve të dëmtuar të ngjarjes së Gërdecit, dhe subjekteve të tjera politike të interesuara jo për drejtësinë, do ta përdorin politikisht këtë lloj vendimi ashtu sikurse ndodhi dhe në rastin e imunitetit”, tha Arjan Madhi, nënkryetar i PR.
